Dossier

Fedhon Meksi: Lëvizjet sekrete të Ali Pashës në Janinë

               Publikuar në : 09:11 - 27/07/19 Fedhon Meksi

Mbërritja e Ali Pashë Tepelenës në Janinë dhe projektimi i çështjes shqiptare. Kush ishte njeriu i afërt i pashait shqiptar…

Fedhon Meksi

Vetëm një vit para se Vangjel Zhapa të vendosej në Janinë, Ali pashë Tepelena, duke përfituar me zgjuarsi nga rrethanat politike të brendshme dhe të jashtme, i kishte dhënë fund anarkisë feudale dhe e kishte shtrirë sundimin e tij në bregdetin shqiptar nga gryka e Shkumbinit deri në gjirin e Prevezës (1812).

Gjatë kësaj periudhe, Janina po lulëzonte jo vetëm si qendër e madhe ekonomike, por edhe si vatra kryesore kulturore e Ballkanit Jugperëndimor. Gjithashtu Janina u bë e famshme edhe për shkollat e mesme dhe bibliotekat e saj. Ajo gumëzhinte nga veprimtaria ekonomike, tregtare dhe administrative e aparatit të sundimtarit të saj energjik, nën qeverisjen e të cilit arriti kulmin e zhvillimit edhe nga pikëpamja demografike.

Në ato kohë Janina përjetonte periudhën më të shkëlqyer të historisë së saj. Aty sundonte ligji i shtetit të Aliut, që kishte siguruar barazi, qetësi, prosperitet si edhe marrëdhënie normale në mes shqiptarëve, grekëve, vllehve dhe hebrejve që popullonin këtë vilajet.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare, përpara se të përbënte një lëvizje kombëtare me një përmbajtje të re ideologjike, politike dhe kulturore, ekonomike dhe shoqërore, që më pas do të zgjidhte detyrat që i takonin çlirimit të vendit nga pushtuesi, bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm dhe të pavarur, duke hapur në këtë mënyrë rrugën e zhvillimit dhe përparimit të Shqipërisë, duhej të fillonte sa më shpejt me lëvrimin e gjuhës shqipe.

Për Ali Pashën dhe për intelektualët patriotë shqiptarë që e mbështesnin atë, ishte e qartë se konsolidimi i shqiptarëve si një komb i bashkuar, shtronte si kërkesë të domosdoshme kapërcimin e prapambetjes në shkrimin e shqipes, e trashëguar nga sundimi i tejzgjatur otoman.

Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XIX në pashallëkun e Janinës po përshpejtoheshin përgatitjet për realizimin e projektit madhor të Ali pashë Tepelenës, që synonte krijimin e shtetit shqiptar të pavarur. Ky shtet do të kishte gjuhën e tij zyrtare, që me siguri do të ishte gjuha shqipe. Për këtë arsye, Ali Pasha i kushtonte vëmendje të veçantë promovimit të gjuhës shqipe ndër të huajt e shumtë që vizitonin oborrin e tij dhe nxiste lëvrimin e gjuhës shqipe nga ata dhe nga intelektualët shqiptarë, disa prej të cilëve të diplomuar në universitetet më të shquara të Evropës.

Kjo ka qenë atmosfera në të cilën zhvillohej mendimi patriotiko-kulturor shqiptar në Pashallëkun e Janinës, në kohën kur po rritej dhe shkollohej Vangjel Zhapa, ai që do të bëhej një nga protagonistët kryesorë për nxitjen e lëvrimit të gjuhës shqipe, botimin e abetareve të para shqipe dhe ngritjen e shkollave ku do të mësohej edhe gjuha shqipe, gjatë viteve të mesit të shekullit XIX.

Riga Ferrereos (1757 – 1798),

Miku i Ali Pashës

Në formimin e vizionit të Ali pashë Tepelenës dhe pasuesve të tij për ngritjen dhe organizimin e shtetit autonom të Janinës, ndër ta edhe Vangjel Zhapa, kanë rolin e tyre edhe idetë filozofike antifeudale, antiklerikale, demokratike që shpërthyen revolucionin e madh francez. Ideologjia revolucionare dhe konceptet bazë të saj, si nacionalizmi dhe idetë e formimit të shtetit komb, u përcollën në mënyrë të përpiktë dhe të drejtpërdrejtë nga Parisi në Janinë nëpërmjet miqve të Aliut, ndër të cilët ishte edhe greku Riga Ferrereos.

Riga ishte linguist, poet, filozof, politikan dhe mbi të gjitha kryengritës. Ai konsiderohet si pararendësi i revolucionit grek i vitit 1821 dhe hodhi bazat e organizatës nacionaliste Filiqi Eteria. Veçse Riga, ndryshe nga të tjerët, besonte se vetëm një lëvizje demokratike e ngjashme me Revolucionin Francez, do të sillte çlirimin e popujve të Ballkanit nga zgjedha osmane. Për të ishin të shenjta të drejtat e njeriut, barazia sociale, shteti ligjor, e drejta e besimit dhe të drejtat e popujve për vetëvendosje.

Riga Ferrereos u tradhtua nga vetë grekët dhe u arrestua në Portin e Triestes në vitin 1798, që në atë kohë bënte pjesë në Perandorinë Austro-Hungareze. Ithtarin e flaktë të ideve revolucionare, qeveria reaksionare e Vjenës e dorëzoi te Pashai i Beogradit, i cili, sipas rregullave otomane në fuqi duhet ta dërgonte në Stamboll për gjykim. Por Rigën e burgosën, e torturuan dhe e mbytën në Danub së bashku me pesë shokët e tij. Thuhet se turqit u nxituan për t’i vrarë ata, sepse ishin informuar për pritat që kishte ngritur Ali pashë Tepelena për t’i liruar të burgosurit gjatë rrugës për në Stamboll.

Në mungesë të Riga Ferrereos dhe pas eliminimit të krahut të tij që udhëhiqej nga idetë social-demokrate, Filiqi Eteria e themeluar në Rusi (1814) me pëlqimin dhe frymëzimin e rusëve, nuk kishte asnjë mesazh shoqëror dhe u drejtohej vetëm pronarëve të mëdhenj, koçobashëve të pasur dhe klerikëve të lartë. Nën drejtimin e Filiqi Eterias, kryengritja greke e vitit 1821-1830 do të kthehej në një kryengritje tërësisht fetare, kurse vetë ajo mbeti si një mbështetëse e përhershme e politikës ruse në Ballkan.

Vangjel Zhapa, ithtari i Ali Pashës

“Pas dështimit të përpjekjeve për formimin e një shteti të madh shqiptar, në përbërjen e të cilit do të ishte edhe pjesa veriore e Shqipërisë, me qartësinë e një politikani të shquar të kohës, Ali Pasha u përpoq ta bashkërendiste kryengritjen kundër Stambollit me lëvizjet çlirimtare të popujve të Ballkanit, duke e parë këtë si të vetmen rrugë drejt lirisë. Në rast fitoreje, Aliu do të krijonte një shtet monarkik konstitucional shqiptar të përbërë nga zotërimet shqiptare dhe nga Thesalia, në krye të të cilit do të vihej vetë”.

Vangjel Zhapa, oficer i ri në ushtrinë e Ali pashë Tepelenës, u përfshi plotësisht në projektin që kishte hartuar Aliu së bashku me këshilltarët e tij shqiptarë. Dhimitër Shuteriqi ka shkruar: “Vangjel Zhapa, që kishte shërbyer që shumë i ri tek Ali pashë Tepelena dhe i kishte mbetur këtij besnik gjer në fund, ishte, me sa duket, në krye të herës, për një shtet shqiptaro-grek, ku shqiptarët do të luanin edhe në të ardhmen rolin e madh që luante Aliu”.

Bashkimi i trojeve dhe formimi i shtetit shqiptar, përbën një nga elementet kryesore formues të vetëdijes kombëtare shqiptare që shërbyen si truall ngjizës i nacionalizmit shqiptar, i cili mbiu në epokën e Ali Pashë Tepelenës. Ndryshe nga nacionalizmi i popujve të tjerë ballkanik, nacionalizmi shqiptar, i ndikuar nga revolucioni francez, kishte një vizion të përparuar shoqëror, pra lindi demokratik.

Duket se edhe Vangjel Zhapa, falë zgjuarsisë, intuitës dhe aftësisë për të ecur me kohën, ishte përfshirë nga idetë liridashëse dhe demokratike që vinin nga Parisi.

Roli i shqiptarëve në kryengritjet antiosmane (1821)

Në fillim të shekullit XIX, greko-fanarioti Aleksandër Ipsilanti (1792–1828), kryetar i Shoqërisë së Miqve (Filiqi Eteria), shoqëri politike greke e themeluar për të përgatitur shpërthimin e kryengritjeve kundërosmane të vitit 1821 në Moldavi, Vllahi dhe Greqi, u bënte thirrje ortodoksëve grekë, shqiptarë, bullgarë, rumunë dhe armenë që të ngriheshin kundër turqve në një kryengritje që do të ngjante më tepër me një kryqëzatë dhe do të synonte formimin e një shteti ortodoks me kufijtë e Perandorisë Bizantine dhe me Kostandinopojën (Stambollin) si kryeqytet.

Në të vërtetë shumë ortodoksë jogreqishtfolës morën pjesë aktive në këto kryengritje, që u bashkërenduan edhe me veprimet luftarake të Ali pashë Tepelenës kundër turqve. Në kryengritjen greke pati një pjesëmarrje masive të arvanitëve, myslimanë dhe ortodoksë, ndër të cilët u dalluan veçanërisht Kolokotroni, Karaiskaqi, Laskarina, Bubulina, Kryezinjtë, Boçarët e shumë të tjerë, si edhe shqiptarët, dr. Vangjel Meksi, Vangjel Zhapa, Petro Panajot Meksi etj.

Numëroheshin disa mijëra kryengritës shqiptarë në Rumani, që komandoheshin nga Naum Bredhi-Veqilharxhi, ai që do të ishte ideologu, filozofi dhe politikani i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Shqiptarë të shumtë të fesë ortodokse dhe jo vetëm, morën pjesë në kryengritjet greke dhe rumune, duke shpresuar se në shtetin e lirë që do të krijohej pas fitores, do të gëzonin të drejta të barabarta me kombësitë e tjera të Ballkanit, veçse, pa menduar më thellë për fatin e toskëve myslimanë dhe të gegëve në përgjithësi, si edhe për ruajtjen e tërësisë së atdheut të tyre. Ishte koha kur shqiptarët ishin të ndarë jo vetëm në të krishterë dhe myslimanë, por edhe në gegë e toskë që banonin në katër vilajete të ndryshme të Perandorisë Osmane dhe ishin të përziera artificialisht me popullsi të tjera joshqiptare.

Në të vërtetë pas këtyre kryengritjeve ishin vetëm grekët dhe serbët që arritën të ngrinin shtetet e tyre.

Nga vija e parë e frontit në komandant brigade

Si oficer i ri që ishte, në vitin 1820, Vangjel Zhapa u emërua në garnizonin e vendosur në kështjellën e fshatit Mazia, që ndodhej në Jug të Janinës dhe më pas u bashkua me suljotët, në atë kohë miq të Aliut, për të luftuar kundër turqve.

I përfshirë në Revolucionin grek, Vangjel Zhapa fillimisht mori pjesë aktive nën komandën e Marko Boçarit dhe Kiço Xhavellës, në betejat e përgjakshme për çlirimin e Sulit. Në njërën nga këto beteja ai kreu një akt heroik, kur kaloi i maskuar vijën e frontit për të koordinuar veprimet luftarake me suljotët që gjendeshin të rrethuar. Si adjutant i Marko Boçarit, Zhapa mori gradën e majorit dhe dinstiktivin Kryeengjëll Mihali.

“Vangjel Zhapa e kishte për nder e krenari ta quante veten Vangjel Zhapa suljoti”.

Pas çlirimit të Sulit, Vangjel Zhapa luftoi në Mesolongj dhe pas vdekjes së Marko Boçarit, nën komandën e Kosta Boçarit, Zervës, Panarjasë dhe Gurras, luftoi në betejat e përgjakshme që u zhvilluan në Termopile, Vasilika, Aito dhe Gravia, ku u shqua për trimëri të rrallë dhe u quajt hero nga vetë grekët. Më pas ai luftoi edhe në Splanca së bashku me Zeivras dhe Veikun që kishin pasur pozita drejtuese në gardën e Ali pashë Tepelenës.

Përveç pjesëmarrjes në shumë beteja të zhvilluara në Epir, Vangjel Zhapa mori pjesë aktive edhe në betejat antiturke në Greqinë lindore dhe në Peloponez, duke u shquar për trimëri të rrallë, sidomos në betejën e Kacinadhës. /Gazeta Liberale

(Visited 98 times, 1 visits today)

Etiketa: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *