Aktualitet

Europol: Evropa është kthyer në qendrën globale të trafikut të drogës

Shkruar nga Liberale
Europol: Evropa është kthyer në qendrën globale të

Me ngjyra të zeza Europol përshkruan situatën që mbizotëron në Europë përsa i përket drogës, pasi Kontinenti i Vjetër është kthyer në një qendër globale trafiku, duke lënë mënjanë SHBA-në. Kreu i Europolit, Catherine de Bolle, foli për "Politico", duke thënë se importet e barnave pritet të rriten në dy vitet e ardhshme në Evropë. Siç tha ajo, ekziston rreziku i cenimit të shtetit ligjor në Evropë, për shkak të “shpërthimit” të krimit të trafikut të drogës.

Rezultati është një rritje e dhunës dhe korrupsionit në pikat e nxehta të trafikimit si porti i Antwerp-it në Belgjikë, pasi bandat kriminale kërkojnë gjithnjë e më shumë të depërtojnë në kompanitë e logjistikës dhe madje edhe në sistemin gjyqësor, paralajmëroi De Bolle.

“Ne shohim se Bashkimi Evropian është bërë më i rëndësishëm [për kriminelët] sesa Shtetet e Bashkuara. Vendet evropiane po dominojnë për momentin”, theksoi drejtuesja e Europol. “Ne shohim që për dy vitet e ardhshme do të kemi një rritje të barnave drejt Bashkimit Evropian sepse ka më shumë prodhim”. “Ajo që na shqetëson realisht është shtimi i dhunës. Jo vetëm dhunë e rregullt: vrasje me porosi, tortura, shpërthime, dhunë vërtet brutale dhe mizore me shumë të vdekur”, nënvizoi ajo.

Sipas kreut të Europolit, zyrtarët evropianë duhet të kenë prioritet luftën kundër krimit të organizuar, “nëse duan të mos humbasin besimin e qytetarëve”.

Ajo theksoi se alarmi po bie në vende si Suedia, Spanja dhe Gjermania, ku porti i Hamburgut është kthyer në një destinacion kyç për tregtarët. “Bandat e drogës po depërtojnë në shoqëritë tona. Ata duan të vendosin për çështjet e mëdha. Ne duhet të mbrojmë grupet vulnerabël”, shtoi zyrtarja evropiane.

Megjithëse Evropa nuk është aq e mbushur me fentanil, një opioid jashtëzakonisht i fuqishëm përgjegjës për një numër të madh vdekjesh, përdorimi i tij po rritet në Estoni, Suedi, Finlandë dhe Gjermani. De Boll ende fokusohet, në një masë të madhe, në krimet e lidhura me drogën.

Jo pak vende europiane janë tronditur vitet e fundit nga vrasjet e kryera nga bandat e tregtarëve të drogës. Në Holandë, ku porti i Roterdamit është një pikë kyçe hyrëse për drogën në Evropë, vrasja në 2021 e gazetarit të shquar Peter R. de Vries dhe avokatit Dirk Wiersum në 2019 çuan në një hetim të gjerë.

Si një nga portet më të mëdha të Europës po “gërryhet” nga ekonomia e drogës

Porti i Antwerpen ka ekzistuar prej shekujsh dhe mbetet një qendër shumë e rëndësishme ekonomike. Mallrat që kaluan nëpër të pasuruan qytetin elegant, të njohur për diamantet, artin dhe modën.

Por tani një produkt ndryshe nga ana tjetër e Atlantikut, kokaina, ka krijuar një realitet të ri në qytet. Një fluks i madh parash sjell korrupsion, dhunë dhe shtrembërim në ekonominë e qytetit.

Siç raportohet nga "Wall Street Journal", autoritetet kapën 88 tonë kokainë të fshehur në kontejnerë nga Amerika Latine vetëm në vitin 2021, gati 10 herë më shumë se në 2014. Kjo është shumë më tepër se çdo port tjetër evropian, pasi trafikantët vërshojnë kontinentin me kaq shumë kokainë që tani mund të jetë një treg më i madh se ai i SHBA-së, sipas Administratës së Zbatimit të Drogës (DEA).

Në fakt, fluksi i parave në fjalë ka shtrembëruar ekonominë e qytetit dhe ka rënduar shoqërinë. Polica, doganierë dhe një punonjës spitali janë arrestuar për dhënien e informacionit rrjeteve të trafikut të kokainës përmes aplikacioneve të koduara. Trafikantët famëkeq japin supermakina me qira për qindra euro në ditë dhe rekrutojnë të rinj të cilët i joshin me perspektivën e parave të shpejta dhe një stili jetese që bie në sy. Kompanitë legjitime e kanë të vështirë të konkurrojnë me bizneset e frontit kriminal që mund të pësojnë humbje të rënda.

Evropa po bëhet një qendër kokaine

Pas kanabisit, kokaina është droga më e konsumuar në Evropë, me miliona përdorues dhe shitje prej rreth 10.5 miliardë euro në vitin 2020, sipas një raporti të përbashkët nga agjencia e zbatimit të ligjit të BE-së Europol dhe Qendra Evropiane e Monitorimit të Drogës dhe Varësisë (EMCDDA), shkruan Protothema.

Tregu evropian po rritet, i nxitur nga prodhimi më i madh në Amerikën Latine dhe gjithashtu nga zgjerimi i kapacitetit të përpunimit të drogës së papërpunuar në vetë Evropën. Mund të rritet edhe më shumë me zhvillimin e llojeve të reja të produkteve të kokainës për tymosje, thuhet në raport, duke paralajmëruar për rritjen e rreziqeve shëndetësore.

"Më shumë prodhim po ndodh tani brenda Evropës, duke treguar ndryshime në rolin e atij rajoni në tregtinë ndërkombëtare të kokainës," thuhet në raport.

Kokaina e importuar në Evropë nga Amerika e Jugut rieksportohet gjithnjë e më shumë në pjesë të tjera të botës, kryesisht në Lindjen e Mesme dhe Azi, duke e bërë Evropën "një pikë kyçe tranziti për drogat me origjinë diku tjetër", shtoi raporti.

Tregu evropian i metamfetaminës po rritet gjithashtu, por mbetet shumë më i vogël se ai i kokainës, sipas raportit, i cili vë në dukje se madhësia e saj e saktë është e vështirë të vlerësohet. Stimuluesi sintetik tradicionalisht është prodhuar kryesisht në Republikën Çeke dhe është konsumuar në Evropën Lindore, por shifrat e reja tregojnë se kërkesa është në rritje në Evropën Perëndimore, veçanërisht në Belgjikë, e cila është bërë një prodhues kryesor i drogës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH