Globi

Preferenca e Kinës për gjellë me kafshë të egra

Shkruar nga Liberale
Preferenca e Kinës për gjellë me kafshë të egra

Virusi Corona me gjasë vjen nga kafshët që tregtohen në tregjet e kafshëve të egra në Kinë. Tani qyteti i parë kinez ndalon tregtinë e mishit të qenit dhe maces, duke thyer traditën.

Një vizitor nga Kina tregon me entuziazëm pas kthimit nga Gjermania se sa e madhe është "oferta për mish qeni dhe macesh" në supermarketet gjermane. Ai nuk e kishte vënë re se kishte përfunduar në departamentin e ushqimit të kafshëve shtëpiake. Këtë shaka e dëgjon shpesh në shkëmbimin ndërkulturor midis Kinës dhe Gjermanisë. Ajo konfirmon një nga paragjykimet e shumta që kanë gjermanët për kinezët: në Mbretërinë e Mesit qentë i hanë.

Kjo përshtypje nuk është plotësisht e gabuar, por mishi i qenve nuk është në meny në të gjithë vendin dhe në asnjë mënyrë në të gjitha restorantet. Katërkëmbëshit, të cilët shumicën e herëve i rrisin posaçërisht për t'i therrur, janë kryesisht pjesë e kuzhinës rajonale.

Por që kur qentë dhe macet janë bërë gjithnjë e më popullorë si kafshë shtëpiake në familjet kineze, kritikat se të pranishmit po hanë "mikun më të mirë" janë bërë më të forta. Për shembull në Yulin, në një qytet në Kinën Jugperëndimore. Që nga viti 2009 atje zhvillohej një "festival i mishit të qenve" çdo vit në verë. Kjo zemëronte aktivistët e të drejtave të kafshëve. Në vitin 2017, këshilli i qytetit Yulin e ndaloi shitjen e mishit të qenve. Sidoqoftë, shoqatat e mbrojtjes së kafshëve vazhdojnë të regjistrojnë tregti dhe konsum të këtij mishi. Kjo flet për problemin: ligjet janë një gjë, zbatimi është një tjetër.

Ndalimi i tregtisë së kafshëve të egra

Pas shpërthimit të pandemisë së virusit Corona në provincën qendrore kineze Hubei, qeveria qendrore kineze miratoi me shpejtësi në fund të shkurtit një ndalim të gjuetisë, transportit, tregtisë dhe konsumit të kafshëve të egra. Kjo nuk vlen për "speciet e kafshëve të konsoliduara", siç janë pëllumbat dhe lepujt. Në atë kohë, shkencëtarët dyshuan se lakuriqët e natës janë origjina e virusit Corona, i cili është përhapur në të gjithë botën.

Fakti që viruset po përhapen gjithnjë e më shumë nga kafshët e egra te njerëzit nuk është asgjë e re, as diçka posaçërisht kineze. Qysh në vitin 2008, virologu gjerman Christian Drosten zbuloi pas epidemisë SARS në një projekt studimor që viruset Corona ndodhen edhe tek lakuriqët gjermanë të natës.

Problemi është kontakti midis kafshëve të egra dhe njerëzve, i cili po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm për shkak të konsumit ose shkatërrimit të habitateve. Elizabeth Maruma Mrema, Sekretare e Përgjithshme e Konventës së Kombeve të Bashkuara për Shumëllojshmërinë Biologjike kërkoi në gazetën angleze "The Guardian" që komuniteti botëror të insistojë që tregjet e kafshëve të egra të mbyllen për të "parandaluar pandemitë e ardhshme". Kina nuk është shembulli i vetëm i rreziqeve. Ebola në Afrikën Perëndimore ose virusi Nipah në Malajzi gjithashtu kaluan nga kafshët e egra te njerëzit.

Kundër traditës

Por masa të tilla janë në kundërshtim me traditën kineze. Ne e dimë që kafshët e egra janë përbërës të preferuar në kuzhinën kineze që nga filozofi Mengzi. Pasardhësi i rëndësishëm i Konfucit jetoi në shekullin e tretë para Krishtit. Në shkrimet e tij filozofike ai meditoi për vështirësinë për të vendosur: "Unë i dua peshqit dhe gjithashtu dua putrat e ariut. Kur nuk mund t'i kombinoj të dyja, i lë peshqit dhe mbetem te putrat e ariut. Unë e dua jetën, dhe e dua edhe detyrën. Kur nuk mund të pajtoj të dyja, atëherë unë heq dorë nga jeta dhe i përmbahem detyrës ".

Në Vuhan u hapën të mërkurën aeroportet

Putrat e ariut bëjnë pjesë në "tetë thesaret" në traditën kineze. Kafshët dhe bimët e "Tetë Thesareve", shikohen si medikamente edhe në Mjekësinë Tradicionale Kineze (TCM) që prej mijëra vjetëve. Efekti bazohet në përvojat. Vetëm në disa barishte mjekësore dhe në disa produkte shtazore ka mundur të vërtetojë efekte mjekësia zyrtare.

Gjuetarët dhe uria

Që kafshët e egra u pranuan në shoqëri, kjo ka nisur që në dinastinë e fundit perandorake të Qing (1644-1919). Pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës në 1949, vendi u godit fillimisht nga një thatësirë tre vjeçare. Pastaj pasuan vendime fatale politike nën Mao Ce Dunin, të cilat rezultuan në 45 milionë të vdekur nga uria. Në hallin e tyre, njerëzit hëngrën gjithçka që mund të gjenin.

Fundi i mungesës

Varfëria në Kinë është zhdukur vetëm në 30 vitet e fundit si rezultat i rritjes së vrullshme ekonomike. Por me rritjen e mirëqënies, konsumohet gjithnjë e më shumë mish kafshësh të egra. Kjo është simbol i statusit. Ndërkoha ka elementë të fuqishëm të tregut, që e nxisin në mënyrë komerciale tregtinë e kafshëve të egra.

Për shembull, kur Zona Speciale e Shenzhenit shpalli se do të ndalonte konsumin e mishit të maceve dhe qenve në 1 maj të vitit 2020, në rrjetet sociale u lexuan edhe kritika, kryesisht nga prodhuesit e mishit të qenve. Një nga argumentet e tyre: qyteti i Shenzhenit heq dorë kështu nga një pjesë e qenësishme e kulturës ushqimore kineze./DW

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH