Letërsi

Sfida e Alda Bardhylit, reformë kombëtare për të kultivuar leximin

Shkruar nga Liberale
Sfida e Alda Bardhylit, reformë kombëtare për të kultivuar

Në fund të muajit janar Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bëri të ditur lajmin se studiuesja Alda Bardhyli do të drejtonte Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Në një intervistë për “Shekulli”-n, Bardhyli tregon sfidën më të madhe të kësaj eksperiencë të re dhe cili është qëllimi i saj kryesor si drejtuese e kësaj qendre

Znj. Bardhyli, çfarë do të ketë në fokus Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit?

Në fokus të punës së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit do të jetë autori shqiptar dhe gjuha shqipe, duke kërkuar të ndërtojmë një sistem vlerash në botën letrare. Në këtë kontekst, ne do të marrim një sërë hapash konkrete jo vetëm për të përmirësuar kuadrin ligjor përsa i përket librit, por dhe një sërë iniciativash, të cilat do ti japin status autorit shqiptar, duke e ndihmuar atë në një sërë raportesh siç janë ato me botuesit, të drejtat e autorit, distribucioni i librit, përkthimet në gjuhë të tjera, etj. Botuesit do të jenë partnerë të rëndësishëm të Qendrës, duke qenë se puna e tyre lidhet drejtpërdrejt me atë çfarë është dhe fokusi ynë, autori dhe lexuesi. QKLL do të angazhohet në hartimin e platformave dhe strategjive që synojnë rritjen e leximit, rijetëzimin e bibliotekave në rrethe, libraritë, apo përmirësimin e cilësisë së botimeve shqip, nxitjen e politikave të përhapjes së librit dhe të leximit në Shqipëri veçanërisht me të rinjtë.

A mendoni se e shkuara juaj si gazetare kulture dhe njëkohësisht drejtuese e një shtëpie botuese do t’ju ndihmojë në këtë eksperiencë të re?

Po unë vij nga një përvojë e gjatë në fushën e medias, kryesisht në atë kulturore ku kam punuar që kur isha ende studente e letërsisë. Por një vokacion i hershëm për librin do të bënte që të ndalesha më shumë në fushën e botimeve, ku prej më shumë se 10 vitesh kam një përvojë, e cila më ka bërë ta njoh mirë këtë industri, të njoh anën e padukshme të saj. Kjo është një përvojë që do më ndihmojë për t’i dhënë QKLL-së një qasje bashkëkohore. Të qenurit në krye të një institucioni të ri që ka të bëjë me librin është më tepër se një sfidë profesionale, por një sfidë për t’i dhënë një mundësi kohës që jetojmë të flasë më shumë përmes librit.

Çfarë risish keni menduar të sillni ju si drejtuese në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit?

Sfida e parë e një institucioni të ri është krijimi i identitetit të tij. Në një kohë që ka një rritje të presionit ndaj vlerave të leximit, libri vijon të mbetet e vetmja liri që na çon tek edukimi dhe vazhdimësia. Diskutimi mbi librin është gjithnjë i lidhur me të ardhmen. Për konceptimin e Qendrës Kombëtare të Librit ne i jemi referuar modeleve më të mira të institucioneve të tilla në Evropë. Modeli francez është ai ku jemi referuar më shumë, duke e përshtatur me kontekstin në të cilën ndodhet libri në vend. Detyra ime e parë në krye të QKLL do të nisë me një vizitë në CNN Qendrën Kombëtare të Librit në Francë, jo vetëm për të shkëmbyer ide mbi përvojën e tyre, që do t’i shërbente përvojës sonë të re, por dhe për ta parë CNN si një nga partnerët e rëndësishëm të QKLL. Pasi partneriteti me institucione ndërkombëtare dedikuar librit, është një nga prioritetet e qendrës, përmes së cilës, do t’i japim më shumë mundësi autorit dhe kulturës sonë.

A keni menduar ndonjë plan konkret për nxitjen e leximit tek moshat e reja, sepse çdo vit e më shumë vihet re një largim i të rinjve nga libri, sidomos ai klasik, i printuar?

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e ka që në emrin e saj, një nga prioritetet kryesore të saj, që është rritja e lexueshmërisë. Lexuesi është sot një nga temat qendrore të diskutimeve në botën letrare. Diskutimet mbi lexueshmërinë janë të lidhura fort me ato mbi edukimin dhe të ardhmen. QKLL do të punojë përmes hartimit të disa platformave dhe programeve që do të afronin më shumë lexuesin me librin. Një plan tre ose pesë vjeçar për nxitjen e leximit përmes bashkëpunimit të të gjithë aktorëve publikë e privatë: QKLL do të ketë rolin parësor në këtë plan dhe do të bashkëpunojë me bashkitë e qyteteve të tjera, me botuesit dhe me librarët. Kryeqyteti i Leximit të Librit shqip do të shpallet qyteti ku do të ketë më tepër rezultate leximi e njohjeje të librit. Të rinjtë do të jenë në fokus të këtyre programeve kombëtare, që do të nisin nga kopshtet. Edukimi me librin si një mjet i rëndësishëm për formimin e individit të së ardhmes do jetë një prioritet. Më shumë se fushatat e leximeve, prioritet është ndërgjegjësimi mbi rëndësinë që ka lidhja me librin për shoqëritë e së ardhmes. Baza e një përparimi është kultura. Në këtë kontekst ne do të shohim rolin e bibliotekave jo vetëm në kryeqytet, por edhe në rrethe jo vetëm për t’i bërë më të pasura me botime të reja, por edhe për ti rijetëzuar, për t’i kthyer ato në strehëza të vërteta të takimit mes lexuesit dhe librit.

Cilat janë pikat më të rëndësishme në platformën që ju keni ndërtuar për qendrën?

Platforma ime ka të bëjë me autorin dhe gjuhën shqipe. QKLL do ti japë një status autorit shqiptar duke promovuar e mbështetur vlerat tona më të mira. Do të ngre një sistem të vërtetë vlerash përsa i përket librit shqip. Mbështetja e gjuhës e kulturës shqipe në gjuhë të tjera do të jetë një ndër pikat e rëndësishme të kësaj platforme. QKLL do të krijojë një sërë mundësish përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare për t’i bërë vlerat tona më të mira të jenë të pranishme në gjuhë të tjera. Një ndër iniciativat që do të bëjmë publike shumë shpejt do të jetë dhe krijimi i Urdhrit të Përkthyesve, një përfaqësi me emrat më të mirë të përkthimit shqip, e cila në një farë mënyre do të kthehet në një rregullator për situatën me përkthimet në botimet shqiptare. Kjo iniciativë kërkon të certifikojë vlerat duke rritur nivelin e përkthimeve. Kultura ashtu si çdo fushë tjetër mendoj se ka nevojë për certifikime. Një përkthyes i cili është i pranuar nga ky Urdhër do të thotë një vepër me një shqipe më të mirë në librari.

Kujtesa do të jetë pjesë platformës së QKLL. Kujtesa është zhvillimi, nuk mund të kemi projekte të reja pa vlerësuar historinë. Gjatë punës sime me studime kam pikasur se shumë vepra që janë përfaqësuese të historisë së letërsisë, studimeve apo shkencës ekzistojnë vetëm si tituj e nuk janë në librari apo biblioteka. Një analizë e situatës reale përsa i përket botimeve apo lexueshmërisë do të jetë në fokus të punës së ekipit që i është bashkangjitur këtij institucioni. Kur flasim për letërsi një vëmendje të madhe do të kenë të rinjtë. Përmes aktiviteteve, por dhe duke i ndihmuar ata të jenë të botuar, ne do t’i japim rëndësi motivimit të shkrimit shqip.

Çfarë aktivitetesh keni menduar të zhvilloni në të ardhmen për të afruar sa më shumë lexues në qendër?

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të kthehet në një hapësirë që do të ketë një sërë aktivitetesh kushtuar librit dhe autorëve shqiptarë. QKLL do të jetë një zë që do të dominojë me jetën e saj jo vetëm jetën publike në kryeqytet, por do ti japë jetë dhe aktiviteteve për librin nëpër rrethe. Besoj se vetëm duke folur për librin duke e bërë atë të pranishëm në jetën e njerëzve, do të mund të arrijmë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e tij.

Cila është sfida më e madhe për ju në këtë eksperiencë të re?

Të qenurit në krye të QKLL është një sfidë e bukur profesionale, të cilën e shoh si një mundësi për librin shqip, i cili tashmë ka një institucionin dedikuar atij. Do doja që ky institucion të kthehej në një institucion të rëndësishëm në shërbim të kulturës, për ta bërë shoqërinë që të shohë përmes librit.

Ju si studiuese si e shikoni letërsinë shqipe sot? A mendoni se ka botime të mjaftueshme dhe sa vlerë kulturore e artistike kanë veprat e shkrimtarëve të rinj, krahasuar me ata të viteve më parë?

Letërsia bashkëkohore shqipe është një letërsi e konsoliduar e cila tashmë ka autorët e saj të konfirmuar. Viti 2019-të ishte një vit i pasur përsa i përket botimeve nga autorë shqiptarë, i cili solli në skenën letrare jo vetëm shkrimtarë të rinj, por dhe riktheu në treg shumë emra të njohur të letrave shqipe, që prej vitesh mungonin në skenën letrare. Por me gjithë rritjen e numrit të veprave të autorëve shqiptarë në treg sërish kjo letërsi nuk ka atë çfarë para viteve 90-të ishte dhe qëllimi i letërsisë, lexuesi. Lexuesi duket sikur e ka “braktisur” autorin shqiptar, edhe pse ka autorë që kanë arritur të kenë lexues, e të jenë të kërkuar prej tyre. Ka shumë arsye për këtë raport, për të cilën Qendra Kombëtare e Leximit do të punojë për të çuar lexuesin drejt letërsisë dhe autorëve shqiptarë.

Vihet re një tendencë për leximin e librave të huaj dhe sigurisht që përkthyesit kanë një rol shumë të madh në këtë rast. A do të ofroni më tepër mbështetje për përkthyesit, duke qenë se në një farë mënyre shihet edhe si një punë e nënvlerësuar në vendin tonë?

Do vlerësoja punën e botuesve shqiptarë të cilët kanë një kontribut këto vite në pasurimin e librarive me botimet e fundit bashkëkohore. Në libraritë e Tiranës mund të gjesh të njëjtat libra që i gjen e në librari të njohura në botë e kjo është fat për lexuesin. Këto vite ka pasur probleme serioze me përkthimin nga gjuhë të tjera e të veprave të rëndësishme. Unë përmenda më lart një iniciativë që lidhet drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së përkthimeve, që është Urdhri i Përkthyesve. Nga ana tjetër QKLL do ti krijojë përkthyesve një sërë mundësish për tu rritur profesionalisht, nga përvoja të tjera ndërkombëtare, përmes seminareve, konferencave, rezidencave të përkthyesve etj

A keni menduar që përmes qendrës të promovoni jashtë vendit letërsinë shqipe?

Letërsia shqipe dhe promovimi i saj në gjuhë të tjera do të jetë në fokus të QKLL. Nga ana tjetër ne do ta bëjmë më të pranishme letërsinë shqipe në aktivitete ndërkombëtare si Festivale Letërsie të niveleve evropiane, Panaire apo tryeza ndërkombëtare libri ku të flitet më shumë për letërsinë shqipe. Vetë letërsia shqipe për kushtet në të cilën u ndërtua për më shumë se 40 vjet nën soc-realizëm, e bën atë të pangjashme me historitë e letërsive të tjera. Për të promovuar botimin e autorëve shqiptarë në vendet e tjera mendojmë të organizojmë takime, studime, shkëmbime dhe formim profesional të përkthyesve të huaj, që të mësojnë apo të perfeksionojnë gjuhën shqipe, të cilëve mund t’u shihet edhe mundësia e një burse studimi. Gjithashtu QKLLL do të sigurojë që të krijojë një atmosferë bashkëpunimi më të gjerë e më të gjithaanshme me kulturën bashkëkohore europiane, atë perëndimore në përgjithësi dhe botërore. Kjo do të arrihet përmes organizimit të festivaleve ose panaireve rajonalë e ndërkombëtarë në Shqipëri – gjë që ka munguar deri më sot – organizimit të konferencave, pjesëmarrjes në konferenca e tubime të autorëve tanë jashtë vendit, të një bashkërendimi me shtëpitë botuese që japin kontribut në fushën e përkthimit të veprave të kulturës botërore, realizimit të projekteve të përbashkëta me botuesit shqiptarë dhe partnerë të huaj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH