Sociale

"Kolaboracioni dhe Genocidi në Çamëri"/ Kalvari që vazhdon…

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPRess- 15 vjet

Tituli: Kolaboracioni dhe Genocidi në Çamëri/ 1944-1945

Autor: Arben P. LLALLA

Periudha kur kam nisur të shkruaj librin ka qenë nga viti 2008-2016, duke mbledhur materialet pak e nga pak. E kam pasur tepër të vështirë për të gjetur fotografitë origjinale dhe disa gazeta në gjuhën greke për vitet që bëhet fjalë. Shteti grek me strukturat e veta shtetërore prej rreth 70 vitesh e ushqejnë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm me libra dhe shkrime të gënjeshtrës rreth asaj që ka ndodhur në të vërtetë nga viti 1936-1945, në lidhje me minoritetin shqiptar në Çamëri-Epiri i Jugut. Ka shumë fotografi të keqinterpretuara qëllimisht nga historianët dhe publicistët grek rreth akuzës të pa faktuar të bashkëpunimit të çamëve me gjermanët. Pas shumë vitesh punë munda të gjej të vërtetën e atyre fotografive që grekët pretendojnë se janë bashkëpunëtorët çamë me gjermanët. Besoj se puna ime disa vjeçare për të botuar këtë libër do vlerësohet drejtë nga lexuesit dhe kritika. Nuk ka patur asnjëherë bashkëpunim kolektiv të popullsisë çame me pushtuesit italian dhe gjermanë. Qëllimi i Genocidit grek ishte për të spastruar Çamërinë-Epirin e Jugut nga shqiptarët myslimanë, grabitja e pasurisë si dhe vendosja e refugjatëve ortodoksë të ardhur ndër vite nga Azia e Vogël.

Gjatë operacionit në shpërnguljen e hebrenjve të Janinës për në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes, gjermanët në bashkëpunim me xhandarmërinë greke, shpërngulën edhe dhjetëra çam antifashistë. Kjo tregon qartë se shqiptarët e Çamërisë ishin në anën e partizanëve grekë.

Konservimi nga ana e shtetit grek, të shtëpive dhe tokës private ku pronarë të vërtetë janë shqiptarët, tregon qartë se spastrimi etnik i Çamërisë nga elementi shqiptar ka patur prapavijë politike e pa mbështetur në asnjë fakt për akuzën e bashkëpunimit me gjermanët.

Pa një zgjidhje të çështjes kaq delikate çame nuk mund të ketë fqinjësi të mirë, miqësi të sinqertë midis grekëve dhe shqiptarëve, të cilët më shumë i bashkojnë lidhjet e interesave sesa i ndajnë.

Mendoj që mbi pasionin të dalë vlerësimi objektiv shkencor i dukurive dhe fakteve që parashtroj e analizoj, po botojmë fotografitë origjinale ku tregohet qartë bashkëpunimi i shtetit grek dhe klerikëve të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Greqisë me pushtuesit italian dhe gjermanë. Historia e vërtetë nuk quhet ajo histori që shkruhet nga gjysma e vërtetë e përzier me gjysmë gënjeshtre.

Historia e vërtetë është ajo histori që shkruhet mbi baza të dokumenteve të vërteta, sado të hidhura të jenë ato.

Qëllimi i këtij libri është për të sjellë aspekte dhe dokumente historike me pika të shkurta që nga koha e qeverisë së Joani Metaksait (1936-1941) e deri në Genocidin grek ndaj popullsisë shqiptare (1944-1945). Për të nxjerrë në dritë të vërtetën se çamët nuk kanë bashkëpunuar asnjëherë kolektivisht me italianët dhe gjermanët. Ka pasur individë që kanë bashkëpunuar me këta pushtues, por nuk mund të masakrohet një popull i tërë për individë të cilët edhe në të shkuarën i kanë shërbyer pushtuesve të ndryshëm për të ruajtur pasurinë dhe privilegjet. Ne, do të sjellim fakte se djemtë e Çamërisë ishin përkrah ushtrisë partizane greke EAM-ELAS dhe shumë prej tyre ranë dëshmorë për lirinë e Greqisë duke besuar tek bashkëjetesa vëllazërore e dy popujve. Do vërtetojmë shkencërisht se kush janë ata që bashkëpunuan zyrtarisht me pushtuesit italian dhe gjerman.

Libri përmban fakte nga arkivat greke, 90% e bibliografisë sonë është mbështetur tek gazetat, revistat dhe librat e autorëve grek. Po ashtu edhe faksimile të gazetave të vitit 1942, ku lexojmë shkrime rreth bashkëpunimit të Napoleon Zervës dhe EDES me gjermanët, faksimile të botuara gjatë viteve të fundit nga CIA rreth bashkëpunimit të disa personaliteteve greke që më tej u bënë figura qendrore të jetës politike në Greqi si ish-kryetari i saj Konstandin Karamanlis, etj.

Në libër gjenden me dhjetëra fotografi që nga viti 1936-1944, që tregojnë instalimin e simboleve fashiste dhe naziste nga qeveria e Joani Metaksas, fotografi nga marrëveshja e dorëzimit paqësor, pa kushte, tek ushtria naziste gjermane e ushtrisë greke në prill 1941. Me interes janë edhe faktet e klerikëve grek si Kryepeshkopë dhe Peshkopë të cilët hoqën rrobën fetare dhe veshën uniformën e ushtrisë EDES duke marrë pjesë të drejtpërdrejtë në masakrat kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare në Çamëri. Pjesëmarrja e Kryepeshkopit Spiridon Vllehu në aneksimin e jugut të Shqipërisë nga ushtria greke në vitin 1914, dhe roli kyç i tij në dorëzimin paqësor të ushtrisë greke tek gjermanët në prill të 1941. Në Genocidin grek kundër popullsisë çame morën pjesë edhe dy figura të larta të Kishës Autoqefale të Greqisë si Peshkopi i Paramithisë, Dhorotheos dhe Kryepeshkopi Serafeim. Këto fakte janë mbështetur në fotografitë të asaj kohe që gjenden në libër, por edhe në deklaratat e bëra nga vetë klerikët grek pas shumë vitesh. Do sjellim fotografitë origjinale që historianët grek i kanë keqinterpretuar qëllimisht për lexuesin ndër vite sikur shqiptarët e Çamërisë janë në bashkëpunim me nazistët gjerman, por e vërteta e atyre fotografive është krejt tjetër gjë.

Ky libër nuk i përket vetëm lexuesve të rëndomtë të cilët do të mësojmë gjëra që shumë pak historianë, studiues dhe publicistë i thonë, por edhe akademikëve do t‘ju shërbejë si një udhërrëfyes për të nxjerrë nga pluhuri i harresës të vërtetën e Genocidit grek ndaj shqiptarëve në Çamëri. Është një libër që nuk është shkruar për propagandë politike, as për të hedhur baltë mbi popullin grek apo personalitetet e tyre, por për të thënë të vërtetën që njerëzimi duhet ta mësojë pa ndikimet emocionale dhe interesat politike.

Çështja çame nuk është thjesht një çështje historike dhe e pronave të konfiskuara me ligj nga shteti grek, por kjo çështje në radhë të parë është politike ku prej vitit 1913, pas pushtimit grek të Çamërisë-Epirit të Jugut, filloi dhuna dhe racizmi shtetëror ndaj shqiptarëve. Ka pasur disa përzënie me dhunë të shqiptarëve nga Çamëria si në vitin 1913, 1922-1923, 1936-1938 dhe ajo më tragjike e 1944-1945, që njihet zyrtarisht nga shteti shqiptar me rezolutë të votuar në Kuvendin e Shqipërisë si Genocidi Grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri gjatëve viteve 1944-1945.

Zgjidhja paqësore e çështjes çame sa më shpejt, do çlironte grekët nga ankthi i një përplasje tragjike me shqiptarët. Prej shumë vitesh Greqia jeton me tensionin se një ditë Shqipëria do sulmojë për të rimarrë Çamërinë. Atëherë nëse Greqia ka pasur të drejtë në përzënien e shqiptarëve nga Çamëria përse jeton me ankthin e një lufte midis dy vendeve? Grekët duke qenë të ndërgjegjshëm se i kanë masakruar, grabitur dhe përzënë shqiptarët nga Çamëria pa asnjë faj, pa asnjë fakt të vërtetuar se kanë qenë bashkëpunëtor të gjermanëve, gjithnjë në shpirtrat e tyre do kenë një ankth, një brengë për mëkatin e bërë ndaj çamëve. Meqenëse grekët shtiren si besimtar të mëdhenj ku kisha dhe shteti janë të pandarë, atëherë Zoti e mëshiroftë Greqinë dhe grekët ndaj mëkatit që kanë bërë.

Një zgjidhje paqësore e çështjes çame ku shteti grek do të hiqte në fillim Ligjin e Luftës me Shqipërinë, do të lejonte çamët në grupe të organizuara të vizitojnë varret e të parëve, shtëpitë gjysmë të rrënuara, do të ishin hapat kryesor që do të ndikonin pozitivisht në psikologjinë e mirëbesimit tek dy popujt. Këto veprime nuk janë të pamundura nëse vërtetë tek klasa politike e dy vendeve ekziston dëshira për paqe dhe miqësi duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën. Atë të vërtetë që duhet ta themi të gjithë bashkë, grekë e shqiptarë nëse duam një fqinjësi të mirë, nëse duam një të ardhme paqësore dhe të sigurt. Pa zgjidhje të çështjes çame, asnjëherë s’do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë midis dy popujve. Nuk e dimë se çfarë befasish na përgatit e ardhmja, por fillimi i shek. 21, po tregon se në Ballkan ka më shumë shqiptarë se sa grekë.

***

Grekët e morën Çamërinë fazë-fazë. Në qershor të vitit 1881, qytetin e Artës e morën grekët dhe dalëngadalë filloi përzënia e shqiptarëve myslimanë dhe asimilimi i shqiptarëve ortodoksë. Në tetor të 1912, ushtria greke mori Prevezën, dhe në shkurt të 1913, Janinën. Kështu, qendrat kryesore të Çamërisë i mori Greqia, ndërsa Shqipërisë i la Konispolin e Delvinën.

Prej sundimit turk, me rënien e Janinës, më 21 Shkurt 1912, edhe Çamëria bie nën okupimimin grek. Popullata e Çamërisë përbëhej në atë kohë me afro 40.000 myslimanë shqiptarë dhe 30.000 të krishterë, që flisnin dhe flasin shqip e me zakone shqiptare të shpërndarë në Frar, Paramithia dhe bregdeti, që nga Parga deri në kufirin shqiptar.

Në vitin 1913, kemi shpërnguljen e dytë të shqiptarëve nga Çamëria, pas shpërnguljes së parë të vitit 1881, kur Artën e morën grekët. Ka shumë pak të dhëna rreth këtyre dy shpërnguljeve të shqiptarëve sepse regjistruesit grek dhe të huaj i regjistronin në bazë të fesë (myslimanët-turq dhe ortodoksit-grek) dhe jo në bazë të kombësisë.

Shpërngulja e tretë e shqiptarëve nga Çamëria ka filluar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Lozanës të 1923, ku shumë shqiptarë nga Çamëria u detyruan jashtë vullnetit të tyre të shkëmbehen me popullsinë ortodokse nga Azia e Vogël, të cilët u vendosën në Greqi.

Shqiptarët e shpërngulur, pas vitit 1923, si popullsi e shkëmbyeshme midis Greqisë dhe Turqisë u vendosën kryesisht në Izmir. Gjatë kërkimeve të mia, kam mundur të gjej vetëm një fotografi të dobët ku tregohen shqiptarët duke hipur në anije nga porti i Gumenicës për në Turqi. Problemi i shkëmbimit të popullsisë shqiptare myslimane si turq, hasi në reagime të forta të Shqipërisë.

Më 17 dhjetor, (1923) Blinishti, shefi i sekretariatit të përhershëm shqiptar të akredituar në Gjenevë, tha para Këshillit të Lidhjes së Kombeve se prona e shqiptarëve myslimanë ishte konfiskuar, të korrat qenë rekuizuar, atyre u ishte ndaluar ta mbillnin drithin e tyre apo të shisnin a të jepnin me qira pronën e vet. Për të penguar konfiskimin e saj, refugjatët grekë ishin vendosur në shtëpitë e tyre dhe e drejta e votimit u ishte hequr. Prandaj Këshilli i Lidhjes së Kombeve vendosi të tërhiqte vëmendjen e Komisionit të Përbashkët mbi Shkëmbimin e Popullsive Greke dhe Turke, duke kërkuar që ai të dëgjonte çdo dëshmi që Qeveria Shqiptare mund të dëshironte të paraqiste para tij.

Grekët, ishin të etur ta hiqnin qafe pakicën shqiptare myslimane, brenda kufijve të tyre - elementin shqiptar të krishterë, ajo do ta asimilonte në njëfarë shkalle në mënyrë që pretendimet e Shqipërisë për territorin shqiptar që ajo kishte marrë më 1913, mund të binin në heshtje. Turqia, që e kishte përkrahur shkëmbimin, ishte e etur të rimëkëmbte popullsinë e saj, të pakësuar nga lufta me Greqinë, dhe nuk pritej që ajo të refuzonte myslimanët, për më tepër, prona që ata linin pas, u bë një pasuri në llogari të saj me Greqinë.

Problemi i shpërnguljeve të shqiptarëve nga Çamëria dhe viseve të tjera në Greqi për në Turqi si popullsi e shkëmbyeshme, detyroi Kryeministrin e Greqisë Theodhoros Pangallos të bëjë një deklaratë zyrtare para Lidhjes së Kombeve me të cilën Greqia njihte minoritetin shqiptar në Greqi dhe nuk i quante më, shqiptarët muhamedan që jetonin në territorin e saj si popullsi turke. Ai ndër të tjera tha: “Pavarësia dhe status-kuoja e Shqipërisë përbëjnë interes të madh për Greqinë, sepse politika e saj është bazë për ruajtjen e paqes në Ballkan...

Teza që është mbajtur nga ne deri sot se ortodoksët shqiptarë janë grekë, është e gabuar dhe e shkelmuar nga të gjithë. Meqë ajo ka marrë të tatëpjetën dhe arriti pikën e rraskapitjes, mora masat e duhura dhe shpërndava të gjitha shoqëritë vorio-epiriote që mëshironin skaje më ekstreme të këtij mendimi të sëmurë”.

Deklarimi i Kryetarit të Republikës Greke gjenerali Theodhoros Pangalos për të përjashtuar shqiptarët në Çamëri nga masa e shkëmbimit midis popullsisë turke myslimane me popullsinë ortodokse nga Azia e Vogël, ishte vendimtare për zhvillimet e mëtutjeshme të miqësisë mes Greqisë dhe Shqipërisë. Kështu, nga çështja “greko-turke”, tashmë zhvillohet tema që kishte të bënte me marrëdhëniet greko-shqiptare, të cilat do të ndikonin dhe në periudhën e ardhshme në një shkallë shumë të lartë. Disa vite më vonë, gjatë provokacioneve të Gushtit 1949, ish-Kryetari i Greqisë, Gjenerali në pension Theodhor Pangallos do të botonte në gazetën “Akropolis”, në një shkrim rreth marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve ku do të përmendte edhe problemin e shqiptarëve në Çamëri.

Në fillim të korrikut 1925, marrëdhëniet me Shqipërinë u gjendën para krizës, për shkak të çështjes së Çamërisë. Përfaqësuesi i Shqipërisë erdhi në zyrën time dhe më njoftoi se autoritetet greke në mënyrë të dhunshme dhe pa marrë parasysh marrëveshjen, dëbojnë banorët shqiptarë të asaj zone shënim A. Llalla) dhe nëpërmjet detit i dërgojnë në Azinë e Vogël dhe kundërshtimeve të tyre u përgjigjen duke u thënë se ata janë të shkëmbyeshëm. Shqyrtova dokumentet përkatëse dhe u binda që deklarimi i Ministrisë së Jashtme greke nuk qëndronte, pasi Marrëveshja e Lozanës përcaktonte prerë se shqiptarët muhamedanë të Epirit konsideroheshin minoritet dhe jo të shkëmbyeshëm, si turqit e Thrakës, etj. Për sqarim më të plotë të çështjes, i telefonova ambasadorit tonë në Londër, Kaklamonos, i cili kishte përfaqësuar Greqinë gjatë hartimit të Marrëveshjes së Lozanës dhe ai m’u përgjigj pa ngurrim se çamët nuk janë të shkëmbyeshëm dhe rrjedhimisht vendimi i Ministrisë së Jashtme nuk qëndronte. Thirra menjëherë drejtorin përkatës dhe ai tha diçka që më la me gojë hapur: -“Formalisht shqiptarët kanë të drejtë, mirëpo arsyet emergjence dhe qëllimi kombëtar na detyrojnë të dëbojmë shqiptarët për t’u zbrazur fshatrat e tyre dhe për t’u vendosur refugjatët tanë homogjenë që kanë ardhur nga Azia e Vogël. Nuk ia vlen të merremi me 5-6 mijë palo-shqiptarë (shqiptarë të këqinj, shënim i. A. Llalla) zoti Kryetar”.- Mezi e mbajta veten dhe nuk e nxora përjashta me shqelma diplomatin. Ndërkaq, sipas raporteve të autoriteteve policore në Epir po luhej një dramë e vërtetë; fshatarët duke qarë ndaheshin nga shtëpitë e tyre ku kishin lindur dhe jetuar ndër shekuj dhe hipnin në anijet që do t’i shpinin në Azinë e Vogël. Dhashë urdhër të zbriten dhe të kthehen të lirë në fshatrat e tyre.”

Shqiptarët, ashtu si gjithë popujt e pazhvilluar, kanë dobësi serioze, por kanë edhe virtyte të shkëlqyera. Ky fakt, ishte shkaku që ndërmjet dy vendeve tona u vendosën marrëdhëniet kaq të përzemërta, të cilat morën, siç do shohim, pothuaj trajtën e një konfederate. Mbreti Ahmet Zogu, nëpërmjet një letre të ngrohtë, më shprehte mirënjohjen, që siç thoshte, nuk do ta harronte kurrë. Dhe vërtetë, deri në ditën e largimit të tij nga fronti, sa herë që vinte ndonjë përfaqësues shqiptar në Greqi, me porosi të Zogut, vinte dhe në shtëpinë time dhe më sillte përshëndetjet e Mbretit, duke më thënë në shqip “Vëlla i madh“. Dhe unë atëherë nuk isha veç një gjeneral i çmobilizuar. Kjo është ajo që në shqip quhet “BESA”.

Po t’i hedhim një vështrim të shpejtë në hartën e Ballkanit, mjafton për të kuptuar rëndësinë strategjike të Shqipërisë. Për Greqinë, një Shqipëri mike dhe aleate përbënë një mburojë natyrore të madhe, kundër çdo sulmi nga Veriu.../Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH