Aktualitet

Natasha Lako për fituesen e Çmimit Kadare 2023: Një dritare e re e romanit shqiptar

Shkruar nga Liberale
Natasha Lako për fituesen e Çmimit Kadare 2023: Një dritare e

Mund të thuhet pa ndonjë kujdes të madh se ky roman përmbledh shfaqjen e të gjitha impulseve që kanë lidhje me dashurinë, që nga vrulli deri te lakmia, prehja dhe dëshira e papërmbajtshme që çlirojnë dy zemra të mbajtura fort te njëra-tjetra, pa e kuptuar deri në fund

Një rrugë e gjatë e zhvillimit njerëzor shpesh na ka mësuar të ndajmë trupin dhe shpirtin, sikur të gjendemi gjithnjë para vdekjes, gjë që poezia nuk e beson, përderisa është shprehje e jetës.

Në botën e dashurisë, po aq shpesh, trupi është i ndarë prej mendjes, kjo e fundit, si një gjymtyrë e flakur jashtë, gjë që është edhe më e pabesueshme.

Vetë titulli “Duhet të jetë dashuri” i romanit të shkrimtares Nurie Emrullai që sapo ka provuar prozën, duke fituar njëherazi edhe çmimin “Kadare” të vitit 2023, tregon se është përfshirë nëpër hullitë e fjalës dashuri, e cila përmban dimensione të mëdha.

Por mbi të gjitha, si vepër e parë në prozë, duke konkurruar edhe me emra të tjerë të rëndësishëm të botës letrare, ky çmim tregon edhe suksesin e parë por jo të befasishëm të kësaj autoreje.

Dhe ky sukses duket se është para përgatitur nga një pritje e ngrohtë që i ka bërë lexuesi tre vëllimeve të saj poetike,

Janë të shumtë në botën e letrave, siç tregon gjithë letërsia botërore, por edhe ajo shqiptare, që hyjnë në prozë nga bota poetike, e cila sjell një përqendrim artistik që gjithnjë jep një zë origjinal të veçantë në këndvështrimin ndaj botës. Ashtu siç janë, po të shumtë,  ata prozatorë që marrin rrugën e lumenjve narrativë, herë të qetë herë të duruar e që shtyjnë përpara ngjarjet dhe fatet njerëzore, me një realizëm të thellë për t’i derdhur nëpër detet e dertet njerëzorë.

Duket sikur të tre vëllimet poetike kanë lënë të hapur vendin e asaj dritareje,  që do ta shohë botën nëpërmjet një historie dashurie që ndodh në një qytezë të vogël, ku duket sikur nuk ndodh asgjë tjetër.

Një jetë e flashkët gjendet para jetës së një vajze të re, të gjallëruar befas nga dashuria. Dhe takimi i saj me trupin e një njeriu tjetër është nga më të çuditshmit, si vetë misteri i njeriut kur takohet për herë të parë.

Dhe kjo dashuri ka edhe një takim të fundit, pasi vajzës, në vetminë e saj, i mbeten vetëm pikturat e njeriut me të cilin ka krijuar lidhjen e një dashurie që zbulohet në fund edhe më me forcë.

Do të ishte pak sikur autorja të na tregonte një histori të rëndomtë dashurie,  ku vihen në provë ndjenja të përbashkëta.

Në të kundërt, romani ndërtohet me një erotizëm të thellë, pa shpjegime të mëdha, që ka lidhje me trupin, përmbledhur këtu edhe mendimin njerëzor i cili shfaqet mjaft pasiv në ndërtimin e kësaj dashurie.

Mund të thuhet pa ndonjë kujdes të madh se ky roman përmbledh shfaqjen e të gjitha impulseve që kanë lidhje me dashurinë, që nga vrulli deri te lakmia, prehja dhe dëshira e papërmbajtshme që çlirojnë dy zemra të mbajtura fort te njëra-tjetra, pa e kuptuar deri në fund.

Viti 2023 është gati një shekull larg me romanet që trokasin për herë të parë në letërsinë shqipe, si romani “Sikur të isha djalë” i Haki Stërmillit i vitit 1936; autor i trevave shumë të afërta me ato të Nurie Emrullait, të Maqedonisë së Veriut të ditëve tona.

Izolim nuk mund të ketë më, ose ai mund të jetë i papërfillshëm, atje ku të trajtojnë edhe si të papërfillshëm, edhe brenda një familje, të ngarkuar me diçka jashtë botës së një vajze te re, së cilës i nevojitet dashuria. E gjen atë pa u menduar shumë, pothuajse si në aventurë, ku hidhet shpirt e trup, sipas një tërheqjeje të befasishme. Kuriozitet apo etje për një trup, mirëkuptim apo dëshirë për të zotëruar diçka që mund ta marrë një tjetër: as ankth, as frikë, por rënien në trupin e një burri. Dhe të gjitha këto për të thënë, si asnjëherë tjetër, diçka të re në romanin shqiptar, si një dritare e re që hapet në botën e ndjenjave njerëzore ku nuk ka vend për dyshime të mëdha. Mund të quhet edhe histori e çlirimit të trupit, si një copë dashurie e kulluar e gjithë jetës. Nuk është thjesht një ndryshim i një jete monotone, por një gjendje e re që përmbledh edhe dëshpërimin. Por nuk bëhet shpëtim për njeriun tjetër, të gjendur nën trysni të padukshme prej të cilave lind edhe piktura e tij. Lexuesi nuk mund ta marrë me mend se ku është më i madh talenti i tij, në dashuri apo në pikturë, por heroina i ka fituar të dyja njësoj, pavarësisht humbjes së madhe.

Dashuria jetohet intensivisht, sikur ta ndiejë që gjithçka do të ndodhë ose sikur të ndiejë lamtumirën. Sepse kriza jeton, si duket, në përfundim të kësaj dashurie, kur si në hije shfaqet edhe ndonjë personazh tjetër, i mjaftuar pranë një goje ose një në zbavitje të përkohshme nëpër qytet, ku asgjë nuk ndodh përveç puthjeve të zjarrta.

Botë e mbyllur kjo që nuk i shërben çlirimit shpirtëror, por sigurimit të jetës.

Ëndërr që flashket papritur, por që zbulon se gjithçka ka qenë dashuri.

Mjafton të shfletosh ndonjë fjalor, që të gjesh se si Platoni e konsideron dashurinë një impuls themelor të krijuar nga ndjeshmëritë njerëzore të shkallës më të lartë, si një koncentrim kulminant i jetës, që ruan të shprehura si impulse ato instinkte që i shërbejnë nevojave më bazike dhe, për fat të madh krijojnë impulse të sublimuara që mbrojnë dhe dëshmojnë trupin dhe mendjen.

Ky lloj citimi kaq mijëravjeçar dhe rezistent, nuk i shërbeu as Laurencit për të mbrojtur romanin e tij “Dashnori i Ledi Çaterlej” të ndaluar nga censura për një kohë të gjatë, që shërbeu me kaq përkushtim për të thyer normat konvencionale të ngurta ku femra nuk kishte të drejta as mbi trupin e saj. Madje nuk mbrojti as romanin “Uliksi” të Xhejms Xhojsit të botuar për herë të parë në vitin 1912 dhe të bllokuar deri në vitin 1936, deri sa u gjend një prokuror që kuptoi se i kishte rënë fati të mbante në duar një kryevepër.

Dhe duhet të vinin njëri pas tjetrit tre libra poetikë të Nurie Emrullait, që botës poetike i dhanë një peshë të madhe të realiteteve shoqërore, pa të cilat nuk do të hapej edhe kjo dritare e re e romanit shqiptar. Dhe pas vëllimeve të shumë mirëpritura “Për gjysmën tjetër të hënës”, “Vargmale nën dhe” dhe “Në orën moderne të perëndive” vjen ‘proza “Duhet të jetë dashuria”, ku nuk ka pritje, as djall, por një botë të qashtër, të hapur për të gjithë.

I qoftë udha e mbarë Nurie Emrullait, këtij talenti të poezisë shqipe që nuk njeh gjini, që po zgjeron hapësirat edhe në jetën më personale e më të fshehtë të njeriut, sidomos të vajzës shqiptare, nëpërmjet prozës së gjatë.

Lexuesit i mbetet të shfletojë librin dhe të gjejë se për cilët personazhe kaq eterike në dashuri por aq realë në rrjedhën romaneske të një libri, bëhet fjalë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH