Kryesore

FAIK KONICA në Uashington, dritëhijet e një diplomati

               Publikuar në : 09:49 - 23/05/20 liberale

Kolana Botimet UETPRESS – 15 vjet

Titulli i librit: FAIK KONICA. Jeta në Uashington

Autor: Ilir IKONOMI

Askush nga njerëzit e trupit diplomatik në Uashington nuk është më i njohur dhe më i pëlqyer se Faik Konica, Ministër i Shqipërisë. The Washington Post (1 prill 1934)

Për të shkrirë në libër gjithë këto informacione, ndoqa verbërisht atë që na mëson Konica: “kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë që të bjerë në vesh çdo tok gërmash si një copë muzike”

Nga Ilir Ikonomi

Etjes për të njohur Faik Konicën (1876-1942), këtë figurë interesante, i janë përgjigjur disa botime serioze. Por njëra anë e Konicës, jeta e tij si diplomat në Uashington, mbeti në hije. Ky libër u shkrua për të mbushur atë zbrazëti të ndjeshme. Konica e përfaqësoi Shqipërinë e Ahmet Zogut në Uashington nga viti 1926 deri më 1939. Gjatë kësaj kohe, ai u bë njeriu që, ndonëse fliste në emër të një vendi të vogël, famën e kishte të madhe. Libri ka dy pjesë, të cilat i ndan një datë e rëndësishme, 7 prill 1939, dita kur Italia e Musolinit pushtoi Shqipërinë. Në pjesën e parë trajtohen kryesisht marrëdhëniet e ndërlikuara të Konicës me Zogun, me kabinetin e tij dhe me peshkopin Fan Noli. Pjesa e dytë përfshin periudhën pas pushtimit, kur Konica humbi privilegjet e diplomatit e deri sa vdiq. Është hera e parë që jeta e Konicës në Uashington përshkruhet kaq imtësisht. Pas kërkimesh të gjata, arrita të gjej letërkëmbime të zyrtarëve amerikanë mbi Konicën, fakte të reja mbi marrëdhëniet e tij me Nolin dhe me italianët, si dhe hollësi të shumta nga jeta e tij private. Për të dhënë një portret besnik, kam shfrytëzuar Arkivin Kombëtar të SHBA, ku ruhen komunikimet e legatës amerikane në Tiranë dhe të asaj shqiptare në Uashington me Departamentin e Shtetit, Arkivin e Bibliotekës Fan S. Noli në Boston dhe atë të Institutit YIVO në Nju Jork. Në Shqipëri, kam kërkuar në Arkivin Qendror të Shtetit dhe të Ministrisë së Jashtme si dhe në Bibliotekën Kombëtare, ndërsa në Londër, në Qendrën e Studimeve Shqiptare. Studimi më çoi edhe në Greqi, ku rizbulova shtëpinë e lindjes së Konicës. Për të shkrirë në libër gjithë këto informacione, ndoqa verbërisht atë që na mëson Konica: “kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë që të bjerë në vesh çdo tok gërmash si një copë muzike”. Libri është i pajisur me shënime, fotografi, biografitë e aktorëve kryesorë, një shtojcë me dokumente të rralla dhe treguesin alfabetik.

Pjesë nga libri

‘I dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë’… është një titull i padëmshëm por nuk përputhet fare me realitetin. Në ditët tona, të dërguarit nuk gëzojnë fuqi të plota, ata duhet të kërkojnë udhëzime për çdo rast, shkurt ata nuk janë fuqiplotë; megjithëse ndonjëherë, duke qenë njerëz, qëllon të jenë të jashtëzakonshëm.- Faik Konica

….Më 8 tetor 1926 Faiku i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Coolidge në Shtëpinë e Bardhë. Ishte hera e parë që ai hynte në selinë e Presidentit të Amerikës. Ceremonia u bë aty nga ora 4 pasdite në sallonin blu, një dhomë në formë vezake ku presidentët prisnin miqtë. Salloni, siç e thoshte edhe vetë emri, shquhej nga ngjyra blu e qilimit të trashë, por edhe shpinat e karrigeve dhe të divanëve kishin të njejtën ngjyrë. Blu ishin edhe perdet e rënda, gjysmë të hapura që vareshin nga tavani i lartë përtej të cilave shpalosej një pamje mahnitëse e lëndinës jugore të Shtëpisë së Bardhë. Kishte një arsye që dhoma ishte projektuar në formë elipsi. Kur prisnin njerëz, presidentët dëshironin që të ardhurit mundësisht të formonin një farë rrethi, pra të ishin të baraslarguar prej tij dhe askush të mos ndihej i shpërfillur. Në qendër të dhomës varej nga tavani një llambadar i madh prej kristali, ndërsa mbi oxhakun e bardhë ishte vendosur një sahat i periudhës napoleoniane me një statujëzë të Hanibalit të larë në ar.

“Kam nderin t’i paraqes Shkëlqesisë Suaj letrat kredenciale, me të cilat Presidenti i Republikës së Shqipërisë më emëron të Dërguar të Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë në Shtetet e Bashkuara”, thuhej në tekstin e përgatitur nga Faiku drejtuar presidentit, gjithsej një faqe e daktilografuar.

“Prej kohe kam mësuar ta dua dhe ta nderoj kombin e madh amerikan”, thuhej në tekst, i cili vazhdonte me një falënderim për Shtetet e Bashkuara që ndihmuan në ruajtjen e pavarësinë së Shqipërisë pas Luftës Botërore.

“Misioni im, që është forcimi i mëtejshëm i miqësisë mes kombit tuaj të madh dhe Shqipërisë, bëhet për mua një detyrë tërheqëse. Do të kujdesem për këtë mision me sa fuqi që kam, nën hijen dhe me dëshirën e mirë të qeverisë së Shkëlqesisë Tuaj”, deklaronte Faiku.

Coolidge, i cili njihej si një president i drojtur dhe tepër modest në sjellje, u përgjigj se e çmonte komentin për kombin amerikan dhe për ndjenjat që ushqenin njerëzit në Shqipëri ndaj Amerikës. Në fund e uroi Faikun t’ia kalonte mirë në Uashington dhe dy burrat shtrënguan duart. Për presidentin, ai ceremonial i shkurtër mund të mos ketë qenë më shumë se sa një formalitet i diktuar nga protokolli, por për Faikun ishte ndryshe. Për herë të parë një president amerikan dëgjonte ballë për ballë, vetëm për vetëm, me vëmendje të përqendruar, një përfaqësues diplomatik të Shqipërisë, të një shteti, ekzistenca e të cilit kishte qenë vazhdimisht në pikëpyetje.

Pas kredencialeve, një nga aktet e shënuara të Faikut në Uashington qe vizita në varrin e Presidentit Woodrow Wilson, i cili ishte si një hero për shqiptarët. Wilsoni kishte vdekur në vitin 1924, jo shumë kohë pas Konferencës së Paqes në Paris, ku disa veprime të tij kishin qenë jetike për ta mbrojtur Shqipërinë nga copëtimi mes fqinjëve. Në Shqipëri ai çmohej mjaft nga ata që e njihnin historinë, por edhe tek njerëzit e thjeshtë bëma e tij nuk kishte kaluar pa u vënë re. Emri Vilson ose motërzimi i tij Yllson, kishin filluar të hynin në modë nëpër qytete. Ndërkaq, në vitin 1921, profesori Elmer Jones nga Evanstoni i shtetit Ilinoi, pat zbuluar një këngë që shqiptarët i kishin kushtuar Wilsonit. Ishte diçka e rrallë në botë që një presidenti amerikan t’i ngrinin këngë, prandaj profesori i përktheu vargjet dhe ia dërgoi Presidentit Wilson, i cili e falënderoi për këtë kënaqësi të papritur. Në kapelën e Betlehemit që ndodhet në pjesën e poshtme të Katedrales Kombëtare të Uashingtonit, nën harqet e mrekullueshëm gotikë, ishte vendi ku preheshin eshtrat e presidentit idealist. Aty Faiku vendosi një kurorë me diametër një metër që bëri përshtypje të veçantë për bukurinë e saj – trëndafilat rozë dhe të bardhë kishin një shirit ku shkruhej thjesht “Nga Republika Shqiptare”. Kjo ishte ndër kurorat më të mëdha të vendosura ndonjëherë në varrin e Wilsonit dhe la mbresë te njerëzit e Katedrales. Me këtë gjest të sinqertë për presidentin e ndjerë, Faiku donte të linte një përshtypje, të tregonte se shqiptarët ishin njerëz mirënjohës, megjithëse fare pak amerikanë e kuptonin simbolikën e asaj kurore.

Në mars 1924, pak ditë pas vdekjes së Presidentit Wilson, Faiku i kishte dërguar një kurorë po aq të bukur të vesë së tij, Zonjës së Parë, Edith Bollin Galt Wilson. Ishin 100 trëndafilë, 50 të kuq dhe 50 të bardhë, të lidhur me një kordele kuq e zi dhe të nënshkruar nga Vatra. Në telegramin shoqërues Faiku shkruante: “Jepmëni leje, Zonjë, të bëhem me respekt dragoman i hidhërimit të thellë e të kthiellët që ndjejnë shqipëtarët, të cilët te personi i Presidentit të madh, burrit tuaj, kanë humbur mbrojtësin e të drejtave të tyre, një mik mirëdashës e të fuqishëm në orët më të zeza të rrezikut e të brengjeve”.

Më në fund, Shqipëria po përfaqësohej në Uashington me një farë dinjiteti; tek dera e legatës ishte ngritur flamuri shqiptar, ishte vendosur emblema me gërmat Republika Shqiptare, numri i telefonit 6288 ishte regjistruar në Librin Blu të Departamentit të Shtetit dhe njeriu brenda asaj zyre-hotel, rezultonte i pëlqyer nga të zotët e shtëpisë…

…Ministri nuk u nis menjëherë. Iu desh të priste kthimin e Sekretarit Kellogg nga një vizitë në Evropë për të firmosur me të dy traktate në Departamentin e Shtetit. Ishin dy dokumente që qeveria amerikane i kishte nënshkruar me shumë vende të tjera. Njëri, Traktati i Arbitrimit, parashikonte që zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, nëse nuk arrihej dot me diplomaci, të bëhej nga Gjykata e Përhershme e Arbitrimit në Hagë. Tjetri, Traktati i Paqtimit, kishte të bënte me parandalimin e një lufte mes Shqipërisë dhe Amerikës. Pra, nëse mosmarrëveshjet që mund të lindnin nuk i zgjidhte dot gjykata, ato të merreshin në shqyrtim nga një komision ndërkombëtar. Ceremonia e nënshkrimit u bë më 22 tetor 1928. Në të njëjtën ditë, Kellogg, përmes Faikut, e ftoi Shqipërinë të aderonte në paktin kundër luftës, që ai vetë pat firmosur në muajin gusht me Ministrin e Jashtëm francez Aristide Briand. Është e tepërt të thuhet se, për Shqipërinë e dobët, hyrja në këto lloj lidhjesh me Amerikën ishte një privilegj dhe Mbreti Zog mund të mburrej se shteti i tij nënshkruante si i barabartë traktate me një fuqi të madhe botërore. Faiku, e shfrytëzoi rastin për t’i propozuar palës amerikane që dokumentet e traktateve të ishin edhe në gjuhën shqipe, çka nuk qe bërë ndonjëherë më parë.

“Mu duk turp të mos përdoret gjuha jonë në një traktat, dhe insistova për shqipen, e cila u-pranua nga Guverna Amerikane,” i shkruante ai ministrisë në Tiranë…..
… Mbreti njihej si njeri interesant dhe thuhej se pëlqente gjërat e reja, perëndimore. Në sajë të tij, jeta e fjetur e Tiranës kishte marrë një farë gjallërie. Të huajt që shkonin për ta takuar për herë të parë, prisnin të shihnin një njeri fytyrëvrenjtur ose një variant të Musolinit. Por pastaj habiteshin kur gjendeshin përpara një djaloshi elegant e të thjeshtë, për të cilin thuhej se i kishte mësuar hapat e para të vallëzimit xhaz nga vajzat e legatës amerikane. Në fillim ishte pamja e jashtme – flokët kafe të çelët të qethur me kujdes, sytë ngjyrë blu dhe mustaqja spicë që i bënin përshtypje vizitorit; pastaj rrobat – xhaketat e ngushta, këmishat e mëndafshta dhe pantallonat përherë të hekurosura. Më në fund vëmendja përqendrohej tek të folurit.

Zëri i tij i hollë, që disa e krahasonin me atë të një vajze 15-vjeçare, nuk ta jepte fare përshtypjen se bashkëbiseduesi ishte një njeri, brenda të cilit vlonin impulse prej malësori. Zogu e priti Faikun në zyrën e tij të madhe por fare të thjeshtë, ku hapësirën e mbizotëronte një tryezë pune dhe një oxhak në të djathtë. Dikur, kjo dhomë shërbente si kryeministri. Tani në muret ishte ngjitur letër e re me ca si shirita që të kujtonin drurë të shtrembër. Mbi skrivani kishte plot shkresa, dy telefona, një mbajtëse pene, tharësja e bojës dhe takëme të tjera zyre.

Të dy kishin shumë për të biseduar. Asnjëri nuk harronte se marrëdhëniet e tyre ishin ato të profesorit me nxënësin, çka Zogu e kishte pohuar vetë. Sado e madhe të ketë qenë përbuzja e Faikut për Zogun si individ, ka shumë mundësi që, atë mbrëmje të parë në Shqipëri, ai të ketë ndjerë një farë adhurimi për këtë nxënës modest, i cili dukej se mësonte shpejt dhe kishte një vullnet të hekurt. Sikur artikujt e dikurshëm të Faikut kundër Mbretit të ishin varur në muret e asaj zyre, ato do të kishin mbuluar gati një faqe të tërë dhe nga muret do të kishin gërthitur titujt e bujshëm: “Ahmet Zogu – Ministri analfabet”, “Ahmet Zogu – Kryefajtori”, “Ahmet Zogu gjykohet si proserb”, “Ahmet Zogu si çkatërronjës”, “Zogolloviçi dhe shqiptarët e Amerikës”, “Shpresat e një skllavi”, “Salemboza përgjon për së largu”.Por nuk ishte çasti për të kujtuar të shkuarën. Mbreti i kishte bërë Faikut një pritje dinjitoze. Përveçse kishte dërguar në Durrës ministrin e drejtësisë dhe adjutantin për ta marrë nga vapori, tani po e trajtonte si të barabartë duke pleqëruar sy më sy me të punët e Shqipërisë. Mbi të gjitha, ai kishte disa ideale që përmblidheshin në moton e thjeshtë – t’i jepet fund anarkisë.
Pak vite më parë, vetë Faiku pat folur me simpati për disa nga aspiratat e Zogut – t’u vihet një hallkë në hundë demagogëve dhe secili të shikojë punën e tij, studenti të studiojë, prifti ose hoxha të lutet, berberi të rruajë mjekrat, terziu të qepë, bariu të kullosë bagëtinë, fetë të mos përdoren për intriga politike, gegët dhe toskët të mësojnë të bashkëpunojnë, kanuni të nderohet anembanë, zhvillimit ekonomik t’i jepet rëndësi me punë e jo vetëm me fjalë, gjendja e bujkut të përmirësohet me çdo mënyrë, mësimi, artet dhe letrat të përkrahen.

Çfarë u bisedua mes të dyve atë mbrëmje? A i dha Faiku këshilla Mbretit, siç ishte zotuar se do të bënte para nisjes? I premtoi vallë se do ta mburrte publikisht me artikujt që do të shkruante dhe me fjalimet që do të mbante kur të kthehej në Amerikë? Faiku nuk na thotë gjë dhe këto pyetje mbeten pa përgjigje. Por veprimet e mëvonshme të të dyve tregojnë se ata duhet t’i kenë bërë disa premtime njëri-tjetrit. Faiku takohej me Mbretin thuajse çdo ditë. Ndërkaq, ishte përshtypja e përgjithshme se Zogu e çmonte erudicionin e Faikut dhe mendonte se këshillat e ministrit ishin më të mirat që mund të gjente ndër njerëzit që e rrethonin. /Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back