Letërsi

“Eva nuk është Madamë Bovari!”

Shkruar nga Liberale

(Refleksione mbi romanin “Shpirti i humbur” i autores Fatmira Aliaj)

Nga: Tobias Xhaxhiu

Morali dhe liria duket se kanë një marrëdhënie të vështirë me njeri-tjetrin, aq më tepër në art e letërsi, ku krijuesin shpesh e bren dilema e kapërcimit të vijës së kuqe, apo le ta quajmë ndryshe, “zonës së komfortit”.

Duhen këllqe për t’u përballur me të vërtetat që s’thuhen dhe për ata që e ndërmarrin këtë hap, rrugët janë dy: linçim ose fitore. Duket se kjo e fundit është vula që Eva, protagonistja e romanit “Shpirti i humbur” ka vendosur t’i vërë vetes, ndonëse fati i saj mund të tingëllojë i trishtë. Ajo është në krye të një botimi dedikuar grave në nevojë pranë një shoqate, çka i jep akses në historitë rrëqethëse të zonjave shqiptare, që vijnë të rrëfyera mjeshtërisht nga autorja Fatmira Aliaj. Eva, e përballur me një realitet personal të zhdrejtë përpiqet të hedhë dritë mbi fatet e këtyre grave, që siç faqet e romanit na zbulojnë pa zbukurime, vuajnë mizorinë e burrave, dhunën, trafikimin dhe në fund, asgjësimin.

Një tis i hollë rrethanash favorizuese e ndan fatin e Evës nga ai i grave që ajo ndesh. Pikërisht kjo mundësi e bën atë të ndihet fajtore për shanset që i janë dhënë, por njëherësh e zgjojnë nga realiteti i saj i gënjeshtërt. Me një gjilpërë, ajo do të shpojë flluskën e saj të sapunit, për të marrë në duar frerët e jetës së saj. Ajo është e lodhur nga mungesa e një bashkëshorti të denjë, të ndryshëm nga ai me të cilin ndan shtratin dhe që koha e provon të pavlerë. Ai nuk e meriton Evën dhe çekuilibri mes tyre shpie në divorc. E vetmuar, me përgjegjësinë e rritjes së të bijës, ajo rreket të zbulojë të bukurën në mjedisin që e rrethon, pastërtinë dhe dëlirësinë shpirtërore, si një mjet për të shpëtuar ndërgjegjen, përpara zullumeve dhe padrejtësive që bota i përplas në fytyrë.

Bukuria e saj është edhe mallkimi që e përndjek. Burrave u pëlqen, kërkojnë të përfitojnë dhe në një farë mënyre, të zhvatin nga Eva edhe atë veçori të mbetur që laton qenien e saj. Në dallim nga gra të tjera, Eva nuk është e bukur vetëm për së jashtmi. Natyra e vërtete e bukurisë së saj qëndron në shpirtin e Evës, megjithëqë sprovat e njëpasnjëshme do t’ia vënë në dyshim ekzistencën, ajo serishmi ndërmerr një udhëtim në trenin e dashurisë, duke shpresuar që stacioni i radhës do të jetë ai i duhuri. Thellë thellë, Eva e di se ko është një kërkesë e pamundur.

Këtu, autorja Fatmira Aliaj ka vendosur të përcjellë një mesazh të fuqishëm, me anë të thyerjes së njëtrajtshmërisë në narrativë. Eva, pasi ia ka dalë mbanë të fitojë cilëndo betejë që jeta shqiptare i ka servirur, vendos të largohet nga ky vend dhe atje, në lartësinë e pamatshme të reve, e gjetur midis parajsës pluskuese dhe ferrit teposhtë, gjen një paqe të shqetësuar duke ditur se në Tokë, gratë përsëri dhunohen, shprishen, rrënohen dhe në fund thyhen e vriten si balerina prej qelqi.

Kanadaja duket se është dheu i premtuar për të. Mbase atje ajo do ta gjejë dashurinë e përplotshme, realizmin si intelektuale dhe hapësirën për të bërë gazetari të vërtetë e pa censurë. Lart në qiell, Eva është dëshmitare e lirisë së saj, në shkëputje prej gravitetit të ligësisë së botës, që si gropë thithëse forcërisht kërkon ta bëjë pjesë të një sistemi shoqëror të korruptuar e të paskrupullt. Eva nuk do të jetë një Madamë Bovari, përherë e zhgënjyer nga pritshmëri të pamundura, pasi ajo është një grua moderne, e mençur dhe e vetëdijshme për kërkesat e saj. Në përfundim, Eva do të jetë më e lumtur në trishtimin e saj ngjyrë blu. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH