Pa ekonomi tregu funksionale nuk mund të bëhesh pjesë e BE-së. Pa mendim, aq më pak.
Klementin Mile
Qeverinë shqiptare e ka pllakosur një klimë pesimiste lidhur me vendimin e afërm të Bashkimit Europian për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit me vendin tonë. Kryeministri Rama po thotë se Shqipëria është gati për Europën, por Europa nuk është gati për Shqipërinë. Fajin, pra, e ka Europa!
Ky qëndrim pesimist dhe agresiv i kreut të ekzekutivit shqiptar vjen pas vendosjes së 9 kushteve të rënda gjermane dhe në kontekstin e informacionit se vende të tjera të rëndësishme si Franca dhe Holanda janë kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Por, përtej reagimeve politike të ditës dhe llogarive elektorale, duhet thënë se në Shqipëri nuk ka patur ndonjëherë reflektim dhe diskutim rrënjësor, të hapur dhe filozofik për procesin e Integrimit Europian të vendit. Pesimizmi i së tashmes është rezultati normal i pasivitetit të së shkuarës.
Paradigma modernizuese e Bashkimit Europian
Rasti i Shqipërisë mund të vendoset në një kontekst më të gjerë. Ai mund të lidhet me idenë orientuese të Bashkimit Europian, sipas të cilit vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE duhet të modernizohen /europianizohen mjaftueshëm përpara se të pranohen. Në këtë kontekst, diskutimi i politikanëve, gazetarëve, konsulentëve dhe grupeve të interesit në BE dhe në vendet aspirante, deri më tani është përqendruar te diferencat e mëdha zhvillimore (kryesisht ato që lidhen me treguesit ekonomikë) ndërmjet vendeve të BE-së dhe vendeve aspirante për t’u anëtarësuar. Si pasojë e këtij diskutimi në skenë dalin euroskeptikët dhe euroentuziastët, nacionalistët dhe kozmopolitët, populistët dhe reformatorët. Disa flasin për kosto të zgjerimit në kushtet e diferencave të mëdha zhvillimore, të tjerë për përfitime nga zgjerimi i tregut europian, disa për rritje të kriminalitetit dhe papunësisë në BE, të tjerë për forcimin e sigurisë dhe avantazhe strukturore. Analiza që bëhet më shpesh është ajo që krahason zgjerimet e mëparshme të BE-së me zgjerimin e deklaruar drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Euroentuziastët kanë prirjen të shohin të përbashkëtat që kanë zgjerimet e mëparshme me zgjerimin e ardhshëm, ndërsa euroskeptikët e vënë theksin te dallimet, duke i mëshuar faktit që Ballkani Perëndimor është shumë më i varfër dhe i pazhvilluar se cilido shtet anëtar i BE-së dhe zgjerimi drejt tij pritet të sjellë probleme të mëdha për Unionin.
Të gjitha këto janë thënë dhe vazhdojnë të diskutohen në selitë e rëndësishme të BE-së, por edhe në ato të vendeve aspirante. Ka një konsensus të përgjithshëm që vendet aspirante duhen ndihmuar të zhvillohen para se të bëhen kandidatë të denjë për të hyrë në BE, në mënyrë që kjo e fundit të forcohet prej zgjerimit. Por, këto diskutime kanë eklipsuar një çështje me rëndësi themelore, që lidhet me vetë paradigmën modernizuese të Bashkimit Europian. A mundet, në fakt, që vendet aspirante për t’u anëtarësuar në BE të demokratizohen dhe zhvillohen ekonomikisht duke u imponuar parimet, konceptet, rregullat dhe standardet ligjore të Bashkimit Europian? Apo ndoshta korpusi ligjor gjigand i BE-së – acquis communautaire – i cili duhet të adoptohet tërësisht nga cilido vend që synon të anëtarësohet në Union, më shumë krijon probleme sesa zgjidhje për modernizimin e vendeve aspirante?
Politika e vendeve aspirante: Nga “arti i së mundshmes” te “shkenca e bindjes”
Në rrugën e gjatë dhe të mundimshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian vendet aspirante marrin vlerësime dhe inkurajime nga institucionet e BE-së, ku bie në sy që i gjithë faji për mosarritjen e standardeve europiane të paraqitura me detaje në acquis communautaire (legjislacionin europian) i atribuohet reformave të pamjaftueshme, kapaciteteve administrative të pazhvilluara, nepotizmit dhe politizimit të administratës publike, problemeve me sistemin gjyqësor dhe krimit të organizuar e korrupsionit.
Në terma më abstraktë mund të thuhet se kemi të bëjmë me aplikimin e një logjike identitare, sipas së cilës shkaku i problemit të mosarritjes së standardeve europiane duhet kërkuar eksluzivisht në moszbatimin e ligjit. Por aplikimi i një logjike diferenciale do të bënte të mundur zgjerimin e kësaj perspektive, duke përfshirë edhe atë që raportet monitoruese të Bashkimit Europian e kanë përjashtuar deri tani: vetë ligjin konkret, të konceptuar si një instrument që mund jetë ose mund të mos jetë i përshtatshëm për të sjellë ndryshimet e dëshiruara në shoqëri. Në këtë mënyrë do të duhet të kalohej nga niveli abstrakt dhe imperativ i paradigmës modernizuese të BE-së, në nivelin konkret dhe analitik, që merr parasysh traditën, nevojat dhe kapacitetet ekzistuese të shoqërisë që synohet të modernizohet.
Në mungesë të logjikës diferenciale, që është e aftë t’i lidhë reformat e pamjaftueshme ekonomike dhe demokratike në vendet aspirante me problemin e diferencës ndërmjet ofertës ligjore të BE-së dhe nevojave rregullatore të këtyre vendeve, ligjërimi politik lokal përqendrohet vetëm në problemet e zbatimit të rekomandimeve ligjore të institucioneve prestigjoze europiane. Kështu, problemet e identifikuara në raportet monitoruese të BE-së tashmë zënë vend qendror në ligjërimin politik në Shqipëri dhe shërbejnë mjaft mirë për të zhvilluar beteja elektorale mbi bazën e sukseseve dhe dështimeve të evidentuara në raporte. Madje duket se edhe vetë legjitimiteti i qeverive në këto vende varet më shumë prej raporteve të BE-së se sa prej realizimit të premtimeve ndaj elektoratit. Kështu, në gjuhën e politikanëve, të paktën në Shqipëri, flitet për “detyra shtëpie” të cilat qeveria pretendon se i ka realizuar shumë mirë, ndërsa opozita shprehet se janë realizuar shumë keq, dhe premton se me ardhjen e saj në pushtet do t’i realizojë si duhet.
Kjo qasje ngërthen probleme të shumta, që prej ridimensionimit të politikës nga “art i së mundshmes” në “shkencë e bindjes” e deri te humbja e kuptimit të përfaqësimit, pasi përfaqësuesit nuk artikulojnë më “vizionin” e zhvillimit të vendit, por janë thjesht dhe vetëm “nxënës” që i zbatojnë mirë ose keq detyrat.
Ri-konceptimi i integrimit europian të Shqipërisë
Procesi i integrimit europian meriton vëmendje teorike të posaçme, duke qenë se në terma financiarë, kohorë dhe të burimeve njerëzore të angazhuara në të, është padyshim procesi më i madh në të cilin ndodhet vendi. Procesi i integrimit europian deri tani është zhvilluar në mënyrë krejtësisht disfunksionale. Reformat ligjore të ndërmarra në sektorë të ndryshëm të shoqërisë me synimin e deklaruar për ta na sjellë më pranë standardeve europiane, kanë pasur efekt të kundërt në shumë raste, duke i lënë këto sektorë po aq të pazhvilluar sa më parë, e në disa raste duke i shtuar problemet.
Problemi kryesor me procesin e integrimit europian të Shqipërisë është se ai konceptohet në mënyrë statike. Nuk është vetëm metafora e “detyrave të shtëpisë” që e tregon këtë, por edhe konceptimi i procesit si një listë kostosh dhe përfitimesh. Në një proces, për nga vetë natyra dinamike e tij, nuk ka as kosto dhe as përfitime të sigurta. Aq më tepër po të mendosh se në procesin e integrimit europian implikohen interesa të shumta e të shumëllojshme si nga pala europiane ashtu dhe nga ajo shqiptare.
Një konceptim dinamik i procesit të integrimit europian të Shqipërisë ka nevojë për terminologji tjetër. Nisur nga premisa që kostot nuk janë të sigurta përgjatë zhvillimit të procesit, ato duhen kuptuar si sfida. Duke përdorur të njëjtin argument, edhe përfitimet duhen kuptuar si mundësi. Kështu duhen gjykuar të gjitha hapat e vendit tonë në procesin e Integrimit, qofshin këto hapa reforma të rëndësishme strukturore, si Reforma në Drejtësi dhe Reforma Elektorale, apo akses i shtuar në fondet e Bashkimit Europian, në tregun europian dhe në korpusin e të drejtave dhe lirive që u jepen qytetarëve shqiptarë.
Rikonceptimi i procesit të integrimit nëpërmjet terminologjisë së sfidave dhe mundësive do t’i rikthente politikës shqiptare një rol aktiv, shprehimisht rolin e drejtuesit të procesit që merr përsipër përgjegjësinë që sfidat të mos shndërrohen në kosto dhe që mundësitë të sjellin përfitime. Ky rol aktiv i politikës kërkon heqjen dorë nga pozicioni i deritanishëm prej teknicienësh (një pozicion aspak politik) që shprehet me anë të terminologjisë së “detyrave të shtëpisë” apo dhe “kalimit/ngeljes në klasë”. Vëmendja e vendimarrësve politikë duhet të drejtohet nga konteksti kulturor i shoqërisë shqiptare, pasi reformat ligjore për arritjen e standardeve europiane nuk zhvillohen në vakum, por në një terren të kultivuar tradicionalisht me vlera dhe norma specifike./Gazeta Liberale