Globi

Europa nën ‘pushtetin’ e flakëve/ 47 gradë temperaturat, Britania shpall emergjencën

Shkruar nga Liberale

Zjarret janë ndezur në të gjithë Evropën, duke shkatërruar gjithçka u del para. Në 48 orët e fundit në Gironde, një pjesë e rajonit francez të Aquitaine, në jugperëndim, flakët kanë djegur mbi 7300 hektarë .

Disa nga avionët dhe pajisjet e zjarrfikësve që do të përdoreshin për paradën e 14 korrikut në Paris u detyruan të shkonin dy ditë më parë në Bordo. Pothuajse 1000 zjarrfikës u nevojitën për të shuar zjarrin. Zjarre të tjera janë raportuar në Francën juglindore dhe në veri të Parisit.

Zjarret kanë shpërthyer edhe në Portugali dhe Spanjë. Shtëpi dhe mijëra hektarë shkurre mesdhetare të shkatërruara nga flakët. Portugalia u prek veçanërisht nga zjarret këtë javë. Më shumë se 3000 zjarrfikës në të gjithë vendin u është dashur të bashkëpunojnë përkrah qytetarëve të thjeshtë, në një përpjekje të dëshpëruar për të zbutur 13 zjarre që kanë prekur të gjithë territorin.

Zjarret nxiten nga temperaturat ekstreme. Spanja në orët e fundit regjistroi temperaturën rekord të korrikut, duke arritur 47 gradë Celsius. Rekordi u arrit dje në Alijó, një qytet i vogël me 10 mijë banorë. Temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në 27 vitet e fundit.

Në qytetin spanjoll të Seviljes, një nga vendet më të nxehta në Evropë, disa sindikata u kanë kërkuar kompanive të pezullojnë aktivitetet e shumë punëtorëve për shkak të kushteve të pafavorshme. Temperaturat në shumë pjesë të Spanjës kanë qenë mbi 40 gradë Celsius prej disa ditësh dhe pritet të vazhdojnë të rriten deri në javën e ardhshme .

Në zonën e Salamankës janë djegur mbi 4000 hektarë në katër ditët e fundit. Një tjetër zjarr shpërtheu në Parkun Kombëtar Monfrague (Extremadura). I njohur për rritjen e disa racave të shpendëve. Zjarri ka djegur disa fole të shkabave të zeza, një nga zogjtë më të rrallë në botë.

Britania shpalli një emergjencë kombëtare sot. Meteorologët kanë konfirmuar se vendi ishullor do të regjistrojë temperatura të paprecedentë javën e ardhshme duke arritur në 41°C mes të hënës dhe të martës . Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar u ka kërkuar britanikëve që të mbajnë të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe foshnjat të sigurt. Meteorologët kanë thënë se aktualisht ka një shans 80% për të thyer rekordin e të gjitha kohërave të Mbretërisë së Bashkuar prej 38.7 ° C, i vendosur në Kembrixh më 15 korrik 2019.

Edhe Italia dhe vendet e Ballkanit, si Kroacia, Shqipëria dhe Greqia janë përfshirë nga flakët. Ajo që mbetet edhe më shqetësuese është fakti se vala e tretë e vapës që ka prekur aktualisht Francës dhe Spanjën do të afrohet në ditët në vijim drejt gadishujve të Apenineve dhe Ballkanit.   /Liberale.al/ 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH