Aktualitet

Gazetari shqiptar futet në Al Hol: Gra e fëmijë kërkojnë të kthehen

Shkruar nga Liberale
Gazetari shqiptar futet në Al Hol: Gra e fëmijë

Një ekip xhirimi i A2 CNN i drejtuar nga gazetari Jul Kasapi, shkoi në kampin Al Hol në Siri, ku qëndrojnë mijëra gra e fëmijë, familjarë të ushtarëve të ISIS. Gazetari dhe operatori i A2 sollën pamje nga brenda kampit, duke takuar edhe disa gra e fëmijë nga Shqipëria e Maqedonia, që ndodeshin prej vitesh aty. Kushtet e jetesës në çadra janë të vështira. Një e moshuar nga Tirana, Mentije Dumani, i bëri apel institucioneve shqiptare që të ndërhyjnë për të bërë riatdhesimin e rreth 20 familjeve që ndodhen në Al Hol prej vitesh.

“Unë jam Mentije Dumani. Jam nga Tirana. Jemi më pak se 20 familje shqiptare. Këtu ka shqiptarë, turq. Kushtet i kemi të mira. Ne kërkojmë nga shteti dhe të interesohet. Na ka mbajtur me gënjeshtra se do të na marrin. Ne duam të kthehemi në vendin tonë. Mos të na lënë pas dore. I bëjmë thirrje shtetit të na marrë sa më parë”, tregon një nga shqiptaret në këtë kamp.

Gratë dhe fëmijët shqiptarë kanë humbur kontektet prej vitesh me pjesën tjetër të familjarëve të tyre, si ata në Shqipëri apo dhe familjarët e tyre që luftojnë krah ISIS në Siri. “Unë jam Rruzhdie Balliu nga Librazhdi. I bëjmë thirrje shtetit të na kthejë në vendin tonë. Unë nuk kam kontakt me asnjë nga familjarët. Burrin nuk e di fare se ku është. Ali quhet”, shprehet një tjetër shtetase shqiptare.

Rreziku brenda kampit është gjithmonë evident. Gratë dhe fëmijët shqiptarë ndodhen në seksionin e të huajëve, ku bëjnë pjesë aktualisht rreth 10 mijë gra e fëmijë. Ky seksion është dhe më i radikalizuari, pasi siç janë shprehur përfaqësuesit e administratës kurde që ruan kampin, janë shumë gra të trajnuara për luftë.

Por sa e vështirë është të bësh riatdhesimin e grave që ndodhen në kamp? Sipas përfaqësuesve të administratës, do të mjaftonte bashkëpunimi i shteteve nga kanë prejardhjen familjet që ndodhen në kamp, për të bërë riatdhesimin e tyre. Administrata e Al Hol shprehet se rehabilitimi i grave të radikalizuara në kamp është shumë i vështirë nga ana e tyre, ndaj kërkojnë bashkëpunimin me vendet e orgjinës për t`i riatdhesuar këto familje. Vetëm disa ditë më parë, fal bashkëpunimit të shtetit shqiptar dhe atij italian, u bë i mundur shpëtimi i një fëmije shqiptar, Alvin Berisha. Ai u kthye pranë babait të tij në Itali, pasi rasti u publikua në mediat italiane.

https://youtu.be/R92o0y33mco

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH