Aktualitet

Treni, poema e vetmitarit

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

Parakalonin në një shpejtësi të rrëmbyer krah tij grumbuj resh të hallakatura të vjeshtës, mullarë, forma çatish në mbivendosje që dukeshin si letra të hedhura në natyrë dhe peizazhe të përzgjatur lagësht. Çdo gjë fshihej në imazhin humbës mbrëmësor në një rrethqafje të vagullt e në ngut. Këto ishin mbrëmjet e tij me një fund të squllur nga shkëndijat, si një gjithëprani pushtuese që sa vinte e shtynte në pikë qëndrime të brendshme e nën drita të dobëta të vagonit në lëvizje.

Shtjellat e grumbujve njerëzorë zdërhalleshin në një shtrirje të zgjatur e të përfjetur në të gjithë trenin, në bashkëngjitje të një drite laramane që e bënte udhëtimin melankolik, ku të duket sikur nuk bëzan asgjë veç një truri lëvizës e kontrollues. Diku-diku grumbujt e volumeve në njerëz i kish pllakosur përhumbja në mendime; diku tjetër gjumi kish mbërritur duke këputur koka e gjysma krahësh në pozicione të pambrojtura, lëshuar në një relativitet mes trokut të zhurmës. Dritat gjarpëruese vallëzonin keq, si një dekor fund beteje në filma të hershëm me temë historike. Pjesët e sipërme, të mbingarkuara me bagazhet e ditës, dukeshin si një tjetër peshë që nga lart poshtë e shtonin edhe më shumë dramacitetin e një dite të lodhur nga marrëdhëniet. Tashmë të gjithë pushonin në një përzierje të kafenjtë thurur me një monolog të pezullt. Diku dëgjohej gërgaja e disa fëmijëve që ende nuk kishin mbaruar me lojërat e tyre të fantazisë: ishin në një raport cytës dhe ndërhyrës në të gjithë atmosferën e nderur. Një aromë e përzier mes kafshësh e shpezësh të sapo ujdisura poshtë këmbëve provoknte jo vetëm nuhatjen. Në kakarimat e tyre të mekura e të fonduara shtrinte pushtetin e tij një pluhur i kuqërremtë perëndimi, ku veç lëvizjeve të pakontrolluara viheshin re edhe lafshat e tyre në një shumëllojshmëri që të dukej sikur vinim nga një udhë e largët dhe e nakatosur mes njerëzish, sendesh e kafshësh shtëpiake. Si në pikturat e Brygelit: luhej në një plan të motivuar nga prakticiteti dhe perspektiva e çartur. Një qenie e plugtë, e metaltë çante ajrin në një trok përsëritës e monoton, nga jugu në drejtim të veriut, duke lënë pas një rrapullnajë sendesh dhe gjërash ngrehur, si në çdo ikje apo fundjavë.

Të vetmet që kryqëzonin këtë lloj universi ishin fishkëllimat e azgjatura të trenave në shkëmbim. Disa lloj sinjalesh që e kthenin atë vrundull unikal sendesh frymorësh dhe objektesh në një lëmsh abstrakt malli dicka si thirrje a si bashkim tingullor religjioz. Herazi si në filmat nga perëndimi i largët mbi territore të thara e njerëz të ndryshkur karakterialë.

Diku më tej frymonin kapat e bardha të malësoreve të zbritur në kryeqytet, ku tashmë ishin bërë njësh me tymnajën e duhanit që thithnin. Çdo gjë ndihej e pozicionuar në një lëshim të ngurtë gjendjesh, që veç lëvizjes u mungonte komunikimi, sepse në krye të udhëtimit përjetohej si një e papritur e përbashkët, që i kthente të gjithë në një murim të hirtë mbetjesh e kujtese nga një realitet i shkujdesur.

Gaspër Prroni kishte përqendruar vështrimin te pjesët e këmbëve dhe gjysmë në gjumë ndiente trokun monoton të fërkimit të rrotave që fërkonin shinat; një muzikim i zgjatur e i ëmbël sa një jetë. Në sfond grumbullohej përzishëm nga lart poshtë rrotullonte qenien e tij në një fashë lëkundëse të lehtë e të pambarimtë. Reflekset e ndriçimit anësor sa vinin e grupoheshin në një materie të strishët e flu, që ndihej si një mur që mblidhte të gjitha thërrimet e fund bisedave në një kosh të përhumbur kohor, me cilësinë e vrullit të shukjes të një materiali hedhur në hon. Ndiente se koha ishte tashmë melodia e tij e përcaktuar, si një udhëtim i pandalshëm, duke e shpërfillur në të gjitha kuptimet e afërta, tretur në një tjetër hapësirë, që më së shumti i ngjante vorbullimit të ngjarjeve. Përfytyronte se e gjithë struktura e përbashkët mes të jetuarit dhe lëvizjes i ngjante një segmenti në vijë të drejtë e të harkuar: një jetë që tashmë kish marrë ngjyrimet e misterta të një trupi, që nuk se kontrollohej më, por shtriqej e zvargej në kuptime të pashqitshme të një hovi në rritje. E gjithë plastika e ndërveprimit mishor ishte ndërmjet formës së të menduarit dhe kujtimeve, ngjeshjes trup më trup në zhvendosje të matura e të konturuara nëpër kabinat intime, ku shtjellonte të gjithë formën e vëmendjes për të thithur nektarin njerëzor.

I pëlqenin trenat me kampate të zhvendosura në formë dhomëzash, ku ndiente që intimiteti ishte një nga zërat që i furnizonin jetën, që i jepnin fuqi copëzave të mozaikut njerëzor, që ai kish ëndërruar gjatë në një platformë ushqyese të përbashkuar, ku çlirohej era dhe fryma e çorganizuar e trupave njerëzor. Ushqehej me një lloj arome të përzier mes naftës dhe trupave që shkelnin në udhëtimet me tren. Kishte dobësi për uniformat e fatorinave dhe llojin e sjelljes së tyre, pasi i dukej një bashkëjetesë e bukur e njerëzve që ndahen në mënyrë paqësore përballë një detyrimi kontrollues. I pëlqente tonaliteti i zërit dhe shëtitja aventureske, gati si e lindur e fatorinave që shëtisnin si kuriozitet i pangopur mbi shumëllojshmërinë e njerëzve që udhëtonin. Psikologjia, hallet e tyre dhe aftësia për t’u ndierë të afërt në një udhëtim të pjesshëm, duke lënë në hije një lloj arome rrëfenjash që e lumturonin dhe e bënin të ndihej në një familje të hapur e të madhe dertesh.

E ku kishte më bukur se aq.

Një nivel njerëzish pa barriera në një hall udhe, duke u kujdesur të ishin në një hall më të madh e të përbashkët. I pëlqenin shumë, po shumë ama stacionet dhe platformat, sepse e bënin të ndihej i shërbyer nga ngrohtësi të pavullnetshme trupash dhe shenjash që përbënin mizërinë e një energjie ndërtuar me kast, që njerëzit të mos ndiheshin vetëm e të braktisur. Çdo gjë i përkthehej në favor të një bashkësie njerëzish që kërkonin si pa dashje vetveten në shërbime të grumbulluara, si një masë që dashje pa dashje kthehej në një vëmendje kolektive.

Jeta e kish shërbyer që këtë nyjë komunikacioni t’ia kthente në një fabul të zgjeruar dëshirash për t’u ndierë në lëkurën e tij, që ishte e brishtë dhe e pambrojtur, për shkak të fatit dhe egos së ulët për të mos kërkuar shumë nga jeta.

Kështu mendonte Gaspër Prroni teksa treni trokëllinte gjarpëruar në fushat e Zadrimës. Ideja se në një trok rendës ke mundësinë e ëndërrimit dhe shfrenimit të fantazisë ia shtonte kënaqësinë, dhe kështu i ngjante se ishte kthyer në një memuar aventurash.

Ndihej në çudë se si njerëzit ishin aq të nguthët në egon e tyre, saqë gjithë jetën mundoheshin të rregulloheshin në vilat e tyre të betonta. I dukej një gjë e ngushtë dhe një mungesë ajri.

Fundjavat ishin bota e tij, pasi njerëz në hall e në nevojë shpeshtonin udhëtimet e tyre dhe ndiehej në pulsin e përbashkët. Por, sa më shumë dendësohej lëvizja, aq më shumë i shtoheshin emocionet dhe hapësirat për t’u shkrifëruar deri në prekje të afërta të frymës në lëvizje. Jeta e tij tashmë ishte një shumë mozaiku takimesh nga më të llojtat e nga më të çuditshmet. Në fakt, nuk kërkonte një lidhje dhe as engjëllin e ëndërruar, por vetëm të zhbirilonte tipa e karaktere që i donte njësh në një zbulim të përafërt. Shumë femra përfundonin në krevatin e tij si forma të braktisura ose si gjendje fillestare. Të lakmueshmet qenë disa syresh që ishin të padala e në gjendje të parë; ato që preknin rishtas një realitet bashkësie. Kapej menjëherë se të gjitha kishin një himn përdëllonjës, si të pashkelura, dhe iu dukej se po kryenin udhëtimin e parë si arrati drejt të panjohurës. Shikimet në kontakt të parë ishin të padepërtueshme dhe ashtu ngadalë hynte në zona të njoma, si rastësi fatlume, që në bagazhin e tyre jepej si aventurë e panjohur dashurie. Shumë nga këto net ktheheshin në fabula ngjasimi me histori dashurie, gjëra që i kishte ndeshur nëpër libra.

Kështu i pëlqenin shumë gjendjet e pezullta, që i vinin në radhë si pasuri jetësore. Nuk e di se pse nganjëherë jeta i dukej më e mbushur se nëpër ato historitë e librave.

Një natë kthehej nga kryeqyteti për në shtëpi. Në ballë kishte një mesogrua me një fashim të mjaftë indiference e melankolie. Ruante ftohtësinë e një njeriu që çdo gjë përreth e shtynte pa kurrfarë interesi. Qëlluan në të njëjtën kabinë. Herë pas herë vinin të tjerë dhe për pasojë filloi ngjeshja. Si pa shkak ishin aq ngjitazi saqë çdo lëvizje e tjetrit shkaktonte një fërkim mes këmbësh të çdo pasagjeri. Gaspëri tentoi disa herë që të shpihej nga këmbët, dhe sa herë e bëntë këtë po aq herë po i ngjitej gruaja në hapësirën e toleruar. Dalëngadalë u kthye në një ritual të përsëritur, gjë që sa vinte e fërgëllonte një shkak afshi për të psherëtirë e kërkuar falje nga gruaja që kish në krah. Ishte një skenë e zgjatur, pa fjalë. Gaspëri ndieu se ajo kishte marrë flakë nga një ndriçim i brendshëm. Ajo akullsi indiference po thyhej në një afrim që po e pushtonte në trup ëmbël, si një peshë që duhej ndarë. Ajo shkopsiti njërën dorë dhe ia hodhi në krah duke e rrokur në formë shtytjeje, gjë që i dha mundësinë t’i zbulohej një pjesë e gjoksit, që tashmë i hidhej mu pranë fytyrës në një tundje të lehtë. U afrua edhe më dhe ndieu një aromë trupi që shfrynte valë dehëse. Nuk kish se nga lunate, pasi sado të përpiqej, kjo aromë bëhej edhe më dehëse dhe pushtuese.

– Për ku? – e pyeti ajo.

– Stacioni i parafundit, – iu gjegjj Gaspëri.

– Më ndiq mbasi të zbres. – Gaspëri pohoi me kokë dhe u lëshua edhe më shumë thellësi të shtrëngimit të saj. Ishte një natë ëndrrash, nga ato pa subjekt. Një natë dashnorësh, që për shkak të motit po derdheshin në një hapësirë hormonesh në vrull, në një pëlqim të heshtur e të provuar, si pa arsye e pa ndonjë qëllim.

Zbritën me vështirësi, trup më trup, derisa u shkëlqyen nga turma dhe ajo e dërgoi në një si biçim studioje ku kish sajuar një shtrat sa herë kthehej nga udhëtimet me tren. Kaluan një natë të tërë pa folur, vetëm duke bërë seks në heshtje e duke përsëritur të njëjtën gjë deri në agim. Ishte një grua e trishtuar, e pafjalë, por e dhelshme dhe e kërpitur. Mbante erë të mirë, një erë e përzier, por e dallueshme në sojin e vet. Kishte seks të bukur, të praruar e të ngërfyer ngutshëm,  rrinte ngrirë dhe dukej sikur po kryente një rutinë – sikur po lante fytyrën nga dang at e një drame ditore. Një natyrë allasoj, si e pashenjë dhe e çliruar nga makthet, gjë që e la disi të menduar Gaspërin, sepse nuk po zbulonte dot se si mund të ndërtohej pasioni në një qenie të tillë. Ishte muzikante në formim, fliste gjuhë të ndryshme, por nuk dukej si e tillë, gjë që ndodh me muzikantët. Kishte kryer studimet për violonçel, por në një profil të ulët, më shumë si një krah mashtab ngjyrimi kulturor sesa ndonjë ambicie e dallueshme.

Gaspërit i kishte qëlluar të rrinte me shumë femra të heshtura, që vetëm sa pohonin me kokë çdo veprim dhe rrinin përhumbur.

Dukej sikur në jetën e saj kishin shëtitur shumë burra në një hidhërim të ftohur marrëdhëniesh, në një indiferencë që e bënte të largët.

Gaspër Prroni ndihej i çlirët në atë atmosferë, dhe në përpjekje për të zbuluar më thellë po përpiqej të sillej butë, duke mos i dhënë shkas mbylljeje një femre të tillë, sepse as ajo nuk e donte këtë privilegj nga ai. Në mëngjes ajo vajti e sajoi ca djathë e franxholla të ngrohta dhe u mjedisuan bashkë në një heshtje të pangarkuar e të zbrydhëlt. I tha se mund të vinte kur të donte, se ishte i mirëpritur. I tha gjithaq se udhëtonte shpesh në linja të largëta, sepse ndihej vetëm dhe jeta i kish ardhë në majë të hundës në të njëjtin mjedis e me të njëjtat fytyra.

Nga pjesa e pasme e dugajës ishte një vilë në lloj e lagjes ku jetonte gjyshi i saj, pasi prindërit i kishte humbur. Ishte një tjetër jetë aktive në atë pjesë ku grupoheshin të lëçiturit e qytetit e mësohej gjuhë e huaj. Pjesa e oborrit ishte nga ato të zakontat, ku ndihej se në atë shtëpi kishin tentuar disa investime me pikatore. Gjyshi saj një katolik tipik që mbijetonte edhe se në moshë të thellë duke dhënë mësim grupeve të ndryshme të qytetit. Nja natyrë gazmore dhe e helthët për nga humori dhe lloji i ndikimit praktik në të mësuarit e një gjuhe.

Dukej se veç indiferencës së ngjashme nuk kish kurrfarë lidhje me mbesën e tij. Për Gasperin gjyshi ishte tharmi të tjerët ishin anekse plotësuese të një derdhjeje të shkartisur keq e mos më keq brenda asaj peme të familjes.

Gaspër Prronit iu duk sikur sapo kishte shkelur në një tokë të butë, në një shkartisje të njelmët e të sfumët zërash të shuar, gjë që nuk se i rrinte mirë për shtat.

Nuk mund ta ndërronte kurrsesi të qenit në rrugë dhe egër me një të tillë temperaturë. I mungonte për vdekje turma, gjallëria pa shkak, lumturia e të tjerëve, hutimi dhe dallgët e nakatosura të rastësisë. Aty ishte thelbi i tij, kënaqësia apo adrenalina që kërkonte në hedhje të parë.

Me sa duket, ajri që kërkonte ishte marrë peng netëve në udhë nën trokun e hekurt dhe nën një hënë tradhtare dashurish të pakryera. Një gjë e pazakontë dhe e përhershme të jetosh mbi rrota, ku fati lëviz pa pra në një paqëndrueshmëri të mrekullueshme. Ky ishte fati i tij i ushqyer pa nda nga vetë ai, në një kapërdimje që nuk ndalon dhe nuk do të ndalojë, si një gjë krejt e panjohur, e pacak.

Fundi i udhëtimit përkonte me varrezat e qytetit. Ishte një parakalim i përnatshëm krah atij konfigurimi që i mbështillej si një ironi e madhe për të gjetur ndryshimin e veçimit të njerëzve në një truall krejt të heshtur.

Sa herë e përvijohej atij pozicioni i dukej si një zbarkim i pakontrolluar nga gjithë ata të ishulluar nëpër kabinat e tyre të përjetshme. Në të njëjtin zakon, me të njëjtët njerëz dhe në të njëjtën ngushti të veleritur nga përsëritja, diçka që po të shumëfishohej do ta kthente mbarë botën në një heshtje të frikshme e të individualizuar.

Ky ishte një tjetër makth kundër frymës njerëzore, kundër dallesës dhe luksit të lartë ndarës, për t’u frymuar si në udhëtimet e tij mes njerëzve, erës, kompromiseve  të padëmshme dhe halleve të tyre përkundër vetmisë, përkundër nëndarjeve të betonta, si në një varr të madh humbës e të trishtë.

Sa herë kish menduar fundin e tij vendqëndrimin e përjetshëm dhe ndjehej në kurthin e një skeme vetmimi të padalje.Pati menduar thellë këtë hall ndjehej mes fishkëllimave mbyllëse të sinjaleve trenash në shkëmbime stacionesh.Një evazivitet në lëvizje. E në ndjeshmëri të  gjallë mes jetës .Fakti që varrezat ishin pikërisht pranë stacionit të trenit e ngushëllonte pjesërisht.

Pati takuar një nënë murgeshë dhe e kish bideduar fundin e tij me një meshë modeste dhe një grup instrumental frymor që do luanin një prelud të ave marias. I duhej që fundi si një fillim i ri të ishte mes tingujsh fymorë dhe jo në një tjetër  ritual nga ato  të përsëriturit e në mërzi të gjindjes. Diçka e prame e zgjatur në jehonë dhe e thellë përshkuar nga kori i meshës diçka që nuk e ndan me dhimbje jetën nga ajo e përtejmja.

Zbriti nga treni me idenë se diçka duhej të ndryshonte. Bota duhej t’i kthehej riteve të mëparshme, jetës në grup, në një zgjatje deri në limitet e frymës në pah, në të mirë e në të keq, në shëndet e në lëngatë, si një bukuri e falur për njerëzit e për të vetmuarit e pakallur. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH