Letërsi

Enkelejd Lamaj: Për realitetet e pajetuara ende

Shkruar nga Liberale

Me Enkelejd Lamajn shkrimtarin e letërsisë thriller, në një rrëfim mbi frikën dhe letërsinë e re shqipe sot

Kur shkruaj thriller, nuk shkruaj për të shkaktuar, por për të çliruar frikë. Ama, sa më përket mua... jo jo, më mirë të hesht sepse kam frikë të tregoj se çfarë më frikëson”, Enkelejd Lamaj shprehet kështu teksa tregon më poshtë në një bisedë për Leteraturën; raportin e tij me të shkruarin.

Përfaqësues i gjeneratës së re të shkrimtarëve, Lamaj lëvron në një gjini shumë pak të elaboruar në letrat shqipe atë të thrillerit. Ai  është autor i librave “Ajo e errëta”, “Vendi diku midis”, “Libri i bardhë”, “Fytyra e natës”.

Le ta nisim bisedën me rrugëtimin tuaj drejt letërsisë dhe tërheqjen nga gjinia thriller?

Mendoj se rrugëtimi drejt letërsisë ka nisur që me dëgjimin e përrallave dhe pastaj me leximin e librave. Sa i përket përrallave, zor se mund të mbaj mend se kur kam filluar me dëgjimin e tyre (sigurisht që e di se kur, por unë këtu dua të flas për çfarë mbaj mend dhe jo për çfarë më kanë treguar), por më kujtohen si lexime të para përrallat e Andersenit dhe ato të vëllezërve Grim. Mes tyre “Hansel dhe Gretel” është ndër përrallat që më ka mbetur më shumë në mendje – ishte ajo për të cilën kam ëndërruar dhe imagjinuar më shpesh.

Kurse leximi i librave erdhi më vonë, sigurisht. Kam pas fat shumë të mirë që prindërit e mi kishin një bibliotekë në shtëpi dhe aty, mes rafteve të saj, unë u njoha me libra të tillë si “Shigjeta e kaltër” (Xhani Roderi), “Xhim Kopsa dhe Lukas Makinisti” dhe “Xhim Kopsa dhe 13 të tërbuarit” (Mikael Ende) por edhe “Bari, biri i Kazanit” (Xhek London), “Zemra” (De Amicis) apo “Lundrimi im i parë” (Arion Hysembegas), etj.

Por librat më të parapëlqyer, pa diskutim, kanë qenë “Dy vjet pushime” nga Zhyl Vern dhe “Aventurat e Tom Sojerit” e ato të Hakëlberri Finit nga Mark Tuein.

Pastaj, kur jam njohur, nuk kam reshtur më së lexuari për shumë kohë, Tregimet e Moçme Shqiptare, së bashku me tragjeditë greke të Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit.

Sigurisht që, mes tyre, kam lexuar edhe plot e plot libra të tjerë, por jo më kot zgjodha të përmend këta tituj. Sepse çfarë kam gjetur mes faqeve të tyre, kanë lënë gjurmët e tyre të pashlyeshme.

Megjithëkëtë, duhet të pranoj që shkrimi ka nisur shumë më vonë. Ndërkohë, fillova të shikoja filma pafund. Ndër gjithë filmat që shikoja, zgjidhja vetëm ata me temë të fortë, thriller ose horror. Të njëjtën gjë fillova të bëja dhe me librat. Të jetuarit jashtë Shqipërisë, në fillim të viteve 2000, ka bërë padyshim të vetën, sepse përndryshe zor se do të kisha njohur Stephen King, Richard Matheson, Edgar Allan Poe, H.P.Lovecraft, por edhe Peter Straub e Dean Koontz apo John Grisham, James Ellroy, Raymond Chandler, Dennis Lehane, e shumë të tjerë.

Ka qenë, kush më pak e kush më shumë nga gjithë këta që përmenda (e edhe ndonjë tjetër, që mund ta kem harruar, sigurisht), që, padyshim, ka ndikuar në shkrimet e mia. Kur zgjedh çfarë të lexoj, këtë e bëj duke pasur ndër mend se jam gjithnjë në kërkim të dinamizmit, larmisë dhe, përherë e më shumë, në kërkim të eksitimit dhe ngazëllimit. Të njëjtën gjë bëj edhe kur shkruaj. Sepse zhanri thriller – ai i frikës, i së errëtës, i krimit apo i suspansës, – është vërtet i efektshëm, si një formë narrative e veçantë, që garanton më së miri të gjitha këto.

Ngjarjet në librat tuaj e kalojnë hapësirën e gjuhës, shtrihen në hapësira të tjera, apo hapësira nuk është e rëndësishme për ju ku shkruani?

Më pëlqen ta quaj veten tregimtar, më pëlqen më shumë se fjala shkrimtar. Kjo sepse më pëlqen të tregoj. Të tregoj histori. Histori që flasin për realitete që e di se ekzistojnë, por që nuk janë përjetuar ende. Për këtë arsye, në shkrimet e mia, ngjarjet ndodhin një kohë dhe hapësirë të caktuar – qoftë kjo reale apo e trilluar. Qëllimi im, përveç se të të tregoj se çfarë i ka ngjarë dikujt diku dhe dikur, është të teletransportoj edhe lexuesin brenda historisë. Dhe këtë e bëj duke e vendosur në një kohë dhe hapësirë konkrete. Një nga synimet e mia është shkrirja e trillimit me realen – dua të them: sado e imagjinuar (trilluar) të jetë ajo që shkruaj, ajo do të kombinohet dhe përzihet patjetër me realen, me atë që ka ndodhur apo është duke ndodhur në të vërtetë. Thënë këto, pranoj që, për mua, koha dhe hapësira kanë rëndësi thelbësore në shkrimet e mia, por kjo nuk do të thotë se ato janë të palëvizshme.

Frika është ndërgjegjësimi, që në vetvete është vetë letërsia. Si është raporti yt me frikën?

Mendoj se frika, si emocion, është e pranishme te çdo njeri. Në qoftë se nuk do të kishim frikë, nuk do të shijonim asgjë nga jeta. Mendimi im ky! Për këtë arsye më duhet të pranoj që frika, në njërën apo tjetrën formë të saj, është gjithnjë e pranishme në ato që shkruaj: më pëlqen të luaj e të argëtohem me të. Kur shkruaj thriller, nuk shkruaj për të shkaktuar, por për të çliruar frikë. Ama, sa më përket mua... jo jo, më mirë të hesht sepse kam frikë të tregoj se çfarë më frikëson.

Edgar Allan Poe, një shkrimtar që ka perfeksionuar thrillerin, shkruan se  “thellë në atë errësirë duke hedhur sytë, shumë kohë unë qëndrova atje, duke pyetur, duke u tutur, duke dyshuar, duke ëndërruar ëndrrën të cilën asnjë i vdekshëm kurrë nuk ka guxuar ta ëndërrojë më parë”....Ëndrra, sa e rëndësishme është ajo për krijimin?

Dhe është po Poe i cili ka shkruar edhe se: gjithçka që shikojmë ose ngjasojmë, është një ëndërr brenda një ëndrre. Ëndrra është ndër misteret më të bukura dhe më ngacmuese – letërsia (dhe i gjithë arti madje) është tejet e mbushur me to. Janë me dhjetëra a qindra teori që tentojnë të na tregojnë se përse ëndërrojmë dhe secili prej nesh, në varësi të gjendjes emocionale në çastin që ëndërrojmë (ose më mirë të them në çastin kur zgjohemi), vendos të besojë se cilën prej këtyre teorive të besojë. Por, kur vjen puna te krijimi – dhe këtu e kam fjalën për procesin e krijimit – jam i bindur se ëndrra, pavarësisht misticizmit, me të cilën e mbajmë veshur tërë kohës, nuk ka as më pak e as më shumë ndikim se sa një dush me ujë të ngrohtë, një rrugë e gjatë me makinë, një endje në një qendër tregtare apo një kafe e pirë me njeriun me të cilin ke rënë dashuri (madje kjo e fundit mund edhe të ketë më shumë ndikim, sidomos kur këtë kafen nuk e pi). Çdo gjë që ka për të ardhur (le ta quajmë ide, frymëzim, dëshirë, le-ta-quajmë-si-të-duam) për të filluar, vazhduar apo përfunduar një histori, vjen kudo e kurdo dhe as të pyet fare e as të paralajmëron.

Por, për sa i përket brendësisë së krijimeve të mia, sigurisht që në historitë e mia mund të ketë edhe personazhe besëtytë, për të cilët, ëndrra është thelbësore dhe përcaktuese për jetën apo vdekjen e tyre.

 “Unë ngrihem mbi dobësinë e kërkimit për të krijuar një rend të shkakut dhe pasojës, në mes të fatkeqësisë dhe mizorisë”, shprehet sërish Poe, tek ju si ndodh?

Unë, personalisht, nuk jam besëtytë, megjithëkëtë zor se u besoj rastësive. Por, kur vjen puna te shkrimet e mia, unë mund të jem çdo gjë që duhet të jem e të besoj në çdo gjë që duhet të besoj. Dhe e kundërta. Me shkrimet e mia më pëlqen të eksploroj terrene të ndryshme, në mënyrë të veçantë, terrenin aq të vështirë të mendjes. Ne jemi ajo që bëjmë dhe bëjmë atë që jemi, por çështja është se nuk jemi kurrë të njëjtët që ishim edhe një çast më parë, prandaj dhe jemi kaq të paparashikueshëm. Çdo gjë që bëjmë, çdo gjë që nuk bëjmë dhe çdo njeri që takojmë apo nuk takojmë na jep dhe, njëkohësisht, na merr diçka. Na ndryshon. Ja, e ku ka më thriller se kaq!

Në Shqipëri kjo gjini është pothuajse e pa eksploruar nga autorët, kjo ua ka bërë më të lehtë terrenin për lexuesit?

Nuk besoj se është kështu. Mund të jetë e pa eksploruar nga autorët, por mendoj se është mjaft e eksploruar nga lexuesit dhe, duke qenë se janë këta të fundit objektivi im kryesor, mendoj se terreni është dhe gjithnjë do të jetë i vështirë.

Çfarë po shkruani tani?

Aktualisht, ndërkohë që është duke u përgatitur për botim përmbledhja e re me tregime thriller-suspansë-horror, “Ndonjëherë qëndrojnë përgjithmonë”, jam duke përfunduar dorëshkrimin e një romani, i cili titullohet “Errësirat e nëntorit”. Nuk mund të tregoj dot se për çfarë bëhet fjalë, por mund të zbuloj se bëhet fjalë për një roman që do të anojë më shumë nga ana më e frikshme e thrillerit dhe që flet për një nëntor me errësira dhe me shumë fytyra... apo është më mirë të them me pafytyra? E lemë surprizën për kur të përfundojë./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH