Editorial

Ministri i Jashtëm kinez, në përpjekje për të rifituar Evropën

Shkruar nga Liberale
Ministri i Jashtëm kinez, në përpjekje për të rifituar

Shannon Tiezzi

Wang Yi, ministri i Jashtëm kinez, ndodhet në Evropë këtë javë. Me shpresën për të frenuar një rrëshqitje në marrëdhëniet Kinë-Evropë.

Ai e nisi udhëtimin e tij nga Greqia dhe do të vizitojë Serbinë, Shqipërinë dhe Italinë nga 27 deri më 29 tetor, duke e përmbyllur këtë udhëtim pak përpara Samitit të G20-s në Romë.

Xi Jinping, presidenti i Kinës, nuk do të marrë pjesë personalisht në takimin e Romës, duke vazhduar serinë e tij 21-mujore të shmangies së udhëtimeve ndërkombëtare.

Turneu i Wang në Evropë vjen pas një udhëtimi në Katar nga 25 deri më 26 tetor, ku ai u takua me një delegacion të qeverisë së përkohshme të talebanëve afganë.

Më 27 tetor, Wang u takua me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias. Në po të njëjtën ditë, Wang udhëtoi për në Beograd, Serbi, për takime me kryeministren serbe, Ana Brnabiç dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Ivica Daçiç.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, ka qenë ai që sqaroi logjikën e zgjedhjes së destinacioneve të ministrit Wang.

“Greqia, Serbia, Shqipëria dhe Italia janë partnerë të rëndësishëm bashkëpunimi të Kinës në Evropë. Kina dhe këto katër vende, krenohen me miqësi të thellë tradicionale, kanë bashkëpunim të ngushtë në të gjithë bordin dhe ndajnë rezultate të frytshme në bashkëpunimin BRI”, ka treguar ai.

Vendet, Greqia, Serbia dhe Shqipëria janë të gjitha pjesë e mekanizmit “17+1”, duke bashkuar Kinën dhe 17 vende në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Greqia ishte anëtari i 17-të që u bashkua, duke përmirësuar formatin e mëparshëm “16 +1”. Italia, ndërkohë, është i vetmi anëtar i G7-s që ka nënshkruar Iniciativën e Kinës “Belt and Road” (BRI).

Është e qartë se Kina i sheh këto vende si baste të sigurta për një pritje miqësore në Evropë, pasi anëtarët e tjerë të BE-së dhe “17+1” kanë filluar të vënë në pikëpyetje marrëdhëniet.

Një përpjekje e mëparshme për të rregulluar lidhjet me vendet në Evropën Perëndimore që Wang Yi vizitoi vitin e kaluar, kishte rezultate “të përziera me vendosmëri”.

Zëdhënësi i ministrisë ka shtuar se “kjo vizitë në të katër vendet nga këshilltari shtetëror dhe ministri i Jashtëm, Wang Yi, tregon vullnetin e Kinës për të konsoliduar miqësinë dypalëshe, për të thelluar bashkëpunimin mes vendeve dhe për të promovuar zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve midis Kinës dhe palës evropiane”.

Në një fjalim para shtypit në Greqi, Wang Yi tregoi se udhëtimi i tij kishte për qëllim të “dërgonte tre mesazhe të qarta për miqtë në Greqi dhe Evropë”.

“Së pari, Kina shpreson të punojë me Evropën për të çuar përpara frymën olimpike”, ka thënë ai. Pra, prioriteti i menjëhershëm i Wang, është të zbusë rrugën për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, të vendosura për në shkurt të vitit 2022.

Kritikët kanë bërë thirrje për një bojkot – qoftë një për refuzimin e dërgimit të atletëve ose për një bojkot më të butë diplomatik – për të protestuar ndaj abuzimit të të drejtave të njeriut nga Kina, veçanërisht ndaj fushatës së saj të ndalimit masiv kundër ujgurëve dhe grupeve të tjera etnike turke.

Në korrik, Parlamenti Evropian miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë jodetyruese që i drejton thirrje BE-së dhe vendeve anëtare të refuzojnë të dërgojnë përfaqësues qeveritarë dhe diplomatikë në Lojërat Olimpike të Pekinit.

Wang shpreson të shmangë një siklet të kësaj natyre.

“Së dyti, Kina shpreson të punojë me Evropën për të rritur lidhjen”, ka vijuar ai me mesazhet e tij.

Evropa është një nga shumë rajone që është rrënjosur në BRI-në e Kinës. Wang po përpiqet sërish të sigurojë evropianët se zhvillimi i infrastrukturës së Kinës brenda Evropës është një përfitim dhe jo një kërcënim për BE-në.

Kina është gjithashtu e prirur të parandalojë kritikat e BE-së ndaj BRI-së jashtë Evropës. Në shtator, Evropa zbuloi strategjinë e saj të lidhjes të quajtur “Global Gateway”, e parë gjerësisht si një lëvizje për të konkurruar me BRI-në.

“Së treti”, ka shtuar ai, “Kina shpreson të punojë me Evropën për të promovuar dialogun midis qytetërimeve”.

Ky është thelbi i gjithë shtrirjes së Kinës në Evropë. Pekini dëshiron dëshpërimisht ta mbajë Evropën nga bashkimi i një blloku të SHBA-ve kundër Pekinit.

Wang e kuptoi këtë si një dëshirë për t’u angazhuar kryesisht me Evropën si “përfaqësues të…qytetërimeve perëndimore”. Por kjo vjen me kërkesën e “respektit” për qytetërimin kinez – e demonstruar, natyrisht, përmes heshtjes ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Kina.

“Shpresojmë që më shumë partnerë evropianë do të bashkohen me ne për të injektuar stabilitet dhe energji pozitive në marrëdhëniet Kinë-Evropë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”, ka shpresuar Wang.

Teksa edhe BE-ja është e prirur të shmangë tërheqjen në një bllok “anti-Kinë”, ajo ka shqetësime reale për sjelljen e qeverisë kineze, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Dhe këto shqetësime janë në rritje, siç është edhe gatishmëria e BE-së për t’i mbështetur ato me veprime.

Vetëm disa muaj pasi BE-ja dhe Kina arritën gjuhë të përbashkët për një marrëveshje dypalëshe investimi, BE-ja e ngriu shqyrtimin e marrëveshjes pasi Kina vendosi sanksione ndaj parlamentarëve dhe studiuesve të BE-së. Sanksionet e Kinës ishin një veprim hakmarrës pas sanksioneve të BE-së ndaj Kinës mbi Xinjiang.

Ndërkohë, Parlamenti Evropian sapo miratoi një rezolutë që bën thirrje për lidhje më të ngushta me Tajvanin, duke përfshirë shqyrtimin e një marrëveshjeje dypalëshe investimi BE-Tajvan. Rezoluta pati një mbështetje dërrmuese, me 580 vota pro dhe vetëm 26 kundër.

Rastësisht, ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, është gjithashtu në Evropë këtë javë.

Ai vizitoi Sllovakinë dhe Çekinë përpara se të shkonte në Romë për një ngjarje të 28 tetorit të organizuar nga Aleanca Ndërparlamentare për Kinën.

Kina i di mirë këto zhvillime, por duket se dëshiron të pretendojë se marrëdhëniet me BE-në mund të vazhdojnë si zakonisht.

Në bisedën e tij me kryeministrin grek, Wang përsëriti refrenin e Kinës se “nuk ka konflikte thelbësore interesi apo konflikte gjeopolitike midis Kinës dhe Evropës”.

Kjo deklaratë mund të bëhet vetëm duke injoruar me dashje kritikat, përfshirë ato të ardhura nga Josep Borrel, kryediplomati i BE-së, se Kina po “minon rregullat ndërkombëtare”, duke u përfshirë në “ekspansionizëm” dhe “multilateralizëm përzgjedhës”.

Një incident i fundit në Greqi shërbeu për të simbolizuar gjendjen aktuale të marrëdhënieve të ndërlikuara të Kinës me Evropën. Flaka olimpike u ndez në një ceremoni në Olimpia, Greqi, për të nisur stafetën e pishtarit në Pekin për Lojërat Dimërore 2022.

Dhe Wang e vlerësoi këtë ngjarje në takimet e tij në Greqi si një shenjë pozitive për bashkëpunimin dypalësh.

Mirëpo, ceremonia e pishtarit u ndërpre nga protestuesit që kërkuan të tërhiqnin vëmendjen ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kinë. Ata mbanin një tabelë ku lexohej “jo lojëra për gjenocid”, si dhe një flamur tibetian.

“Si mund të lejohet Pekini të presë Lojërat Olimpike duke qenë se ata po kryejnë një gjenocid kundër Ujgurëve?”, ka bërtitur një nga protestueset, zëri i së cilës dëgjohej qartë në regjistrimet e ceremonisë.

Kurse gruaja e ngarkuar për të mbajtur pishtarin olimpik, me një buzëqeshje të ngrirë në fytyrë, bëri sikur nuk e dëgjoi atë.

“The Diplomat”

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH