Aktualitet

Euxhenia Hodo, një shqiptare në krye të të drejtave të grave në SHBA

Shkruar nga Liberale
Euxhenia Hodo, një shqiptare në krye të të drejtave të

Euxhenia Hodo diplomohet në Maj të vitit 2020 në master, për “Të drejtat e njeriut” nga John Jay College of Criminal Justice në New York.

Ajo zotëron “Bachelor” në Krime Internacionale nga po i njëjti universitet në New York. është diplomuar në vitin 2013 në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

Gjate vitit 2018-2019 ajo është emëruar kryetare e komitetit të studenteve në nivelin master. Ajo diplomohet në nivelin master me rezultatet maksimale dhe ka arritur të ndërtoje marrëdhënie avokatie me Organizatën e Kombeve e Bashkuara në selinë e New York-ut si dhe punon aktivisht me “Amensty International” dhe “Human Rights Watch”.

Gjatë studimeve në master ajo ka bërë një punë të palodhur duke ndihmuar gratë emigrante New York si dhe gratë që janë viktima të pabarazive dhe diskriminimeve gjinore. Euxhenia ka shtetësi shqiptare dhe aspiron që në të ardhmen e afërt të investoje dijet dhe eksperiencën e saj në vendin e lindjes, në Shqipëri.

Si ishte jeta juaj përpara John Jay dhe çfarë ju shtyu të vinit në SHBA?

Jeta përpara John Jay ishte shume ndryshe nga c ‘është tani. Kam lindur dhe jam rritur në Shqipëri me familjen time derisa u diplomova në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Gjatë vitit të fundit të fakultetit arrita të kuptoj qe universi i kriminalistikës dhe drejtësisë penale funksiononte në Europë shumë ndryshe nga ç‘funksionon në SHBA. Pata aplikuar në disa universitete në shtete të ndryshme të Amerikës dhe fatmirësisht arrita të pranohesha në zgjedhjen time të parë. Pa e menduar dy herë vendosa të jetoja në New York City dhe të vazhdoja studimet e mëtejshme me dëshirën për të mësuar më shumë rreth ligjit dhe drejtësisë penale në një kontinent tjetër, vetëm por edhe me ambicie të mëdha. Vizioni ishte i qartë, doja të bëhesha avokate e të drejtave të njeriut për të përfaqësuar atë pjesë të popullsisë që NUK ka më pak mundësi dhe shanse se pjesa tjetër.

Vitin e parë që nga momenti kur mbërrita në New York më është dashur të punojë 3 punë në të njëjtën kohë për të përballuar shpenzimet e shkollës dhe jetës. Sponzorizimi nga prindërit nuk ka qenë asnjëherë një opsion për mua. Në momentin kur fillova studimet në John Jay arrita të kuptoj që isha në vendin e duhur, në momentin e duhur dhe për kauzën e duhur.

Cilat ishin disa nga sfidat me të cilat jeni përballur në John Jay dhe si arritët ti përballoni?

Të flasësh për vështirësitë që ke kaluar është e vështirë por e nevojshme ngandonjëherë. Gjuha angleze ishte një gjuhë e tretë për mua pas shqipes dhe italishtes dhe krejt papritur e gjeta veten duke studiuar çdo lëndë të krimeve internacionale në anglisht dhe sigurisht ambicia ime kane qenë gjithmonë, rezultate maksimale. Më është dashur të punoj 50-60 orë në javë për të përballuar jetën dhe ritmin e egër në New York, duke ndjekur shkollën me kohë të plotë. Nuk kam të afërt në Shtetet e Bashkuara përveç disa kushërinjve të largët. Ka pasur ditë në të cilat kam fjetur vetëm 3 ore dhe kam studiuar në tren për provime. Kam qenë dhe vazhdoj të jem shumë e rezervuar në lidhje me vështirësitë që më është dashur të kaloj dhe e kisha të pamundur të kërkoja ndihmë sepse nuk doja të tregoja asnjë shenjë dobësie. Ditët dhe muajt kalonin dhe thuajse çdo ditë takoja studentë të rinj të cilit kishin ardhur nga çdo cep i botës. Si arrita ti kaloj vështirësitë? Me punë, me shumë punë, dhe sigurisht me ndihmën e pedagogëve dhe mentorëve të mi. Nuk kisha as kohë dhe as mundësi të humbja fokusin nga synimet që kisha. CD sekondë është parà dhe isha gjatë gjithë kohës e fokusuar të bëhesha versioni më i mirë i vetes. Kur synimi është suksesi dhe gjatë rrugës përballemi me pak ditë të vrenjtura, pyetja është, a do ti mbajmë mend vështirësitë? Unë mendoj se jo por edhe nëse i mbajmë në memorie do të thotë që ishin të nevojshme.

Nëse do veçonit një person/zyre/vend në John Jay që ka ndikuar në ecurinë dhe rezultatet tuaj, më së shumti, cilin do të veçonit dhe pse?

E kam paska të vështirë të veçoj vetëm një person apo një zyrë në John Jay. Çdokush që është pjesë e këtij universiteti ka kontribuar sadopak në rrugëtimin tim. Këshilli studentor ka qenë absolutisht një vend që më ka bërë më të ndërgjegjshme për fuqinë që kanë studentët por edhe për të drejtat e tyre. Kam pasur mundësinë të takoj njerëz të motivuar dhe pasionantë. Gjithashtu drejtoresha e programit Për të Drejtat e Njeriut Charlotte Walker-Said ka qenë një krah i djathtë për mua gjatë këtij rrugëtimi. Ajo është gjithmonë e gatshme për të dëgjuar kërkesat e studentëve dhe për të gjetur një zgjidhje për t’ju përgjigjur e-maileve në kohë reale dhe për të të motivuar në çdo sekondë. Ka qenë thuajse si një prind për mua. Nuk mbaj mend të kem pasur ndonjëherë një eksperiencë të keqe këtu. Studentët dhe profesorët janë nga vende të ndryshme të botes dhe flasin të paktën nga 2-3 gjuhë. Jam me të vërtetë krenare që kam pasur mundësinë të jem pjesë e këtij komuniteti multi kulturor.

Ku e shihni veten pas 5 viteve? Cili është synimi juaj më i afërt?

Në 5 vitet e ardhshme e shoh veten duke drejtuar organizatën time joqeveritare për t’iu ardhur në ndihmë femrave në nevojë në Shtetet e Bashkuara, ashtu si edhe në Shqipëri. Të qenit një femër emigrante, e them edhe nga përvoja ime, ndonjëherë jemi të dobëta dhe kemi nevoje për ndihmë emocionale ashtu si edhe financiare. Fatkeqësisht sistemet në të cilat jetojmë nuk na vënë në dispozicion mjetet e caktuara të cilat na duhen për të luftuar diskriminimin, stigmat dhe seksizmin. Në shumë vende të botës, në kohët e sotme gratë paguhen më pak se burrat për të njëjtën punë, për të njëjtin pozicion. Ditë pas dite, si femra na duhet të përballemi me shefa burra, me supervizorë burra të cilët gjithmonë nuk hezitojnë të komentojnë modelin tonë të flokëve, make-upin apo veshjen në ambientet e punës. Unë jam e vetëdijshme që këto çështje janë të rrënjosura thellë në shoqërinë tonë të vlerave dhe nuk mund të zgjidhen dhe as të ndryshohen brenda ditës, por unë jam këtu duke punuar çdo ditë për të bërë pjesën time në panoramën e përgjithshme. Jam e vendosur të përfaqësoj ata me më pak mundësi dhe oportunitete. Ngjyra e lëkurës dhe gjinia nuk duhet të luajnë asnjë rol në arritjet, mundësitë dhe sukseset e askujt. Ky është synimi im i afërt.

Semestri që kaloi ishte i pazakontë, për arsye sigurie çdo student vazhdoi të ndiqte klasa on-line. Si arritët të kishit sukses gjatë kësaj kohe. Gjithashtu si do festoni kurorëzimin e masterit?

Jam shumë e lumtur ti përgjigjem kësaj pyetje pasi gjatë kësaj kohe kam kaluar një mal me emocione. Gjatë muajit prill, administrata e fakultetit na njoftoi se ceremonia e diplomimit nuk do të realizohej për arsye sigurie nga coronavirus. Në fillim ndjeva sikur një moment i madh i shumëpritur për mua nuk do të ndodhte kurrë. Ndjeva sikur çdo natë që kisha qëndruar zgjuar për të studiuar, çdo sakrificë e bërë në emër të suksesit nuk kishin më rëndësi. Këto ndjenja zhgënjimi dhe dëshpërimi ishin miksuar dhe me një mënyrë të re të të nxënit, klasa on-line. Ditët po kalonin dhe befas, papritur me erdhi një ndjenjë iluminimi. Ceremonia e diplomimit nuk është “ndonjë gjë e madhe”. Në fakt ai moment nuk është vërtetë për ty, si i sapo diplomuar sesa është për familjen dhe të afërmit. Si student në fakt, jemi pak egoistë në lidhje me faktin se ndihemi sikur diçka që mezi kemi pritur ndër vite, tani nuk do ndodhë kurrë. E vërteta është që në këto momente, e vetmja gjë që vlen është mirënjohja dhe unë i jam shumë mirënjohëse gjithë stafit të John Jay, të cilët janë munduar me ditë të tëra dhe kanë bërë të pamundurën, të mundur. E gjitha kjo situatë është e re për të gjithë ne, ajo që na dallon është mënyra sesi reagojmë ndaj të gjithave këtyre që po ndodhin rreth nesh. Duhet ti kujtojmë vetes se kemi akoma arsye për të qeshur dhe për të festuar.

Cilët janë njerëzit me krenarë për arritjet e tua? Çfarë do të dëshironit ti thoshit në këto momente?

Çdokush që më ka ndihmuar dhe mbështetur në një mënyrë apo tjetrën besoj është krenar për arritjet e mia në këto momente. Nuk do të isha këtu pa mbështetjen morale dhe emocionale të familjes, miqve, dhe sidomos motrës time, Vilma. Ajo ka qenë pranë meje në çdo moment edhe pse kemi jetuar larg njëra-tjetrës për shume kohë. Unë mendoj se njerëzit që të rrinë pranë në ditë të errëta janë ata që na duan vërtetë. Jam mirënjohëse që kam mbështetjen dhe përkrahjen e motrës dhe mamasë time. Kam shumë gjëra në mend për t’iu thënë në këto momente por shkurtimisht dua ti them vetëm që “faleminderit që më keni rritur me shumë sakrifica, dhe më keni dhënë dashuri dhe kujdes të pakushtëzuar”.

Diçka të fundit, një apel që keni për të na thëne?

Po. Ashtu siç ndoshta e përmenda dhe pak më parë, gjatë vitit 2018-2019 pata mundësinë të zgjidhesha kryetare e komitetit të studenteve në nivelin master. Ky pozicion më dha mundësinë të njihja nga afër studente të tjera nga universitete të tjera në New York. Gjatë asaj kohe isha totalisht e angazhuar me sfidat e secilit prej tyre. Doja të shfrytëzoja këtë moment për të motivuar çdo student jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por edhe në Shqipëri për të pranuar këtë realitet të ri, këtë mënyre të re të shkollimit, këtë jetë të re. Ka ardhur momenti të brendësojme çdo ide të re inovative. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë sfidat e njeri-tjetrit dhe ta ndihmojmë njeri-tjetrin. Jemi të gjithë bashke në këtë qe po ndodh. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH