Aktualitet

Historia e panjohur e zgjedhjeve dhe votimeve në Shqipëri

Shkruar nga Liberale
Historia e panjohur e zgjedhjeve dhe votimeve në Shqipëri

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të zhvillimit të zgjedhjeve dhe votimeve në Shqipëri, nga koha kur votohej për Parlamentin e Turqisë ku u zgjodhën dhe përfaqësuan vëndin e tyre si deputetë, Ismail Qemali, Esat Pashtë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati, etj., ajo e viteve 1921-’24, ku konkuronin disa parti dhe zgjedhjet kishin karakter demokratik si në vëndet Perendimore, periudha e Monarkisë së Zogut ku nuk u lejua pluralizmi partiak, dhe ajo e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku nuk kishte zgjedhje por vetëm votime, pasi që nga 2 dhjetori i ’45-ës e deri në fundin e viteve ’80-të, në “zgjedhjet parlamentare” merrnin pjesë vetëm kandidatët e Frontit Demokratik që udhëhiqej nga Partia Komuniste apo Partia e Punës Shqipërisë siç u quajt në fillimin e viteve ’50-të

Historia e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, apo më saktë tentativat për zgjedhje, e kanë zanafillën që nga koha e sundimit osman kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Turke. Një nga deputetët e parë shqiptarë që u zgjodhën për në Parlamentin e parë të Turqisë, i cili hapi punimet në dhjetorin e vitit 1877, ishte Abdyl Frashëri. Por ai parlament nuk pati jetë të gjatë pasi u prish nga vetë Sulltani për shkak të fillimit të Luftës Ruso-Turke. Pas prishjes së parlamentit të parë të Turqisë, pati edhe disa tentativa të tjera për zgjedhje, por që të gjitha dështuan për shkaqe të ndryshme. Zgjedhjet e para dhe të rregullta në Shqipëria u mbajtën vetëm në vitin 1908-të kur në Turqi erdhën në fuqi xhonturqit. Ato zgjedhje nuk ishin direkte, por me përfaqësim, apo siç janë njohur ndryshe me zgjedhës të dytë. Parlamenti i parë i Turqisë u hap më 10 dhjetor të vitit 1908 dhe aty nga 266 deputetë, 27 prej tyre ishin shqiptarë, të zgjedhur në katër vilajetet e Shqipërisë. Në atë kohë anëtarët e Komitetit “Bashkim-Përparim”, në Turqi, ku bënin pjesë dhe shumë shqiptarë, u ndanë dhe u grupuan në tre grupime politike. Grupimi i parë ishte Bashkim-Përparim (partia turko-maqedonase) me 164 deputetë, ku 130 ishin turq, 5 arabë, 1 grek dhe 15 shqiptarë, të cilët kryesoheshin nga Hasan Prishtina, deputet i Kosovës. Në grupin e dytë që quhej: Bashkimi-Liberal, (partia greko-shqiptare), ku bënin pjesë 45 deputetë, kishte 12 shqiptarë të cilët kryesoheshin nga Ismail Qemali. Ndër deputetët e tjerë shqiptarë që kishte asokohe Parlamenti i Turqisë, ishin dhe Esad Pashë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati, etj. Pas 1908-ës pati edhe disa zgjedhje të tjera, ku shqiptarët vazhdonin të votonin për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Turqisë dhe ajo gjë zgjati deri në 1912-ën kur u shpall pavarsia.

Zgjedhjet nga 1921 deri në 1939

Zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në pranverën e vitit 1921, pasi deri në atë kohë ato nuk ishin zhvilluar për shkak të Luftës së Parë Botërore ku ishte përfshirë dhe Shqipëria. Parlamenti i parë shqiptar u hap më 21 prill të atij viti dhe godina e parë e parlamentit shqiptar ka qenë aty ku është sot Akademia e Shkencave dhe në atë parlament morën pjesë 76 deputetë, të cilët u zgjodhën pas një procesi relativisht të rregullt nga nëntë prefekturat e vëndit, si: Berati, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Kosova, Shkodra, Vlora dhe ajo e Kolonisë shqiptare të SHBA-së. Ashtu si dhe në të kaluarën, ato zgjedhje u bënë me sistem përfaqësimi, apo siç njihen ndryshe, me ‘zgjedhës të dytë’, ku në bazë të ndarjes territoriale, përfaqësuesit e çdo krahine kishin të drejtë të zgjidhnin deputetin e tyre. Në atë kohë për herë të parë kandidatët filluan të bënin edhe fushatë elektorale, e cila në shumë raste përcillej edhe nga gazetat e ndryshme që dilnin asokohe në disa qytete të Shqipërisë. Ndër deputetët më të njohur që fituan të drejtën të përfaqësoheshin në atë parlament, ishin: Ahmet Zogu, Fan Noli, Padër Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Hoxhë Kadria, Ali Këlcyra, Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, Pandeli Vangjeli, Sejfi Vllamasi, Sulejman Delvina etj. Nga viti 1921 e deri në ’24-ën pati edhe disa zgjedhje të tjera parlamentare dhe ajo periudhë kohe (duke përjashtuar atë të pas viteve ’90-të) ka hyrë në historinë e Shqipërisë si periudha kur janë zhvilluar zgjedhjet më të lira dhe demokratike. Në zgjedhjet për parlamentin e parë shqiptar konkuruan disa parti e shoqata si: Partia Përparimtare, Shoqëria “Bashkimi”, Partia Popullore etj., dhe pjesa më e madhe e kandidatëve që fituan të drejtën e përfaqësimit për në Parlament (28 deputetë) ishin antarë të Partisë Popullore të drejtuar prej Fan Nolit. Në atë grupim politik bënin pjesë edhe Ahmet Zogu, Ali Këlcyra, Qazim Kokoshi, Pandeli Cale, Bahri Omari, Sejfi Vllamasi, Bajram Fevzi etj. Më pas, ky formacion politik ku pjesa më e madhe ishin nga shoqëria “Krahu Kombëtar”, u përçanë dhe disa deputetë të saj u rradhitën në grupime të tjera politike kundërshtare. Pas qershorit të vitit 1924, kur ndodhi dhe grushti i shtetit prej forcave fanoliste, apo “Revolucioni i Qershorit”, siç është njohur ndryshe nga historiografia e regjimit komunist të Enver Hoxhës, politikanët shqiptarë u grupuan në dy partitë e reja që u krijuan në atë kohë. Ato ishin partia Demokrat-Nacionale e kryesuar prej Bahri Omarit dhe partia Demokrat-Radikale, e kryesuar prej Agjah Libohova. Këto grupime politike e ushtruan aktivitetin e tyre deri në 24 dhjetorin e atij viti kur Ahmet Zogu u rikthye në Shqipëri. Ndryshe nga zgjedhjet që u zhvilluan në periudhën 1921-’24, ato që u mbajtën në 15 vitet e Monarkisë së Zogut (1925-1939) nuk ishin me shumë parti, pasi Zogu nuk e lejoi pluralizmin partiak. Gjatë asaj periudhe zgjedhjet mbaheshin një herë në pesë vjet dhe në zona të ndryshme konkuronin më shumë se një kandidat. Edhe pse kishte një kushtetutë nga më të përparuarat e kohës dhe sipas të gjitha standarteve të vëndeve Perendimore, sistemit monarkik të Zogut i mungonte pluralizmi partiak. Pas pushtimit të vëndit nga Italia fashiste në prillin e ’39-ës e deri në fundin e ’44-ën, në Shqipëri nuk pati zgjedhje parlamentare.

Zgjedhjet e para, 2 dhjetor ’45-së me gogla

Qeveria komuniste e Enver Hoxhës e cila erdhi në pushtet në fundin e nëntorit të ’44-ës, i zhvilloi zgjedhjet parlamentare plot një vit më vonë, në 2 dhjetorin e 1945-ës. Caktimi i asaj date për zgjedhjet u pa më i përshtatshëm nga qeveria komuniste për vetë situatën e brendëshme që po kalonte ajo, pasi pothuaj i gjithë viti ’45-së kaloi me gjyqe të shumta politike, ku u ekzekutuan apo u burgosën pjesa më e madhe e ish-politikanëve dhe funksionarëve të lartë të të gjithë qeverive shqiptare që nga ajo e Ismail Qemalit, e deri tek më e fundmja, ajo nën pushtimin gjerman të vëndit. Nga fillimi i muajit nëntor të atij viti, Fronti Demokratik i kryesuar nga Enver Hoxha, që në fakt ishte vetë Partia Komuniste, nëpërmjet gazetës Bashkimi dhe Radio-Tiranës, shpalli zyrtarisht hapjen e fushatës elektrorale, duke caktuar dhe 2 dhjetorin si datë të zgjedhjeve. Projekt-ligji elektoral i zgjedhjeve u miratua nga Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ) dhe gjatë miratimit të atij ligji pati debate të ashpra. Shumë antarë të kryesisë së Frontit, KANÇ-it të cilët ishin dhe kandidatë për deputetë, si Shefqet Beja, Riza Dani, Suat Asllani, Sami Qeribashi, Selaudin Toto etj., e kundërshtuar ligjin e zgjedhjeve, pasi ai ‘de facto’ ishte vetëm me kandidatë të Frontit dhe nuk linte asnjë shteg për të konkuruar kandidatë të tjerë jashtë tijë, pa bërë fjalë për një opozitë të vërtetë. Në atë mbledhje, Gjergj Kokoshi (ministri i Arsimit) që ishte dhe një nga kundërshtarët më të rreptë të atij projekt-ligji, në shenjë proteste doli nga rradhët e Frontit dhe shpalli kandidaturën e tij si i pavarur, duke qenë kandidati i vetëm jashtë Fronit në zgjedhjet e 2 dhjetorit ’45-ës. Në fakt edhe avokati i njohur, Koço Dilo, tentoi të dilte si kandidat i pavarur, por pas presioneve të Sigurimit të shtetit, ai e tërhoqi kandidaturën e tij. Në zgjedhjet e 2 dhjetorit ’45-ës, për herë të parë u vendos sistemi i votimit për të gjithë shtetasit që kishin plotësuar moshën dhe jo me përfaqësim me zgjedhës të dytë, siç ishte bërë deri në atë kohë. E veçanta tjetër e tyre, ishte se për herë të parë në të gjithë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, kandidonin edhe dy gra. Ato ishin Ollga Plumbi dhe Liri Gega. Ndonëse nga përmbajtja ato zgjedhje ndryshonin kryekëput nga ato të mbajtura në vitet e Monarkisë së Zogut, nga forma pothuaj nuk ndryshuan aspak. Votimi u bë me kokrra dhe në çdo qendër votimi kishte dy kuti, një për kandidatët e Frontit dhe një për ata jashtë saj. Ata që votonin kundër kandidatëve të Frontit, (kundërshtarët e regjimit komunist) kuptoheshin fare lehtë nga ana e komisjonit përkatës që përbëhej vetëm nga përfaqësuesit e Frontit, pasi kokrra që ata hidhin në kuti, kërciste nga që ajo ishte bosh. Që para miratimit të ligjit elektoral, qeveritë amerikane dhe britanike, nëpërmjet përfaqësuesëve të tyre në Tiranë, gjeneralëve Jakobs dhe Hoxhson, i kërkuan Enverit zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të lira, duke ia vënë atë si kusht kryesor për njohjen e qeverisë shqiptare nga vëndet e tyre. Këtë gjë, amerikanët ia kërkuan përsëri zyrtarisht Enverit më 10 nëntor ’45-së me anë të të Harry Fultz-it e Hoxhson-it, të cilët i përsëritën atij që në këmbim të përfaqësive diplomatike, qeveria shqiptare duhet të siguronte zgjedhje të lira dhe të fshehta, shtypin e lirë dhe ndjekjen e zgjedhjeve nga gazetarë të huaj. Nga të gjitha kërkesat që ia paraqitën Enver Hoxhës përfaqësuesit e anglo-amerikanëve, ai lejoi vetëm atë të pjesmarrëjes së disa gazetarë të huaj në zgjedhjet e 2 dhjetorit, për të cilët me cilësinë e kryeministrit, ai dha një konferencë shtypi në mjediset e Hotel “Dajti”-t, ku kishte selinë qeveria e tij. Disa ditë pas proçesit zgjedhor, Komisjoni Qëndror i Zgjedhjeve i kryesuar nga Kryetari, Andrea Sahatçi dhe Sekretari Andrea Nathanaili, me antarë: Vasil Avrami, Halim Budo, Spiro Stringa, Faik Dishnica dhe Xhavit Gjata, shpalli rezultatet e votimeve. Kështu sipas këtij komisjoni nga 603.566 zgjedhës që ishin regjistruar në listat e votimit, morën pjesë në votime 543.354, që përbënin 90.02 %. Nga këta zgjedhës, 506.319 votuan për Frontin Demokratik, dhe 36.758 vota ishin në kutinë pa kandidat, (d.mth. kundër) ndërsa 277 vota u hodhën në kutinë e një kandidati të pavarur. Si përfundim për kandidatët e Frontit votuan 93.18 % kundër tyre, 6.77 % dhe 00.7 % për kandidatin e pavarur. Pas publikimit të këtyre rezultateve, Fronti Demokratik shpalli zyrtarisht zgjedhjet e fituara dhe nga deputetët u zgjodh një Asamble Kushtetuese, e cila rreth 40 ditë më vonë, më 11 janar 1945 shpalli Shqipërinë Republikë Popullore.

Nga 17.564 zgjedhës që kishte zona elektorale e Enverit në Tiranë, 2.151 s’e votuan

Në përfundimin e zgjedhjeve të para të pasluftës që u zhvilluan në 2 dhjetorin e vitit 1945-së, që faktikishit nuk ishin zgjedhje të lira, pasi mungonin kandidatët jashtë Frontit Demokratik, rezultoi se kryeministri i qeverisë shqiptare, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, i cili njëkohësisht mbante edhe funksionet e Kryetarit të Kryesisë së Frontit Demokratik, Ministrit të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, kishte marrë më shumë vota kundër, nga të gjithë kandidatët e tjerë. Në fakt, Enveri vinte i dyti në listën e 108 kandidatëve të Frontit Demokratik për votat kundër, pasi në vënd të parë me më shumë vota kundër, ishte Ollga Plumbi, e cila nga 18,242 votues në zonën e saj në Tiranë, kishte marrë 2.269 vota kundër, Ndërsa Enver Hoxha nga 17.564 votues që kishte zona e tij elektorale në Tiranë, 2.151 votues kishin votuar kundër tij. Këto rezultate, pasi u bënë publike nga Komisjoni Qëndror i Zgjedhjeve i kryesuar nga Kryetari, Andrea Sahatçi dhe Sekretari Andrea Nathanaili, u botuan edhe në gazetën Bashkimi, organ i Frontit Demokratik që udhëhiqej nga Partia Komuniste e kryesuar nga Enver Hoxha.

Zgjedhjet nga ’45-sa deri në 1990-ën

Me zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, qeveria komuniste e Tiranës që kryesohej nga Enver Hoxha, shënoi dhe fundin e shpresave për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e demokratike me një opozitë legale. Vetëm pak muaj pas atyre zgjedhjeve, u arrestuan dhe u nxorrën para gjyqit një pjesë e madhe e atyre kandidatëve apo deputëtëve që kishin ngritur zërin për zgjedhje të lira, duke u ekzekutuar 17 prej tyre. Enver Hoxha nuk e lejoi pluralizmin partiak dhe të gjitha zgjedhjet që u zhvilluan nga 1945-sa e deri në fundin e viteve ’80-të, ishin vetëm me kandidatët e Frontit Demokratik, nën maskën e të cilit fshihej Partia Komuniste, apo PPSH-ja siç u quajt pas ’49-ës. Por edhe pse nuk lejoi opozitën, regjimi komunist i Enver Hoxhës e vazhdoi dhunën duke e ushtruar atë ndaj deputetëve të tij në Frontin Demokratik. Kështu që pas ’45-ës e deri në fundin e viteve ’80-të, u burgosën apo ekzekutuan shumë deputetë të Kuvendit Popullor si: Kadri Hoxha, Liri Gega, Dali Ndreu, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Haxhi Hajdari, Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Avdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Dashnor Mamaqi, Kiço Ngjela, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Rraman Parllaku, Kadri Hazbiu etj., pa përmëndur këtu shumë të tjerë që u detyruan të bënin vetëvrasje. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ndonëse regjimi komunist propagandonte me të madhe se pjesmarrja në votime ishte e lirë, cilido që nuk merrte pjesë në zgjedhje apo që diktohej se kishte votuar kundra kandidatëve të Frontit, kishte konsekuenca të mëdha deri në burgosje. Ndonëse të pakta, gjatë 45 vjetëve të regjimit komunist ka pasur raste kur persona të ndryshëm nuk kanë dashur të votonin dhe nuk kanë votuar kurrë, si p.sh. Hamit Gjylbegu dhe Zija Muka nga Shkodra, të cilët edhe u dënuan me burg për këtë shkak. Ka pasur edhe shumë raste të tjera që persona të ndryshëm e shfrytëzonin ditën e zgjedhjeve duke bërë presion për të mos votuar, në mënyrë që të zgjidhnin ndonjë padrejtësi që u ishte bërë më parë si p.sh., për strehim, dhënie të drejtash studimi për fëmijët, probleme punësimi etj. Të gjitha votimet nga ’45-sa e deri në fundin e viteve ’80-të, janë bërë vetëm me një kandidat për deputet për çdo zonë zgjedhore.

Gara e votimeve me muzikë popullore

Fushatat elektorale të zgjedhjeve për Kuvendin Popullor që zhvilloheshin një herë në katër vjet, PPSH-ja i konsideronte si “aksionin më të madh politik” dhe vinte në dispozicion të gjithë arsenalin e saj propagandistik, me radio, gazeta, dekore, etj. Një javë përpara zgjedhjeve në qëndrat e votimit bëhej dezhurn nga ana e përfaqësuesëve të Frontit Demokratik dhe ditën e votimeve ato hapeshin në ora 6 të mëngjezit dhe mbylleshin në ora 18 të pasdites. Zakonisht hapja e votimeve bëhej me muzikë popullore nga orkestrantë amatorë apo profesionistë të cilët shkonin në çdo qëndër votimi, duke u rënë veglave të tyre dhe aty zgjedhësit, këndonin e hidhnin valle për Partinë e shokun Enver Hoxha. Përfaqësuesit e Frontit që ishin dhe komunistët më fanatikë, shkonin shtëpi më shtëpi, duke bërë propagandë që zgjedhësit të shkonin sa më herët në qëndrat e votimit, në mënyrë që votimet të përfundonin sa më shpejt. Gjatë gjithë ditës së votimeve Radio-Tirana dhe Televizioni Shqiptar jepnin përqindjet e pjesmarrjes në votime për të gjitha rrethet e vëndit, të cilat ishin në garë me njëri tjetrin, se kush t’i mbaronte ato sa më parë. Edhe pse në të gjithë qëndrat e votimit kishte një dhomë të fshehtë, askush nuk kishte guximin të futej aty me fletën e votimit, por pasi merrej fleta ajo hidhej menjeherë në kuti, pa guxuar as që ta lexonin! Po të futeshe në dhomën e fshehtë, do të thoshte se do të votoje kundër kandidatëve të Frontit, gjë e cila përbënte një herezi. Por kishte plot raste kur zgjedhës të ndryshëm futeshin aty dhe i hiqnin vizë kandidatit të Frontit, duke votuar kundër apo duke e nxjerrë votën të pavlefshme, kur nuk shënonte ndonjë emër tjetër. Kjo gjë mësohej në përfundim të votimeve kur jepeshin dhe rezultatet e tyre të cilat komunikoheshin me anë të radios, televizionit e shtypit. Në të gjithë historinë e votimeve (jo të zgjedhjeve, pasi në atë periudhë ka pasur vetëm votime) nga ’45-sa deri në fundin e viteve ’80-të, asnjëherë nuk u arrit pjesmarrja 100% në zgjedhje dhe asnjëherë nuk u votua 100 % për kandidatët e Frontit Demokratik që udhëhiqej nga PPSH-ja./Memorie.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH