1

Evropa në vulën e Angela Merkel

               Publikuar në : 08:57 - 27/07/20 Maurizio Ferrera

Nga Maurizio Ferrera

Në demokracitë drejtuesit më t’aftë bëhen “shtetarë” me plot kuptimin e fjalës vetëm kur dalin nga skena. Ndoshta , mbas marrëveshjes mbi Recovery Fund, Angela Merkel meriton një përjashtim, së paku sa i përket rolit të saj evropian. Në kornizën BE – duke ndjekur Habermas-in – një shtetar njihet sepse din të “bëjë historinë”, pra vepron me vetëdijen se në disa çaste duhet të merren vendime që do të ndikojnë fatet e gjithë kontinentit e të shumë brezave t’ardhshëm.Mund të jemi pak a shumë të kënaqur për përmbajtjet e tij të veçanta, por është e vështirë të mohohet që plani “Next Generation Eu” përfaqëson një pikë kthese të madhe në këtë vështrim. Së bashku me monedhën, bashkëndarja e rreziqeve ekonomikë e shoqërorë është një nga tiparet që përcaktojnë bashkësitë politike dhe zotimin e tyre për të qëndruar në kohë.

Vetëm dhjetë vite më parë ishin shumë ata që mendonin se Merkel nuk kishte stofën e shtetares, aq më pak në skenën evropiane. Gjatë krizës së borxhit sovran Kançelaria ishte qortuar fuqimisht – jo pa ndonjë arsye – për karakterin e saj të ndrojtur, e prirjen për të shtyrë vendimet. Mbiemri i saj u kthye në një folje (merkeln) që nga ajo kohë do të thotë “hiq e mos këput”. Joschka Fisher,ish ministër i Jashtëm dhe një nga figurat më ndikuese në opinionin publik e paditi se kishte thyer boshtin mbajtës të politikës gjermane: evropianizimin e problemeve dhe zgjidhjeve, bërjen e Gjermanisë gjithënjë e më shumë evropiane. Me mbylljet e saj kundrejt solidaritetit financiar me Vendet e Jugut, Merkel kishte ndjekur rrugën e kundërt: të paloste Evropën nën parapëlqimin dhe interesat gjermane.

Gjatë dhjetëvjeçarit Bashkimi është detyruar të përballohet me një “shumë-kriza” dramatike: rënia e madhe e ekonomisë, cunami i ardhjes së të shpërngulurve, Brexit. E në fillim të 2020 belegu më i tmerrshëm: koronavirusi. Një spikamë e vërtetë në profilin shëndetësor, ekonomik, politik, që do të kishte mundur t’a hidhte BE në darën e shteteve kombëtarë: mbyllje e kufijve dhe shkëmbimeve tregëtare (madje deri tek mbulesat e gojës), secili Vënd përsëri për llogari  të vet.

Bisedimet mbi planin Next Generation Eu (750 miliardë borxh të përbashkët për kredi dhe ndihma Vëndeve më të goditura si dhurata në tre vjet) u mbyllën në shenjën e bashkësisë së mendimit gjithë-evropian, madje me një akt altruizmi: Gjermania nuk ka pranuar të përfitojë nga ajo zbritje në ndihmesën që u mëtua nga Vendet kursimtarë, Hollanda në krye. Angela e ndreqi “boshtin mbajtës” të thyer një dhjetëvjeçar më parë dhe ka përhejruar një rol të ri për Gjermaninë, atë të Vendit mbisundues por të përgjegjshëm, të vëmëndëshëm ndaj interesit të përbashkët. Disa sigurisht do të vazhdojnë të shtrembërojnë turirin: a nuk jemi të gjithë të barabartë n’Evropë?

Formalisht po, por në fakt nuk mund të kemi të gjithë të njëjtën peshë vendim-marrëse, Gjermania ka përmasa ekonomike dhe popullsie të tilla që e bëjnë objektivisht më të barabartë se të tjerët. Një Gjermani që të dijë të veprojë duke mbajtur parasysh interesin evropian është shumë më e mirë se sa një Evropë e gjermanizuar. Në një deklaratë që, me gjasë, do të kujtohet në librat e historisë, më 23 prillin e shkuar, pak orë para një Këshilli në video-konferencë, Merkel i tha antarëve të Bundestagut se “zotimi kundrejt Evropës së Bashkuar është pjesë e arsyes së qënies të shtetit gjerman… Për neve Evropa është një bashkësi fatesh”. Dhe ka shtuar: nuk është një fjali për bujë, nga ato që lexohen në shtesat e të djelave në të përditëshmet. Bëhet fjalë për “diçka shumë praktike”, përfshirë edhe derdhjen e ndihmesave më të larta në bilancin e përbashkët.

Faktorë të ndryshëm i kanë lejuar Angela Merkel-it të veprojë si shtetare. Në shkurtin e shkuar, në prag të pandemisë, Kançelaria kishte njoftuar zyrtarisht se nuk do rë kandidohej përsëri në votimet e ardhëshme. Së paku pjesërisht, kjo e ka shliruar nga njëra prej rregullave më të “papëlqyeshme” të demokracisë: nëse kërkon flijime të tashme për fitime t’ardhëshme zgjedhësit të kthejnë krahët. Në sajë të mbarështimit të efektëshëm të spikamës shëndetësore, pëlqimi i Kançelares u ngjit në vlerën më të lartë, atë të 70 % dhe nuk zbriti kur u fillua të bisedohej për solidaritet “kundrejt miqve italianë e spanjollë” dhe u thye madje edhe tabuja e euro-bondëve. Nga fillimi i marsit Angela disa herë kishte përsëritur para njerëzve se mirëqënia e Gjermanisë është e lidhur në mënyrë të pazgjidhëshme me tregun e brëndshëm, pra me mbarëvajtjen e Bashkimit “në çdo pjesë të tij e në çdo Vend”.

Në këtë mënyrë Merkel ka krijuar kushtet më të volitëshme për ushtrimin e një udhëheqjejë të dyfishtë: të brëndëshme e të jashtëme. Një lëvizje e vështirë dhe guximtare në një sistem politik shumë-krerësh, “me shumë koka”, si BE ku drejtuesit shtyhen të mbrojnë burrërisht interesat e zgjedhësve të tyre. Siç u pa, bisedimet e sapo përfunduara nuk kanë bërë përjashtim, madje disa drejtues kanë luajtur lojëra paturpësisht t’egra. Sigurisht edhe Franca ka luajtur një rol të rëndësishëm. Por pa peshën e Angelas Makroni nuk do të kishte bërë shumë udhë: nuk zotëron një ligjëshmëri të mjaftueshme brënda për të investuar diçka n’Evropë. Kështu që Kançelaria që bëri investimin dhe shndërroi një stuhi të pritëshme të përsosur në të kundërtën e saj të plotë: përfundimin e një traktative që rrezikonte të dështonte duke krijuar çarje rrënimtare për tërësinë dhe mbarështimin e Bashkimit.

Atyre që do të vijnë pas u takon gjykimi i mundimshëm. Por nëse mbajmë një vështrim të gjatë, Angela Merkel-it pak lavdi mund t’i a japim që tani. Si mirënjohje së parës grua udhëheqëse të Gjermanisë e të BE dhe shtetare në zemër, mbi hullinë e një historie qindravjeçare, në të cilën luftërat ndërmjet Shteteve evropiane kanë mbizotëruar mbi bashkëndarjet e ndërsjellta.

“Corriere della Sera

Përktheu Eugjen Merlika /Gazeta Liberale

 

 

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back