Aktualitet

“Europa është shumë e bukur nëse mbetet gjithnjë e vërtetë”

Shkruar nga Liberale

Mbi konfliktin më të fundit mes Gjykatës Europiane Drejtësisë dhe Gjykates Kushtetuese Gjermane

Xhezair Zaganjori

Kjo shprehje shumë  domethënëse e Ludwig Erhard, ish Kancelarit dhe personalitetit të shquar të politikës gjermane të viteve 60’ të shekullit të kaluar, ideuesit dhe zbatuesit të Politikës Sociale të Tregut që i dha mbështetje dhe energji pa fund  ekonomisë së Republikës Federale Gjermane të atyre viteve, përmendet  sa herë që ka probleme apo debate te rëndësishme  mbi çështje thelbësore e tepër sensitive që kanë të bëjnë me të tashmen dhe perspektivën e Bashkimit Europian. I tillë ishte dy vjet më parë edhe debati që ngjalli fjalimi programatik i Presidentit francez Macron lidhur me përballimin e sfidave aktuale të BE,  duke propozuar me këtë rast ndryshime të shumta  që synojnë një bashkëpunim më të ngushtë dhe marrjen e përgjegjësive të reja në të gjitha fushat dhe nivelet e kësaj organizate ndërkombëtare.

Në fakt, shprehja e mësipërme mu kujtua edhe keto ditë vetiu, duke ndjekur me vëmendje diskutimet e zjarrta që kanë shpërthyer në nivel shtetëror, publik e doktrinar lidhur me raportin mes të drejtës së Bashkimit Europian dhe të drejtës së brendshme të Shteteve Anëtare, e më konkretisht, në mes vendimmarrjes së Gjykatës Europiane të Drejtësisë (GjEDr) dhe gjykatave kushtetuese apo gjykatave të larta të këtyre shteteve. Konflikti mbi këtë raport është shumë i gjatë në kohë dhe problemi ka shumë elementë teknike në këndvështrimin ligjor dhe juridiko – ndërkombëtar. Megjithatë, në një shkrim si ky,  do te përpiqem të paraqes shkurtimisht thelbin dhe rëndësinë e jashtëzakonshme të tij për vetë ekzistencën e Bashkimit Europian, duke evidentuar njëkohësisht edhe dobinë e madhe të një debati të tillë  për shëndoshjen e këtij raporti, qartësimin e standardeve, thellimin e integrimit të brendshem në këtë organizatë  dhe shërbimin më të mirë ndaj qytetarëve europiane.

Shkak për debatin më të fundit u bë vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë (GjKGj) i pak ditëve më parë mbi çështjen e një programi të veçantë të Bankës Qendrore Europiane (BQE), të quajtur Programi për Blerje në Sektorin Publik (Public Sector Purchase Program – PSPP). Ky program është lancuar disa vite më parë nga ish Presidenti i BQE  Mario Draghi. Synimi i tij është të parandalojë fragmentarizmin e tregjeve financiare të Euros dhe mbajtjen nën kontroll të inflacionit të saj nën 2%, gjë që është më se e domosdoshme për të garantuar një monedhë të fortë e të sigurtë. Dy vjet më parë, Gjykata Europiane e Drejtësië, në të ashtuquajturën çështja “Gauweiler” (ish deputet gjerman që paraqiti kërkesë padi në këtë gjykatë), e vlerësoi këtë program të BQE si mjaft efikas e të dobishëm,  të ndërmarrë në përputhje me detyrimet që ajo ka në bazë të Traktateve të BE, në kuadër të zbatimit të politikave monetare, gjë që normalisht është edhe funksioni kryesor i saj. Por ndërkaq, me pas u investua për këtë problem edhe Gjykata Kushtetuese Gjermane, një nga gjykatat më prestigjioze, më të vlerësuara dhe më autoritare në Europë, e cila në vendimin e saj, për herë të parë dhe në mënyrë krejtësisht të papritur, atakoi drejtpërsëdrejti vendimmarrjen e dy prej institucioneve kryesore te BE për këtë problem, BQE dhe GjEDr. Ne vendimin e saj te datës 05 Maj 2020, GjKGj thotë ndër të tjera se  BQE nuk mund të miratojë një program të tillë të rëndësishëm, mbështetur vetëm në objektivat e politikave monetare. Sipas saj, në këto raste ajo duhet të bëjë një argumentim më të zgjeruar që merr parasysh edhe interesat dhe kostot ekonomike, fiskale dhe politike  të shteteve anëtare, dhe se rezultatet e kësaj analize duhet ti bëjë të qarta e publike për të gjithë. Ndërkaq, goditja që i bëhet GjEDr është edhe me frontale dhe më e rëndë.  Ne vendimin e GjKGj thuhet shprehimisht se kjo gjykatë, në vendimin “Gauweiler” të dy viteve më parë mbi çështjen e PSPP,  ka dështuar të bëjë një interpretim të plotë e koherent të çështjes në shqyrtim. Mbi të gjitha, theksohet se GjEDr nuk ka zbatuar testin e rëndësishëm e të domosdoshëm të proporcionalitetit kur interpreton të drejten e BE,  “…si një standard metodologjik i rëndësishëm ….që mbështetet në traditat e përbashkëta juridike e kushtetuese të shteteve anëtare…”. Mbi këtë bazë, GjKGj e cilëson vendimin e GjEDr si “objektivisht arbitrar” dhe “ nga ana metodike jo përfaqësues”, duke e bërë atë të pazbatueshëm në praktikë, pasi ai është  ultra vires, që do të thotë është marrë duke mos respektuar kompetencat që ajo ka në bazë të Traktateve. Ajo shton më tej se “ …akti ultra vires nuk mund të zbatohet në Gjermani”, ndaj ai nuk mund të ketë asnjë efekt për institucionet gjermane.

Vendimi i GjKGj  u prit menjëherë me një furtunë të paparë kritikash nga të gjitha drejtimet, por veçanërisht nga doktrina. U cilësua si një bombë atomike për rendin ligjor europian; si një rrufe në qiell të hapur; si shkelje  flagrante e etikës gjyqësore ; si mungesë respekti e vlerësimi për institucionet europiane; si provokim dhe si goditje e rëndë për arkitekturën e drejtësisë së BE; si një precedent i rrezikshëm apo si Kalë Troje për sigurinë juridike dhe autoritetin gjyqësor të kësaj organizate, e të tjerë. Mbi të gjitha u përmend fakti që ky vendim u duartrokit nga euro skeptikët, nga partitë nacionaliste në Europë si dhe nga qeveritë e shteteve anëtare që aktualisht kanë probleme të hapura me institucionet e BE, lidhur me çështje të rëndësishme që kanë të bëjmë me parimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Sepse u mendua (apo edhe mendohet) se vendime të tilla të ngjashme që refuzojnë hapur vendimmarrjen e institucioneve të BE, shumë mirë dhe shumë thjeshtë mund të merren edhe nga gjykatat kushtetuese dhe gjykatat e larta të vendeve të tjera anëtare. Ndaj evidentohet edhe deklarimi i Kryeministrit polak që e cilëson vendimin e GjKGj si  “ vendimin më të rëndësishëm gjatë gjithë historisë së Bashkimit Europian”.  Sepse në pamje të parë, vendimi i GjKGj duket se prek apo cënon një nga parimet më të rëndësishme, më të qenësishme  apo më të shenjta të të drejtës së Bashkimit Europian, atë të supremacisë apo përparësisë së saj në rast konflikti me të drejtën e brendshme të shteteve anëtare, evidentuar qartësisht nga vetë GjEDr që në vitin 1964 në çështjen Kosta/ENEL. Pa zbatimin e këtij parimi, natyrisht që nuk mund të flitet për barazi, unitet dhe uniformitet të së drejtës së BE. Nuk mund të flitet për siguri juridike dhe për autoritet të GjEDr, si instanca më e lartë gjyqësore e BE. Prandaj edhe shqetësimi i institucioneve europiane është më se legjitim. Komisioni Europian, si garant i zbatimit të Traktateve, po mendon hapat që mund dhe duhet të ndërmarrë. Shqetësime janë shprehur edhe në Parlamentin Europian dhe në parlamentet kombëtare. Bundestagu ndërkaq është angazhuar seriozisht për të zgjidhur sa më mirë këtë ngërç jo të lehtë, i cili u ndërlikua edhe më shumë nga  intervistat apo sqarimet që u përpoqën të japin rreth vendimit të tyre Kryetari i GjKGj Andreas Vosskuhle si dhe gjyqtari relator Peter Huber. Veçanërisht intervista e pazakontë  në raste të tilla e këtij të fundit në mbrojtje të vendimit të dhënë, u vlerësua se irritoi edhe më shumë situatën e ndere të krijuar mes Berlinit e Brukselit ( apo më drejtpërdrejtë, mes Karlsruhes ku është GjKGj dhe Luksenburgut, ku është GjEDr). Megjithatë, ajo që të bën më shumë përshtypje në këtë situatë është reagimi i qetë dhe i shkurtër përmes një interviste  dhënë një gazete holandeze i Presidentit të GjEDr,  Koen Lenaerts. Ai tha qartësisht se “Ne nuk komentojmë vendimet e gjykatave kombëtare….. por duhet theksuar se vetë shtetet anëtare të BE kanë përcaktuar GjEDr të jetë përgjegjëse për të garantuar unitetin  dhe zbatimin e njëllojtë  të të drejtës së BE…. Vetëm kështu mund të sigurohet zbatimi i barabartë i të drejtës së BE., … sepse përndryshe do të cenohej parimi i sigurisë juridike si dhe uniteti i rendit juridik europian…”.

Në fakt, në praktikë problemi nuk është kaq i thjeshtë. Gjykata Kushtetuese Gjermane sigurisht që e di shumë mirë që BQE nuk është nën juridiksionin e saj dhe se e drejta e BE ka përparësi në rast konflikti me të drejte e brendshme. Këto i thotë edhe vetë qartësisht në vendimin e 05 Majit 2020. Ajo e di gjithashtu që edhe GjEDr është instanca e fundit që merret me garantimin e kësaj të drejte. Ndaj është e qartë që ajo (GjKGj) nuk mund të anulojë programin në fjalë të BQE si dhe vendimin respektiv të GjEDr. Ndërhyrja e saj në të drejtën e BE është justifikuar historikisht vetëm në raste tepër të ralla kur bëhej fjalë për mbrojtjen efektive të të drejtave themelore (Vendimi i saj Solange I i vitit 1974) si dhe për çështje që kanë të bëjnë me identitetin kushtetues dhe traditat e përbashkëta të shteteve anëtare, garantuar edhe në Traktatet e BE (neni 6/3 i Traktatit të BE ku bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe neni 340/2 i Traktatit mbi Funksionimin e BE, ku bëhet fjalë për përgjegjësinë jashtëkontraktore ). Prandaj në rastin konkret, duket qartë që vendimi i GjKGj nuk mund ti drejtohet drejtpërsëdrejti të drejtës së BE apo institucioneve të saj. Ai ka qartësisht si traget kryesor institucionet kushtetuese gjermane, e në mënyrë të veçantë Qeverinë, Parlamentin (Bundestagu), Bankën Federale (Bundsbank) dhe gjykatat gjermane, të cilave në parim, në bazë të këtij vendimi, pa u marrë më parë masat që kërkohen në vendimin e GjKGj, u ndalohet të angazhohen në programet e BQE lidhur me PSPP, sepse aktet respektive janë vlerësuar pres saj si ultra vires. Bundesbankut i ndalohet njëkohësisht edhe mundësia e blerjes së bonove të thesarit mbi bazën e këtij programi. Nga ana tjetër, në këndvështrimin formale-juridik, edhe BQE nuk mund ta zbatojë drejtpërsëdrejti vendimin e GjKGj, sepse ndër të tjera, vendimet e saj nuk mund të ndikohen nga gjykatat e shteteve anëtare, qofshin  këto edhe gjykata kushtetuese, dhe se nga ana tjetër, ky veprim do të krijonte një precedent shumë të rrezikshëm e me pasoja shumë të rënda për rendin juridik të BE. Çështja ndërlikohet edhe më shumë po të mendohet se për të njëjtat arsye mund të kontestohet edhe programi madhor i BQE mbi përballimin e pasojave ekonomike të Pandemisë Covid-19 (Programi PEPP – Pandemic Emergency Purchase Program), program ky i ngjashëm në këndvështrimin formal me PSPP, i cili pritet te marre rrugë në një të ardhme jo të largët.

Përveç sa më sipër, ka edhe një rrugë ligjore për zgjidhjen e këtij konflikti. Sipas Traktateve të BE, Komisioni Europian mund të fillojë në çdo kohë një procedurë kundër një shteti anëtar për shkelje të Traktateve, në rastet kur institucione publike të tij, përfshi edhe gjykatat, ndërmarrin veprime apo miratojnë akte që bien në kundërshtim të hapur me detyrimet e tyre dhe me të drejtën e BE. Në këto raste, paraprakisht Komisioni zhvillon bisedime të drejtpërdrejta me shtetin në fjalë, e nëse ato nuk japin rezultat, çështja i kalohet GjEDr, e cila mund të vendosë pagesën e shumave të caktuara apo të një gjobe të konsiderueshme nga shteti anëtar.  Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyn paralajmëroi javën që kaloi se Komisioni është duke e studiuar një mundësi të tillë, për të filluar ose jo një procedurë kundër Gjermanisë për mosrespektim të vendimit të GjEDr të vitit 2018 dhe potencialisht edhe për cenim të pavarësisë së BQE. Megjithatë, mendoj se sigurisht që kjo do të ishte e padëshirueshme nga të gjithë, pasi përveçse do ta zgjaste në mënyrë të konsiderueshme në kohë këtë konflikt, ajo do të përshkallëzonte edhe më shumë përmasat e tij, aq më tepër që bëhet fjalë për vendimin e një gjykate me vokacion të njohur kombëtar e ndërkombëtar, sic është Gjykata Kushtetuese e RFGjermane, e cila në këndvështrimin ligjor dhe kushtetues ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjithë procesin e thellimit te integrimit Europian. Mjafton të përmendën në këtë drejtim vendimet e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ne nivelin Europian; vendimet historike  për Traktatin e Mastrihtit në vitin 1993  dhe për Traktatin e Lisbonës në vitin 2009, e të tjerë. Megjithatë, të gjithë janë në pritje të zhvillimeve që do të ketë në këtë drejtim në një të ardhme të afërt. Sidoqoftë, me rënien e furisë së parë të kritikave të shumta ndaj vendimit të GjKGj, duket se po kërkohet një farë detante që synon të kënaqë të gjitha palët. Ideja është që BQE, në mënyrë indirekte, pa përmendur drejtpërsëdrejti vendimin e GjKGj, të rishikojë arsyetimin e vendimit të saj mbi PSPP, duke i kushtuar një vëmendje më të madhe në çdo rast konkret testit të proporcionalitetit apo argumenteve që kanë të bëjnë me një analizë më të plotë jo vetëm të politikave monetare,  por edhe kostove me natyrë ekonomike, fiskale dhe politike. Kjo jo thjeshte për të kënaqur formalisht teket e dikujt. Më të drejtë vlerësohet se kjo mënyrë arsyetimin forcon dukshëm legjitimitetin e masave të marra, rrit sigurinë dhe besimin ndaj BQE e institucioneve të BE në tërësi si dhe garanton një dialog të vazhdueshëm e të qëndrueshëm të GjEDr me gjykatat e shteteve anëtare. Në këtë kuptim, mund të thuhet se vendimi i GjKGj është i mire dhe i dobishëm. Ai në thelb kërkon më shumë Europe e siguri në marrjen e vendimeve në nivel Europian. Megjithatë, forma  e shfaqjes së tij dhe tonet e përdorura veçanërisht ndaj GjEDr,  kapërcejnë kufijtë e normalitetit. Sidoqoftë, është më se e sigurtë që të dy palët kanë vepruar në bona fide dhe se ky dialog patjetër që i jep shtysë dhe e çon përpara procesin e integrimit dhe bashkëpunimit mes shteteve anëtare me BE. Aq më tepër në Gjermani,  qe siç dihet tashmë, është motori i këtij procesi të jashtëzakonshëm. Është motori i kësaj lokomotive gjigande që në këto 70 vite jo vetëm që ka garantuar paqen e bashkëpunimin e ngushtë në Europë, por edhe sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm e prosperitetin  e të gjithë shteteve anëtare dhe të qytetarëve të tyre. Sepse siç thoshte edhe Erhard, Europa është shumë e bukur nëse mbetet gjithnjë e vërtetë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH