Kryesore

Fatura e vdekjeve të COVID

               Publikuar në : 09:51 - 21/11/20 liberale

Debati për vërtetësinë shifrave të vekjeve nga COVID-19, i hapur nga Kreu i PD, vijoi dje me përgjigjen e mjekëve të Spitalit Infektiv dhe kryeministrit, Rama, të cilët e hodhën poshtë. Por Basha sërish pasdite i qëndroi denoncimit, duke i bërë thirrje SPAK të hetojë  

Lulzim Basha publikoi para dy ditsh në Opinion dy lista që sipas tij janë dëshmi e një skandali tronditës, atë të fshehjes së të vdekurve nga Covid-19 në vendin tonë dhe raportimin e një shifre gati të përgjysmuar të numrit real.

Denoncimin që do të përbënte skandalin më të rëndë që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë, Lulzim Basha tha se e kishte të vërtetuar përmes të dhënave që i kishin denoncuar njerëz të përgjegjshëm nga morgu i Tiranës. Kreu i PD-së tha se kishte me vete dy lista me emra të vdekurish, që duhet të merreshin nga prokuroria menjëherë për të nisur hetimet.

“I bëj thirrje menjëherë prokurorisë të shkojë tani në morgun e Tiranës. Unë dua të mos të kem të drejtë, por po na ndodh e kundërta. Vetëm pardje ke pasur 13 ambulanca që prisnin aty. Gazetarët e linjës atje me të cilët unë kam pasur takime,  thonin që ambulancat i mbanin aty për të vendosur kë do mbanin për të shëruar dhe kush do vdiste. Nëse ka një të vërtetë dhe sistemi është drejt kolapsit, të bëjmë presion maksimal”, tha Basha.

“I kërkoj prokurorisë të shkojë menjëherë, të sekuestrojë dokumentat, se i shkatërrojnë dokumentat atje”, u shpreh Basha, i cili tha se njerëz të përgjegjshëm kanë dorëzuar të dhënat pranë Partisë Demokratike.

Në njërën nga listat, tha Basha janë emrat e pacientëve me covid që kanë vdekur dhe janë raportuar, ndërsa në listën tjetër janë emrat e personave që kanë ndërruar jetë dhe janë vërtetuar.

Që nga marsi e deri tani janë 414 raste fatale që janë mbajtur të fshehura, sipas të dhënave të PD-së. Nga këto tabela, rezulton se autoritetet kanë publikuar gjithsej për periudhën Mars-Tetor 2020, vetëm 509 raste fatale, ndërsa realisht janë 923 viktima nga COVID-19.

Situata është edhe më e rëndë gjatë muajit nëntor që ende nuk është mbyllur. Në 17 ditët e para të muajit janë raportuar 128 viktima, ndërsa shifrat reale tregojnë se numri i vdekjeve gjatë këtyre ditëve është më shumë se dyfish, plot 315 vdekje.

Data 9 nëntor rezulton si më tragjike sa i përket fataliteteve ku Ministria e Shëndetësisë ka raportuar numrin më të lartë të vdekjeve, 11, ndërsa shifrat reale sipas të dhënave të publikuar nga Basha, janë 26 viktima nga COVID-19.

Përgjigjia e Ramës

Menjëherë pasi kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se disa qindra të vdekur nga Covid janë mbajtur të fshehtë nga autoritetet gjatë periudhës mars-tetor, kryeministri Rama komentoi nga studioja e emisionit “Real Story” në Neës 24.

“Çfarë mund t’i përgjigjesh tani?! D.m.th është pjesë e asaj që thashë, panik, konfuzion, shqetësim, katastrofë. Qeveria nuk deklaron asgjë. Numri i fataliteteve është një numër që pasqyrohet çdo ditë në bazë të kritereve që janë të lidhura me një element të thjeshtë: Të sëmurët nga Covid. Të tjerat janë spekulime, s’kanë asnjë bazë dhe hyn në atë të përditshmen: Shpif, shpif se diçka do mbetet, kall dëshpërim tek njerëzit se diçka do ndezë, ajo që përpiqen këta të ndezë, është se duhet të kuptojnë që pse kanë humbur që nga dita e parë” tha Rama.

Të dhënat e INSTAT për vdekjet

Edhe të dhënat e INSTAT që dolën pak ditë më parë raportuan se numri i vdekjeve është rritur me shpejtësi në tremujorin e tretë, teksa Shqipëria hyri në valën e dytë të koronavirusit. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë 2020, pra në muajt Korrik, Gusht, Shtator u shënuan gjithsej 6,294 vdekje nga 5,006 në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total janë shënuar 1,288 vdekje më shumë nga muajt Korrik, Gusht dhe Shtator të një viti më parë. Kjo rritje la të mendohet se jetët e humbura nga koronavirusi mund të kenë qenë shumë më të larta sesa janë raportuar deri tani.

Të dhënat historike tregojnë se tremujori i tretë 2020 ka shënuar një nivel rekord vdekjesh të paktën që prej vitit 2011, kur raportohen të dhënat nga INSTAT.

Mjekët

Mjekët e Spitalit Infektiv përmes një video mesazhi kanë reaguar dje ndaj deklaratës së kreut të PD, Lulzim Basha se shifrat e viktimave nga COVID janë manipuluar qëllimisht, duke e cilësuar këtë  një deklaratë dashakeqe dhe në mungesë të plotë të humanizmit nisur nga koha që po jetojmë.

Në deklaratën e shpërndarë për mediat, shefja e Infektivit, Najada Çomo shprehet se nëse të tilla akuza përsëriten, do të merren masa duke thirrur prokurorinë që të hetojë kartelat e personave  që kanë ndërruar jetë.

“Nuk është kurrsesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga COVID, kjo është praktikisht dhe teorikisht e pamundur. Kartela që përcjell të vdekurin në morg është e vulosur nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit dhe ka konstatuar edhe vdekjen.

Shkak i humbjes së një jete në spital nuk mund të përcaktohet nga politika apo nga kushdo qoftë, veç mjekut. Kartelën e viktimës s’e zëvendësojnë dot deklaratat bombastik që vënë në pikëpyetje humanizmin e vetë personave që i kanë lëshuar në këtë kohë të vështirë që po kalojmë. Bëjmë me dije se nëse kjo akuzë do të përsëritet ne do të ftojmë organet kompetente që të verifikojë çdo kartelë.

Duhet t’i jepet fund kësaj praktike që bën politikë me vdekjet. Dalja jashtë shinave të së vërtetës në një kohë si kjo është gjëja e fundit që na shkon në mend”, thuhet veç të tjerash në deklaratë.

Kreu i Mjekësisë Ligjore: Morgu jo në varësinë tonë, por të QSUT 

Drejtori i Mjekësisë Ligjore, Bledar Xhemali bëri me dije se morgu nuk është në varësi të tij, por në varësi të QSUT. QSUT nga ana e saj nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment lidhur me këto deklarata. Zëdhënësja e këtij institucioni u shpreh se QSUT nuk merret me deklarata politike. Lidhur me këtë çështje ka pasur  një reagim edhe nga SPAK, që ka thënë se nuk është kompetencë e këtij institucioni inventarizimi i të vdekurve.

Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës që e ka në kompetencë, nuk bën me dije nëse do nisë verifikimet apo hetim kryesisht mbi akuzat.

Dëshmia e Palokës

Nënkryetari i PD, Edi Paloka ka dëshmuar historinë personale të fshehjes së numrit të viktimave nga COVID-19 me raste të rrethit familjar të tij pasi demokrati në ditët e fundit ka humbur 2 njerëz të afërt të rrethit familjar.

Paloka denoncon se vajza e tezes së tij, pedagogia Irena Bogdani vdiq nga COVID-19 dhe nuk është raportuar askund nga autoritetet që ka vdekur nga virusi.

Ai thekson se ajo vdiq në spitalin infektiv e prekur nga COVID-19, por asnjë prej mjekëve që e ndoqën nuk e di që Bogdani nuk rezulton të ketë humbur jetën nga virusi.
Po ashtu Paloka zbulon se ka humbur dhe xhaxhain nga COVID-19, por ai u trajtua dhe vdiq në shtëpi dhe thotë i bindur se as nuk bëhet fjalë që ta kenë shënuar në ndonjë dokument zyrtar.

Shifra rekord viktimash dhe të infektuarish me COVID, humb jetën dhe një fëmijë 16-muajsh 

 Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri ka pasur 15 persona që kanë humbur jetën nga COVID-19 si dhe janë regjistruar 836 raste të reja pozitive duke shënuar një rekord si për viktimat ashtu edhe për infektimet. Mes viktimave është një fëmijë vetëm 16-muajsh, i cili ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19 në Pediatrinë e Tiranës.

I ndjekur dhe trajtuar në pavionin COVID në Pediatrinë e Tiranës për gjendjen dhe shenjat klinike për S. Kaëasaki, Ministria e Shëndetësisë bën me dije se, gjendja e tij u rëndua brenda 24 orëve dhe më pas është dërguar në terapinë intensive ku, megjithë mjekimin me terapinë e plotë të trajtimit dhe përpjekjet e mëdha të mjekëve të reanimacionit, nuk ka mundur të mbijetojë, si pasojë e një komplikacioni të rrallë (Sindroma Inflamatore  Multisistemike) ndër komplikacionet më të rralla që haset në moshën fëminore si pasojë e COVID-19.

Gjatë ditës së fundit janë kryer 2 677 testime (479 janë testime janë kryer për arsye depistimi) ku kanë rezultuar të infektuar 836 persona. Bashkë me rastet e fundit, aktualisht në të gjithë vendin ka më shumë se 15 700 persona të prekur, ku Tirana mban rekord me më shumë se 8 mijë  raste.

Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 436 pacientë, 10 në terapi intensive, 5 pacientë janë të intubuar. Nga ana tjetër në 24 orët e fundit janë shëruar 490 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 15,055 që nga fillimi i epidemisë. /Gazeta Liberale

 

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back