Aktualitet

Falsifikuan dokumentet për të ardhur në Shqipëri, arrestohen dy afganët

               Publikuar në : 17:41 - 27/10/21 liberale

Dy afganë, 23 dhe 27 vjeç, të akomoduar në Shëngjin, janë vënë në pranga. Ata nuk ishin në listën e personave për t’u strehuar në Shqipëri dhe kishin arritur të vinin në vendin tone përmes dokumenteve të falsifikuara.

“Specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, si rezultat i masave të shtuara për evidentimin dhe goditjen e paligjshmerisë në fushën e falsifikimit të dokumenteve, bazuar në informacionet e siguruara për shtetas afganë të akomoduar në Shëngjin, që mund të përdornin dokumente të falsifikuara, kanë kryer verifikime ndaj dokumenteve të shtetasve S. S.dhe S. K.

Gjatë verifikimeve, dokumentet e identifikimeve, të udhëtimit dhe formularët e vetëdeklarimit të dy shtetasve të lartpërmendur kanë rezultuar të falsifikuar. Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit afganë, S.S.,23 vjeç dhe S.K.,27 vjeç, për veprën penale “Falsifikimit të letërnjoftimeve, të pasaportave ose të vizave”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë së Lezhës.

Kujtojmë se mbi 400 afganë u vendosën në Shëngjin në fillim të muajit shtator pas marrëveshjes mes Shqipërisë dhe SHBA për të ofruar siguri për afganët që lanë vendin e tyre nga kërcënimi i talebanëve. Në total, në Shqipëri kanë mbërritur rreth 1000 afganë të cilët janë strehuar në hotelet në qytetet bregdetare. Ato do të qëndrojnë për një kohë të pacaktuar me destinacionin e fundit SHBA.

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back