Nga FRANCO VENTURINI
Kundërveprimi i tepruar i Parisit ndaj lajmërimit të paktit detar ndërmjet Washingtonit, Londrës dhe Kanberrës për të pajisur Australinë me nëndetëse me mbushje bërthamore ka patur efektin boomerang për të stërzmadhuar poshtërimin e pësuar nga Franca. Por çështja e nëndetëseve është erëpritësja e një çështjeje shumë më të gjerë, që ka të bëjë edhe me Italinë, sepse prek marrëdhëniet transatlantike dhe dobësimin paralel të drejtimit amerikan dhe atij evropian, duke filluar nga Gjermania. Makroni, që është mjaft i vetëdijshëm se gjendet në fushatë zgjedhore për presidencialet e prillit, ka rrahur grushtin mbi tryezë jo vetëm për humbjen e një kontrate prej pesëdhjetë miliard dollarësh që Parisi mendonte se e kishte në xhep, por edhe e veçanërisht sepse është ndierë ai dhe Franca si qenie të nëpërkëmbura, si aleatë të rangut të dytë apo të tretë, përballë të cilit nuk duhet shumë kujdes, nëse n’anën tjetër të peshores është përparësia e Biden-it: ndalimi i Kinës.
Në këtë pikë Evropa do të duhej të fillonte të kuptonte. Nëse Shtëpia e Bardhë nuk e ka quajtur të dobishëm këshillimin ose, së paku, lajmërimin me kohë të një Vendi të madh evropian, të ndërlikuar deri një ditë më parë në çështjen e frikësuesit australian në funksion kundër kinez, është shkujdesja e njerëzishme por e vendosur amerikane kundrejt tërësisë së Evropës që gjen një tjetër ballafaqim të nesërmen e tërheqjes kaotike nga Afganistani.
Është ky problemi i vërtetë, përtej bërrylave franko – amerikane që janë në rrugën e kapërcimit formal. Nëse dy presidentë të Shteteve të Bashkuara, njëri mbas tjetrit e mjaft të ndryshëm mes tyre, shprehin nëpërmjet fakteve (Trump-i edhe nëpërmjet fjalëve) një konsideratë të pakët për aleatët, NATO-n, Evropën, duhet të shënohet pashmangshmëria befasuese e një qëndrimi të tillë. Që nuk do të ndryshojë në t’ardhmen, sepse Shtetet e Bashkuara ankohen për zotimin e pakët të evropianëve në luftën e tyre me Kinën për sipëraninë e përgjithshme (gjeopolitike, teknologjike, tregtare), sepse vlerësimet e fuqisë të palidhura me interesa të sakta kombëtare amerikane nuk janë më të mbështetura nga opinioni publik amerikan, sepse Amerika është bërë eksportuese energjie. Ky ndryshim ishte filluar prej kohësh, por evropianët, të pavëmendshëm si gjithmonë për gjërat e botës, janë gënjyer kur kanë dëgjuar Biden-in të shpallte “America is back”.
Tani koha e iluzioneve po mbaron. Duhet tani ajo përsiatje strategjike evropiane, për të cilën shumë diskutohet, që të fillohet të kuptohet se zgjerimi i Atlantikut ngre çështjen thjesht të mbijetesës së Evropës, edhe asaj çalamane të sotme. Bëhet e nevojshme dhe e ngutshme për Evropën përcaktimi i një misioni të përshtatur kohëve të reja e të frytshëm,
si qe mbas luftës ai i mënjanimit të luftërave t ‘ardhme franko-gjermane e të ndihmesës për përballimin e Bashkimit Sovjetik jo më aleat.
Çfarë duhet bërë? Disa hamendësojnë role strategjike të ndryshme, me një pol evropian e NATO në funksion kundër-rus e një tjetër të aleancave indo-paqësore për të ndalur Kinën. Një nismë e tillë është e mundur, por vetëm në sallat e gjeopolitikës amerikane, jo n’ato evropiane nëse ato ekzistojnë. Mbi Rusinë çarja evropiane mbetet e thellë, megjithë qëndrime të përbashkëta mbi mos respektimin e të drejtave njerëzore dhe lirive politike. Evropa e hershme perëndimore voton edhe ajo çdo gjashtë muaj sanksionet kundër aneksimit të Krimesë, por don të bisedojë me Moskën dhe në caqe të drejta të bëjë allishverishe me Rusinë. Ndërsa Evropa e re e Lindjes është ende atdheu i kombëtarizmave kundër-ruse (me pak përjashtime), i trembet aventurizmit të Kremlinit, don ushtarë amerikanë në kufijtë sepse nuk i beson më mbrojtjes së siguruar nga Neni 5 i NATO-s dhe ka votuar në tërësi kundër kur Merkeli e Makroni kanë propozuar të hapen linja të reja të “dialogut kritik” me Putinin. Jo, nëse ky do t ‘ishte misioni i saj Evropa do të thërrmohej në kohë jo shumë të largëta. A e kupton këtë Biden-i? Deri ku i është e qartë atij se Perëndimi o është një i tërë ose nuk është fare?
Pa përjashtuar që në brendësi të një kornize të vetme (por më përpara duhet t’i jepet një hov i ri NATO-s) aleanca evro-amerikane ndaj së cilës askush nuk është mohues, mund të projektohet n’Evropë apo n’Azi simbas nevojës, mbetet mbi qilim çështja e mos ashpërsimit, për rehatinë amerikane, të ndarjeve të thella që përshkojnë tashmë Evropën e duke u orvatur të pakësohen ato në një vështrim gjeopolitik të ndërlidhur.
Por kush mund të arrijë deri aty, kush njeh në thellësi Amerikën dhe është një evropianist i bindur, kush mund të parandalojë çarje të tjera? Jo Gjermania që për muaj do të jetë jashtë loje e duhet të mësohet me një drejtim të ri politik. As shumë radikali Makron, nëse rizgjidhet. Sigurisht jo Xhonsoni , mbas Brexit. Përgjigja është e ka të bëjë me më pak ambiciozen Itali. Sepse Mario Draghi, veçanërisht mbas votimeve gjermane, zotëron autorësinë dhe njohjen për të folur, siç bëri në Parlament nga pozita e një evropeisti të bindur e të një atllantisti po aq të bindur. Italia, pothuajse pa e kuptuar, vihet në qendër të skenës pikërisht nga dasitë transatlantike dhe nga nevoja evropiane për të gjetur një zgjidhje.
“Corriere della Sera”
Përktheu Eugjen Merlika /Gazeta Liberale