Aktualitet

Dy kohët e Migjen Prespës

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

Zhvendosjet e shumta përmes fluturimeve në lartësitë marramendëse të udhëtimeve të tij e bënin Migjen Prespën të përsillte me rend e rregull një rrokullimë ngjarjesh e personazhesh që së shpeshti i përsëriteshin në radhë tubimesh imagjinare si një test vetëdijeje, se kush nga ato subjekte do kishte tharm dhe thekje të zinte kohën më të madhe të udhëtimit të tij të zgjatur. Ishte si një lojë e kotur dhe argasëse që i jepte lëng formës së tij vetmitare për të mbushur hapësirën e izoluar e të pezullt me pesrsonazhe shtegtarë, që ndërgjegjja ia kthente në krye të herës si pa dashje, e ngucur në një thellim të rrallë.

I flladitej si në rrëzim të fundit takimi me një personazh që rrinte disi ndrojtur në (pa)radhitjen e tij, dhe herë-herë i dilte në sipërfaqe si një ndjesi që e shtynte të priste akoma. Ndonjëherë dhe më zgjatur e rrokanisnin në cytje mbetje takimesh me një radhë njerëzish që i kish për zemër si karaktere dhe si shumatore dobësish njerëzore, që i arkivonte me dëshirë në përfytyrimet zbavitëse të tij. Kotej edhe më shumë që të mos e pengonin në kotninë e gjërave të pandërgjegjshme që stimulonte. E përzier me peizazhin e asaj nate shtatori, si dhe me kohën e ndërmjetme mes degjenerimit kromatik, i erdhi fare qartë para syve Fabi, një e njohura e tij që hoshilonte mes qartësisë e paqartësisë si vegim a trajtë e padashur e ndërgjegjes, pasi kish kohë që midis tyre kishin shtrirë një ajër moskomunikimi. Ashtu siç ishte mësuar ai në marrëdhënie me njerëz të ndryshëm, që nuk se ngulmonte që të ndërtonte marrëdhënie të ushqyera e të shëndetshme, por në forma spontane, ritakonte rigjallërimin e segmentuar të njerëzve, që në fakt e kishte të nevojshme t’i qaseshin në momentet e duhura. Një ngërç lidhës  që e ndiqte gati përgjatë gjithë jetës së tij, ku përgjithësisht personazhet i notonin në ndërgjegje në forma mbijetese, për arsyen se nuk nxitej të ushqente këtë lloj lidhjeje.

I pangjashëm në kapriçot e tij, i dukej vetja si një udhëtar që shtriqej mes hopesh e afshesh njerëzore në një marrëdhënie që në qendër kishte delirin e madhështisë; ku në të njëjtën kohë vetëkryhehej të shëronte këtë lloj mungese të shkëputur raportesh njerëzore, si një ngopje me frymën e udhëtimit të tij të nëndheshëm.

Janë disa lloj qeniesh që të bëjnë të ndalosh hapin dhe frymën, për atë se si sillen dhe se si dominojnë situata të përbashkëta takimesh pothuaj të pakuptimta. Një ndër të shpeshtat në qarkullim është edhe një e njohura e tij pa shumë shkaqe, tepër e rëndësishme për të, por si një nevojë krejt ndryshme në gamën e njerëzve të njohur. Është fjala për Fabin, një vajzë me një dendësi të dukshme e të zeshkët, me sytë pis të zinj, që të ngulitet në kujtesë për mënyrën se si përvijohet në kryqëzatat e saj drejt zbulimit të njeriut që ka vënë në qendër të interesit.

Ishte një nga ato që kishte hyrë në jetën e tij thjesht si një takim pa ndonjë shkak të madh, për interesa disi të përbashkëta në mundësinë për të parë a blerë diçka nga krijimet e tij, ose me shtysën se çfarë bënte dhe se në çfarë faze ishte udhëtimi i tij artistik.

Sapo ishin takuar, aty për aty biseda e tyre humbi qendrën, dhe me rrëmbim përfundoi në një dhënie të gjatë kuptimesh e keqkuptimesh të gjata për njerëz të njohur e të panjohur, si dhe për ëndërra njerëzish të pakët që kishin njohuri për lëvizjet më të fundit në art. Fakti që njerëz të tillë e bezdisnin nganjëherë, sepse merrnin më shumë peshë në bisedë për nga pasioni, e bënte  Migjen Prespën jo gjithnjë çakërrqejf e në orë të mirë, se do përballej me ngarkesa të rënda e tematike.

Diskutimet për artin ishin bërë lodhëse, pasi te partnerët përballë kishte vetëm konsum e kërshëri, por nga ana tjetër diskursi përsillej në formë halli, për nga konkurrenca, informacioni dhe me të tilla skuta që të lodhnin e të mbanin në një hall që e ke të përditshëm. Por, Fabi ishte e vendosur, dhe udhëtimet e brendshme të saj me artistë bashkohorë që ishin bërë një lloj ushqimi cilësor për të.

Takimi i parë me të, përmes një mikeshe të hershme, ishte mbresëlënës; nga ato takime ku dorëzohesh pa kushte, për arsyen se rrallë të vjen në tavolinë një nga ata njerëz që të lejon të hapesh e të pret gjerë e gjatë, pa limonti; një lloj alkimie që ndodh në racën e njerëzve që luajnë në harta të përbashkëta shijesh, dhe kësisoj kalërojnë duke lënë pas kohën kalendarike.

Në rrugëtimin e saj pushtues, Fabi dukej se zhytej në një humbje të gjatë e të shurdhët, deri në një ridalje të re malli, apo buzë ndonjë sebepi lidhës për ta rimarrë bisedën e për të udhëtuar me të gjatë. Si shumë nga këto lidhje kurioziteti, Migjen Prespa kishte vendosur se disa personazhe janë si përjashtime të rastit, që nuk u duhet thënë jo kurrë, në çfarëdo situate që të sjell jeta, në kuptimin për të mos i humbur si shkaqe shtytëse, që të nguliten, dhe duhet kohë për t’ua kuptuar hartën e rrugëtimit, që të jep përshtypjen sikur po të kalon nëpër trup.

Ishte një vendim i marrë shkurt vetëmevete, sepse i dukej sikur e oksigjenonin, qoftë dhe me mënyrën se si e risillnin sjelljen e tyre të pangjashme e rutinë, dhe format se si konfiguroheshin në ndërgjegjen e tij; herë me kalime të forta, herë sipërfaqsore e në të shumtë me trauma trupore të dukshme, gjë që i shkonte për hosh që t’i kishte në tavën e tij.

Çudia që e mbante të pleksur me këtë personazh, që me thënë të vërtetën, në një veshje zakonore tepër njerëzore është se ka një aftësi të çuditshme për të të zhveshur nga titujt e parë ndërzyes të një mashkulli në raport me femrën si përkorje, si tingull, kimi e të tjera vatra hyrëse te një gjendje e kundërt. Jo se nuk kishte tërheqje femërore, gati për një aventurë a histori si një vrimë e zezë, ku do mund të shtrinte të gjithë ngjethjen dhe adrenalinën e mundshme, si dhe të gjithë forcën trupore për ta shtrydhur dhe mbajtur në epsh e shthurje, por një ngulm i padukshëm barazie, që sikur të rrethon me unaza të pesonalitetit dhe fuqisë kontrolluese, disi ëmbël, që nuk të hapte rrugë kollaj ta humbisje me nje gjest shpërfillës.

Të duket se në brazdën e interesit ke një formulë që duhet të ngresh të gjitha hipotezat për ta zhbërë në kuriozitetin e vetërealizimit të një egoje që ka klas, si dhe të panjohura të mjafta për t’u zbuluar e lënë në diell paq. Në të gjitha raportet me femrat, i kishte të menaxhueshme dhe për shkak të një lloj lënde flirti që i jepnin gjithnjë perspektivë sundimtare bisedave, me të cilat ushqente ditët e tij prej një mashkulli me përvojat e duhura. Fabi nuk se ishte një ndalesë e ngurtë e kokëforte për të, por një lloj personaliteti i hapur e i ngulët, që të orientonte lëvizjet e brendshme, dhe herë-herë të hidhte në disa pikëvijime të përcaktuara e rrethuese, duke të lënë pa kushte në fushën e lojës.

E ndryshme, e rëndë në vetësiguri, e qartë dhe potente, e ngjashme me disa krijime në volum të Botero-s. Pa mëdyshje që ky personazh i botës së mistertë të femrës, nuk kishte linja të lakuara e të kredhura në melankoli e hijedritë, por finesa e brendshme dhe thellësia në komunikim e shquanin si mos më mirë.

E vetmja arrati e mundshme për Migjen Prespën ishte kurioziteti i shfrenuar për ta dalluar në kulmet e rrëzimit të saj; në një akt të pakontrollueshëm njerëzor, të mundshëm ose në një zhytje humbëse të sigurisë së saj – ja çfarë ishte një e papritur e madhe për Migjenin.

Kishte takuar në jetë me mijëra fragmente nga bota e femrës, dhe kishte parë me sy me qindra skema hapjesh e mbylljesh nga bota e tyre, dhe disa syresh ishin me të vërtetë të forta e mbresëlënëse, dhe kishin lënë sinore në kalimin e tij të gjatë përreth e mes tyre. Ato më të lehtat dhe miklueset, nuk di se pse i janë dukur si një terapi e lojës së dyfishtë; të tjerat, ato me karakter i kishin rritur ndjenjën e patetizmit të ndarjeve me dramë; të tjera akoma, disi më të spostuara nga lidhjet në çift, i jepnin shkas dhe humbte simbolikën kontrollin konvencional.

Këto lloje ndalesash të qëndrueshme e të shumëllojta, i përkëdhelnin disi sedrën mashkullore dhe ngrefoste forma aleancash të pakuptimta mes tyre e vetes.

Me siguri që në rrethimin e këtyre kështjellave humane, ato që dinin të jepeshin apo ato që thurnin rrëzimin e një burri që rri mes korrentesh, ishin më mahnitëset. Bukuritë e humbjes së kontrollit dhe arsyes, apo bukuritë e ujdive pa fjalë ishin po aq të bukura e thellësisht njerëzore. Shuma e bisedave me të njohurën tërheqëse kishte karakter zbulues dhe një lloj kurioziteti pa një  fund të qartë, por me aftësinë mahnitëse për ta mbajtur gjallë një bisedë; për faktin se kishte një veti të rralllë për të kuptuar e menaxhuar përmes një zgjuarsie të lindur, sidomos për botën e artit, ku mesa dukej kishte projektuar të gjithë urinë e saj metafizike.

Fakti që është një humanoid klasi, që kërkonte ajër të rrallë, e mbante të tendosur e syçelët; e më pas, kur vinte biseda për figura konkrete, i prishej disi ekuilibri, për arsyen se njihte shumë e nuk e ndante dot në një kandar subjektin e gjetur.

Takimet me të kishin një veti të çuditshme, ngaqë nuk kishte njohur një specie njerëzore që të fshinte me një të rënë lapsi ndarjen më atë çfarë kish ndodhur më parë, apo reminishenca të sfumuara historish, si sfonde të gatshme bëmash të reja e të rilinduara. I përsillej përpara si një realitet i shkëputur, i mbarsur me të sotmen, sikur kishte një shirit të akumuluar dijesh me gjithçka ndodhte në çdo moment; ndoshta edhe për shkak të profesionit të parë të saj si gazetare, por dhe për shkak të të qenurit syçelë në atë çfarë kalonte në ajër si frymë/prurje, apo si oksigjen për idetë.

Ishte një qasje superkonkrete që e zinte beftë Migjen Prespën, dhe e shkulte nga kllapitë e së shkuarës. Qartësitë e prera shkurt me atë se çfarë ndodhte sot për sot, ngjethnin ngjarjet e shpupurisura brenda tij, që i ledhatonin kohën dhe i nanurisnin sedrën prej rrënimtari.

Takimet e shkëputura me Fabin sikur i riqartësonin një tjetër klimë, që ai e shtyte nga vetja e nuk e qaste në përditshmërinë e tij, qoftë dhe për shkak të objekteve të konservuara në një formë tjetër nga brenda. Këto lloj paralelesh shkundëse, që të nxirrnin nga myshku i të ndenjurit në siguri, i shpejtonin shqisat të artikuloheshin si mburoja, për të zbuluar ballë  tij atë shkulm informacioni zhveshës, që herazi e linte pa fjalë. Për Migjen Prespën Fabi ishte një stacion i gjallë njerëzor, që jetonte një hap përpara tij në një botë arsyesh, që të duket se kontrollon botën e brishtë; që shkaqet e dobësive i përkthejnë si gjendje favorizuese arti.

Fabi kishte aftësinë për të shkundur para tij këtë turbullirë ku shtrinte fuqinë dhe trupin në një pasiguri dhe forcë ëndërrimi që u ngjan dëshirave të fëmijës. Ajo kishte humbur shije dhe aromë, dhe shndërrohej në një arsye më shumë për të qenë rojtare e një rendi që Migjen Prespës i dukej i huaj dhe i largët.

Afshet e tij të pandara qartë mes krijuesit dhe veprës, ishin të tundshme nga një formë e re korrektimi për arsyen e saj, që i rrinte mbi krye në formë modeli gatitu. Kjo varësi e re e bëri atë të mendonte se kishte humbur terren dhe përballë tij nuk ishte më një kala e dorëzuar pa rezistencë, por një tjetër materie e vetëdijshme mund ta korrektonte dhe ta vinte në siklet. Gjithsesi i pëlqeu që në hartën njerëzore kishte edhe të tjera trajta dijesh që mund të thyenin një traditë, apo një vetësiguri artisti që dominonte të gjitha nëndarjet e tavolinave kur flitej për artin. Ndoshta thellë-thellë, pikërisht për këtë si ligjësi tronditjesh në pozicion, Migjen Prespa i la kohë ndjesisë për ta kundërshtuar, dhe pranoi të voziste në ujrat e saj. Për këtë e admironte këtë femër, që për shumë shkaqe të mbledhura bashkë e donte dhe e cyste njëherësh. Diçka e pangjarë më parë për të, si një aneks palestre ku testohen muskuj dijesh dhe epërsish të pozicionuara qartë.

Migjen Prespës i rreshtoheshin në mendje gra të fuqishme përgjatë historisë, si dhe gra të fuqishme në art, që u bulëzonte në ballë një qëndrim i hapur e emancipues, shpesh i pakrahasueshëm edhe në gjini. Nuk donte që t’i pranonte gjithherë si realitete të afërta, por si shembuj kur shestonte në të njëjtën forcë vale të vlerës, dhe e bënte hapur në stimujt e tij për realitete të sythshme rioshe.

Por ja ku i përsëritej vagullt në formë jo krejt të hapur një model i ndryshëm, me një energji të organizuar mirë në fuqinë e saj, ja aty, mu ballë tij, në kafene, duke replikuar dhe marrë në dorë zona disi të pashpjegueshme formash alternative krejtësisht të kundërta me çka ai mendonte. Për herë të parë ndjeu një sëmbim të shpërndarë në gjoks, si dhimbje. Ndjente së shumti se një nga shprehjet në betejat e debatit ishte shprehja lapidare që një njeri i kulturuar duhet të dijë të humbasë, pikërisht sepse ndjehej në krahun e një njeriu tolerant dhe me një intuitë të pakrahasuar.

Hapi sytë dhe ndjeu se ishte krejt i rrëmbyer në qarkun e monologëve të tij të mundimshëm. Dëgjoi folësin që paralajmëronte uljen e avionit dhe dha sinjalin e vënies së rripit të sigurisë. U shkund nga kjo valë makthi në ndërgjegje dhe buzëqeshi hutueshëm e krejt i pasigurt, si në një pragulje, që gjithherë e priste në paranojë e me frikë.

Mbylli sytë dhe ishte çasti që merrte pikën kulmore të takimit ajër-tokë, me ç’rast ngriu krejtësisht. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH