Aktualitet

Historia e (pa) njohur e Brigitte dhe Emannuel Macron

Shkruar nga Liberale
Historia e (pa) njohur e Brigitte dhe Emannuel Macron

Nga Sylvie Bommel

Edhe sikur të quheshin Sofi dhe Rafael Dypo, historia e tyre do të ishte gjithsesi e jashtëzakonshme. Historia e një gruaje në të dyzetat, e martuar, nënë e tre fëmijëve, që bie në dashuri me një djalosh më të ri se djali i saj i madh dhe që, duke sfiduar mospëlqimin e njerëzve të saj dhe të gjitha normat përgjithësisht të pranuara, arrin të martohet me të, dukej sikur kishte dalë nga faqet e një romani. Fakti që i dashuri u bë politikan e bën situatën edhe më interesante. Kështu ishin punët kur një revistë më propozoi të shkruaja për historinë e dashurisë së Brizhitës dhe Emanuel Makronit. U botua në maj të 2016-ës.

Saktësisht gjashtë muaj më vonë, kundër të gjitha gjasave, ministri tridhjetetetëvjeçar hyri në garën presidenciale. Gjatë fushatës u kuptua se gruaja e hollë dhe bjonde, dorën e së cilës ai e kërkonte aq shpesh, do ta mbështeste në këtë garë si rrallëherë ndonjë grua kandidati. Saga e Makronëve po dilte nga gjinia letrare e romanit dashuror, për të hyrë në atë të trillerit politik.

Nuk kishim parë gjë akoma. Sepse ai fitoi dhe gruaja e tij, me origjinë nga një familje pastiçerësh në Amien, e veshi rolin e ri me një lehtësi të tillë si të ishte rritur në Pallatin e Bukingamit. Ajo u bë shpejt objekt kopertine po aq tërheqës për revistat sa një princeshë e Mbretërisë së Anglisë.

Interesi për këtë çift të pazakontë i kaloi kufijtë tanë. Në Kinë, hashtagu “gruaja e Presidentit francez” u shpërnda miliona herë. Në Australi, u komentua rrugëtimi i presidentit të ri dhe i asaj që, me anë të magjisë së përkthimit, ishte bërë “mësuesja e tij e vallëzimit”. Nga Glasgou në Duala, artikujt për zonjën e parë franceze prodhonin komente dhe dëshmi të përdoruesve të internetit rreth rëndësisë që ka – ose nuk ka – diferenca e moshës për çiftin.

Ndërsa mua në Paris nuk më kishte ikur ende kureshtja. Në kokë më gëlonin pyetjet: Ishte guximi apo pavetëdija që e kishin shtyrë Brizhitën të “shkatërronte vatrën e saj”, siç thonë në Amien, për t’iu futur një aventure çmendurisht të rrezikshme? Ishte vallë Emanueli ai që kishte bërë hapin e parë? Nëse po, si ia kishte dalë t’i mbushte mendjen? Kur kishte filluar saktësisht lidhja e tyre?

Ç’mrekulli kishte ndodhur që fëmijët e Brizhitës e kishin pranuar aq lehtë këtë njerk jo si të tjerët (kështu thotë versioni zyrtar), ndërkohë që rreth e rrotull meje, as dyzetvjeçarët e afirmuar nuk e pranojnë që nëna e tyre të dashurojë njeri tjetër veç babait? Nuk ishte çështje morali. Unë nuk po i dënoja. Nuk është në tipin tim. Në kohën time, jo njëherë. Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare vendosa mbi komodinë librin “Seksi i dytë”.

Sot, Simonë de Bovuar është ende aty dhe më ruan se mos censuroj ndonjë guxim femëror, sado befasues të më duket. Çështja ishte të kuptoja. Çfarë na thotë fati kaq i pazakontë i Brizhitës për gratë e brezit të saj, ai i baby-boom-it? Po për atë, Presidentin? Për karakterin e tij, për mënyrën si e jeton jetën dhe – po guxoj – si e qeveris Francën?

Kur isha gazetare e ekonomisë, gjithmonë më habiste vëmendja e pakët që tregonin analistët për personalitetin dhe dalldisjet e drejtuesve. Një epror i magjepsur pas drejtoreshës së tij të komunikimit (kam njohur më tepër se një), a nuk është sadopak i ndikuar, teksa i duhet të vendosë për strategjinë? Dhe gjithë ata drejtues që i largojnë një nga një vartësit që mund t’u zinin vendin, mos rastësisht kanë një problem të vogël me egon? Po kështu edhe për politikanët.

Jam e bindur se aventurat (po përdor këtu termin në kuptimin më gjerësisht të pranuar, nuk dua t’i nxjerr të palarat askujt) e Zhakut, Fransuait I, Nikolait, Fransuait II, pa harruar ish-presidentin tonë të ardhshëm Dominik SK dhe trofetë e tij të një nate apo të një ore, që nuk më del vendi t’i përmend të gjitha këtu, gjithë ato histori dashurie apo të tjera gjëra, kanë pasur të paktën po aq ndikim mbi gjendjen e tyre shpirtërore dhe, si rrjedhim, mbi vendimet e tyre për kombin, sa edhe politika e kursit të këmbimit e Bankës Qendrore Europiane.

Për të gjitha këto arsye, vendosa t’i kthehem hulumtimit tim aty ku e kisha lënë pas artikullit të parë. Tani që ajo ishte bërë e rëndësishme, shumë njerëz në Paris, të gjithë ata që më flisnin për të duke thënë “mikja ime, Brizhitë”, ishin të gatshëm të më tregonin gjithçka që nuk dinin për marrëdhënien e saj. Këta i shmanga.

Po ashtu, nuk u përpoqa ta takoja, thjesht njoftova kabinetin për përçapjen time. Versionin zyrtar të njohjes me gjimnazistin Emanuel, ish-profesoresha e ka dhënë tashmë. Ajo komunikon brenda kornizave tepër të ngurta, kështu që nuk do të kisha fituar gjë duke e pyetur. Madje do të kisha rrezikuar të humbisja distancën e duhur me heronjtë e mi.

Mes së besuarës dhe detektives, preferoj të dytën. Dashamirëse por këmbëngulëse, ndoqa të gjitha pistat që mund të më afronin me atë që ishte ngjizur në fillim të viteve ‘90 mes dy të pasionuarve pas letërsisë. I rashë kryq e tërthor Amienit dhe fjeta në Alzasë, ku ka jetuar Brizhita. Takova kolegët, fqinjët dhe kushërinjtë. Shfletova Le Courrier Picard dhe vizitova shkollat ku kanë studiuar.

U zhyta në kohën e rinisë sonë, të Brizhitës dhe simes, kohë kur e ardhmja e gruas përfundonte shumë shpesh te burri. Kam qarë duke lexuar letrat e dëshpëruara të Gabriela Rysiesë, që u burgos sepse dashuroi një prej nxënësve të saj dhe për këtë arsye vrau veten. Lexova prapë me një kënaqësi të pafund romanin “Zonja Bovari”, të preferuarin e Brizhitës.

Dhe sigurisht, dëgjova Dalidën.

Il venait d’avoir dix-huit ans

Ça le rendait presque insolet de certitude…

(Ai sapo kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjeç.

Kjo e bënte pothuaj paturpësisht të sigurt…)

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH