Aktualitet

“Ç'më tha Tos Baxhaku për profesionin e gazetarit në takimin tonë?"

Shkruar nga Liberale
“Ç'më tha Tos Baxhaku për profesionin e gazetarit

Nga Hysen Likdisha

Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit Hysen Likdisha nga rrethi i Dibrës, me rastin e një vjetorit të ndarjes nga jeta të mikut të tij, historianit, gazetarit analistit dhe publicistit Fatos Baxhaku, një nga penat më të spikatura të gazetarisë së pas viteve ’90, autorit të disa librave e dhjetra emisioneve e dokumentarëve televiziv

Miku im, gazetari i njohur Dash Kaloçi, ishte ai që më rekomandoi të njihesha me Tos Baxhakun. Ka qenë një ditë vere e nxehtë, kur trokas tek “Vizion Plus”-i, ku Baxhaku ishte kryeredaktor, për t’u takuar me të.

Dashi me kishte folur me superlativa për të si njeri, ashtu dhe profesionalizmin e Baxhakut në lëmin e gazetarisë, historisë e më gjerë. Prisja të prezantohesha me një zyrtar “mendjefrego”, që pak vëmendje tregon për gazetarët e ardhur nga provincat. Me mustaqe, i gjatë, veshur me kemishë të thjeshte, pantollona të shkurta dhe sandale me rrypa, – oh sa i thjeshtë, – mendova me vete!

Pyetja e parë që i bëra ishte: ‘Ju për matematikë keni mbaruar’? –“Jo’, mu përgjigj me buzën në gaz. –“Për matematikë ka mbaruar baba, – unë kam mbaruar për Histori”, ku më vona mësova se kishte punuar gjashtë vite në Institutin e Historisë pranë Akademisë së Shkencave në Tiranë dhe ishte specializuar edhe në Gjermani ca kohë.

Kur fillova të punoj me të, si reporter për rrethin e Dibrës, e vetmja porosi që mora prej tij ishte: “Respektoji të gjithë njerëzit, të çfarëdolloj kategorie qofshin ata. Madje tregoni interes, për personazhe që pak bien në sy, pasi nuk janë zhurmëmëdhenj dhe pakkush interesohet për ta”

U lidhëm me Tosin si dy vëllezër të mirë me vajtje-ardhje familjare, ku sa herë vinte sillte edhe ndonjë dhuratë të vogël sipas traditës zakonore.

Fatos Baxhaku, kishte mënyrën e tij të sjelljes me miqtë. Asnjëherë nuk fliste për ta, me rrethin e tij shoqëror, në prezencë të tyre. Njoha prej tij, shokë dhe miq të shumtë, të niveleve më të larta mediatike në vend, të cilët sa herë kishin nevojë për të marrë informacione nga terreni, për punën e tyre, përplaseshin tek Baxhaku, për t’i lidhur me miqtë e tij, që ishin të shumtë në çdo kënd të vendit tonë.

Rrugëtimin me Baxhakun e vazhdova edhe me daljen në dritë të gazetës “Shqip”, me stafin themelues të saj, ku kryeredaktor i parë ishte Tos Baxhaku. Tos ishte dhe do mbetet vetvetja dhe antikonformisti më i madh që kam njohur. Ai nuk mund të përdorej, apo “blehej e shitej” për asgjë, nga askush, kushdo qoftë ai.

Kishte lindur për të qenë dhe mbetur i lirë. Ndaj dhe vazhdoi rrugëtimin si gazetar i lirë i reportazheve të shkruara në suplementin e gazetës “Shqip” të titulluar “Ndryshe”, duke e bërë këtë gazetë nga më elitaret e kohës.

Ishte koha kur të gjithë i ishin larguar reportazhit dhe shkruanin opinione, ndërsa Tosi bënte të kundërtën. Fatosi shëtiti në gjithë Shqipërinë, por Dibrën e pat të preferuarën e tij. E kam shoqëruar në të gjitha reportazhet e realizuara në qarkun e Dibrës.

Kujtoj me këtë rast reportazhin që kemi realizuar për vendlindjen e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, në Sinë të Epërme. Fatosi ishte njohës i mirë i historisë. Me atë zërin e butë, më merr në telefon dhe më bën me dije ditën që do vinte me grupin e xhirimit. Për dy ditë udhëtojmë në vendet historike, të gjurmëve të Skënderbeut, duke filluar nga Qafa e Buallit, Gurët e Skënderbeut, Fusha e Kalasë (ku është zhvilluar beteja e Torviollit), për të vijuar të nesërmen me Peshkopinë, Kastriotin, Muhurrin, Sinën e  Epërme.

I qetë dhe i heshtur, Fatosi ishte aq i komunikueshëm me personat që takonte, sa i bënte për vete këdo që në kontaktin e parë me ta. Asnjë zyrtar të qeverisë vendore nuk takoi, i vetmi prej tyre ishte drejtori i muzeut historic, Moisi Kamberi dhe një orë mesimi të historisë, ku flitej për vendlindjen e Skënderbeut, në një klasë të shkollës së mesme në Kastriot.

Nuk e dha veten, por u mërzit së tepërmi kur pa në atë gjendje, muzeun historic në Sinë të Epërme, ngritur enkas për vendlindjen e Skënderbeut, totalisht i shkatërruar.

Ka rrjedhur shumë ujë që nga ajo kohë, por unë nuk mbaj mend një rast të vetëm të abuzimit të tij me gazetarinë. Shumë prej gazetarëve e drejtuesve të mediave sot, ose kanë qenë studentë, ose kanë mësuar dhe punuar me Tos Baxhakun.  Nëse këta ngjiten shkallët e karrierës, Tosi vijoi të bridhte anë e kënd Shqipërisë, për të bërë atë që donte më shumë, gazetarinë e terrenit, gazetarinë e vërtetë.

Shkurt në njohjen time, por jo vetëm, Tos Baxhaku, na mësoi se gazetaria s’është biznes dhe kurrsesi nuk duhet përdorur si e tillë, në çfarëdolloj rrethane. Në moshë ishte shumë më i ri se unë, por në sjellje e fjalë shumë më “plak” se unë.

Ndjesë miku im, për lëvdatat, pasi e di se po të ishe gjallë, do çoje buzën në gaz me ironi, pse jo mund edhe të ngriheshe nga tavolina.

Por, më beso miku im i mirë, se ndjehem keq, se çfarëdo të thuash për Ju, përsëri e përsëri, mbetesh borxhli.

Më ike shpejt, miku i shtrenjtë, duke ma bërë Tiranën, jo si dikur që vija me një frymë për t’u takuar me Ju./Memorie.al 

Bulqizë, 16 gusht 2020 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH