Aktualitet

Çfarë nënkupton Moderniteti; mundësitë dhe risqet

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPress – 15 vjet

Titulli: Pasojat e Modernitetit

Autory: Anthony Giddens

Fatos Tarifa

Nuk është e zakonshme në kohën tonë që një mendimtar të arrijë një famë të tillë ndërkombëtare dhe të ketë një ndikim të tillë në mendimin shoqëror, saqë vepra e tij të citohet më shpesh edhe se veprat e klasikëve në këtë fushë. Anthony Giddens është, pa dyshim, një i tillë.

Qysh në fillimet e krijimtarisë së tij, Giddens kuptoi nevojën e rivlerësimit të traditës klasike dhe të riformulimit të një teorie sociologjike moderne, në të cilën të integroheshin dhe të sintetizoheshin më mirë roli i objektit dhe i subjektit, i aktorit social dhe i strukturës sociale, i individit dhe i shoqërisë, i analizave mikro- dhe makro-sociologjike. Në linjë me sociologë dhe mendimtarë të tjerë socialë të shquar si, Jürgen Habermas dhe Pierre Bourdieu, por në një mënyrë edhe më të spikatur se ata, Giddens u përpoq ta tejkalojë këtë dualizëm, duke formuluar, në mesin e viteve 1980, një teori sociologjike origjinale, teorinë e strukturimit (Structuration Theory). Edhe pse teoria e tij nuk është e vetmja që synon të bëjë një sintezë teorike të këtyre përmasave, ajo është, sidoqoftë, unike dhe holistike në përmbajtjen dhe në shtrirjen e saj. Askush deri më sot nuk ka mundur të kombinojë elementet më të rëndësishme të teorive që formuluan Marx, Weber, Durkheim, Mead, Goffman, Parsons, Merton, Freud, Foucault etj., në një perspektivë teorike kaq koherente si Anthony Giddens.

Duke qenë një ndër njohësit dhe komentatorët më seriozë të klasikëve të mendimit sociologjik, vetë Giddens është bërë një ndër teoricienët socialë më të njohur, më të komentuar dhe më i cituari ndër të gjithë mendimtarët e tjerë bashkëkohorë në shkencat sociale dhe në disiplinat humane. Shumë nga librat e tij janë bërë best-sellers akademikë. Giddens është sot në qendër të debatit që zhvillohet në mendimin shoqëror në shkallë ndërkombëtare. Idetë e tij, të shtjelluara në 35 libra (të përkthyer të paktën në 40 gjuhë), si edhe në më shumë se 200 artikuj, janë bërë subjekt vlerësimesh dhe interpretimesh të shumta; për të janë shkruar dhjetëra monografi dhe mijëra artikuj.

Veçanërisht në këta dy-tre dhjetvjeçarët e fundit, mendimi i Giddens-it ka dominuar shkencën sociale. Një figurë e një rëndësie të jashtëzakonshme, i konsideruar gjerësisht si një klasik i ri, Giddens është bërë thuajse një ikonë për shumë sociologë në mbarë botën, të cilët e çmojnë atë, veç të tjerash, për kritikën ndaj pozitivizmit në shkencat sociale dhe ndaj postmodernizmit, për rëndësinë që ai i kushton agjencisë sociale dhe për besimin e tij në të ardhmen. Sepse, në dallim nga “pesimistët e mëdhenj” të sociologjisë—Max Weber (me idenë e tij të “kafazit të hekurt” [iron cage] të burokracisë që e ndrydh individin në një sistem të bazuar thjesht në eficiencën teleologjike, në kalkulimin racional dhe në kontrollin) dhe Thorstein Veblen—Anthony Giddens ka qenë dhe mbetet një ndër mendimtarët socialë më optimistë. Vepra e tij konsiderohet si një rinovim i teorisë sociale; ajo përmban analiza teorike origjinale e të thella të proceseve të zhvillimit të sotëm global dhe ka një ndikim shumë të madh në mendimin shoqëror bashkëkohor.

Lexuesit shqiptarë, veçanërisht studentët dhe studiuesit e shkencave sociale, janë njohur deri më sot vetëm me njërin prej librave të Giddens-it, të përkthyer dhe të botuar në shqip—tekstin e tij Sociologjia. I ribotuar 8 herë dhe i shtypur në mbi 1 milion kopje, ky libër mbetet teksti më i lexuar i sociologjisë në të gjithë hemisferën Perëndimore. Lexuesit shqiptarë marrin këtë herë në dorë, të përkthyer në shqip dhe të botuar nga UET Press, një tjetër libër—ndër më të njohurit dhe më të cituarit—të Anthony Giddens-it: Pasojat e modernitetit (The Consequences of Modernity).

Me Pasojat e modernitetit, si edhe me dy libra të tjerë që u botuan, po nga Stanford University Press, fill pas këtij vëllimi—Moderniteti dhe identiteti personal: Uni dhe shoqëria në periudhën e vonë të modernitetit, botuar në vitin 1991, dhe Transformimi i intimitetit: Seksualiteti, dashuria dhe erotizmi në shoqëritë moderne , botuar në vitin 1992, Giddens u angazhua në debatin e gjerë teorik mbi natyrën e modernitetit, duke marrë mbi vete detyrën e vështirë që të korrigjojë (ose të plotësojë) pikëpamjet e gabuara (ose të njëanshme) në veprat e sociologëve klasikë dhe bashkëkohorë që kanë shkruar për modernitetin.

Moderniteti i vonë, sipas Giddens-it, nuk i ngjan më periudhës së Iluminizmit; ai është bërë “shumëdimensional në nivel institucional”. Edhe pse çdonjëri prej elementeve të specifikuara nga traditat sociologjike të mëparshme luan një rol në shpjegimin e modernitetit, kjo nuk mjafton për të kuptuar karakterin tepër kompleks të shoqërisë së sotme.

“Moderniteti” është një fjalë të cilën ne e përdorim shumë shpesh në të folurën e përditshme, por pothuajse pa menduar kurrë për përmbajtjen e saj. Është një fjalë e thjeshtë, por që nënkupton ndryshime të mëdha dhe tepër komplekse në jetën e shoqërisë njerëzore, të cilat vepra e Giddens-it Pasojat e modernitetit, ndihmon të sqarohen dhe të kuptohen mjaft mirë. Në pak radhë, pikëpamjet që shtjellon Giddens në këtë vepër mund të formulohen në këto pyetje dhe në përgjigjet e tyre respektive: Cila është origjina e modernitetit? Cila është natyra e modernitetit? Cilat janë pasojat e modernitetit? A është tejkaluar shoqëria moderne dhe a është zëvendësuar ajo nga një shoqëri postmoderne?

Giddens e konsideron modernitetin si një mënyrë jotradicionale jetese dhe organizimi shoqëror që u krijua në Europë duke filluar nga shekulli i 17-të e këtej dhe që gradualisht u përhap pothuajse në të gjithë botën. Më konkretisht, ai e lidh origjinën e modernitetit me Iluminzmin Europian. Ajo që e karakterizoi periudhën e Iluminizmit ishte largimi nga besimi te Zoti dhe rritja e besimit tek Arsyeja. Në një kuptim më të përgjithshëm, moderniteti shënon ndërprerjen e rendit tradicional dhe shkëputjen nga tradita—nga mënyrat tradicionale të të menduarit, të sjelljes dhe të organizimit institucional të shoqërisë, të cilat mbështeteshin në marrëdhëniet farefisnore, në ontologjinë fetare dhe në praktikat tradicionale që ishin në mënyrë inherente konservatore.

Sipas Giddens-it, dukuria e parë—dhe karakteristika më esenciale—e modernitetit, që përbën parakushtin themelor për ekzistencën e çdo institucioni shoqëror modern, është ndarja e kohës dhe e hapësirës. Në shoqëritë para-moderne (ato që Ferdinand Tönnies i quante Gemeinschaft), marrëdhëniet sociale ishin thuajse tërësisht të lokalizuara në komunitetin dhe në mjedisin e ngushtë në të cilin jetonte çdo individ. Moderniteti bëri që këto marrëdhënie të mos ishin më të kufizuara vetëm në “kontekstin lokal”, por të krijoheshin e të organizoheshin në shumë mjedise të reja, “të vogla dhe informale” (Durkheim). Me fjalë të tjera, me fillimin e periudhës moderne vendndodhja e individëve dhe koha e ndërveprimit mes tyre nisën të bëhen “të pakufizuara”. Ndonëse është e vështirë të thuash me saktësi se kur ka filluar ky proces, Giddens përmend si shembuj faktorë të tillë që ndikuan në këtë proces dhe e përshpejtuan atë, si standardizimi i kohës dhe zhvillimi i shërbimit postar.

Të lidhur ngushtë me ndarjen kohë-hapësirë—dhe si një karakteristikë tjetër esenciale të modernitetit—Giddens sheh shpërbërjen e sistemeve shoqërore, me çka ai kupton “shkëputjen e marrëdhënieve sociale nga kontekstet lokale të ndërveprimit” dhe ristrukturimin e tyre përgjatë intervaleve të papërcaktuara kohore-hapësinore në formën e një shoqërie post-tradicionale (Gesellschaft, sipas Tönnies). Mekanizmat përmes të cilëve u bë i mundur krijimi i institucioneve shoqërore moderne kanë qenë të shumtë, por Giddens veçon dy prej tyre: objektet simbolike dhe sistemet e ekspertëve. Të parat, sipas tij, janë “mjete shkëmbimi që mund të qarkullojnë pavarësisht karakteristikave specifike të individëve ose të grupeve që i shkëmbejnë ato” si, për shembull, paraja. Nisur nga parashtrimi që George Simmel, në veprën e tij Filozofia e parasë, i bën lidhjes së ngushtë mes parasë dhe modernitetit—dhe duke kritikuar trajtimin e së njëjtjes çështje nga Talcott Parsons dhe Niklas Luhmann—Giddens argumenton se paraja është një “mënyrë referimi”, një “mjet për distancimin kohë-hapësirë” që u lejon njerëzve të kryejnë transaksione edhe kur ata janë të ndarë nga njëri-tjetri në kohë dhe në hapësirë”. Grupet e ekspertëve, nga ana tjetër, janë “sisteme arritjesh teknike ose ekspertize profesionale, përmes të cilave organizohen sfera të gjera të mjediseve materiale dhe sociale në të cilat ne jetojmë sot”.  Për shkak të objekteve simbolike dhe të sistemeve të ekspertëve, sipas Giddens-it, ne shohim një kalim nga format tradicionale të besimit (trust), në format moderne të besimit.

Një lexim i vëmendshëm i kësaj vepre të Giddens-it të lë të kuptosh se teoria e tij e strukturimit, në thelb të së cilës qendron dualiteti i strukturës, shërben si një bazë teorike për të shpjeguar natyrën e dyfishtë të modernitetit, të cilin Giddens e trajton si një dukuri ambivalente, që implikon, nga njëra anë, besim dhe mundësi dhe, nga ana tjetër, risqe. Kjo ambivalencë, sipas tij, buron nga vetë natyra dinamike e modernitetit dhe, pikërisht këtu, shohim një referencë në drejtpërdrejtë në teorinë e tij të strukturimit—“ndarjen e kohës e të hapësirës dhe rikombinimin e tyre...; shpërbërjen e sistemeve shoqërore përmes shkëputjes së marrëdhënieve sociale nga kontekstet e tyre lokale...; si edhe organizimin dhe riorganizimin refleksiv të marrëdhënieve sociale”. Në dallim nga Ernest Gellner, tek i cili moderniteti shfaqet në një formë statike, për Giddens-in, karakteristika më esenciale e modernitetit është ndryshimi dinamik.

“Nëse sfera e arsyes është tërësisht e lirë”, shkruan Giddens, “asnjë njohje nuk mund të mbështetet në një bazë të padiskutueshme, pasi edhe konceptet më të qëndrueshme mund të shihen si të vlefshme vetëm ‘në parim’ apo ‘deri në një njoftim të ri’. Përndryshe, ato do të shndërroheshin përsëri në dogma dhe do të shkëputeshin nga vetë sfera e arsyes, e cila përcakton, parasëgjithash, se çfarë kuptojmë me vlefshmëri”.

Një tjetër pasojë e modernitetit, është pikërisht ajo që rezulton nga ndarja kohë-hapësirë dhe nga shpërbërja e sistemeve, pasi këto krijojnë një mënyrë të tillë organizimi shoqëror, në të cilin individi është përgjithësisht i paaftë të kontrollojë kushtet e mënyrës së tij të jetesës. Për këtë arsye, në mënyrë që shoqëria moderne të funksionojë, ajo ka nevojë—dhe kusht të domosdoshëm—që të krijojë në një masë të konsiderueshme besimin në aftësinë e saj për të funksionuar. Kur funksionon, për shkak të ndarjes kohë-hapësirë dhe të veçimit të marrëdhënieve sociale nga kontekstet lokale të ndërveprimit, shoqëria moderne është më fleksible dhe më dinamike sesa çdo mënyrë tjetër organizimi shoqëror e njohur deri më sot. Ndryshimi bëhet karakteristika e saj qendrore, ndërsa adaptimi ndaj ndryshimeve është avantazhi i saj më i madh.

Një pasojë tjetër shumë e rëndësishme e modernitetit është fakti se, për shkak të ndarjes kohë-hapësirë dhe të shkëputjes së marrëdhënieve sociale nga kontekstet lokale të ndërveprimit, shoqëria moderne globalizohet dhe vetë moderniteti bëhet në mënyrë inherente globalizues. Sipas Giddens-it, në kohën e sotme, edhe pse çdonjëri prej nesh bën një “jetë lokale”, “botët fenomenale”—në kuptimin kantian të fjalës, si realitet i perceptuar dhe i kuptuar prej nesh (vis-à-vis “botës noumenale”, realitetit ashtu siç është, ose botës së “sendeve në vetvete”)—janë, në pjesën më të madhe, realisht globale.

Ky modernitet global karakterizohet nga katër dimensione institucionale: (1) industrializmi (transformimi i natyrës—zhvillimi i “mjedisit të krijuar”); (2) kapitalizmi (akumulimi i kapitalit në kontekstin punës konkurruese dhe të tregjeve konkurruese të mallrave); (3) survejimi (kontrolli i informacionit dhe kontrolli shoqëror) dhe (4) pushteti ushtarak (kontrolli mbi mjetet e dhunës në kontekstin e industrializimit të luftës). Globalizimi i mëtejshëm i modernitetit (ose i shoqërisë moderne), të cilin Giddens e kupton si zgjerim të mëtejshëm të modernitetit, i ka transformuar dimensionet e sipërpërmendura në ndarjen ndërkombëtare të punës, në ekonominë kapitaliste botërore, në sistemin e shtetit kombëtar dhe në rendin ushtarake botëror.

Giddens argumenton se ky stad i zhvillimit të shoqërisë është pasojë logjike e vetë natyrës së modernitetit. Sipas tij, zhgënjimet nga racionaliteti, nga shkenca dhe nga shumica e atyre gjërave që shumë filozofë dhe sociologë sot i përshkruajnë me termin “postmodern” janë, në fakt, pasoja të paevitueshme të iluzioneve fillestare mbi të cilat moderniteti u krijua. Prandaj, në vend që të themi se sot jetojmë përtej modernitetit, në një periudhë postmoderne, epoka në të cilën jetojmë është, në thelb, tërësisht dhe më intensivisht moderne.

Në vend që moderniteti të jetë tejkaluar, projekti modern duket se po i afrohet fundit të tij logjik. Giddens, sidoqoftë, nuk është pesimist kur bën fjalë për atë se çfarë pritet të vijë më pas, në periudhën e vërtetë postmoderne. Edhe pse ne, për shkak të marrëdhënieve të pabarabarta me pushtetin dhe për shkak të dallimeve në vlera dhe në interesa, nuk do të mundemi dot kurrë të parashikojmë dhe të kontrollojmë siç duhet pasojat e padëshiruara të zhvillimit shoqëror, ne përsëri duhet të përpiqemi t’u bëjmë ballë forcave sociale shkatërruese përmes modelesh pozitive të mbështetura në realitet dhe të orientuara drejt së ardhmes, në formën e një realizmi utopik, i cili nuk ngjason me sociologjizmin marksist të modelimit të një “shoqërie të mirë” që mund të arrihet në rrugë revolucionare, por ka të bëjë me një politikë—e formuluar më vonë nga Giddens si “Rruga e Tretë” (Third Way) dhe e kuptuar si një socializëm etik i mundshëm, pa elementet e padrejta të kapitalizmit—që synon dhe mundëson emancipimin dhe respektimin e interesave, të identitetit dhe të dinjitetit të çdo individi.

Giddens argumenton, gjithashtu, se “ajo çfarë e karakterizon modernitetin nuk është thjesht përqafimi i së resë si qëllim në vetvete, por supozimi i një refleksiviteti të plotë—i cili përfshin, natyrisht, edhe reflektimin mbi vetë natyrën e reflektimit”. Prej këtej rrjedh se moderniteti është një parakusht i domosdoshëm për shkencat sociale. Për Giddens-in, objektivi i shkencave sociale është që të ofrojnë perceptime dhe ide kritike dhe jo fakte, të prodhojnë dije dhe jo siguri. Përderisa si objekti i studimit të këtyre shkencave, ashtu edhe bazat teorike të tyre janë në një ndryshim të vazhdueshëm, çdo gjë tjetër do të ishte e pamundur.

Ka kaluar afro njëçerek shekulli nga botimi i veprës së Giddens-it, Pasojat e modernitetit dhe ajo vazhdon të mbetet një vepër teorike shumë e rëndësishme, e cila ofron një perspektivë të re dhe provokative për interpretimin e transformimeve institucionale të lidhura me ndryshimet e shumta që ne i konsiderojmë modernitet. Si e tillë, kjo vepër shërben si një pikë referimi e dobishme—dhe e domosdoshme—për çdo student të shkencave sociale dhe për të gjithë ata studiues që janë të interesuar për studimin e problemeve të mëdha globale të kohës sonë.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se, shumica e njerëzve që studiojnë sociologji kanë ndierë ndryshimin që sjell formimi në këtë disiplinë. Arsyeja është se sociologjia ofron një perspektivë të ndryshme mbi botën nga ajo që kanë shumica e njerëzve të zakonshëm. Përmes saj, ne nuk shohim fenomene që të tjerët nuk i vënë re, por vështrojmë të njëjtat fenomene, veçse në një mënyrë tjetër. Sociologjia, siç kanë argumentuar kaq mirë C. Wright Mills, Anthony Giddens, Peter Berger etj., ndihmon të shohësh përtej fasadës së strukturës sociale dhe përtej kontekstit të jetëve tona individuale dhe, prandaj, ajo shërben për të kuptuar më mirë shkaqet e veprimeve tona dhe, ipso facto, për ta ndryshuar botën për mirë. Ky është një mesazh i fuqishëm, të cilin e evokon e gjithë vepra e Anthony Giddens-it.

Dhe Giddens nuk është një sociolog i stinës; ai është një teoricien social për të gjitha kohët. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH