Art & Kulturë

Etleva Belishova, shqiptarja e galerive të mëdha

               Publikuar në : 20:48 - 26/04/19 R Liberale
Revista e njohur amerikane “Destig-5”, e shpall artisten shqiptare si “Top Artist” për vitin 2019. Kush është Etleva Belishova, piktorja që ka tërhequr vëmendjen e kritikës … Arrestimi i babait dhe jeta e re pas largimit nga Shqipëria …

Etleva Belishova është një piktore amerikane me origjinë shqiptare, tashmë tepër e njohur në shtetin e Kalifornisë. Ka ekspozuar veprat e saja në disa nga galeritë më të njohura të SHBA-së, duke krijuar emrin e një piktoreje origjinale, autentike, spontane dhe të fuqishme. Revista “Destig”, në numrin e vet të pestë (mars 2019), e shpall “Top Artist” për vitin 2019, duke i rezervuar gjashtë faqe intervistës së saj, shoqëruar me ilustrime të shumta me pikturat e autores dhe me dy fotografi të saj.

Është një piktore që u detyrua ta lërë që herët vendin e vet. Para disa vitesh gazeta “Mapo” pat botuar një shkrim për krijimtarinë artistike të artistes (shkruar nga poeti, përkthyesi dhe romancieri Rudolf Marku). Po poshtë gazeta “Liberale” po sjell intervistën e saj botuar në “Destig-5”, 2019.

Na tregoni për veten dhe background-in tuaj?

Kam një imagjinatë të gjallë dhe kureshtje për gjërat më të fundit të shkencës, për metafizikën, kam dashuri për natyrën dhe një dashuri të dhembshme për sojin e njeriut. Kujtesa ime për fëmijërinë është loja përjashta shtëpisë, deri në muzg, me shoqet e mia, mes tyre miken time më të mirë, binjaken time biologjike. Sapo arrita pubertetin, babanë tim, njërin ndër mjekët më të mirë të vendit, e futën në burg për 10 vite, për shkaqe të bindjeve politike. Kështu që, në moshën më të re kuptova se ç’do të thotë të jetosh nën një regjim diktatorial dhe mësova se si t’u bëj ballë poshtërimeve, gënjeshtrave dhe korrupsionit të një shteti të degraduar. Kur mbërritëm të njëzetat, motra ime dhe unë arritëm që të futeshim në Ambasadën Italiane dhe të kërkojmë azil politik. Një vit më vonë u shpërngulëm në ShBA, ku jetojmë edhe sot e kësaj dite.

Çfarë e bën veprën tuaj unike?

Edhe pse kam kaluar vite duke studiuar pikturën klasike, unë i afrohem pikturës thjesht në mënyrë intuitive. 18 vite duke pikturuar, më kanë dhënë mençurinë për të kuptuar se artisti kurrë nuk pushon së mësuari.

Na tregoni për veprën tuaj?

Nuk më preokupon as realizmi dhe as metoda. Nuk bëj punë parapërgatitore, aspak. E marr subjektin me spontanitetin më të pahile. Tek pikturoj, dëgjoj muzikë. Rrahjet e ritmit që më trokasin në subkoshiencë, më ndihmojnë që të arrij dhe të eksploroj territoret më të thella, më të errëta emocionale: engjëjt dhe djajtë, që luftojnë në rrafshinën tonë në formën e marrëdhënieve tona, me veten tonë, me të tjerët, me ato çka imagjinojmë. Përmes veprave të mia artistike, kam mësuar që të përqafoj gjithçka, të mirën dhe të keqen. Disa herë e vështroj botën përmes një kristali magjik, dhe herë të tjera përmes ironisë dhe të menduarit. E kuptoj se çdo të thotë të jetosh përsosmërisht në një botë jo të përsosur. Dhe sa zemërthyese është kjo, dhe sa e mrekullueshme. Krijimtaria ime është kësisoj Shpirtërorja, është kërkimi i njohjes për të qenë njerëzor në një botë që është çnjerëzore. Pjesa më e madhe shumështresore e ngjyrave shtrihen në telajo, ku ngadhënjimi i fushave koloristike shkrihet me imazhet krejt të papajtueshme. Me të gjitha forcat e mia, besoj se jeta ime mbetet një telajo e papërfunduar.

Si do të donit që arti juaj të ndikonte në botë?

Punët e mia të artit e lejojnë dhe e ftojnë shikuesin drejt interpretimit të vet personal. Sepse arti im është Ftesë për një udhëtim në Mbretërinë e Shpirtit dhe Shpirti Njerëzor është Unik. Mua më duket se arti është mbi gjithçka. Një gjendje e shpirtit. Vetëm përmes shpirtit tonë ne mund të lidhemi me botën, me shikuesit, me të tjerët, madje dhe me veten tonë.

Përse arti juaj është një investim i mirë?

Investo gjithnjë në atë çfarë do dhe besoji gjykimit tuaj.

Na trego për arritjet tuaja?

Kam ndjekur dhe ndjek ambiciet e mia artistike gati që prej 20 vitesh. Veprat e mia janë shfaqur në ekspozita dhe nëpër galeri në Zonën e Gjiut të San Franciskos (San Francisco Bay Area). Kam qenë pjesë e Studios së Hapur të Marin County-t, e aktivitetit artistik njëvjeçar që është zhvilluar në Krahinën Marin (Marin County është ndër ndarjet administrative më të bukura e më të zhvilluara të shtetit të Kalifornisë. Është ngjitur me San Franciskon, shënim i gazetës). Punimet e mia janë pjesë e Koleksioneve Private në San Francisko, Londër dhe Nju Jork. Disa vite më parë, një gazetë shqiptare, “Mapo”, pat shkruar për punët e mia, e po ashtu dhe “American Art Collector Book”. Vitin e kaluar kam qenë tepër e gëzuar që disa punë të miat, shërbyen si kopertina librash fiction të botuar.

Cilat janë burimet e frymëzimit?

Muzika. Dëgjoj një hapësirë të gjerë muzike, që nga Paul Oakenfold, Metallica, The Doors, DMX, Jimi Hendrix, Radiohead, Led Zeppelin dhe shumë të tjerë. Mjeshtrit e vjetër: Rembrandi, Bosch, Brueghel; impresionistët dhe ekspresionistët: Pissaro, Klimt dhe modernët: De Koenig, Warhol, Rauschenberg. Filmat shkencor-fantazi, filmat horror, subkoshienca e errët.

Cili është pasioni juaj?

Piktura, natyrisht. Dixhitali artistik, të cilin e mësova në mënyrë autodidakte dy vite më parë dhe instalimi i videove të shkurtra, të gjitha mund të shihen në account-in personal të “Instagramit” tim.

Na tregoni historinë e disa projekteve tuaja?

Galeria “Ekspresionizmi figurativ”, – që gjendet në www.artbyeva.com, prezanton emocionet njerëzore, të cilat po ashtu si kameleonët u përshtaten mjediseve dhe rrethinave që i qarkojnë; prezanton mënyrat e ndryshme të adoptimeve gjatë jetës së emocioneve. E gjitha kjo manifestohet fizikisht nga pikturimi i figurave njerëzore me pjesë mekanike, qenie njerëzore që varen në kohë, si në pikturën me titull “Suspense”, ose duke deformuar pjesët e trupave të tyre, apo dhe duke pikturuar fytyrat e tyre prej fantazme si në pikturën me titull “Banda e të Katërtëve”, apo dhe përmes trupave të pajetë si në pikturën “Bardh e zi” – të gjitha këto piktura të bëra me një mjeshtëri lojacake, ndershmëri të thellë, përulësi dhe përkujdesje ndaj sojit njerëzor. Mesazhi qëndron për dashurinë dhe pranueshmërinë e të gjithë llojeve njerëzore.

“Peizazhet fantaziste, në Galerinë www.artbyeva.com, piktura të brendshme dhe kapricioze, janë si një xhaz i grisur me forcë nga përditshmëria.

Ritmi im i çon shikuesit në një botë fantastike të krijuar nga pemët dhe zemrat njerëzore, nga urat dhe peizazhet e vetmuara dhe nga gratë e trishtuara që vështrojnë në drejtim të shikuesve prej ca vendeve të huaja, tek i pëshpëritin njëra-tjetrës dhe tek presin që ta kuptojnë botën dhe lavdinë e saj poetike.

Na tregoni se ku jetoni?

“Në re” – ngaqë e shoh veten si Boris Pasternaku: “Një banor i reve”. Por gjeografikisht jetoj në Sausalito, një qytet i vogël dhe i mrekullueshëm pranë Gjiut të San Franciskos, pesë minuta larg nga Golden Gate Bridge dhe 15 minuta larg nga San Francisko.

Si e ndieni artin dhe vendin e tij në botën e sotme?

Ashtu si G. K. Chesterton-i, besoj me gjithë shpirt se arti është firma e vetme autentike e qenies njerëzore.

Përgatiti: Rudolf Marku (Gazeta Liberale)

(Visited 12 times, 1 visits today)

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *