Aktualitet

Fatkeqësia e Shqipërisë nuk është Rama, por socializmi që implementoi

Shkruar nga Liberale
Fatkeqësia e Shqipërisë nuk është Rama, por socializmi

Gentian Kaprata – Polity&Ideology

Që në fillim të këtij shkrimi është e domosdoshme të bëjmë një sqarim të rëndësishëm. Z. Rama, jo si individ por në kuptim të mënyrës sesi po qeveris, është një fatkeqësi e madhe për vendin. Këtë përfundim nuk e kemi arritur sot. Ne në blogun urbanism&democracy e kemi përjetuar, pak nga pak, çdo ditë të qeverisjes së tij. Bile, e kemi parashikuar edhe më parë se ai të vendosej në pozicionin e krye qeverisësit, duke analizuar mënyrën sesi ka qeverisur Tiranën urbane.

Duhet thënë gjithashtu, se rotacioni i pashmangshëm i fund prillit të ardhshëm është një mundësi e mirë për Shqipërinë. Nëpërmjet tij, ajo, mund të hyj në fazën përmbyllëse të tranzicionit. Dhe këtu, sapo kemi thënë dy gjëra. Së pari, se kushdo që do ta zëvendësojë z. Rama, do bëj një ndryshim të madh në qeverisjen e Shqipërisë. Këtë përfundim nuk e arrijmë duke pasur në mendje ndonjë figurë konkrete që ka potencialet më të mëdha ‘për të ardhur’, por thjeshtë duke pasur si referencë z. Rama që ‘do të iki’. Dhe së dyti se, Shqipëria që të përmbylli tranzicionin, nuk ka domosdoshmëri vetëm të bëj rotacion, por të ndahet njëherë e mirë nga socializmi.

Kur themi ‘të ndahet nga socializmi’, sigurisht që jemi të qartë se që në 12 apo 17 dhjetor të vitit 1990-të, ditë kur u formësua de facto apo de jure Partia Demokratike, shqiptarët janë ndarë nga socializmi stalinist që i qeverisi për 46 vjet. Kështu që nuk e kemi fjalën për të, por për socializmin ‘demokratik’, i cili megjithëse lejon pluralizmin politik, nëse zgjat në kohë, sjell të njëjtat produkte ekonomike dhe politike për të qeverisurit prej tij. Bile, nëse vijon për një kohë akoma më të gjatë, të destinon pashmangshmërisht te socializmi stalinist. Kjo kohë ‘akoma më e gjatë’, mund të jetë edhe e shkurtër për vende si Shqipëria që më shumë kanë traditë socializmin stalinist sesa demokracinë liberale. Prandaj, halli më i madh i Shqipërisë nuk është z. Rama dhe qeverisja e tij, por socializmi dhe etatizmi që ai ka ‘deliver’ në Shqipërinë e viteve të fundit.

Për fjalën angleze ‘deliver’ nuk ka një fjalë shqipe që e përfaqëson shterueshëm, dhe ne nuk e kemi përdorur se jemi anglisht-folës të mirë, plotësisht në të kundërt. E kemi përdorur sepse është fjala e vetme që njohim, e cila përcakton plotësisht konceptin që kemi në mendje. Ajo, në kuptimin modern dhe më të gjerë të përdorimit të saj ka të bëjë me dorëzimin nga një sipërmarrje te një klient, të produktit që klienti ka porositur më parë. Pra një sipërmarrës e di çfarë dëshiron konsumatori, e prodhon atë, dhe kur klienti e porosit, ai ja dërgon. Hapi i këtij procesi, ku produkti mbërrin te konsumatori, quhet ‘delivered’ dhe nënkupton se transaksioni përfundoi.

Mirëpo, jo çdo përfundim ‘kontrate’ është një përfundim i suksesshëm, apo që kënaq të dyja palët. Është e sigurt se shitësi është i kënaqur nga ky akt shit-blerje, sepse ai e njeh produktin që do shesë dhe çmimin për të cilin po e shkëmben, kurse blerësi njeh vetëm çmimin. Ai nuk e njeh produktin, ose më saktë njeh vetëm disa karakteristika formale dhe vizuale të tij, por nuk njeh efektivitetin e tij. Sepse një produkt, përgjithësisht, blihet që të kryej një funksion apo një shërbim. Kështu, shpesh ndodh që konsumatorët të zhgënjehen nga produkti që kanë blerë, megjithëse transaksioni ekonomik ka qenë plotësisht i rregullt, përderisa shitësi dhe blerësi e kanë kryer atë në liri të plotë veprimi. Kjo ka ndodhur me shqiptarët nën qeverisjen e Rilindjes.

Nëse përjashtojmë deformimet e votës në zgjedhjet e vitit 2017, gjerësisht të njohura dhe të komentuara, ky ka qenë thelbi i marrëdhënies së shkëmbimit të sovranitetit me besim përfaqësues, në dy legjislaturat e qeverisura nga rilindja. Rilindja me z. Rama në krye ka ‘shitur’ gjëra dhe sovrani në një masë kritike, i ka ‘blerë’. Zhgënjimi masiv i sovranit konsumator me produktet e rilindjes, nga ana tjetër, tregon se transaksioni edhe nëse ka qenë i rregullt nuk ka arritur të kënaqi të dyja palët. Shitësin, që ka bërë dy mandate dhe kërkon të tretin sigurisht që e ka lumturuar, por jo blerësin, i cili mezi po pret të vijë dita që të blej te një shitës tjetër.

Dhe këtu vijmë te halli që na ka shtyrë të shkruajmë këto rreshta. Dështimet e punësimit të 300 mijë njerëzve, legalizimeve falas, shëndetësinë falas, dhe kush i mban mend sa anekdota të tjera si këto ka premtuar rilindja, nuk erdhën rastësisht. Ato erdhën se nuk mund të ketë punësim masiv, nën një qeverisje etatiste. Ato erdhën, gjithashtu, sepse nuk mund të ketë legalizime apo shëndetësi falas, për to duhet të paguajë dikush. Dimensioni politik mund të përcaktoj vetëm kush duhet të paguajë. Socialistët, stalinist apo demokratik, na thonë se duhet të paguajnë të tjerët, jo ata që e konsumojnë këtë shërbim apo produkt. Këto kishte në mendje z. Rama kur na i premtoi falas, dhe prandaj ai me të vetën ka suksesuar kurse shoqëria mendon se ka dështuar.

Prandaj, nëse vërtet duam që një qeverisje të suksesoj, sepse dështimet apo sukseset e një qeverisje janë dështimet apo sukseset e asaj shoqërie; nuk duhet të refuzojmë vetëm hallin e madh, Rilindjen. Na duhet të refuzojmë edhe fatkeqësinë më të madhe, socializmin që ajo implementoi, sepse socializmat gjithmonë do të dështojnë pavarësisht kush i premton. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH