Aktualitet

Media greke: Ja kush fshihet pas kokainës që u gjet në Durrës

Shkruar nga Liberale
Media greke: Ja kush fshihet pas kokainës që u gjet në

E përditshmja greke “Kathimerini” ka zbardhur itinerarin dhe skemën e plotë të trafikut të sasisë së konsiderueshme prej 700 kilogramësh në total të lëndës narkotike të llojit “kokainë”, nga Ekuadori me destinacion Durrësin dhe Selanikun.

“Kathimerini” shkruan se mes 4 të arrestuarëve lidhur me ngjarjen, gjendet një biznesmen tejet i fuqishëm dhe i njohur në vendin fqinj, pra në Shqipëri.

Shkrimi i plotë botuar nga “Kathimerini”

Një informacion fillestar erdhi tek autoritetet e Portit në Selanik natën e 2 gushtit. Një person anonim telefonoi sektorin e Anti-Drogës dhe i tha oficerit se një sasi kokaine e fshehur mes bananeve do të mbërrinte në port nga Ekuadori. Njësoj siç u njoftuan autoritetet, ashtu edhe ndodhi. Një konteiner me 47 pako me 51 kilogramë kokainë u gjet në frigorifer fshehur mes bananeve.

Ky ishte fillimi i një hetimi që zbuloi 700 kilogramë kokainë të fshehur në frigoriferët e 12 konteinerëve që transportuan banane nga Ekuadori me destinacion Pireun, Selanikun dhe Durrësin. Që nga kapja e parë, ajo e 3 gushtit, hetime të fshehta u zhvilluan në Pire dhe Selanik, dhe qindra konteinerë u verifikuan me rreze X, ku morën pjesë autoritetet portuale, Policia dhe DEA amerikane.

Tre burra dhe një grua u arrestuan në Pire, të cilët akuzohen se kishin dijeni se në një nga konteinerët ndodheshin 100 kilogramë kokainë.

Midis tyre është një importues i njohur i frutave, si dhe CEO i një kompanie të njohur shumëkombëshe që tregton banane në të gjithë botën. “Kathimerini” ka ndjekur zhvillimet që nga momenti i parë dhe sot zbulon sfondin e kësaj dosjeje e denjë për kinematografi.

Hetimi në Shqipëri

Zhvillimet më të fundit janë në 19 shtator 2019 por jo në Greqi, por në Shqipëri. Në një nga konteinerët që vinin nga Ekuadori, ishte fshehur droga, e cila pas kalimit në portin e Pireut do të kishte si destinacion portin e Durrësit. Më 19 shtator, ndërsa “kutia” po vëzhgohej për të tetën ditë radhazi nga policia shqiptare, një person hyri dhe hoqi një kuti. Më pas në një makinë private, bashkë me dy persona të tjerë, ata u larguan nga porti. 20 minuta më pas, pasi ata e kontrolluan dhe panë se kokaina ishte zëvendësuar me oriz, ata e hodhën nga makina pasi kuptuan se ishte një kurth.

Policia shqiptare arrestoi 2 persona të lidhur me biznesmenin e peshkut, i cili ia doli të arratiset në mënyrë misterioze. Policia shqiptare e kodoi operacionin “Kuito”, që i referohet kryeqytetit të Ekuadorit, nga ku nisi udhëtimi i drogës. Hetimet vazhdojnë në Shqipëri dhe Greqi, dhe hetuesit janë të bindur se pas këtij trafiku fshihet “Mafia Shqiptare”. Besohet se janë dy organizata kriminale pas drogës, të lokalizuara në Fier dhe Elbasan.

Droga që erdhi nga Kolumbia

Kjo nuk është hera e parë që kokaina brenda bananeve kapet në Shqipëri. Në shkurt të 2017-s, Policia kapi 613 kilogramë kokainë që vinte nga Kolumbia. Konteineri erdhi në Durrës nga Italia dhe Malta. Disa muaj më pas, në Maltë u gjet 90 kilogramë kokainë brenda një konteineri me banane në dhjetor të 2018. Sërish konteinerët ishin nisur nga Ekuadori, dhe kishin si destinacion Greqinë dhe Shqipërinë. Në prill, sërish në Maltë u gjetën 144 kilogramë kokainë brenda një konteineri me banane. Asokohe u përfol se droga kishte si destinacion një bar në Mal të Zi dhe portin e Durrësit.

24 orë pasi u kap sasia e parë e kokainës në 2 gusht 2019 në Selanik, një konteiner i dytë meb me të njëjtin itinerar erdhi në Selanik. Pas konsultimit me DEA-n, oficerët nuk e kontrolluan direkt konteinerin në sistemin e ftohjes, por vendosën që t’a linin nën vëzhgim për të parë kush do të shkonte për të marrë drogën.

Bananet u shkarkuan nën maskën e “agjentëve” sekretë në depon e importuesit që ndodhej në portin e Selanikut dhe “konteineri” u transportua në një depo për t’u pastruar para se të ripërdorej. 24 orë më vonë, duke mos parë lëvizje të dyshimta dhe duke konfirmuar frikën se reklamimi do t’i ndalte trafikantët që të shkonin për drogën, atëherë kokaina u sekuestrua nga Autoriteti Portual.

Ata “skanuan” 300 ngarkesa

Për rreth dy javë, në konteinerët me banane në Portin e Selanikut, oficerët e anti-drogës zbuluan kokainë të fshehur në sistemin e ftohjes. Shuma totale e sekuestruar vlerësohet të arrijë në 700 kg. Gjithsej 12 konteinerë me makina me rreze X u zbuluan se kishin kokainë.  Megjithëse janë testuar më shumë se 300 konteinerë “të dyshimtë”, nuk janë gjetur sasi shtesë të drogave. Vlerësohet se rruga Ekuador – Greqi është “e djegur”,  dhe se trafikantët përkohësisht do të kërkojnë rrugë të reja.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH