Letërsi

“Një javë në Manastir”, Nano ka çelur galeri në një “minierë floriri”

Shkruar nga Liberale

Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj

Këto ditë, z. Mustafa Nano më dhuroi librin e tij më të ri “Një javë në Manastir” (nëntor 1908), roman, UETPRESS, Tiranë, shtator 2020, 335 faqe. E lexova dhe, sipas një ndjesie të hershme timen që respekti është pjesë e mirësjelljes dhe, madje, e mirënjohjes, u ula dhe i bëra, së pari, një kalim diagonal, meqë më tërhoqi tema e librit. Më pas, ndërpreva një punë timen dhe iu vura një leximi më të kujdesshëm. Teksa kaloja faqet e para të romanit, që i kushtohet një jave të paharrueshme e të rëndësishme për historinë e kulturës kombëtare shqiptare, siç është Kongresi për njësimin e alfabeteve të shqipes, më erdhën në mendje fjalët e shkrimtarit të shquar italian Andrea Kamileri, i cili,duke treguar për bazën e disa prej subjekteve të trajtuar në serinë e shkrimeve të tij me titullin “Komisari Montalbano”, thotë se ka pasur si bazë nisjeje disa vëllime me shkrime e dokumente gjyqësore të Italisë Jugore, të cilat ai i quan “një minierë floriri”.

Dhe, në fakt, edhe ngjarjet që lidhen me Manastirin dhe kongreset e mbajtura aty për alfabetin e shqipes, po edhe krejt veprimtaria e Shoqërisë “Bashkimi” të atjeshme, si dhe të shoqërive të tjera kulturore që synonin e dëshironin bashkimin shpirtëror e kulturor të shqiptarëve në fillim të shekullit 20-të, në prag të Kongresit të Alfabetit e mbas tij, besoj se duhen vlerësuar edhe për shkrimtarët shqiptarë si “minierë floriri”, prej nga mund të nxirret lëndë e vyer dhe shumë e rëndësishme jo vetëm për historinë e alfabetit të shqipes, po edhe më gjerë për atë qerthull problemesh që u shtroheshin për zgjidhje shqiptarëve në kohën e asaj agonie të “të sëmurit të Bosforit”; që përkonte edhe me atë agim, qoftë edhe të vonuar, të një shkëputjeje të plotë të trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane dhe shpalljen e sendërtimin e një shteti të pavarur shqiptar.

Ngjarjet e nëntorit 1908 dhe mbledhja e Kongresit të Manastirit, që zgjati nëntë ditë radhazi, duke zgjedhur e jetësuar edhe Komisionin për hartimin përfundimtar të alfabetit të shqipes, bëhej në Manastir vetëm katër vjet para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Me kënaqësi e quajta të përgëzueshme nismën e Mustafa Nanos për t’iu shtruar trajtimit të një romani që ka në bazë vendin (Manastirin) dhe kohën (nëntë ditë të nëntorit të vitit 1908). Asaj periudhe dhe Kongresit (më saktë kongreseve) të Manastirit, u janë kushtuar shumë faqe librash e kumtesash nga historianë e filologë. Po përmendim, veçmas librin “Udha e shkronjave” (Shkodër,1999) të prof. T. Osmanit dhe monografinë “Kongresi i Manastirit” (Tiranë, 2008) të akademikëve të shquar, gjuhëtarit Shaban Demiraj dhe historianit Kristaq Prifti. Janë bërë, gjithashtu, në rrjedhë të viteve e dhjetëvjeçarëve, edhe tubime e konferenca shkencore përkujtimore për Kongresin e Manastirit, ku janë mbajtur referate e kumtesa të shumta për anë të ndryshme të lidhura me historinë e alfabeteve të shqipes, si dhe me krejt atmosferën e ndezur të vitit 1908 që qe pikëzuar pikërisht në qytetin e Manastirit dhe ku, nga e gjithë Evropa dërgoheshin diplomatë e udhëtarë për të parë e ditur se çfarë po ndodhte në atë “Ters Dünya” siç e risjell M.Nano në faqet e këtij romani. Autori i qaset kësaj tematike duke e pasur Manastirin si vendin ku zhvillohen ngjarjet e një romani që përkojnë me ditët kur atje siç e përmend disa herë gati si për rrëshqit “po bëhej një kongres i shqiptarëve”. Romani më tërhoqi me tematikën, natyrisht edhe me atë intrigë (a sajim) vetjak, që në kohët e sotme po quhet “fiction”, por, natyrisht, më përthithi e më zgjoi kërshërinë ajo ngrehinë shprehëse e ideuar dhe e mbështetur në një gërshetim të larmishëm e të hijshëm ligjërimor, që nuk e ndeshim shpesh në shkrimtarinë e sotme.

Kam shkruar edhe unë disa herë artikuj e kumtesa për konferencat që i janë kushtuar Kongresit të Manastirit, porse qytetin e Manastirit e kam vizituar shumë vonë, në këto vitet e fundit, por më ka ardhur keq dhe nuk kam mënuar ta shpreh keqardhjen dhe shqetësimin tim të ligjshëm për shpërfilljen dhe trysninë kombëtarizuese, pak të themi shoviniste, që është ushtruar atje, duke e shpopulluar Manastirin e duke ia tjetërsuar edhe emrin në Bitola, të shkruar vetëm me cirilike. Tashti së mbrami, pas kërkesave të vazhdueshme të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, emrat e vendeve shqiptare janë shkruar në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip, me alfabetin e sotëm, Skopje, Tetovo, Bitola, porse qyteti e ka pasur dhe e ka emrin Manastir. Kohët e fundit, shqiptarët e atjeshëm janë duke ndërmarrë nisma e veprimtari të rëndësishme për mbajtjen gjallë dhe për mësimin e vlerësimin e gjuhës shqipe. E kanë mbërritur që tashmë edhe në treguesit rrugorë emrat e vendeve e qyteteve shqiptare të shkruhen edhe me alfabetin e shqipes së sotme. Por, mjerisht, emri i Manastirit ka mbetur Bitola. Ashtu si, krejt kundër realitetit gjuhësor përkatës, shkruhen edhe me alfabetin e shqipes Skopje, Tetovo, Ohrid, në vend të Tetovë, Shkup, Ohër. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ndonëse pakicë gjuhësore dhe etnike, po kërkojnë e po punojnë me ngulm për mbrojtjen e shqipes zyrtarisht e në të gjithë praktikën shkrimore e publikuese në hapësirat jetike të tyre, duke përfituar nga të drejtat që i kanë fituar me vështirësi e sakrifica të mëdha.

Më pëlqeu romani i M. Nanos, më pëlqeu jo vetëm për temën dhe ndërthurjen e ngjarjeve e për aftësinë e një parashtrimi të atillë që lexuesin e shpie me ëndje e kërshëri të plotë nga një pjesë tek tjetra, të titulluara “Treni mbërrin në “Ters Dünya”, “Jeta e Grigor Toskës”, “Në ditën e “Shën Fredit”, “Prej manastirit në Manastir”. Po, më pëlqeu dhe (prej profilit e profesionit tim si gjuhëtar) besoj se më takon të vlerësoj prurjet dhe mëtimet e autorit për ta shkruar romanin edhe duke gjakuar të rikthejë në letrat shqipe atë hulli e atë sqimë që kanë shfaqur në rrjedhë të moteve stilistët e shkrimtarët e mëdhenj pararendës si Faik Konica, Fan S.Noli, Anton Harapi, Mitrush Kuteli etj. që i qëndrojnë fjalës e frazës shqipe si bujku i mirë arës së mbjellë, si kopshtari i palodhshëm që nuk pushon së shtuari bimë e pemë të reja, po edhe që nuk resht së harruri e së lehtësuari hardhitë e të vreshtave nga gjethet e tepërta.

E quaj me rëndësi që gjuhëtarët t’i kundrojmë e t’i vlerësojmë prurjet, mbërritjet, qoftë edhe sprovat, e shkrimtarëve dhe gazetarëve, madje duhet ta quajmë si detyrë me rëndësi që, krahas studimeve mirëfilli gjuhësore e sociolinguistike, t’i kundrojmë e t’i ndjekim sa më mirë edhe ecuritë e kahet gjuhëruajtëse e gjuhëpasuruese të shkrimtarisë së sotme. Mustafa Nano është gazetar i njohur, i pret fjala si shpatë kur bën analiza e sidomos në monologët e tij te “Provokacija”, po është edhe shkrimtar e qëmtues i zellshëm i dukurive dhe vlerave të së shkuarës shqiptare, i etnografisë dhe i folklorit shqiptar, duke u shquar gjithnjë e më qartazi me synimet e tij të lakmueshme për të qenë edhe i veçantë. I veçantë me ato që sjell, po edhe me mënyrën se si i përbluan dhe i formëson krijimet e tij. Autorin e mundon, po edhe nuk i ndahet nga mendja, togfjalëshi “dyzimi i shqiptarëve” dhe, prej dialogut të Billit me Grigorin sjell në thonjëza këtë citim thumbues dhe gjurmëlënës: “Pjesa më e madhe e tyre janë si mes një sandviçi, me sentiment osman nga njëra anë, e me atë shqiptar nga ana tjetër.” Diku më mbrapa, gjithashtu,si tregues të atij dyzimi do të sjellë me elegancë nga dialogu i vizitorit të huaj disa nga gjerat më absurde, midis të cilave ishte edhe fakti se “shqiptarët që kishin prej kushedi se kur gjuhën e tyre të veçantë e nuk kishin ende një alfabet për ta shkruar, Nadiri që mbiemrin Surreli e kishte kthyer në Seral...” (f.79)

I shkrova vrikthi (po përdor një nga fjalët që i pëlqen atij dhe që e ka përdorur bukuraza në roman) që e mora librin, por m’u deshën disa ditë pune mbi të, për ta shijuar e vlerësuar ligjërimin dhe mishërimin artistik që ka ideuar e sendërtuar autori.

Së pari dhe kryekreje, më pëlqen të vë në dukje se M. Nano, jo vetëm me këtë roman, po edhe me libra të tjerë të tij, veçmas me “Unë jam gegë”, pastaj me monologët e tij të thekur te “Provokacija” ka dëshmuar se jo vetëm e do (më saktë ai e dashuron) gjuhën shqipe, por edhe është një mbrojtës i saj i përkushtuar, një kritik i ashpër (por i drejtë) për të gjitha shtrembërimet, keqpërdorimet e sidomos kundër asaj nëpërkëmbjeje të pafalshme që i bëhet shqipes në disa mjedise e raste të këngëve me tekste vulgare e me zhargone të papranueshme. Kam pëlqyer, dhe gjej rastin ta pohoj, sa të vyeshme kanë qenë, p.sh. kritikat e argumentuara të tij për fjalët e teksteve të disa këngëve të muzikës së lehtë, në të cilat ka jo vetëm varfëri e shterpësi stilistike, po edhe shfrime pronologjërimesh të papranueshme e të dëmshme për muzikën e kulturën shqiptare. Më mirë, po edhe me forcën e nevojshme, Nano ka shprehur papajtueshmërinë e tij me tekste këngësh që në emër të prurjeve nga dialekti, që nuk ka pse t’u pritet udha, kur janë të vlefshme e të bukura, sjellin byk e kashtë e llum e baltë, aq sa na e tëhuajësojnë edhe ëndjen për të dëgjuar muzikë.

Jam i bindur se me gjuhën e këtij romani, si me ligjërimin e vetë autorit kur përshkruan e rrëfen, ashtu edhe me individualizimin e të folurit të personazheve e deri në gjetjen e emrave të tyre, M. Nano ka dëshmuar se, me gjuhën e për gjuhën, ai mendon, kërkon e hulumton dhe, mbi të gjitha, mëton e lakmon të jetë i veçantë. Dhe, dua ta them me gëzim, atë vetjakësi të gjuhës e të stilit të tij, ky shkrimtar tashmë në pjekurinë dhe në vlagën e prodhimtarisë së vet, e ka mbështetur në dritaret që çel për prurjet e dritës e rrezatimeve të këndshme edhe nga gegërishtja, por natyrisht edhe duke iu përmbajtur një shtrati shumë të sigurt teorik e praktik. Lakmon të bukurën, ndjek parimin e drejtë që të mirën e të bukurën duhet ta marrim kudo që ta gjejmë, porse duke pasur zotësinë e përfshirjes së tyre në mënyrë të natyrshme e pa përdhunime, kurdoherë në emëruesin e përbashkët të një akribie që u duhet edhe botimeve bashkëkohore. Më pëlqen se romani që kemi në dorë ka leksematikë të pasur, ka prurje nga letërsia shqiptare pararendëse, ka edhe fjalë e frazeologjizma të gegërishtes, por të zgjedhura me kujdes e me masë dhe gjithmonë në hullinë e një ligjërimi që synon të jetë pasurues, kjo po se po, por edhe përtëritës e i njomë. Mbi të gjitha i përshtatshëm për tematikën e romanit,po edhe në përputhje me kahet e sotme të ecurisë e të përparimit leksikor e frazeologjik të shqipes së sotme. Autori synon dhe ia mbërrin mjaft mirë të ketë edhe një stil të shkruari vetjak, që urojmë ta ketë edhe më tej si synim e si cilësi të shkrimtarisë së tij.

Në qerthullin e hapët, jo vetëm mjedisor e gjeografik të kohës (në vitin tashmë boll të largët 1908) po edhe të shestimeve e betejave politike, arsimore e kulturore të shqiptarëve të asaj kohe, bashkë me trysninë e një administrate sunduese e të një pushtuesi që po shkonte drejt fundit të vet, por që thonjtë e zinxhirët i kishte ende të ngjitur pas trojeve shqiptare, M. Nano u jep vendin e vet edhe rrjedhave e vrujimeve të tjera tematike, duke i gërshetuar bukuraza me mendimet e hamendësimet e të huajve për Shqipërinë e shqiptarët. Mjaft prej tyre, për fatin e keq tonin, vijojnë të na mbeten si ferra nëpër këmbë edhe në përjetimet e shumëçkaje që na pengon për të ecur përpara, që na këndohet si “refren” nga të huajt, nga diplomatë e vizitorë, pavarësisht se si janë të “kampëzuar” si dashamirë apo si dashakëqij e cinikë. Të huajt që përmenden në romanin e M. Nanos janë miq e kureshtarë për ta njohur Shqipërinë e kohës, ka ndër ta figura të spikatura për vlerësimet miqësore e dashamirësinë ndaj shqiptarëve si Edith Durham-i, apo si piktori Eduard Lear, por në roman me të drejtë përshkruhen edhe sytë kureshtarë e veshët gjithnjë të hapur të konsujve të huaj që ishin ato ditë në Manastir. Nëpërmjet interesimit dhe përshtypjeve të tyre, autori prek edhe shumëçka tjetër që lidhet me historinë, me traditat dhe doket e veshjet e shqiptarëve, përmend lahutën dhe sa është shkruar e thënë për të në krahasim me guslën e fqinjëve sllavë; flet për fustanellën e veshjet e tjera të burrave e të grave të Veriut e të Jugut, duke mos mënuar edhe të zhbirojë deri në “këngët politike” të shqiptarëve. Njërit nga personazhet e romanit (Bato Kosinës) ato ditë të Kongresit në Manastir i kanë thurur edhe një këngë dhe atij i vjen mirë për këtë. Ky është teksti. Por nënteksti është më i fortë, më therës. Në traditën shqiptare, së paku në Shqipërinë e Veriut, ku ajo lloj kënge ka pasur shfrime të shumta për heronjtë më të dalluar, ka qenë edhe kodi etik që thotë se “kangën e vet nuk duhet me e këndue”.

Romani, pra, është ndër të tjera, edhe një hapësirë e gjerë dhe e përshtatshme që autori,duke marrë shkas nga ai “kongres gjuhësor i shqiptarëve” të vitit 1908, prek edhe probleme të tjera, interesante dhe që meritojnë të kundrohen, si probleme të teorisë së gjuhës dhe të filozofisë së gjuhës, shtjellon e cilëson me të drejtë rolin ruajtës e mbrojtës të gjuhës e të folklorit shqiptar nga klerikët katolikë, që nga Gjon Buzuku e deri te Gjergj Fishta e Ndre Mjeda, që ishin dy nga anëtarët më aktivë të Kongresit të Manastirit dhe Fishta, madje, u zgjodh aty kryetar i Komisionit të Alfabetit të njësuar. Me siguri autori ka pasur si mbështetje edhe dokumentacioni historik të kohës, ku përmendet, ndër të tjera, fjalimi i pakundshoq i Gjergj Fishtës në Kongresin e Manastirit. “Unë - tha ai, nuk kam ardhur të mbroj ndonjërin nga këto alfabete, por kam ardhur të bashkohem me ju e të mbështes atë alfabet, të cilin do ta vendosë Kongresi si më të dobishëm për ngritjen e popullit.” (Sh. Demiraj - K. Prifti, Kongresi i Manastirit, 2008, f.93)

Edhe në këtë roman, si dhe në shkrime të tjera të tij, M. Nano lëshohet me dëshirë në gjetjen e fjalëve e shprehjeve të përshtatshme e të pëlqyeshme edhe nga gegërishtja e shkruar, si dhe nga të folmet e gjalla të sotme në krejt hapësirat shqiptare, duke bërë me to,sipas rastit, edhe ngjyrimin përkatës, po edhe individualizimin e tipizimin e personazheve, si p.sh. të sharjes tipike korçare “t’ëmën e s’ëmës”, që bëhet në një farë mënyrë si emri i dytë i njërit nga personazhet. Por, ma ka ënda (Mustafait do t’i pëlqente të thosha “më kandet) të theksoj se me atë zell që e kërkon fjalën shqipe edhe në mjediset gege e nga gegërishtja e shkruar apo siç flitet sot, Mustafa Nano ndjek udhën e Ismail Kadaresë, që nuk i rrudh buzët për asnjë prurje të vlefshme, pavarësisht se nga cila krahinë apo nga cila e folme mund të vijë. “Peshorja” mbetet gjithmonë vlera leksikore pasuruese, kumtuese apo stilistike dhe përfshirja në mënyrë të natyrshme në ligjërimin e veprës. Po përmendim disa nga fjalët e tilla, si: vrikthi, parake, përbythur, i kandet e kandja, rrumaduc, tjetërqysh, shkulm, flligështi, sidozot, prore, shemër, kotnim, lojcake, dalldi, terr, i shkalafitur, tutë etj.

Romani “Një javë në Manastir” nuk është roman historik, por ai i vendos ngjarjet në një mjedis gjeografik e historik të njohur (në qytetin e Manastirit) dhe në një kohë a epokë të caktuar historike (nëntor 1908) dhe, ndonëse me emra letrarë e jo realë, aludon kuptueshëm edhe në disa prej personazheve të rëndësishëm të asaj kohe, si p.sh. Adam Kosturi, prapa të cilit nënkuptohet Faik Bej Konica, i cili nuk pranoi të merrte pjesë në Kongres, apo Bato Kosina (për Mehdi Frashërin, që ishte kryetar i Kongresit). Po ashtu, për problemet e mirëfillta të alfabetit në roman është pjesa e tretë me titullin “ E shtunë, dita e parë e vjeshtës së tretë,1908”, e cila është shkruar enkas në njërin prej varianteve shemra të alfabetit të sotëm dhe, për mendimin tim, i bën një shërbim të madh të kuptuarit të qartë nga lexuesit se sa i vështirë do të ishte zbatimi i një alfabeti të tillë për botime librash etj. Por, përtej kësaj, në frymën e njësimit e të bashkimit kombëtar shqiptar, alfabeti mbasi të miratohet e të fillojë zbatimi i tij në shkollë e në botimet zyrtare e gjithandej, është e pamundshme, po edhe e dëmshme të pretendohet që të bëhen “përmirësime” apo ndryshime.

Besoj se romani “Një javë në Manastir” do të pëlqehet nga lexuesit, sidomos nga ai log bukur i gjerë i atyre që kanë arsim të lartë filologjik dhe historik, si dhe nga kritika letrare e nga historianët e letërsisë shqiptare të sotme.

Me dashamirësi, unë do t’i uroja autorit, së pari, të mos i ndahet “minierës së floririt” ku ai sapo ka çelur galerinë e parë; së dyti, që mbasi të bëjë udhëtimin tij në duart e lexuesve, në rast të ribotimit të këtij romani, do t’i këshilloja dashamirësisht të “krasitë” disa nga fjalët e shprehjet e pjesës që citova, në faqet 158-159 dhe, ndoshta, nëse do ta shohë të udhës, të shtohet edhe ndonjë përqasje e sidomos ndonjë referim në librat dhe dokumentacionin për Kongresin e Manastirit.

Tiranë, 8 tetor 2020 /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH