Aktualitet

Osman Myderrizi dhe Akademia e Shkencave

Shkruar nga Liberale
Osman Myderrizi dhe Akademia e Shkencave

Genciana Abazi-Egro

Akademia e Shkencave ka vendosur që të përkujtojë me një veprimtari Osman Myderrizin në 130 vjetorin e tij të lindjes. Si mbesë e tij, padyshim që u ndjeva mirë, pasi ky përvjetor nuk po kujtohet vetëm nga familjarët. Mirëpo ftesa që më erdhi nga Akademia e Shkencave përtej emocioneve më bëri të reflektoja thellë. Dy janë shkaqet pse iu përgjigja negativisht kësaj ftese.

Arsyeja e parë që më shtyu drejt një vendimi të tillë ka të bëjë me natyrën dhe tipologjinë e aktivitetit. Ftesa për pjesëmarrje m’u drejtua vetëm dy javë përpara se ky aktivitet të mbahet. Asaj i mungonte shpjegimi në lidhje me konceptin apo platformën që orienton pjesëmarrësit në lidhje me objektivat dhe qëllimet e tij shkencore. Këto janë dy indikatorë të rëndësishëm që më bënë të mendohesha mbi seriozitetin e një aktiviteti të tillë. Në të vërtetë një tubim shkencor që synon fjalën dhe mendimet e vyera të kërkuesve shkencorë dhe që më pas ato të kenë rezonancën e duhur tek publiku i gjerë kërkon kohën e vet për t’u organizuar dhe përgatitur. Në këto kushte kur një gjë e tillë mungon, cili do të ishte produkti i tij? Vetëm një përkujtimore rutinë?

Me keqardhje vërej se përkujtimoret vazhdojnë të jenë ende një formë dominuese e aktiviteteve të Akademisë së Shkencave. Në këto veprimtari 4-5 veta lexojnë njëri pas tjetrit kumtesat, duartokrasin kumtesat e njëri-tjetrit, japin lule, shoqërohen me një pije në fund dhe largohen duke menduar se ja kanë arritur qëllimit. Ndërkohë që pas tyre nuk mbetet më asgjë, as tek dëgjuesit e pakët në sallë dhe as në një audiencë më të gjerë.

Për Osman Myderrizin një konferencë e tillë përkujtimore është organizuar dhe në mesin e viteve ’90 nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë i cili në atë kohë ishte nën ombrellën e Akademisë së Shkencave. Vështirë të bëhet fjalë për një impakt të saj. Një aktivitet i të njëjtës natyrë po organizohet sërish, vetëm se një çerek shekulli më pas në kohë; dhe kam frikë se një pjesë e kumtuesve do të jenë po të njëjtët.

Në fakt konferencat përkujtimore filluan të organizohen me një frekuencë të lartë pas viteve ’90 për të sjellë në vëmendje kryesisht personalitete apo ngjarje të caktuara, që ishin lënë mënjanë gjatë periudhës së komunizmit për arsye ideologjike. Mirëpo koha tregoi se kjo kategori aktiviteti, jo vetëm që nuk arriti të vendoste në vendin e duhur atë çka ishte hedhur poshtë apo lënë mënjanë, por ato nuk arritën të shndërrohen në tribuna të kritikës apo tryeza të rrumbullakëta debati që do t’i hapnin rrugë thellimit të mëtejshëm të njohjes. Trajtimi i ngjarjeve dhe individëve nga pozita vetëm pozitiviste apo nga qëndrime ekstreme me ato që ishin mbajtur gjatë periudhës së komunizmit, më së shumti i hapën rrugë shterpëzimit të mendimit shkencor.

Për shkak se aktivitete të tilla janë kthyer në konferenca “qokash dhe hatëresh” nuk kam patur interes t’i ndjek dhe prej vitesh nuk marr pjesë më në to. Madje vendosa ta refuzoj edhe kur bëhet fjalë për gjyshin tim. Sepse mendoj se Osman Myderrizi, por jo vetëm ai, personalitetet e shkencës dhe të kulturës shqiptare meritojnë shumë më tepër se sa një përkujtim rutinë. Ato në radhë të parë kanë nevojë t’u diskutohet vepra dhe t’u testohen tezat e qasjet e tyre. Opinioni i gjerë publik duhet të njohë jo vetëm emrat e tyre, por së pari duhet t’u njihen veprat e tyre, kontributet që i kanë rezistuar kohës, tezat që janë me vlerë për t’u diskutuar madje dhe sot. Në këtë linjë Akademia e Shkencave ka treguar se ka frikë nga debati shkencor dhe diskutimi i tezave dhe qasjeve të ndryshme nga ato zyrtare, që fatkeqësisht dominojnë edhe sot. Ajo “harron” se qasjet kritike dhe përballja e mendimeve janë jo vetëm pjesë e kërkimit shkencor, por sjellin dhe vetë zhvillimin e shkencës.

Myderrizi është një studiues që ka hedhur teza origjinale. Njëra prej atyre ka lidhje me fillesat e përdorimit të emrit shqiptar dhe lidhjen e ngushtë që ai vëren midis këtij fenomeni dhe procesit të konvertimit masiv të shqiptarëve në besimin islam. Veç kësaj, ai ka qenë i pari që ka artikuluar se historia e shqiptarëve gjatë periudhës osmane nuk ka qenë vetëm luftë, por ka patur dhe një zhvillim të konsiderueshëm urban, produkt i së cilës është dhe letërsia shqipe e shek. 18. Teza e tij, ndonëse u botuan në revistat shkencore të kohës, nuk u bënë objekt debatesh të mëtejshme dhe nuk u zhvilluan më tej. Arsyeja ishte se një perspektivë e tillë binte ndesh me linjën zyrtare të studimeve shqiptare në periudhën komuniste.

Akademisë së Shkencave i takon së pari që përkujtimin e Osman Myderrizit ta fokusojë tek diskutimi i kontributit të tij shkencor. Që do të thotë: të krijojë një mjedis debati dhe diskutimi për të testuar tezat e tij. Mirëpo një tubim i tillë shkencor kërkon përgjegjshmëri institucionale dhe seriozitet shkencor. Ai kërkon një platformë konceptuale në formën e një thirrjeje për diskutim për studiuesit. Sigurisht, e planifikuar kohë më parë. Duke qenë se Myderrizi është marrë me një periudhë të paragjykuar dhe që është nihilizuar në të gjitha dimensionet e saj përgjatë shekullit 20, një tubim i tillë kërkon dhe një mendim të specializuar që do të rrokte jo thjesht ato çka thënë Myderrizi, por një periudhë të tërë historike dhe një hapësirë që i tejkalon kufijtë e territoreve ku shtrihen shqiptarët.

Arsyeja e dytë pse e refuzova ftesën e Akademisë së Shkencave ka të bëjë me faktin që Akademia aktivitetin po e organizonte jo për studiuesin Osman Myderrizi, por për “veprimtarin” Osman Myderrizi; çka do të thotë se, Osman Myderrizi për Akademinë e Shkencave në radhë të parë është veprimtar, dhe jo studiues.

Për kontributet që Myderrizi ka dhënë në procesin e ndërtimit të shtetit kombëtar, në ngritjen e shkollës kombëtare dhe në lëmin e studimeve shqiptare, shteti shqiptar i ka shprehur mirënjohjen e tij duke i dhënë titujt dhe medaljet: Mësues i Popullit; Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës; po kështu Bashkia e Tiranës e ka shpallur Simbol të qytetit të Tiranës. Përveç kësaj emrin Osman Myderrizi e mban një shkollë 9-vjeçare dhe një rrugë në qytetin e tij të lindjes, Tiranë.

Akademisë së Shkencave më shumë se sa të diskutojë veprimtarinë e Myderrizit në shërbim të kombit, i takon të diskutojë kontributin e tij shkencor në lëmin e shkencave albanologjike.

Krijimtaria shkencore e Myderrizit shtrihet në fusha të tilla si gjuhësi, letërsi, histori dhe pedagogji. Megjithatë në qarqet shkencore brenda dhe jashtë vendit ai njihet si personaliteti që shpëtoi nga zhdukja dhe hodhi bazat e studimit të letërsisë shqipe të shekullit 18. Duke patur parasysh goditjen që pushteti komunist u dha në vitin 1967 institucioneve fetare dhe pasurisë kulturore të tyre, puna kërkimore në terren e Myderrizit mund të vlerësohet fare mirë edhe si shansi i fundit, por fatlum për mbijetesën e letërsisë shqipe të shek. 18; letërsi që gjatë periudhës komuniste u etiketua si “letërsi e bejtexhinjve,” konotacion negativ që kjo letërsi vazhdon ta mbajë mbi shpatulla edhe sot, ndonëse brenda saj gjendet poeti i parë profesionist shqiptar, Nezim Berati.

Akademia e Shkencave duke iu qasur Myderrizit si veprimtar dhe jo si studiues është në vazhdën e qëndrimit që Instituti i Gjuhësi dhe i Letërsisë, ka mbajtur në vitet ’50 dhe ’60 të shekullit të kaluar ndaj punës dhe personalitetit të tij. Veprimtaria e Myderrizit në gjysmën e parë të shek. 20 e bënte të papëlqyer për regjimin “e ri.” Ai u klasifikua si “i vjetër,” me fjalë të tjera për regjimin ai ishte personalitet që i përkiste periudhës së mëparshme. Ky etiketim përndoqi fatin dhe veprën e tij brenda hapësirës së Shqipërisë komuniste. Ndryshe ndodhi jashtë kufijve. Për shkak se jetonin në një realitet tjetër politik, studiuesit shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë, veprën e Myderrizit dhe disa prej tezave të tij i kanë bërë objekt studimesh dhe kritikash: Ibrahim Rugova, Hasan Kaleshi, Mahmut Hysa, etj. Po ashtu puna e Myderrizit ka qenë objekt diskutimi edhe në punimet e studiuesve të huaj si Gyula Nemeth, Armin Hetzer, etj.

Kështu, pas 1944, rezultatet kryesore të studimeve të tij arriti që t’i botojë pjesërisht në revistat shkencore të Instituteve vetëm falë përpjekjeve të sforcuara. Puna e madhe e Myderrizit me dokumentet e hershme të shqipes së shkruar, mbeti e pabotuar dhe aktualisht ndodhet në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, ndërsa korrespondeca me autoritet shkencore të Institutit të Gjuhësisë që kishin dhe atribute politike për kohën ndodhet në bibliotekën e tij private. Dy artikuj që nuk u lejuan të botoheshin në kohën kur janë shkruar (njëri për Mesharin e Gjon Buzukut  dhe tjetri për kryengritjen e Haxhi Qamilit) i kam botuar në vitet 2000 në revistën shkencore të Institutit të Historisë.

Në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë ndodhen të depozituara dhe transkriptimet që ai i ka bërë dorëshkrimeve të poetëve të shek. 18. Mbështetur në këto transkriptime kam ndërtuar tekstin e plotë të Divanit shqip të Nezim Beratit (Toena, 2009) dhe krijimtarinë e Hasan Zyko Kamberit (QSA, 2016). Myderrizi ndoqi rrugën e transkriptimit të 7 versioneve me të cilat kishte qarkulluar Divani shqip, ndërsa unë ndoqa rrugën e ndërtimit të tekstit duke i krahasuar të gjitha këto versione. Praktikë, kjo e realizuar për herë të parë në studimet shqiptare. Dhe vetëm falë metodës së kritikës tekstuale ne sot njohim strukturën e plotë dhe tekstin e Divanit shqip të Nezim Beratit. Në fakt mënyrën se si duhet realizuar botimi i letërsisë shqipe që ka qarkulluar me anë të dorëshkrimeve dhe gjithë problematikat e saj i kam trajtuar në dy hyrjet e gjata studimore që shoqërojnë veprat në fjalë. Mbeten ende pa parë dritën e botimit krijimtaria e poetëve Muhamet Çami, Dalip Frashëri dhe Shahin Frashëri, transkriptimet e të cilave të bëra nga Myderrizi ndodhen gjithashtu në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë.

Myderrizi ka transkriptuar edhe Pasqyrën e t’rrëfyemit të Pjetër Budit, dorëshkrimi i së cilës gjithashtu ndodhet në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë. Disa kolegë gjuhëtarë më janë shprehur se falë njohjes shumë të mirë që Myderrizi kishte për shqipen e Shqipërisë Qendrore, ky transkriptim dallohet nga të tjerat që gjenden gjithashtu të depozituara në këtë Arkiv.

Osman Myderrizi në jetë është dalluar për dy gjëra për të cilat kujtohet edhe sot: 1. Anti-konformizmin, dhe 2. Karakterin e fortë, i cili bënte të mundur që të shprehte tezat dhe qëndrimet e tij antikonformiste. Madje janë të njohura dhe vazhdojnë të tregohen edhe sot shpotitë dhe batutat e tij me drejtuesit komunistë të instituteteve. Ndërkohë që kanë qenë të paktë ata që punuan në Institutet e Akademisë së Shkencave gjatë periudhës komuniste që nuk e përkulën shtyllën kurrizore përballë linjave të forta ideologjike të kohës.

Ndaj nuk është rastësi që sot Myderrizin ose e ngrenë në qiell pa e njohur ose nuk e përmendin fare. Që ta njohësh dhe studiosh atë së pari duhet t’i njohësh veprën, kohën kur ai jetoi, dhe një njohje të mirë të periudhave dhe tematikave kulturore për të cilat ai shkroi./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH