Aktualitet

Sfidat e liderëve politikë në luftën kundër koronavirusit

Shkruar nga Liberale
Sfidat e liderëve politikë në luftën kundër

Ngaire Woods

Para se koronavirusi të shpërthente nëpër lajme, një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi se bota nuk ishte e përgatitur për një “epidemi e fortë patogjene respiratore që përhapet me ritme të shpejta”, e cila mund të vriste 50-80 milionë njerëz, të shkaktonte panik dhe paqëndrueshmëri dhe të ndikonte seriozisht në ekonominë dhe tregtinë globale. Përvoja e më shumë se 200 viteve të fundit ka treguar se vetëm qeveritë që veprojnë në bashkëpunim mund të luftojnë në mënyrë efektive një pandemi të tillë dhe madje edhe atëherë, vetëm me besimin dhe pajtueshmërinë e qytetarëve të tyre. Kjo tregon për tre sfida me të cilat përballen liderët politikë në luftën kundër koronavirusit të ri, tashmë i njohur me emrin COVID-19.

Sfida e parë është se politikanët janë të ndarë midis shikimit dhe miratimit të masave të bazuara në shkencë që kërkojnë shpjegime të kujdesshme për një publik skeptik. Për shembull, qeveritë në disa vende, përfshirë ajo në Indi, Nigeri, Japoni dhe Shtetet e Bashkuara, kohët e fundit kanë zbatuar kontrolle të temperaturës trupore të të gjithë pasagjerëve që vijnë në aeroportet e tyre. Por udhëtarët që kanë ethe mund ta fshehin gjendjen e tyre duke përdorur ilaçe për uljen e temperaturës. Për më tepër, studiuesit kinezë dyshojnë se COVID-19 është ngjitës deri në 24 ditë para se personi që e bart atë të shfaqë simptoma ethesh. Prandaj, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po përqendrohet në informimin e të gjithë pasagjerëve që vijnë se çfarë duhet të bëjnë nëse shfaqin simptoma pas daljes nga aeroporti.

Më seriozisht, më 31 janar, administrata e presidentit amerikan Donald Trump njoftoi një ndalim të përkohshëm të hyrjes për të gjithë shtetasit e huaj që kishin qenë në Kinë në 14 ditët e kaluara, përveç rasteve që ata ishin të afërm të afërt të qytetarëve amerikanë ose banorë të përhershëm. Shumë vende të tjera kanë ndërmarrë masa të ngjashme, por efekti mund të jetë pikërisht i kundërti i asaj që synohej.

“Izolimi” i Kinës mund të duket i justifikuar. Por bërja e kësaj në mënyrë të njëanshme, pa ndërtuar besim me qeveritë e tjera, e bën më të lehtë që vendet e tjera – siç janë fqinjët më të vegjël të Kinës – të mos e njoftojnë botën kur virusi përhapet tek ata, për shkak të frikës së “izolimit” të tyre dhe kostove masive ekonomike që do të nënkuptonte kjo gjë.

Rregulli i artë në luftimin e pandemive është inkurajimi i vendeve të prekura që të njoftojnë të tjerët menjëherë për çdo infeksion. Studiuesit kinezë e identifikuan me shpejtësi COVID-19 dhe – pas thirrjeve ndërkombëtare – e ndanë me të tjerët lajmin për këtë epidemi, duke nxitur kështu bashkëpunimin global në garën për të krijuar një vaksinë. Duke vepruar kështu, Kina u pajtua me rregullat ndërkombëtare që synojnë të garantojnë bashkëpunimin e vendeve për të luftuar infeksionet, në vend që të dëmtojnë veten ose të dëmtojnë pa nevojë të tjerët nëpërmjet masave proteksioniste.

Sfida e dytë për qeveritë ka të bëjë me komunikimin. Informacioni i saktë, i besuar është thelbësor për të luftuar një pandemi. Por në pjesën më të madhe të botës, qytetarët nuk besojnë se politikanët po thonë të vërtetën, kështu që në vend të kësaj i drejtohen rrjeteve sociale dhe burimeve të tjera të informacionit.

Platforma të tilla mund të lehtësojnë transparencë më të madhe dhe raportim të menjëhershëm, të cilat qeveritë nuk duhet t’i ndalojnë, si bënë fillimisht zyrtarët lokalë në Wuhan duke kërcënuar mjekët që raportuan koronavirusin e ri. Por rrjetet sociale gjithashtu shkaktojnë “infodemikë” lajmesh të rreme dhe thashethemesh që rrezikojnë shëndetin publik. OBSH aktualisht duhet të hedhë poshtë pretendimet se larja e gojës, spraji nazal dhe vaji i susamit mund të parandalojë infektimin e njerëzve me COVID-19. Në të njëjtën mënyrë, fushatat online kundër vaksinimit në vitet e fundit kanë shkaktuar një shtim plotësisht të parandalueshëm të rasteve të fruthit.

OBSH po punon me kompanitë e rrjeteve sociale për të garantuar që të jenë informacionet e besueshme ato që shfaqen të parat kur njerëzit të bëjnë kërkime në internet rreth koronavirusit. Ata gjithashtu po bashkëpunojnë për vendosjen e paralajmërimeve në postimet e grupeve që promovojnë teori konspiracioni dhe thashethemet për virusin, si edhe për heqjen e postimeve që rrezikojnë shëndetin publik. Të gjithë politikanët përgjegjës duhet t’i mbështesin përpjekje të tilla.

Po kështu, politikanët dhe kompanitë e rrjeteve sociale duhet të luftojnë reagimet ksenofobike, të cilat pandemitë i nxisin shumë lehtë. Tashmë ka raporte për një valë diskriminimi ndaj personave nga Azia Lindore që nga shpërthimi i COVID-19. Stigma dhe diskriminimi e bëjnë më të vështirë luftimin e sëmundjeve infektive, sepse ato rrisin mundësinë që personat e prekur të shmangin kërkimin e kujdesit shëndetësor.

Në mënyrë thelbësore, lufta kundër COVID-19 kërkon që personat e infektuar të kenë mjaftueshëm besim te autoritetet publike, për të identifikuar dhe ndihmuar në gjurmimin e të gjithë personave me të cilët ata kanë qenë në kontakt, duke bërë të mundur që të ndërmerren masa për izolimin e tyre. Kjo ka më pak gjasa të ndodhë në një atmosferë stigmatizimi dhe diskriminimi.

Dhe e fundit, gatishmëria është thelbësore. Qeveritë duhet të kryejnë studime që më parë dhe të kenë në gatishmëri një strukturë komanduese në rast të një emergjence shëndetësore globale. Por politikanët shpesh ngurrojnë të investojnë në parandalimin e sëmundjeve, duke e pasur shumë më të lehtë të marrin merita për ndërtimin e një spitali të ri. Madje, ata mund të shkurtojnë fondet për programet parandaluese duke e ditur shumë mirë që janë qeveritë e ardhshme ato që do të përballen me pasojat e kësaj.

Lajmi i mirë është se qeveritë kanë filluar ta marrin seriozisht gatishmërinë pandemike, pas shpërthimeve të mëparshme të SARS, H1N1, MERS, Ebolës dhe Zika. Pas krizës së Ebolës në 2014, për shembull, administrata e presidentit amerikan Barack Obama themeloi një drejtori për sigurinë shëndetësore globale dhe kërcënimet biologjike brenda Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë. Ai gjithashtu prezantoi një sistem për koordinimin e organizatave ndërkombëtare, kombëtare, shtetërore dhe lokale, publike dhe private, për të përballuar një epidemi globale, nën autoritetin e drejtpërdrejtë të presidentit.

Lajmi i keq është se vitin e kaluar Trump i eliminoi të gjitha këto. Ai gjithashtu shkurtoi fondet për përpjekjet e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve për të ndihmuar vendet e tjera të parandalojnë epidemitë e sëmundjeve infektive. Por kur vendet e tjera nuk mund të identifikojnë dhe ndalojnë përhapjen e një virusi, ka shumë gjasa që ai të mbërrijë në SHBA.

Ndërsa COVID-19 vazhdon të përhapet, publiku duhet të mbështetet në bashkëpunimin ndërkombëtar midis qeverive për luftimin në mënyrë efikase të kësaj sëmundjeje. Por rritja e presioneve ndaj liderëve politikë rrezikon t’i shtyjë ata drejt ndërmarrjes së masave më nacionaliste, afatshkurtra, të cilat janë më pak efikase apo edhe kundërproduktive.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH