Aktualitet

Falsifikuan raportin, pezullohet drejtori i Burgut të Reçit bashkë me dy zyrtarë

Shkruar nga Liberale
Falsifikuan raportin, pezullohet drejtori i Burgut të Reçit

Tre zyrtarë të lartë të Burgut të Reçit në Shkodër janë pezulluar nga detyra këtë të mërkurë për falsifikim raporti të një konflikti fizik brenda burgut.

Ata janë drejtori, Maliq Meta, shefi i policisë, Robert Bundo dhe specialisti i regjimi, Gëzim Qoshku.

Sipas një njoftimi të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve urdhrin për ekzekutimin e vendimit për pezullim e dha Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pasi nga hetimi vërtetoi se zyrtarët falsifikuan raportet për të lehtësuar të dënuarit autorë të një sherri.

“Më 20 korrik 2021, rreth orës 10:25 në ambientet e ajrimit në IEVP të dënuarit “E.Ç.”, “F.G.” dhe “P.N.”, dhunuan me shkelma dhe grushte bashkëvuajtësin “E.Z.”.

Oficeri i policisë nënkomisari G. Q përpiloi raport shërbimi të ngjarjes për autorët. Mandej, me urdhër të drejtorit dhe Shefit të Policisë, ai hartoi raport të dytë dhe kreu falsifikimin e firmave të efektivëve të policisë “G.Q.” dhe “E.Z.”.

“Puna vazhdoi mbi raportet e falsifikuar në Komisionin Disiplinor, që kishte anëtar drejtorin Meta dhe shefin e policisë Bundo. Më tej, hetimet vërtetuan falsifikimin e kryer në bashkëpunim, u morën deklarimet dhe u administrua i gjithë dokumentacioni i falsifikuar“, sipas njoftimit të SHKB-së.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH