Aktualitet

Ndryshimi i sistemit, të fillosh nga fundi

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPRESS-15 vjet

Titulli: Transformimi i madh

Autor: Adrian civici

Aleksandër Meksi

Kalimi nga sistemi komunist në atë demokratik, jashtë çdo diskutimi, ishte një përmbysje e madhe  shumëplanëshe. I tillë ishte dhe transformimi i ekonomisë nga ekonomi socialiste e planifikuar dhe e qendërzuar, në ekonominë e tregut të lirë. Përmbysja as nuk mund të kryhej e as nuk u krye dot brenda një dite, por kërkonte vite të tëra, ku më pak e ku më shumë, në varësi të nivelit të trashëguar prej institucioneve, strukturave e legjislacionit që duhej ndryshuar, mundësive dhe impenjimit për ta kryer atë më shpejt e më mirë.

Në Shqipëri deri më sot ka një retorikë për tranzicionin, por mungojnë studimet dhe botimet e mirëfillta në plan përgjithësues botëror ashtu siç dhe lipsej për vendin tonë. Në këtë aspekt nisma e Profesor Civicit është një hap shumë interesant dhe me vlerë aktuale; na jep një libër mjaft të dobishëm për të kuptuar nën një optikë krahasuese edhe “specifikat e rastit shqiptar”.

Autori paraqet në këtë studim analizën e sistemit socialist dhe krizën e tij si dhe ballafaqimin me rrugën për ndërtimin e një modeli të ri socio-politiko-ekonomik sipas shembujve të vendeve të demokracive perëndimore me kapitalizëm dhe me ekonomi tregu të zhvilluar. Jo të gjithë  e kanë jetuar që nga fillimi periudhën e tranzicionit, ashtu siç janë të shumtë edhe ata që nuk e kanë jetuar komunizmin dhe diktaturën, mjerimin ekonomik, shoqëror e njerëzor që e shoqëronte e që për këtë arsye nuk arrijnë të pranojnë e të kuptojnë pashmangësinë e zgjidhjeve radikale, vështirësitë,  mosarritjet dhe gabimet e tranzicionit në vendin tonë. Parashtrimi i rrjedhshëm e i qartë si dhe niveli i trajtesës tregojnë më së miri dhe bindshëm se kjo përmbysje ngjalli shpresa e debate, por dhe zhgënjim e pakënaqësi me tensione sociale, në vartësi të pritshmërisë dhe njohjes së rrugës që do shkelej dhe kurajës që nevojitej për ta përmbyllur me sukses atë.

Kalimi nga një gjendje në një tjetër, kërkon një periudhë kalimtare në të cilën shpesh mbeten elemente shfaqjeje të gjendjes së mëparshme krahas të resë që krijohet. Për këtë, shkëputja nga e kaluara diktatoriale e gjakësore kërkonte një thyerje e largim të menjëhershëm dhe me kurajë sepse çdo zvarritje ose qëndrim nostalgjik ndaj saj do të zgjaste tranzicionin dhe dhimbjen e sakrificat që e shoqërojnë, krahas mbetjes prapa nga vendet e tjera për shkak të ritmeve të ulëta të zhvillimit.

Libri paraqitet në tri pjesë të ndara natyrshëm për të mundësuar analizën mbi problematikën e gjerë të temës nga planifikimi i centralizuar tek ekonomia e tregut. Në pjesën e parë paraqitet ekonomia e ish-vendeve socialiste, ndërtimi i shtetit dhe i strukturave ekonomike dhe analiza e tyre si dhe dështimi i paevitueshëm. Në pjesën e dytë trajtohet pikërisht tranzicioni nga plani tek tregu duke analizuar metodat, platformat, ecurinë dhe rezultatet në vendet e ndryshme të Europës Qendrore dhe Lindore. Pjesa e tretë paraqet refleksione mbi vetë tranzicionin dhe rolin e ndërkombëtarëve, pra një analizë për rrugët e shkelura, rezultatet konkrete  dhe të ardhmen e  këtyre vendeve, veçanërisht modelin e kapitalizmit që ato po përpiqen të ndërtojnë e të konsolidojnë.

Me një analizë  në shumë plane,  krahas gjykimeve të vetë autorit, lexuesit i jepen konsiderata dhe shpjegime të autorëve të ndryshëm ndërkombëtarë, të spikatur si ekspertë të analizave të tranzicionit, për formën dhe thelbin e sistemit socialist, për rezultatet e tij në ekonomi dhe për mirëqenien e popullit, që duhet të kihen parasysh edhe sot nga ata që mbivlerësojnë rolin e shtetit në ekonomi. Me të drejtë nënvizohet mendimi se socializmi u realizua si një sistem ekonomiko- shoqëror që kërkonte të përmbyste modelin liberal të ekonomisë duke  zëvendësuar pronën private me atë kolektive si dhe planifikimin e detyrueshëm, të centralizuar e global. Dhe këto realizoheshin nëpërmjet  pushtetit të diktaturës së proletariatit, pra me dhunën e shtetit.

Autori i shqyrton përvojat e socializmit në të gjitha variantet që në fillimet e tij e deri në shembjen, prandaj me të drejtë themi se ky libër për lexuesin shqiptar është me interes të veçantë sepse shërben si një burim i plotë e shkencor informimi. Në libër krahas analizës së hollësishme të anëve negative si dështimet e sistemit, jepen imtësisht dhe përpjekjet për mbajtjen në këmbë të tij me pseudoreforma, nga ato të viteve ’60 e deri te perestrojka, sprova e fundit e tij,  duke përfunduar me shembjen pikërisht nga dështimi ekonomiko-social i tij.

Ishte pikërisht ky dështim i plotë në të gjitha vendet e kampit socialist që solli nevojën për një periudhë kalimtare nga plani tek tregu, një periudhë përmbysjesh dhe ndërtimi të ri, refuzimi e rezistence, dhimbjesh dhe arritjesh, që shprehen me zhvillim ekonomik, por dhe me probleme të shumta në varësi të nivelit dhe mendësive politike e sociale të secilit nga vendet e Europës ish-komuniste.

Me interes është dhe analiza, dhe pse e shkurtër, e sistemit ekonomik shqiptar gjatë viteve 1945 dhe 1990, që përbën një kontribut me mjaft interes për një periudhë të historisë sonë që ka ndikuar të tashmen dhe sigurisht do jetë e pranishme edhe për të ardhmen tonë. Besoj se ky kontribut do të vlejë për një studim më të plotë të saj, tepër i nevojshëm për jetën politike të vendit.

Periudha e tranzicionit nga sistemi i diktaturës së proletariatit dhe ekonomisë së planifikuar në atë të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut të lirë, paraqet, siç vëren dhe autori, dukuri të ndryshme në vende të ndryshme, në vartësi të nivelit, programeve të zbatuara dhe sigurisht të ndihmës së dhënë nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga institucionet e tyre financiare si FMN, Banka Botërore, Bashkimi Europian, BERZH, etj. Kjo periudhë reformash shumëplanëshe si për ndërtimin e një shteti të ri, institucioneve dhe bazës së re ligjore, në krijimin e tregut të lirë me ligjet dhe transparencën e domosdoshme të tij, me ndryshimin thelbësor të mendësive të individëve dhe strukturës sociale e asaj politike, nuk mund të ishte e njëjtë në të gjitha vendet ish-socialiste dhe as të zbatonte të njëjtat mësime apo reforma. Pati vende me zhvillim më të lartë dhe me dhunë politike më të vogël gjatë diktaturës, të cilat ecën më shpejt, sigurisht jo pa vështirësi, por që po integrohen në Europën e Bashkuar. Rol luajtën këtu dhe dallimet jo aq të justifikuara në ndihmën e dhënë, apo dhe përkrahja e liderëve që nuk e meritonin, që shpesh ishin rezultat simpatish dhe marrëdhëniesh e interesash historike.

Në një kuadër të tillë, qeveritë e vendeve në tranzicion hartuan politika e modele jo çdo herë të qëndrueshme, që ndikuan dukshëm në ecurinë tyre. Tranzicioni, siç shpjegohet dhe në këtë libër nga Adrian Civici, në aspektin ekonomik synonte të realizonte të drejtën e pronës, formimin e lirë të çmimeve, hapjen dhe lirinë ekonomike e tregtare dhe konvertibilitet e monedhës, krijimin e Bankave Qëndrore të pavarura, etj.  Libri trajton me hollësi të gjitha aspektet e përvojës së vendeve  në tranzicion duke u mbështetur mbi një literaturë mjaft të pasur, dhe jo vetëm aspektet, por dhe problemet e krijuara si dhe kapërcimin ose jo të tyre, sidomos të problemeve sociale si rrjedhojë e ndryshimeve të mëdha.

Prof. Civici në parashtrimin e kësaj rruge paraqet të gjitha veçantitë e përvojat duke na dhënë mundësinë që sot të kuptojmë më mirë rrugën e kaluar dhe gabimet, por edhe të kuptojmë çfarë kemi akoma për të bërë e për të ribërë. Paraqitja e hollësishme, me shembuj të shumtë e konkretë, me analiza e gjykime të mjaft autoriteteve e bën shumë të dobishme këtë analizë të tranzicionit, për të njohur më mirë e më saktë përvojat e ndryshme dhe dobinë e tyre, që nga terapia e shoc-ut deri te gradualizmi.

Në këtë studim nuk kanë mbetur pa u shqyrtuar dhe pa u analizuar dhe probleme të rëndësishme si ato të privatizimit dhe të pronësisë, me vështrim të veçantë për problemet që lidhen me pronën bujqësore dhe me reformat strukturore që lidhen me bujqësinë dhe hapësirën rurale në përgjithësi, me një paraqitje të specifikave për vendet e veçanta përfshirë këtu dhe Shqipërinë.

Pjesa e fundit e cila ka përfundime e analiza të rëndësishme trajton refleksione  mbi tranzicionin si praktikë, teori apo doktrinë si dhe rolin e aktorëve ndërkombëtarë, sipas gjykimit të autorit, studiuesve dhe institucioneve për vetë tranzicionin, për modelet dhe aspektet e shumta të tij duke shqyrtuar vendet  në prizëm individual dhe kjo paraqitje e sintezë besoj se do t’i vlejë të gjithë atyre që janë të interesuar për studimin e periudhës së tranzicionit dhe jo vetëm të tyre, por dhe aktorëve të politikës që e hartojnë dhe e  zbatojnë atë.

Libri gjithashtu është fryt i konsultimit me literaturën e shumtë të cilën autori e pasqyron në fund të librit, çka mund të ndihmojë çdo të interesuar në këtë fushë. Është një libër i dobishëm për të gjithë ne  njerëzit e politikës, ekonomisë, studiuesit dhe njerëzit e medieve e deri te qytetarët e interesuar.  Mendoj se ky libër, me dokumente e shifra të tranzicionit  shqiptar, pa e ndarë nga jeta e trazuar e me zigzage e politikës te ne, do të shërbejë si nxitje për studime të hollësishme.

Pjesë nga libri

Në 9 nëntor 1989, ditën e rënies së murit të Berlinit, Mstislav Rostropovitch, gjeniu i violonçelit dhe një nga muzikantët më popullorë botërorë, po ndiqte i qetë lajmet në apartamentin e tij në avenynë Georges-Mandel, në Paris. Sapo dëgjoi se “muri i Berlinit ishte çarë” u hodh përpjetë nga habia dhe gëzimi. I telefonoi menjëherë mikut të tij, Antoine Riboud, President i kompanisë Danone dhe i tha: “Duhet urgjent një avion për të shkuar në Berlin!”

Të nesërmen, bashkë me violonçelin e tij, u gjend në qytetin që do të bëhej kryeqyteti i përbashkët i gjermanëve si dhe simboli i fundit i komunizmit, në Berlin. Mori një taksi dhe caktoi si destinacion “Check Point Charlie”, pikën simbolike të kalimit nga lindja në perëndim. Aty ishte tashmë një e çarë e madhe dhe pllaka e betonit që shërbente si mur, ishte shndërruar në një lloj ure apo dyshemeje për kalimin nga njëra anë në tjetrën.

Rostropovitch përgatiti violonçelin, por në moment e kuptoi se i mungonte edhe një element: nuk kishte karrige. Pa u shqetësuar u fut në zyrën e braktisur të rojeve të kufirit dhe mori një karrige, u ul në mes të murit dhe filloi të luante një koncert të Johann Sebastian Bach-ut, muzika e të cilit “fliste gjuhën e Zotit”. Rostropovitch-in e kishin përzënë nga Bashkimi Sovjetik për idetë dhe bindjet e tij demokratike perëndimore, prandaj për të bota, por dhe truri i tij ishte ndarë në dysh nga ky mur i tmerrshëm.

Jo pa qëllim zgjodhi mesin e murit për të vënë karrigen dhe për të luajtur koncertin e tij: “Requiem për murin e Berlinit dhe fundin e totalitarizmit komunist”. Tashmë rruga drejt transformimit të madh të ëndërruar ishte e hapur… !

Nocioni ose termi “tranzicion”, që përdoret më rëndom për periudhën e pasrënies së murit të Berlinit dhe perdes së hekurt që ndante dy botët antagoniste, kapitalizmin përballë socializmit, nuk mund të konsiderohet i përpiktë dhe tërësisht adekuat kur është fjala për të cilësuar atë çka ndodhi në vendet ish-socialiste të Europës Qendrore e Lindore në rrugëtimin e tyre drejt ekonomisë së tregut dhe demokracisë. Dhe e gjithë kjo sepse, në shumicën e rasteve, “tranzicioni” nënkupton rrugën drejt konvergjencës së dy sistemeve ekonomike, dhe në mënyrë më precize, adoptimin nga ekonomitë ish-socialiste me planifikim të centralizuar të lindjes, në modelin ekonomik perëndimor të ekonomisë së tregut të lirë.

Shumë autorë mendojnë se termi më i përshtatshëm është termi “transformim i madh” ose “ndryshim radikal”, pasi në këto vende ndodhi një fenomen mjaft specifik: për herë të parë në histori dhe në këto përmasa, tentativat për ndryshimin e modelit ekonomik “nga plani tek tregu” u shoqëruan me ndryshime po kaq radikale në sferën e demokracisë politike, institucioneve, ideve e koncepteve, strukturave sociale, etj.

Asnjëherë në historinë botërore, nuk kishte pasur një lëvizje vullnetare dhe popullore për të braktisur një sistem politiko-ekonomik dhe për ta zëvendësuar atë me një tjetër sistem. Asnjëherë në historinë botërore një grup vendesh, që përfaqësonin një sistem të caktuar, nuk ishin përballur me kërkesa vullnetare për t’u pranuar në atë sistem, pasi një gjë e tillë ishte bërë gjithmonë nëpërmjet luftës dhe dhunës.

Teoria ekonomike e politike, politikat e zhvillimit dhe integrimit, institucionet ndërkombëtare, etj, u përballën për herë të parë në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë me procese që kishin sensin e “të ecurit mbrapsht”, e “rikthimit në pikën e nisjes” drejt një starti të ri, fenomen që studiuesit e tranzicionit e përshkruajnë si “faktin se deri tani kemi shpjeguar sesi bëhet një omëletë nga një vezë, ndërsa tranzicioni na kërkoi të shpjegonim sesi mund të ribënim vezën nisur nga një omëletë”. Po kaq lakonike është dhe shprehja e një tjetër ekonomisti që thotë se “ne po fillojmë një histori të re, por nuk po e fillojmë atë nga fillimi, por nga fundi, ne do të jemi në fillim, vetëm në fundin e saj...”.

Ky transformim i madh ngjalli shpresa, krijoi entuziazëm, shkaktoi zhgënjime e pesimizëm, provokoi debate politike, teorike e akademike, vuri përballë njëri- tjetrit qeveritë me popujt e tyre, institucionet ndërkombëtare me qeveritë, rezultatet e mira ekonomike e financiare me dështimet sociale, evidentoi ekonomi, sisteme financiare e sociale efiçente, vende e popuj “model” e “mendjehapur” ndaj sfidave të së ardhmes përballë vendeve të “prapambetura” dhe jo efiçente në realizimin e tij, etj.

Jo më kot tranzicioni u quajt si “eksperimenti më i madh i inxhinierisë ekonomiko-financiare, sociale dhe politike” që bota kishte provuar ndonjëherë në këto përmasa, dhe mbi të gjitha, në mënyrë vullnetare. Tashmë, 25 vite mbas fillimit të tij, përmbajtja, përpjekjet, bilancet dhe analizat për të janë më të lehta dhe më të “shpjegueshme”, sukseset e disfatat më të pranueshme, “heronjtë” e tij më të identifikueshëm, në panteonin e të cilëve spikasin Václav Havel, Leh Valesa, Václav Klaus, Mikhail Gorbachev, Leszek Balcerowicz, Jeffrey Sachs, János Kornai, etj.

Ky libër tenton pikërisht të bëjë këtë gjë: të analizojë dhe të shpjegojë këtë moment nga më domethënësit në historinë moderne: ndërtimin e socializmit si sistem ekonomik e politik, shkaqet e krizës tërësore dhe shkaqet e dështimit spektakolar të tij, përmbajtjen e reformave të tranzicionit “nga plani tek tregu”, debatet dhe vlerësimin mbi rolin e aktorëve kryesorë të këtij tranzicioni, si dhe rezultatet pozitive, shpesh edhe negative e mjaft problematike që përjetuan dhe arritën vendet e ndryshme të Europës Qendrore e lindore, përfshirë edhe grupin e vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik.

Ata që e kanë jetuar konkretisht këtë periudhë ndoshta e kanë më të lehtë të kuptojnë dhe të shpjegojnë se çka ndodhur në këtë metamorfozë të madhe, por dhe ata që e lexojnë për herë të parë ndihmohen të kuptojnë se kjo nuk ishte thjesht një copëz historie nga një ose dy dekada zhvillimesh ndërkombëtare në një pjesë të globit, nuk ishte thjesht zëvendësimi i një sistemi me një tjetër, por ishte një nga betejat më të mëdha në emër të lirisë, demokracisë, ekonomisë së tregut dhe zhvillimit, një sfidë që nuk duhet parë thjesht si një shkatërrim i një sistemi, kopjimi dhe identifikimi në Bashkimin Europian dhe në kapitalizmin perëndimor, por si një përpjekje e përbashkët për të rrithemeluar një sistem ekonomik e social sa më modern e adekuat përballë sfidave të botës moderne dhe globalizimit. Tranzicioni nga plani tek tregu, nga diktatura e proletariatit te demokracia parlamentare, nga ideologjia marksiste-leniniste te liria e individit është ndoshta konfirmimi më i mirë i thënies së filozofit Spinoza se “cilido që kërkon të jetë i sigurt për të ardhmen duhet të njohë mirë të kaluarën”! /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH