
Orët e ardhshme do të jenë historike për futbollin iranian dhe konkretisht tifozët e saj. Për herë të parë në dekadat e fundit, gratë iraniane do të kenë mundësi të hyjnë në një stadium futbolli të enjten.
Lajmi konfirmohet mga mediat vendase, me vendimin që vjen pas kërcënimit të FIFA-s, e cila i komunikoi Federatës Iraniane të Futbollit me përjashtim pas politikës kontroverse për lejimin vetëm të burrave në stadiumet e futbollit.
Organi qeverisës i futbolli botëror e urdhëroi Iranin muajin e kaluar t’ua lejojë grave hyrjen në stadiume, pa kufizime dhe në numër aq të madh sa të ketë kërkesa për bileta. Urdhri erdhi pasi tifozja e njohur si “Vajza e kaltër” bëri vetëvrasje, duke i vënë zjarrin vetes nga frika se do të burgosej pasi që ishte maskuar si djalë për të ndjekur një ndeshje në një stadium.
Shumë gra vepruan shpejt për të marrë bileta për ndeshjen kualifikuese të Botërorit 2022 të Iranit kundër Kambodisë, që do të zhvillohet të enjten në stadiumin “Azadi”. Pjesa e parë e biletave u shit brenda më pak se një ore. Një zyrtar i Ministrisë së Sportit tha se stadiumi me kapacitet prej 100 mijë ulësesh, emri i së cilit përkthehet në “Liri”, është gati për të qenë pritës edhe për më shumë gra.
Që prej revolucionit Islamik të vitit 1979, gratë kanë pasur shumë rrallë fat për të hyrë në stadiumet në Iran, pasi që klerikët argumentojnë se ato duhet të mbrohen nga atmosfera “mashkullore” dhe nga djemtë gjysmë të zhveshur.