Aktualitet

Fatos Kongoli: Karantina do sjellë ndryshime të mëdha për botën

Shkruar nga Liberale
Fatos Kongoli: Karantina do sjellë ndryshime të mëdha për

Në një bisedë që shkrimtari Fatos Kongoli ka bërë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit me drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe leximit, Alda Bardhyli, ka folur edhe për karantinën e tij.

“Kemi kaq kohë të mbyllur, në karantinë. Ky është komunikimi i parë që unë bej, përveç telefonatave të rastit me shokët, dhe më bëhet shumë qejfi që komunikojmë pikërisht sot që është dita botërore e letërsisë”, tha ai, duke shtuar se roli i letërsisë dihet.

“Njerëzit janë të detyruar të mbyllen në karantinë dhe një nga mënyrat më të mira për të kaluar kohën, apo për t’u ndjerë më mirë, është leximi dhe këtë e kam ndjekur edhe vetë. Unë e kam kaluar duke lexuar një kryevepër botërore, ‘Don Kishotin e Mançes’ të Servantesit, të dy vëllimet, i pari i përkthyer nga Noli dhe tjetri nga Petro Zheji”, pohoi shkrimtari që sapo ka botuar një libër me kujtime nën titullin “Kapitulli i Amerikës”.

Është një libër në thelb me kujtime, thotë ai, duke shtuar se para nja 10 vjetësh ka botuar “Iluzionet në sirtar”, një roman që bëri jehonë shumë të madhe. “Ky libri i ri që unë e kam titulluar ‘Kapitulli i Amerikës’, meqë vitet e fundit jetova 7 vjet radhazi më shumë në Amerikë sesa në Shqipëri. Është një libër që lidhet me këtë periudhë të rëndësishme të jetës sime. Prandaj e kam quajtur ‘Kapitulli i Amerikës’, por sigurisht është një libër ku përveç përjetimeve të mia në Nju Jork kryesisht, vendit ku jetova, shqiptarëve, amerikanëve që njoha nga fusha e letërsisë, shkencës, etj. Në këtë libër zë një vend jo të vogël një peripeci që kalova unë gjatë vitit 2018, pas një sëmundjeje shumë të rëndë ku u operova 2 herë, si me thënë, praktikisht, siç e them edhe vetë, vajta trokita te dera e Shën Pjetrit, por nuk ma hapën. Më thanë ‘kthehu mbrapsht, se ke akoma…”- rrëfeu ai në një bisedë virtuale me Alda Bardhylin, drejtoreshë e Qendrës së Librit.

Kur ajo e pyet, nëse mendon që këto kohë të vështira do të sjellin një rend, një qasje të re për kulturën, për librin, për njerëzimin, Kongoli përgjigjet se nuk e di akoma si do dalim.

“Është e paqartë, megjithëse ka projekte në të gjithë botën projekte për të dalë. Debatohet shumë se si do dalë bota pas kësaj pandemie, si me thënë. Megjithatë, unë kam krijuar një bindje timen, nga sa dëgjoj, që bota nuk do të jetë më ajo që ishte, do të jetë tjetër. Do ketë zhvillime shumë të mëdha, sipas meje, zhvillime botërore në realitetin botëror, sipas meje. Nuk jam as sociolog, as politikan… por e ndiej që ndryshimet do të jenë të mëdha, shumë të mëdha”,-vëren shkrimtari.

Në fund ai e mbyll me një mesazh: “U kam thënë gjithmonë lexuesve- lexoni, lexoni sa më shumë, lexoni. Nuk ka gjë më të mrekullueshme sesa leximi i një libri”.

Ndërkaq, vetë Bardhyli tha dje se kryeqyteti i librit për vitin 2020 është Kuala Lumpur (Malajzi), qytet që është dalluar për përpjekje të shumta në fushën shoqërore që leximi dhe kultura të jenë të arritshme për të gjithë popullsinë.

“Për ne shqiptarët është dita e Gjon Buzukut, e Jeronim De Radës, e Naim Frashërit, e Dora d’Istrias, e Gjegj Fishtës, e Asdrenit, e Migjenit! E shumë e shumë të tjerëve, poetë e shkrimtarë të shquar, që nuk jetojnë më sot, por që ngritën kështjellën e letërsisë dhe të gjuhës shqipe. E të gjithë atyre që nuk reshtin së shkruari dhe mbajnë gjallë letërsinë tonë kombëtare”, u shpreh drejtoresha e QKL.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH