Kryesore

Fast food mediatik, dhe dy zonjat që i bënë lak vdekjes

               Publikuar në : 11:13 - 28/06/21 Loer Kume

Loer Kume

Në një studio televizive, në më të famshmen studio televizive në Shqipëri, drejtuesi kishte mbledhur 8 të ftuar nga bota e letrave, midis te cilëve dy miq të mitë, për të folur për letërsinë bashkëkohore shqipe, apo për letërsinë, apo për sugjerime për letërsinë, këtë s’e kuptova dot, por me çfarë kuptohej, tradita e egër e emisioneve të plazhit po afron, e këta njerëz të letrave a të gazetarisë, duhej të sugjeronin letërsi të mirë që lexuesit shqiptarë në prag pushimesh të shfletojnë nga një zhytje në tjetrën e nga një foto në tjetrën. Dhe ç’ngjau? U përmend Kadare, të paktën dy-tre herë nga shumica e tyre, pastaj u bënë ca qoka, sigurisht duke bindur veten që nuk po bëhen qoka, pastaj u thanë ca preferenca letrare, pastaj ca sugjerime qe shkonin nga Shekspiri te Ariosto, nga Balzaku te Gëte, nga Homeri te Gjergj Elez Alia, nga Meshari te Komedia Hyjnore.
Sigurisht unë e ekzagjeroj pak, por vobektësia e titujve, mosnjohja e panoramës letrare të re shqiptare, errësira dhe lodhja nga letërsia ku e orientojnë të tillë programe lexuesin, sigurisht do ta shqyejnë në insta’stories dhe facebook likes, që janë shumë më të thjeshta e demokratike se sugjerimet e librave në këto lloj formatesh.
Kështu, zbulohet një problem vërtet shumë serioz, për të cilin kisha kohë që doja të shkruaja diçka. Televizionet shqiptare. Dhe radiot shqiptare. Të dyja janë katastrofë, në programim dhe tema. Nuk flas në cilësinë e ekspertit të komunikimit as të televizionit, por nuk duhet të jesh profesor në gazetari që të kuptosh dy mundësitë e të bërit televizion ose radio. E para, është t’i shkosh pas shikuesit, dëgjuesit, pra klientit tënd.
Në profesionin tim si dentist, kjo përkthehet në dhëmbë të bardhë, njëtrajtësi buzëqeshjeje për tërë pacientët, humbje identiteti, buzëqeshje të pre-fabrikuara, dhe para të sigurta në një sugjestion kolektiv. Është diçka pak a shumë si bërja e buzëve, mollëzave e çdo lloj ndërhyrje tjetër në këtë kulturën pop të sëmurë prej duck face, ku tërë vajzat duken njëlloj.
Dhe televizioni dhe radio që ndjekin kërkesat e dëgjuesve dhe shikuesve, që duan të tërheqin sa më shumë shikues, duke iu ofruar ushqimin e shpejtë e të pre-fabrikuar, krijojnë kështu debilitet të ndërsjelltë, ndjekës të debilizuar, që shohin me endje dhe eksitim, fjala vjen, njerëz gomerë që zihen me rripa në studio televizive, apo modele suksesi të çunave dhe gocave që janë gati të shesin brekët për famë dhe dy lekë, apo ato modele suksesi që babi e mami u kanë siguruar gjithçka e këta mund të shëtisin me lagen me shampanjë e nganjëherë shqypin njerëz. Por ok, se shkrimi im nuk eshtë didaktik, secili e jeton jetën si mundet në mendje të tij, për aq mendje sa ka. Ama, ky tip televizion-radio që i shkon pas shikues-dëgjuesit të tij, këtë produkt të vobektë do prodhojë.
Mundësia e dytë e të bërit televizion dhe radio, është ajo e origjinalitetit dhe e standarteve të larta. Që dentisti mos të të rrafshojë dhëmbët e tu origjinalë për të t’i berë të bardhë e fallco, që të fitojë dy lekë më shumë. Që estetisti, kur nuk është e nevojshme apo kur je në moshë të re, mos të pranojë të të bejë si fytyrë të pre-fabrikuar hiret e tua natyrale. Televizioni dhe radio e modelit të dytë, janë ata që përcaktojnë atë që shikuesi e dëgjuesi duhet të marrë. Ngrenë audiencën e tyre, rrisin nivelin, mësojnë gjëra të reja, investojnë në mprehtësi dhe kulturë. Unë personalisht, televizion nuk shoh, por radio dëgjoj – thuajse vetëm disa radio të zgjedhura italiane. Dhe vazhdimisht habitem me kulturën, seriozitetin, ndjeshmërinë ndaj ngjarjeve sociale të nxehta italiane e botërore që kanë drejtuesit aty. Habitem vazhdimisht me moshën e tyre, me të trajtuarit e radios me seriozitet, profesionit të tyre prej drejtuesi radioje me rëndësinë që këtu te ne ende nuk njihet, ndoshta që pas bumit dhe ikjes së Tanit të Topit.
Habitem me muzikën, informacionet kulturore që nuk kanë asnjë lidhje me prapanicat e Kardashianeve, por me muzikë të mirë e kulturë të shëndetshme. Ndërsa në radiot shqiptare dëgjon të zgërdhira kakofonike e biseda si në kafe të një klase të tërë gjimnazistësh të rrëmujshëm, në radio greke dëgjon të transmetojë nga Dua Lipa te David Bowie, e të flasin në diapazone nga Audrey Hepburn te Jacques Lacan.
Këto janë dy mundësitë e të bërit radio, televizion, por edhe muzikë, dokumentarë, edhe letërsi madje.
Kështu, mund të bësh letërsi me porosi, që të lexojnë dynjaja sot e të harrohesh sapo kalon një vajzë e bukur me bikini aty pranë, Por, mund të bësh letërsi e t’i bësh lak vdekjes, shumë kohë pasi ty të ka ikur koha e të kanë mbirë pemët sipër.
Meqë ky shkrim nisi nga sugjerimet për letërsinë, do ta shfrytëzoj për të sjellë në vëmendjen e lexuesit dy zonja. Dy zonja të vdekura. Por që vazhdojnë, sot e tërë ditën, të trondisin.
Marguerite Duras dhe Agota Kristof.
Para ca kohe, një mike e imja më pyet me insinuim: “Ajo Agota Kristof, e lexova, nuk m’u duk ndonjë gjë.” Unë e kisha dëgjuar vetëm si emër, e përgjigjia ime ishte epike injorante: “Një shkrimtare që quhet si varianti lindor i Agata Christie nuk mund të thotë diçka të rëndësishme”. E kështu, deri ditën që miku im poet, Julian Zhara, ndërsa i rrëfeja për romanin që po shkruaj dhe stilin që po përdor, më shpreh se duhet te lexoja me çdo kusht “Trilogjia e Binjakëve”. Dhe se ky ishte një libër që mund të të ndryshonte konceptin mbi letërsinë. Duke parë kulturën letrare e argumentimin e Julianit, e mora seriozisht këtë vëmendje, dhe u vura të peshkoja Kristof. Dhe vërtet, që në faqet e para kuptova opusin madhështor në të cilin kisha rënë. “Trilogjia e Binjakëve” është një libër për vdekjen, për jetën, për skutat dhe errrësirën dhe dritën e njeriut, i vendosur i tëri në Luftën e Dytë Botërore dhe pasluftën komuniste në Hungari. Por as lufta, as vendi, nuk kanë ndonjë rëndësi në rrëfim. Personazhet dhe veprimet e tyre, kanë. Ajo që është vërtetë e veçantë, është stili i saj, duke qënë se Kristof zgjedh të shkruajë në frëngjisht, gjuhë jo e saja, kemi një rezultat sintetik, magjik, të ngjeshur e të egër, që hap diskutime mbi funksionin e gjuhës në letërsi.
E dyta, ose e para, Marguerite Duras, “Dhjetë e gjysmë e mbrëmjes në verë”. Me vdekje dhe dashuri, me seks dhe tradhëti, me pije dhe dehje, dhe arrati, është një Long Island, a një Papa Doble që të bie në kokë e të trullos me frymën prej alkooli e bimësh të thara e cigareje e guximi të Duras. Duras është një shkrimtare poetike e rrallë me stil të vagullt, të mjegullt, me teknikë shumë moderne të përroit të ndërgjegjes përzier me shkurtësinë e spontanitetin dhe peizazhet e Hemingway. Do ta kishin zili dhe ai vetë dhe Joyce narracionin e saj. Dhe ky rrëfim është nga ata trazuesit, që mund të lexohet edhe në breg të detit, edhe me  rrobat e detit të lagura, po kurrë nuk mund ta shpëlash nga mendja ndjesinë që ky libër të jep. Duras luan fort me ndjesitë tona, ato më njerëzoret, më të zakonshmet, e më rikujtoi edhe një herë që letërsia nuk është krijesë empirike, por një egërsirë e rrezikshme dhe e ëmbël që rri qetë dhe gati, aty, te këmbët e tua.
Kështu, kaq mund të bëj për ju, Duras e Kristof.

Tags:


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back