Kryesore

Etnokulturë e rrëfyer në 30 tregime

               Publikuar në : 09:39 - 16/11/20 liberale

Për librin “Barra e vrame”, të shkrimtarit Viktor Gjikolaj

Shtëpia Botuese “Muzgu”, Tiranë, 2019

Prof.Dr.Tefë Topalli

Nëntitulli Etnotregime, vënë nën Barrën e vrame, të poetit e  studiuesit  Viktor Gjikolaj, i vë barrë çdo lexuesi mesatar e specialist që, pasi është njohur me përmbajtjen e këtij libri mjaft serioz, të mendojë se cili prej 30 teksteve këtu është tregim, është rrëfim,rrëfenjë apo kallëzim; ku është narrativa me kolizion dhe personazhe, prolog dhe epilog, që kjo shkrimtari e V.Gjikolës,  bart barrën e një intrige, teme, motivi, gjuhën e personalizuar të protagonistëve, ndërrimin e saj përgjatë situatave dialogjike apo sekuencave të kumtit! Por në një vështrim tjetër të kompozitës etno+tregime, mund të kalojë semantikisht me anë të anasjellës së saj: tregime etnosi dhe më gjerë tregime të krijuesve nga etnia e hapërsirës mirditore. Pse jo! Sepse, në të vërtetë, ekziston një përcaktim shkencor edhe për njësi të tilla siç është treva e Mirditës, për të cilën do të na mjaftonte gojëdhëna e njohur e Murr Dedit, për të kuptuar në thelb një tregues etnografik. Pa u ndalur më gjatë  në këtë hyrje, themi se libri me shkrime etnokulturore  (ky do të ishte edhe titulli i qëlluar) i Viktor Gjikolës, është i një lloji të veçantë për lexuesit e kohës sonë, jo aq të tërhequr nga magjia e letërsisë, në këtë kohë digjitale, sepse autori shkruan për kolegët shkrimtarë, përndryshe, për veprat e tyre, që përmbajnë etnokulturë.

I përmbush këto fjalë, qoftë edhe etydi “Selemi”, f. 37, që është një grimcë e gjetur në jetën e pasur të autorit tonë, një trashëgimi që ruhet vetëm prej një urimi të rrallë e aq të plotë, si “Paj t’u baftë hisja bjeshkë!”, një shenjë gjuhësore njëherësh edhe etnokulturore për bartësit dhe përsoruesit e kësaj idiome të mrekullueshme, që të mbush zemrën e shpirtin, jo me lira e me grosh, as me rubla e dollarë, por me begatinë natyrore të pakufi që ka bjeshka. Pëpara një fatkeqësie të rëndë në familje, nëna mirditore u ka dhuruar burrave të shtëpisë, selemin[1]e saj, të vetmen pasuri si pajë nga prindërit, çka shënon se ajo kalonte në të mirë të gjithë familjes, sidomos në rastet kur dy-tri kunorë banonin së bashku. Meditimi i autorit tonë se çfarë ishte pasuri më vete, ç’semantikë bartte fjala selem dhe pse nuk gjendej nëpër fjalorët që posedonte ai, janë segmente dije për etnokulturën e një treve siç është Mirdita, ashtu siç janë të dhënat me përbërës materialë të pajës, si: xhamadanët, tirqit, veshje për festa, veshje me dalë në kishë, të gjitha për vajzën, kurse dhëndrrit pothuajse nuk i kushtohej asgjë, bile, ndodhte që edhe xhamadanin e kuq ai ta merrte hua për ditën e dasmës. A ishte ky një vlerësim i femrës, krahasuar me pozitën e djalit, apo e kundërta: që femra do të kalonte një jetë të tërë vetëm me veshjet e pajës, kurse djali-dhëndërr ishte i lirë t’i ndërronte apo t’i shtonta ato përgjatë viteve! “Paja e grues nuk hyn në pleqninë e të damit” (kur familja ndahet sipas kunorëve), dhe kur shumohej, i takonte përsëri nuses, e në asnjë rrethanë nuk mund të përfshihej në llogari të familjes.

Kur i del në fund përmbledhjes me shkrime (pra shkrime dhe jo tregime) për etnokulturën, krijon bindjen sa të drejtë ka pasur autori që e pagëzon librin me titullin “Barra e vrame”, dhe e vë në fillim, sepse jo vetëm që përbën themelin e përmbajtjes së gjithë vëllimit, por ky shtjellim i një neni në kodin legjislativ kanunor të shqiptarëve, vë në dukje se ai, Kanun i keq dhe atavik i shqiptarëve, për të cilin është shkruar e folur se denigron femrën dhe të drejtat e gruas, i ka mbrojtur jo pak të drejtat e saj, që autori ynë i përmbledh në epilog të shkrimit: “Barra e vrame, si institucion krejt i veçantë, e vret intolerancën dhe sjell në kohën tonë mesazhe tolerance, mirëkuptimi dhe pajtimi.” (f.15) Ky pasazh i librit të V.Gjikolës, e sjell këtë nen tepër të ndërlikuar të psikës shqiptare brenda kodit kanunor në raport me kohën, në raport me etninë e tij, në Mirditë, në raport me modelin grek, sigurisht edhe në raport me të drejtën juridike, por me një kujdes gati të padukshëm, lexuesi dallon edhe botën e ndjenjave që bart barra e vrame, deri sa në gojën e një femre mirditore vë sentencën idilike “Ba me dijtë sa fort të due/Shet martinën e më merr mue!”

Nuk kërkoj të quhet si risi a prurje e re, nga ana ime, por ky libër i krijuesit V.Gjikola, është i veçantë jo vetëm për faktin se nuk gjejmë shumë të tillë në letërsinë tonë, por ai bën pjesë në grupin e botimeve të rralla popullarizuese që bëhen në këtë kohë, për libra të autorëve të ndryshëm në mbarë botën, siç është përmbledhja panoramike e vlerësuese e kritikut amerikan Harold Bloom.[2]Nuk jam i sigurt se autori ynë e njeh Blumin, por ashtu si amerikani që merr në fokus shkrimtarë e poetë të nivelit botëror, duke analizuar veprat e tyre, pastaj romane dhe drama, kështu edhe Gjikolaj, hapësirëm më të madhe ua ka lënë Shënimeve për libra të botuar, ku para lexuesit shfaqet krijimtaria e pasur e Gjon Markut, Ndue Dedës, Zef Mark Harapit, Gjovalin Gjeloshit (nga tradita), Gjokë Becit, Llesh Zefgjinit, Martin Dedajt, folkloristit Jak Tuci, Bardhok Pulajt, Prengë Gjergj Gjomarkajt, Fatos Hoxhës, autorit të një monografie- Vlash Prendi, Dedë Shkurtit e Dodë Pjetrajt, Adem Zablluzhës, pedagogut Arben Prendi dhe prozatorit Ernest Marku.

Këto paraqitje panoramike të veprave të autorëve më sipër kanë nga dy përbërës: njëri ravijëzon sekuencat tekstore brenda përmbajtjes së tyre, kurse tjetri, që është më i rëndësishëm, zë hapësirën ku vetë V.Gjikolaj, si kritik dhe teoricien gjen vend të shprehë mendimet e veta; nxjerr në pah figuracionin e krijimeve letrare, pasurinë apo varfërinë e leksikut, motivet dhe cilësitë e stilit të secilit, pa munguar gjykimi për ndërtimin narrativ, siç bën, bie fjala, për disa novela apo rrëfenja historike të E.Markut, kur shprehet: “Blinishti, nëpërmjet rrëfenjës, shpalohet si histori e letrarizuar. Nuk mund të themi se cili është yrneku i tij, pra shembulli ku merr cak rrëfimi romanor. Por as nuk mund të themi se sjell një model, Mundemi vetëm të provojmë se, në mënyrë kreative, shpërfaqet i ndryshëm,, jo vetëm nga autorët e njohur shqiptarë.. I pëlqen ta ndajë lëndën romanore në pjesë dhe kështu bën, diku shkruan një maksimë të njohur e diku një traktat të tijin.”

Përmbledhja me shkrime “Barra e vrame” e Viktor Gjikolës, është sa origjinale aq edhe e sinqertë, duke u shfaqur si një komunikim miqësor me krijuesit, njëherësh edhe një rritje cilësore e autorit, në aftësitë e njohura prej nesh edhe në kohën e studimeve të larta në Universitetin e Shkodrës, ku Viktori dallohej sa për pjekurinë, aq edhe për një dëshirë të vjetër për të kryer degën e gjuhë-letërsisë. Edhe për këtë marrëdhine timen me të, kam kënaqësinë ta uroj përzemërsisht për punë të tilla të pëlqyeshme e me vlera, në lëmë të recensionimit të veprave letrare, ndihmesën në publicistikë, kronikat e bukura, si dhe intervistat e mençura që arrin me subjekte të caktuara.

[1]selem-i (tq.) pasuni e veçantë e një pjesëtari të shtëpisë që rrjedh prej gruas së tij. NëMirditë, selem tregon pronat që mund të kishte çdo bark në familje, sidomos në bagëti. Shpjegimi shkon më tej të Fjalorin e M.Elezit: pasuni e tundshme: të holla, berrre, gjedhe etj., që i përket jo familjes por një pjesëtari të saj. Më së shumti,me termin selem shonohej pjesë nga paja e grues prej familjës së prindërve; në gjuhën e folur thuhej edhe xhep më vete.

[2]Harold Bloom(1930 – 2019) ishte një kritik letrar amerikan dhe profesor i Shkencave Humane në Universitetin Yale. Ai shpesh përmendet si kritiku më me ndikim në gjuhën angleze të fundit të shekullit 20. /Gazeta Liberale

 

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back