Aktualitet

Drejtori i IT: Gati, të realizojmë online vitin e ri akademik në UET

Shkruar nga Liberale
Drejtori i IT: Gati, të realizojmë online vitin e ri akademik në

Ju jeni drejtor i IT njëkohësisht doktor shkencash në fushën e teknologjisë dhe pedagog në UET. Që prej muajit Mars si shkak i pandemisë në UET i gjithë procesi mësimor u zhvillua online. Sa gati ishte institucioni dhe stafi për t’u përshtatur me metodën e re të mësimdhënies?

Ne jemi ndryshe! UET është ndryshe dhe ndaj ia dolëm! Jetojmë në një kohë shumë dinamike dhe kërkuese ku nevojat e nesërme vështirë t’i parashikosh saktë që sot. Të punosh sot që të jesh gati për nesër, nuk është aspak e lehtë. Më mirë se çdo argument që mund të themi ne, këtë gjë e vërtetoi pa mëshirë pandemia e COVID-19. Universitetet në Shqipëri, ecnin “qetësisht” në rrjedhën e tyre normale, ku teknologjia shihej si argument interesant ne debate akademike por rrallë herë përfshihej faktikisht si një aset strategjik i universiteteve! Publiciteti universitar në media dhe rrjete sociale ka qenë gjithmonë një magnet shumë konkurrues ndaj nevojës për investimet rrënjësore në teknologji. Investimet në gjërat që i sheh më sy dhe prek me dorë gjejnë gjithmonë argumente fituese përballë vendimmarrësve! Në fund të fundit, universiteti i ka zgjidhur gjithmonë “hallet” e veta me laps e letër dhe shkumësin e bardhë në dërrasë të zezë! Përse duhet të shpenzojmë kaq shumë energji dhe para për ca pajisje dhe sisteme që as nuk i shohim me sy? Ne mund të dalim përballë studentit në klasë dhe fare mirë mund të flasim me të, pa kokëçarjen që të sjell teknologjia! E pra, ja që nuk është gjithmonë e mundur! E pra, ja që kjo është qasja e gabuar!

Në UET është ndryshe! Me krenari e them se Universiteti Europian i Tiranës ka patur gjithmonë qasje novatore ndaj teknologjisë! Gjithmonë ka parë përtej mundësive dhe nevojave të momentit dhe ka punuar sot për gjërat që do të kuptohen më mirë nesër!

Studentët e duan teknologjinë! Përse të mos i ndjekim dëshirat e tyre? Fusha e studimeve të mia të doktoratës është pikërisht “modelet e adoptimit të teknologjisë nga përdoruesit”! Çfarë i nxit ata, studentët dhe pedagogët, që të përdorin më shumë teknologjinë. Roli im si Drejtor i Teknologjisë në UET më ka dhënë mundësinë ta shoh nga afër dhe ta studioj shumë mirë këtë fenomen. Ne nuk parashikuam pandeminë, se atë nuk po arrin ta kuptojë gjithë bota as tani që kanë kaluar 5 muaj që ajo ka ardhur! Në UET kemi punuar gjithmonë me vizionin që të jemi gati edhe për ngjarje që nuk mund t’i parashikojmë. Teknologjia ka qenë gjithmonë prioritet në UET dhe një pasion i fortë për stafin e tij! Rruga e sigurt që në ndoqëm sot në këto ditë të vështira për mësimin online, ka filluar të shtrohet vite më parë! Transformimi i parë thelbësor në vizionin e UET mbi teknologjinë në mësimdhënie ka ndodhur në vitin 2016.

UET implementoi në vitin 2016 platformën UET Learnig Management System (UET LMS), e cila është e integruar me sistemin e brendshëm të menaxhimit të informacionit të universitetit (UMIS). Që prej 2016, çdo student dhe pedagog pajiset me një adresë email të UET dhe regjistrohet në UET LMS. Kjo platformë është një ambient virtual mësimi i bazuar në ueb, që lejon pedagogët dhe studentët të përdorin dhe aksesojnë online materialet mësimore të lëndës dhe të përdorin shumë mjete të dobishme për të përmirësuar ndjeshëm përvojën e të nxënit. Është një aplikacion ëeb për administrimin, dokumentimin, ndjekjen, raportimin dhe shpërndarjen e kurseve të edukimit elektronik ose programe të ndryshme trajnimi. Ky sistem ofron informacion të personalizuar për çdo përdorues të student apo pedagog. Kushdo hyn në sistem, merr vetëm informacion të personalizuar. UET LMS është ka patur mbi 1.500.000 vizita dhe më shumë se 8.500.000 shikime faqesh (page-vieës) qe prej Nëntorit 2016 deri në korrik 2020.

Në javën e dytë të muajit Mars 2020 u vendos në përdorim total të UET edhe platforma Microsoft TEAMS. Kjo platformë shërben për të realizuar mësimin interaktiv, në distancë, në kushtet e qëndrimit në shtëpi, për shkak të pandemisë së virusit COVID-19. Nëpërmjet kësaj platforme janë realizuar gjithashtu të gjitha mbledhjet administrative dhe akademike, gjatë kësaj periudhe, duke përfshirë mbledhjet e departamenteve, mbledhjet e Rektoratit, takimet e klubeve studentore, si edhe seancat metodologjike për studentët udhëheqje diplome. Në vetëm 4 muaj kohë, ne platformën TEAMS janë shkëmbyer më shumë se 370.000 mesazhe në chat mes studenteve dhe pedagogëve, janë zhvilluar më shumë se 9.100 takime online me video, me mijëra orë regjistrime video mësimore online, etj.

Mund të na tregoni shkurtimisht se cilat ishin problematikat kryesore për zhvillimin online?

Pak më lartë thamë se UET ka punuar dhe investuar shumë në teknologji ndër vite! Megjithatë, mbyllja e menjëhershme e universitetin dhe nevoja urgjente e transformimit të mësimit nga auditori në mësim online, “sa hap e mbyll sytë”, ishte një situatë surreale që dukej se vinte nga fantazitë e filmave fantastiko shkencorë. E megjithatë ky “film” nuk duhej të mbaronte si një “film horror”, por duhej të përfundonte si një film klasik, me “fund të lumtur”. Por, a na lejonte këtë fund të lumtur “skenari” i shkruar në kohë të qeta? Vështirë! Pasiguria dhe presioni ishte i jashtëzakonshëm për të gjithë në universitet. Ishin në presion drejtuesit që duhej t’i gjenin zgjidhjen përpara studentëve dhe prindërve të tyre! Në pasiguri studentët sepse u rrezikohej viti akademik! Në presion zyra e IT që duhej të gjente çelësin e artë, i cili do i kthente frymëmarrjen të gjithëve!

Ishim të gjithë në mbledhje rektorati kur dëgjuam fillimisht se kishin dalë fjalë për mbylljen e gjithë shkollave në vend! Pak më vonë dhe pa u mbyllur mbledhja, dëgjuam “live” se doli vendimi i qeverisë për mbylljen e shkollave për disa javë për shkak të pandemisë! Pyetja që u bë menjëherë aty ishte: Po si do të zhvillohet mësimi? Si do të bëjmë mësim kur duhet të jemi të mbyllur në shtëpi?! Kjo pyetje nuk na ishte bërë ndonjëherë më parë! Duke qenë se stafi i IT në UET vazhdimisht studion dhe eksperimenton me teknologjitë e reja në treg, qe ende  nuk i përdorim ne universitet, një zgjidhje më shkoi ndërmend. Por, duke qenë i pasigurtë, thashë vetëm se më duhen 3-4 ditë kohë dhe shpresoj të kthehem me një zgjidhje.

UET përdorte me shumë sukses prej disa vitesh sistemin e menaxhimit online të mësimdhënies, ku studentët dhe pedagogët komunikonin, shkëmbenin materiale dhe detyra, pikët dhe njoftimet! Por, aty mungonte një pjesë që nuk e kishin patur të nevojshme më parë. Aty mungonte komunikimi “live”, sinkron, me zë dhe me figurë pedagog-student. Për të plotësuar këtë pjesë të “puzzle” na duhej një zgjidhje që mundësisht të shkonte në harmoni me platformat dhe teknologjinë që ne përdornim aktualisht, pa krijuar problem shtesë. Pas një analize të detajuar të gjithë mundësive të shumëllojshme, shpesh problematike, që ekzistonin në internet, ne identifikuam platformën pothuaj perfekte që përputhej 100% me nevojat e UET. Zgjodhëm pikërisht platformën Microsoft TEAMS, si një platformë që integrohej plotësisht me platformën ekzistuese UET LMS, sistemin e emaileve dhe disa platforma të tjera, duke mos patur nevojë të ndryshonim shumë gjëra në platformat ekzistuese.

Në periudhë rekord prej 3 ditësh, realizuam integrimin teknik të plotë të TEAMS me platformat në UET. E diskutuam zgjidhjen me menaxhimin e lartë të UET dhe u vendos implementimi i menjëhershëm i saj në UET për çdo student dhe pedagog! Pak ditë më pas Senati Akademik mori vendimin për përdorimin zyrtar të platformës.

Sfidat ishin të shumta dhe serioze! Të gjithë duhej të bënim përpjekje të mëdha që gjithçka të ecte me sukses! Pas kapërcimit të pengesave në integrimin teknik duhej të kalohej “pengesa” njerëzore! Shumë sisteme në teknologji dështojnë pikërisht për shkak të pengesës njerëzore!

Zyra e IT realizoi trajnimin të plotë e të detajuar online me të gjithë pedagogët në UET. U hapën linja komunikimi me çdo pedagog gjatë pothuaj 24 orëve. Mësimi online solli edhe nevojën e riorganizimit të disa proceseve në mësimdhënie. Pas trajnimit fillestar të të gjithë stafit, u realizuan pa ndërprerje edhe trajnime individuale me pedagogët për çdo lloj vështirësie që ata hasnin, në mënyrë mësimi online të kishte sa më pak pengesa.

Mësimi online sigurisht që kërkonte nga pedagogët të ndryshonin qasje në procesin e mësimit. Pati edhe disa pedagogë që nuk e përballuan dot këtë ndryshim sepse ishte e tepërt për ta! Ata u tërhoqën nga mësimi dhe puna e tyre u realizua nga pedagogë të tjerë.

Komunikimi i këtyre ndryshimeve te studentët ishte i domosdoshëm dhe urgjent gjithashtu. Duke qenë se në UET komunikim online ka një traditë të hershme tashmë, nuk ishte e vështirë të vazhdonim komunikimin edhe për ndryshimet e reja. Studentet u njoftuan me email nga sekretaria dhe koordinatorët, si edhe nëpërmjet platformës UET LMS për të gjitha ndryshimet. U përgatitën materiale video dhe manuale të shpejta se si ata të përdornin platformën TEAMS.

Cilat janë avantazhet e përdorimit të teknologjisë në mësimdhënie?

Kur bëhet si duhet, mësimi në internet ka shumë avantazhe dhe përfitime. Disa nga këto përfitime mund të jenë si më poshtë:

Fleksibiliteti. Fleksibiliteti në mënyrën e studimit dhe zgjedhjen e programit të studimit është një arsye shume fortë për shumë studentë. Studenti mund të jetë i punësuar me kohë të plotë, ka detyrime familjare, apo thjesht arrin të studiojë më mirë në një orar fleksibël në vend të një orari fiks nga universiteti, mund të jetë student nga rrethet dhe udhëtimi i merr shumë kohë, ose është i pamundur. Duke studiuar online ata kursejnë kohë për të bërë gjëra të tjera. Ata e zgjedhin vetë se kur do studiojnë gjatë 24 orëve. Aksesimi i materialeve studimore. Materialet online i japin mundësi studentit t’i aksesojë ato 24 orë në ditë.

Kostot. Teknologjia në mësimdhënie i jep mundësinë të ulë kostot e transportit. Fokusimi tek vetë studenti. Nëpërmjet teknologjisë, fokusi kthehet tek vetë studenti, i cili mund të zgjedhë vetë se cila mënyrë e mësimit është më e përshtatshme për të. Teknologjia i ofron shumëllojshmëri të pafund informacion i studentit. Mundësitë e tij rriten maksimalisht. Ndërveprimi i studentit me më shumë studentë është plotësisht i mundur.

Studenti zhvillon aftësi të rëndësishme. Studimi online kërkon aftësi të caktuara siç janë vetë-motivimi dhe komunikimi. Mungesa e vullnetit të mjaftueshëm mund të çojë deri në mërzitje, demotivim dhe çorientim tek studenti. Por, pikërisht nevoja për vetëdisiplimin e nxit studentin që këtë disavantazh ta kthejë në një avantazh tek vetja. Ai do të jetë më i vetëmotivuar dhe do përballojë më lehtë edhe sfida të tjera më pas për këtë arsye. Kur studiohet online, do të zhvillohen këto aftësi të cilat janë të rëndësishme edhe nesër për vendin e punës. Studenti do të duhet të komunikojë shumë dhe shpesh, qoftë me gojë ose me shkrim me profesorët dhe studentët e tjerë rregullisht. Mësimi online ofron më shumë mundësi për të nxitur aftësi të të menduarit kritik.

Në kushtet e një përsëritje të rikthimit të karantinës a ka kapacitet UET për të zhvilluar 100 % procesin akademik për vitin 2020- 2021?

Ne tashmë i kemi bërë të gjitha provat dhe testimet e mundshme lidhur me kapacitet tona për zhvillimin e mësimit online. UET është plotësisht gati për të realizuar gjithë procesin akademik 2020-2021 online. Ne jemi gati dhe e kemi faktuar tashmë se mund t’i realizojmë online të gjitha proceset akademike dhe jo vetëm mësimin online. Ne mund dhe kemi realizuar të gjitha llojet e mbledhjeve akademike dhe administrative online, zhvillimin e provimeve online në të gjitha format  e kërkuara nga stafi akademik dhe Rektorati i universitetit.

Para disa ditësh në kuadrin e trajnimeve të shumta që UET zhvillon, ju kryet një trajnim me mbi 150 drejtues dhe mësues gjimnazesh mbi përdorimin e platformave online të mësimdhënies. A mund të na tregoni më konkretisht ku konsistonte ky trajnim, dhe sa e nevojshme ishte për këtë kategori?

Po, ky trajnim u zhvillua në kuadër të një bashkëpunimi të hershëm tashmë të UET me të gjithë gjimnazet në vend. Nevoja e trajnimit për platformat online të mësuesve dhe drejtorëve të gjimnazeve doli nga vetë ata gjatë një trajnimi të tyre online për një tjetër temë që zyra e zhvillimit institucional dhe te karrieres në UET po zhvillonte në muajin Qershor 2020. Në fund të atij trajnimi, ku u diskutuan shumë problematika që gjimnazet kishin hasur gjatë zhvillimit të mësimit në kushtet e pandemisë, vetë drejtuesit e gjimnazeve dhe mësuesit nxorën një listë me kërkesa duke kërkuar ndihmën e UET për t’i realizuar. Kërkesa më urgjente prej tyre ishte nevoja e një trajnimi mbi platformat e zhvillimit të mësimdhënies online. Aty mësuesit dhe vetë drejtuesit kishin hasur në shumë vështirësi serioze në menaxhimin e mësimdhënies online dhe në përdorimin e mjeteve të duhura dhe si duhet, të teknologjisë për realizimin e mësimit online. Sigurisht që ne i morëm shumë seriozisht kërkesat e tyre dhe filluam përgatitjen e këtij trajnimi. Pasi studiuam kushtet e shumë prej këtyre shkollave dhe mundësive të vetë mësuesve, si edhe duke përdorur eksperiencën shumë të suksesshme të UET, ne vendosëm t’i trajnojmë në përdorimin e platformës Microsoft TEAMS.

Ky trajnim u prit shumë mirë nga të gjithë pjesëmarrësit pa përjashtim. Interesi i tyre ishte maksimal ndaj këtij lloj trajnimi. Në fund të këtij trajnimi, kemi marrë një numër shumë të lartë e-mailesh nga mësues që kërkonin të realizojmë trajnime të tjera të ngjashme, pasi i ndihmon direkt në cilësinë e mësimdhënies ndaj nxënësve të tyre. Për shkak të këtij interesimi të jashtëzakonshëm të tyre ne po shohim mundësinë e organizmit të trajnimeve të tjera të ngjashme në momentin më të përshtatshëm. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH