“Si ju lindi dëshira për të udhëtuar?” Vite më parë kjo pyetje më vinte në siklet. Ndodhte kështu sepse nuk e dija edhe fort mirë si ti përgjigjesha. Por me kalimin e viteve gjërat vijnë duke u qartësuar dhe tani mendoj se mund ta kem një përgjigje për këtë pyetje, që më ngatërrohej vazhdimisht nëpër këmbë.
Unë besoj se jo dëshira, por më shumë se kaq, etja e njeriut për të lëvizur e udhëtuar, lind bashkë me embrionin njerëzor. A nuk është akti i lindjes një lloj udhëtimi? Që foshnjë dëshirojmë të prekim, dëshirojmë të shikojmë, të nuhasim, të komunikojmë e pastaj vjen akti më i lartë i të udhëtuarit në jetën tonë, ngritja në këmbë”.
Fatos Baxhaku e nis kështu parathënien e librit “Gur” (2008), duke i dhënë përgjigje një pyetje që lidhej me dëshirën e tij të përhershme, udhëtimin.
Nga Martaneshi, Mirdita, Shkodra, Devolli, Rrëzoma, Dibra, Berati, Ulëza, Tropoja, Kanina, Librazhdi, Narta etj, kanë mbetur sot gjurmët e udhëtimeve të tij përmes reportazheve që i mblodhi në këtë libër, botuar më parë çdo të dielë në gazetën Shqip. Ato janë shkruar në një periudhë që nis në majin e vitit 2006 dhe mbarojnë në tetorin e 2007-tës. Pjesa e dytë e këtij libri titullohet “Haberet e Cenit”, një përmbledhje opinionesh të cilat Baxhaku me humor shprehej se i kishte shkruar në bashkëpunim me “një tirons nga rruga e Kavajës”.
“Nuk ma bën zemra dhe nuk ma do mëndja ta quaj Cenin imagjinar. Unë jam i bindur se ai ekziston vërtet diku në shtëpitë e vjetra, që tani kanë nisur të rrethohen nga pallatet shumëkatëshe. Rri afër sobës së tij të vjetër, thith fort cigaren dhe shikon lajmet duke tundur kokën i pakënaqur”, shprehej Baxhaku. I tërhequr herët nga historia, (puna e tij e parë ka qenë në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave), ai spikati herët si gazetar pikërisht për mënyrën sesi e tregonte historinë. Për të historia ishte referimi i përhershëm që nuk të lë të gabosh. Në historinë e medias shqiptare, Baxhaku ishte përfaqësuesi më i mirë i një gjenerate, i cili ofroi modelin e një gazetarie bashkëkohore, në një kohë tranzicioni për median e shoqërinë shqiptare. Me portretin që përshkrohej gjithnjë nga një buzëqeshje, ai ruajti deri në fund integritetin e një profili gazetari që shumë pak e takojmë në këto kohëra.
Ndoshta prandaj e quajti “Gur” përmbledhjen me shkrime të kohës ndoshta më interesante në karrierën e tij, gjatë drejtimit të Gazetës Shqip. Fatos Baxhaku ishte kryeredaktori i parë i kësaj gazete, e cila solli një model perëndimor në shtypin shqiptar, me hyrjen e saj në tregun e botimeve në mars të vitit 2006. E pse nuk ishin kohëra për kulturën, ai rriti hapësirën e saj në gazetë i bindur, se, vetëm duke përsosur shijen estetike, do të kemi një shoqërie e lexues më të mirë nesër.
Reportazhet dhe opinionet e tij në SHQIP një pjesë e të cilës ai i mblodhi në këtë libër, janë dëshmi e një kohe që do ti shërbejnë historisë dhe një leksion e model për gazetarinë moderne shqiptare. Fatos Baxhaku do të kujtohet gjithmonë, jo vetëm sa herë të flitet për historinë e kësaj gazete, por sa herë që do flasim për historinë e medias në vend./Shqip