Aktualitet

Kolegji Profesional i Tiranës, institucioni që i jep tregut shqiptar profesionistët e munguar!

Shkruar nga Liberale
Kolegji Profesional i Tiranës, institucioni që i jep tregut shqiptar

Kur flitet për arsimin profesional në Shqipëri, Kolegji Profesional i Tiranës rrëshqet natyrshëm nga renditjet dhe numrat për të qendrur i shkëputur në krye. Jo aq i hershëm në kohë, por tmerrësisht këmbëngulës në vizion dhe punë, KPT është i vetmi institucion arsimor që u krijua me fokusin e qartë për të mbushur boshllëkun për profesionistë në tregun e arsimit të lartë dhe të punës. Ai vijon dhe sot, me të njëjtin përkushtim dhe seriozitet për të plotësuar këto kërkesa për njerëz me aftësi praktike, teknikë të lartë apo zbatues projektesh.

Si në çdo makineri, sado e thjeshtë apo e sofistikuar qoftë, pesha bie mbi ingranzhet, ndërsa në një institucion arsimor ingranazhet janë stafet akademike. Kolegji Profesional i Tiranës nuk mund të kuptohet pa Prof. Dr. Luan Karçanaj. Tashmë prej 6 vitesh ai mban postin e Rektorit, duke e marrë këtë kolegj që në gjenezë, për ta forcuar e ngritur në këmbë, si dhe më tej aftësuar, që të mbajë përgjegjësinë e ofrimit të profesionistëve të aftë që i nevojiten tregut shqiptar dhe ndërkombëtar të punës. Falë një armate të tërë njerëzish të përgatitur me dije dhe dëshirë për zhvillim, KPT ka ndihmuar në ndërtimin e botës së shumë të rinjve shqiptarë.

Përvoja e gjatë, dhe sidomos ajo e marrë nga studimet dhe specializimet në Gjermani, e kishte njohur dhe vetëdijesuar profesor Karçanaj mbi rëndësinë e arsimit profesional. Kështu që kur iu prezantua nisma e Kolegjit Profesional të Tiranës nga themeluesit e tij, u bashkua pa hezitim. “Ishte një nismë që i shërbente shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare”, tregon ai.

“Kam qenë student në Gjermani. Shkollat profesionale janë të domosdoshme. Një inxhinier i dalë nga një sistem 6 vjeçar siç janë atje, merret kryesisht me projekte, por me zbatimin e projekteve merren pikërisht të diplomuarit në shkollat profesionale, siç është KPT-ja”, vijon më tej profesori.

Përveçse Rektor, ai vijon të japë mësim në lëndën “Teknologjia e sistemeve digjitale”. Tregon se pandemia ia vështirësoi punën, duke e larguar nga dërrasa e zezë, si një mjet i domosdoshëm për të shpjeguar procese që vetëm inxhinierët i kuptojnë më së miri. Por duke shfrytëzuar programe të tjera elektronike, gjeti mënyrën për t’i përçuar njohuritë sa më të plota tek studentët, prej të cilëve kërkon gjithmonë përkushtim.

Të rinjtë kanë një tendencë për të shkuar jashtë shtetit. Por edhe nëse vendosin të largohen nga vendi i tyre, ata duhet të dinë se jashtë ju duhet një profesion. Shkolla e mesme ju jep njohuri të përgjithshme. Me mbarimin e një shkolle profesionale, kanë një profesion dhe shumë mundësi për të gjetur një punë”, shprehet ai.

6 vite KPT

Kur KPT u hap në vitin 2015, ofronte 4 programe studimi. Tashmë, në vitin e 6-të, me rritjen e kërkesave të studentëve dhe për plotësimin e mungesave të përhershme në tregun e punës, numërohen 11 programe, të organizuara në dy departmente:

1. Departamenti i Teknologjisë së Informacionit, i cili përfshin programet: Teknologji Informacioni dhe Iomunikimi, Elektronikë, Database dhe Web Design, Teknologji e Instalimeve Elektrike dhe Administrim Zyre.

2. Departamenti i Elektro- Mekanikës dhe Sistemeve të Aplikuara, që përfshin programet: Elektro – Mekanikë, Teknologji Automjetesh, Mekatronikë, Teknologji Ajrimi dhe Kondicionimi, Gjeodezi dhe Teknologji Ndërtimi.

Rektori Karçanaj na shpjegon se funksionimi i këtij kolegji është i bazuar në disa elementë thelbësorë, si: kurrikulat, laboratorët, stafi akademik, bashkëpunimi me biznese e kompani shqiptare si dhe angazhimi në projekte ndërkombëtare.

Ne jemi lidhur që në embrion me ndërmarrjet. Kurrikulat që ndjekim, reflektojnë mendimet dhe kërkesat e tyre, si dhe i janë nënshtruar gjykimit të një numri të madh profesionistësh. Gjithë këto vite kanë ardhur me përmirësime, duke u pasuruar edhe me të rejat e teknologjisë. Kemi harmonizuar leksionet dhe laboratorët në mënyrë të tillë që pesha dhe rëndësia të bjerë mbi laboratorët”, thotë profesori.

Një shkollë profesionale, e cila synon aftësimin praktik, nuk mund të kuptohet pa laboratorët. KPT ka siguruar laboratorë për pothuajse çdo lëndë, me përjashtim të atyre që janë tërësisht të karakterit teorik. Në semestrin e dytë të vitit të dytë, zhvillohet gjithashtu praktika profesionale, e cila përveçse aftësimit, është një mënyrë e mirë për të çuar studentët drejt punësimit. Kjo praktikë zhvillohet në kompani të ndryshme me të cilat KPT bashkëpunon, të tilla, si: Porsche Tirana, Daikin, Elektro Servis si pjesë e Balfin Group, Start & Co, Alstezo, Bosch Service etj.

Pjesa më e madhe e studentëve që kanë mbaruar në KPT janë punësuar, kryesisht në kompanitë dhe ndërmarrjet me të cilat ne bashkëpunojmë. Madje punësohen që kur zhvillojnë praktikën, pasi aty bien në sy njohuritë e tyre”, thekson profesori. Tregu është i etur për profesionistë të mirë përgatitur.

Ai ndalet më tej në pjesën e stafit akademik, ku vihet re një kombinim mes gjeneratash. Kjo ndërthurje   bën bashkë eksperienca të larmishme të akademikëve me shumë vite eksperiencë, dhe të specialistëve që kanë direkt lidhje me biznesin dhe tregun e punës. Të gjithë kanë emërues të përbashkët të njëjtin përkushtim. Kjo pasi studentët që vijnë, janë të niveleve të ndryshme, dhe pavarësisht mungesave që mund të kenë nga shkollimi i mesëm, ata i rimarrin sërish bazat në KPT

“Ne i marrim për dore, iu ofrojmë ndihmën tonë të plotë. Por edhe ata duhet të punojnë për veten e tyre. KPT nuk jep diploma të pamerituara”, thekson prof. Karçanaj.

Një pjesë e rëndësishme e universiteteve në kohët e sotme, është ndërkombëtarizimi. Karçanaj shpjegon se KPT po hyn në këtë proces, nëpërmjet pjesëmarrjes në 5 projekte ndërkombëtare, me synimin e zgjerimit, për të pasuruar më tej laboratorët, për të ofruar mobilitetit  studentëve dhe stafit akademik si dhe për të krijuar mundësi punësimi në tregun ndërkombëtar të punës. Gjithashtu, ai nuk rri pa cekur edhe praninë e UET që është partneri më strategjik i KPT dhe CIT në të njëjtin campus, teksa e sheh këtë afrim si një mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave të mira.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH