Aktualitet

Dekani i UET, Shefqet Muçi rrëfen ditën e parë në auditor

Shkruar nga Liberale
Dekani i UET, Shefqet Muçi rrëfen ditën e parë në

Dekani i Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET, Prof. As. Dr. Shefqet Muçi rrëfen përjetimet e ditës së parë në auditor, si pedagog.

Me profesor Shefqet Muçin u takuam në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, aty ku tashmë prej disa muajsh është bërë si i shtëpisë. E them kështu sepse për të UET simbolizon një ambient të këndshëm, një ambient lirie dhe siç ai vetë thotë: “të ofron kushte komode”.

“Kur vij këtu e ndjej veten në kushte komode. Nuk kam pengesa dhe as trysni”, shprehet profesor Muçi.

Kjo nuk është hera e parë që ai vjen në UET, por tashmë është bërë ndalesa e tij për më gjatë këtu.

Nuk është as hera e parë që jep mësim apo ka një funksion kaq të rëndësishëm, siç është ai i një dekani fakulteti. E megjithatë të veçantën e ka gjetur në UET. Jo vetëm për mënyrën se si funksionon mësimdhënia, por edhe për shkak të vizionit që ka vetë universiteti.

“Nuk është hera e parë që marr pjesë në UET dhe pak a shumë e njoh mënyrën e funksionimit. Është krijuar një metodë pune që ndryshon nga universitetet e tjera. Ka një administratë më të konsoliduar. Duke qenë universitet i madh ka edhe pedagogë më shumë, por edhe të përzgjedhur dhe kjo i jep vlera edhe më shumë UET-it. Kjo është edhe në sajë të vizionit që kanë ata që kanë krijuar universitetin. Ka diçka karakteristike që mua më bëri përshtypje kur erdha. Mënyra e funksionimit, ndien një liri akademike, këtu nuk merren me vogëlsira. Rëndësi ka thelbi, problemi”, shprehet Dekani i i Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET.

Ndërsa fillimet e veta si pedagog i ka pasur në Universitetin e Tiranës. E kujton me shumë emocion e nostalgji ditën e parë në Fakultetin e Ekonomisë.

Dita e parë në auditor

I pëlqen shumë kur e pyet për këtë pjesë, pasi i kujton një nga momentet më të bukura të jetës. Ishte anëtar i Gjykatës së Lartë, kur në vitin 1983 nga Universiteti i Tiranës iu kërkuar të jepte “Bazat e të Drejtës Civile dhe të Punës” në Fakultetin e Ekonomisë.

“Kam shkuar në mes të lëndës ose mësimdhënies. Ishte dhënë një pjesë e lëndës deri në atë kohë nga një professor shumë i nderuar”, tregon ai.

Ndërsa leksioni i parë ka qenë lidhja e kontratës. Akoma qesh me lot, kur e kujton atë ditë.

“Më kujtohet si sot leksioni i parë që kam bërë. Ka qenë lidhja e kontratës, kushtet për lidhjen e një kontrate në fushën civile. Leksioni ka  filluar me një humor të hollë, i krijuar spontanisht nga mënyra e komunikimit dhe termat ligjore të përdorura, të cilave studentet po u jepnin një kuptim tjetër, gazmor. Salla ishte shumë e këndshme, e mbushur plot e përplot, pasi atëherë Ekonomiku kishte shumë student . Ndërsa pjesa më e madhe ishin vajza”, kujton profesori.

E ndërsa pjesa më e këndshme dhe që i ka mbetur gjatë në kujtesë ka qenë bashkëbisedimi në auditor me një studente.

“U thashë që të lidhet një kontratë, dikush propozon dhe dikush tjetër pranon lidhjen e saj. Patasj bëra pyetjen retorike: Kush e bën propozimin dhe çfarë ndodh kur nuk është kthyer përgjigje?”, tregon profesor Shefqeti, ndërsa vazhdon të buzëqeshë dhe të krijon më shumë kurreshtje për të ditur se çfarë ka ndodhur më tej.

E ndërsa problemi si duket e gjeti zgjidhjen.

“Një vajza nga salla tha: ‘Profesor, propozimin e bën halla ose xhaja. Ndërsa heshtjen varet si e kupton, por përgjithësisht heshtja nënkupton  pranim’”, tregoi profesori, ndërsa e qeshura s’kishte fund, batutat vazhdonin.

I pëlqeu shumë mënyra se si i shkoi dita e parë në auditor si pedagog, prandaj dhe është i idesë se të japësh mësim dhe njëkohësisht të bësh humor, e bën më interesante orën e mësimit, por edhe më frytdhënëse.

“Kaloi me humor gjithë ora e parë e leksionit. Ishte një orë shumë e këndshme, edhe me shpjegime edhe me të qeshura”, kujton profesori me nostalgji, ndërsa e buzëqeshja nuk i ndalet për asnjë moment.

Shefqet Muçi: Studenti në çdo kohë mbetet student

Ka qenë student nga më të mirët, ndërsa dukshëm shprehet modest: “Si student nuk kam qenë i keq”.

Si pedagog është i mendimit që pavarësisht se kohët kanë ndryshuar e bashkë me to edhe teknologjia, studenti në çdo kohë mbetet student.

“Për mendimin tim studenti mbetet student gjithmonë. Në të gjitha periudhat. Natyrisht që nuk është njëlloj në mënyrën e jetesës, pasi ka ndryshuar shkenca, teknologjia dhe shumë probleme të tjera, por në thelb studenti mbetet student. Ka pothuaj të njëjtat karakteristika. Gjithmonë ka pasur studentë të mirë, të mesëm dhe të dobët”, shprehet Shefqet Muçi.

Por edhe këtu profesori gjen vend të bëjë shaka e humor.

“Ata që janë të mirë bëhen profesionistë të mirë. Ata të mesëm bëhen drejtorë ose deputetë dhe pjesa tjetër nuk dihet ku vete”, thotë ai duke qeshur.

Edhe pse mendon se disi kanë ndryshuar rregullat në mësimdhënie apo edhe serioziteti i studentëve në frekuentimin e orëve mësimore nuk është ai i dikurshmi, dekani thotë se vitet e fundit po sheh një ndryshim dhe këtë e ka hasur sapo ka shkelur në UET.

“Sot në auditor gjen një grup studentesh elitarë që vijnë, aktivizohen dhe ndonjeherë edhe e befasojnë profesorin me pyetjet që bëjnë dhe me aftësitë e tyre. Kjo më ndodhi ditën e parë që kam dhënë leksion në UET. Po bëja një panoramë të përgjitshme të së “Drejtes Penale” për të parë se sa dinë studentët edhe për t’u dhënë diçka më tepër. Por në mënyrë befasuese (dhe që më erdhi mire), ishte një grup studentesh që u përgjigj pyetjeve dhe ishin shumë të mirë. Prandaj them që edhe tani ka studentë shumë të mirë”, tregon pedagogu, teksa kujton ditën e parë në UET.

Shumë e dinë që profesor Muçi është nga më të mirët e Drejtësisë dhe se ajo ka qenë ëndrra e tij e realizuar prej kohësh, por pak e dinë pasionin e tij të fshehtë për letërsinë dhe historinë.

Që kur kam qenë në gjimnaz kam pasur pasion për shkencat shoqërore dhe kryesisht për letërsinë dhe historinë. Njëkohësisht drejtshkrimin e kam shumë merak, kur shoh që nuk shkruajnë mirë, që bëjnë gabime drejtshkrimore, gati shqetësohem. Drejtësinë e kam patur si ëndërr, si qejf pasi më dukej shumë e lidhur me historinë dhe letërsinë”, shprehet ai.

Ndërsa kur e pyes se, çfarë nënkupton termi “ligj” për të, përgjigja të befason, e të lë mbresa, pasi shumë lehtë kupton karakterin e tij human.

“Drejtësinë nuk e kam parë si një shkencë juridike që merret thjesht me ligjet, por e kam parë më të gjerë. Patjetër që gjyqtari duhet jetë profesionist i zoti, por në radhe të parë duhet të jetë njeri me zemër të gjerë, duhet të jetë shpirtzbutur. Ligji nuk është një një mekanizëm automati, por një instrument shkencar që duhet që t'i shërbejë shoqërisë dhe edhe individit. Edhe dënimi që jepet në gjykata për vepra penale të ndryshme ka një qëllim të caktuar, nuk është vetëm ndëshkim, por në radhë të parë, ai ka qëllim korrigjimin dhe riedukimin e personit që është para përgjegjësisë penale. Po mendove që jepen dënime për të ndëshkuar njerëzit gabon rëndë. Natyrisht, ndëshkimi është i nevojshëm, sidomos për ata që kanë predispozita për të kryer vepra penale, por në radhë të parë duhet të kemi parasysh që njerëzit t'i edukojmë, jo t’i lëndojmë dhe dënimi duhet të ketë qëllim edukues”, shprehet Dekani.

Një rëndësi të madhe i jep formimit të studentëve, ndërsa thekson se profesionist i mirë është ai që ka edhe njohuri të përgjithshme, e jo që ndalet vetëm në një fushë.

“Një jurist, një gjyqtar, një prokuror përveç njohurive në fushën e legjislacionit dhe jurisprudencës, duhet të ketë njohuri të tjera, të lexojë sa më shumë, sepse leximi zbut shpirtin. Nëse je një gjyqtar që nuk lexon romane, që nuk lexon poezi, që nuk njeh letërsinë klasike ndërkombëtare dhe historinë e popujve, nuk je në dijeni të zhvillimeve ekonomike, shoqërore dhe politke, të shqetësimeve të kohës, atëhere nuk je i plotë, por i cekët, bëhesh njeri i ngushtë, madje edhe njeri pa shpirt”, thotë profesor Muçi.

Ndërsa nuk harron t’u japë edhe disa këshilla studentëve. Në një kohë kur të gjithë vrapojnë e kërkojnë të marrin më të mirën, dhe harrojnë gati edhe veten vetëm për të arritur qëllimin, profesor Muçi i këshillon se nuk është mjaftueshëm vetëm të mësosh.

“Të gjithë njerëzit e mëdhenj po t'i pyesësh do thonë mësoni, mësoni, mësoni. Parrulla që japin që të gjithë. Atë do të thoshja edhe unë, por  nuk është e mjaftueshme vetëm të mësosh. Në radhë të parë duhet të ruash shëndetin që të mësosh. Duhet të jenë të kombinuara të gjitha. Nëse nuk ke shëndetin, mësimi nuk ka asnjë vlerë. Sepse mëson, por nuk bën dot gjë. Në finale, edhe të mësuarit ka një qëllim, që të shërbejë për mirëqënien tënde dhe të të tjerëve. Duhet të harmonizohen të gjitha gjërat që të kesh një trup të shëndetshëm, të fuqishëm, një mendje të kthjellët. Të kesh shëndetin fizik dhe shëndetin mendor. Nuk thotë kot populli; ”Mendja e shëndosh në trup të shëndosh.” Por kjo nuk vjen vetvetiu, vjen duke u marrë me shumë gjëra, sidomos me me aktivitete sportive. Njeriu duhet të merret edhe me lexime të tjera jashtë fushës së vetë, të njohë pikturën dhe me artin. Pra duhet të jetë i gjithanshëm. Një njeri i kufizuar në një fushë të caktuar, mund të duket si një profesionit i mirë, por në fakt nuk e realizon dot detyrën që kërkon koha dhe shoqëria. Natyrisht duhet të jetë i specializuar në fushën e vetë, por edhe të ketë njohuri të përgjithshme që të jetë i kompletuar në të gjitha drejtimet”, thotë ai.

*Prof. As. Dr. Shefqet Muçi është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike në Universitetin e Tiranës, në vitin 1968. Ka punuar gjyqtar në Kukës, po ashtu edhe kryetar gjykate në rrethet Tropojë, Shkodër e Tiranë. Për rreth 12 vjet ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë dhe ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Stabilitetit në vitin 1991. Më pas avokat dhe kryetar i Dhomës së Avokatëve të Tiranës, si dhe avokat shteti në Avokaturën e Përgjithshme të Shtetit.

Ka qenë pedagog në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës dhe në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme e më pas në disa universitete private në vend. Më 1 mars të 2020, ai iu bashkua stafit të Universitetit Europian të Tiranës.

Ndërkohë që është autor i dhjetra botimeve shkencore, ndër të cilat libri “E Drejta Penale - Pjesa e Përgjithshme”, tekst universitar.

Në vitin 1982 ka fituar gradën “Kandidat i Shkencave”, në vitin 1989 “Doktor i Shkencave” dhe më 2011 mori titullin shkencor “Profesor i Asociuar”./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH