Sociale

Shkëputur nga libri “Fillimet” i Preç Zogaj, botim i UET PRESS: Për herë të parë, as lindje as perëndim. Demonstrata e  14 janarit 1990 në Shkodër

Shkruar nga Liberale
Shkëputur nga libri “Fillimet” i Preç Zogaj, botim i UET

Shqipëria kishte qenë dhe ishte prej vitesh toka pa kontinent, e marrë peng nga një dinasti e vjetruar ideologjike, vresht e zvetënuar, që ruhej nga frika dhe disfatizmi. Të gjitha kryengritjet, rebelimet, kundërshtimet dhe përpjekjet ciklike 45 vjeçare për pak më shumë ajër lirie në këtë kështjellë të utopive mizore kishin përfunduar keq e mos më keq, me vrasjen, burgosjen dhe shkatërrimin e kryengritësve, rebelëve, kundërshtuesve, reformistëve. Miti hijerëndë i pathyeshmërisë së regjimit të Hoxhës ishte ngritur mbi këtë plojë. Kur kishin reshtur përbetimet, kur s’kishte mbetur filiz dhe farë rebelimi pa u shkallmuar me thundër të hekurt në tokën e mjerë të Shqipërisë, Hoxha i kishte kthyer sytë si të Gongorës nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, duke i shënuar me shenjën fatale të flijimit. Nuk do provohej kurrë se Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Petrit Dume, Beqir Balluku, Koço Dheodhosi, Nesti Nase, Kiço Ngjela, Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Dashnor Mamaqi dhe të tjera viktima nga kasta e regjimit komunist ia kishin patur me hile apo kishin planifikuar likuidimin e Enver Hoxhës. Megjithatë, ata patën fundin e armiqve më të egër të Hoxhës, të cilët ky arriti të kapte.

Ushqente mitin e regjimit të tij me purga staliniane të këtij lloji, duke qëmtuar prej shijes dhe fantazmagorive armiq në mungesë të armiqve?

Apo ishte i vetëdijshëm se në simetri me të qenët vetë armik i të gjithëve, të gjithë ishin armiq të tij potencialë?

Disa njerëz mendonin se me purgat e fundit para vdekjes Enver Hoxha thjesht kishte dashur t’i hapte rrugën daljes në krye Ramiz Alisë, të cilin e kishte përzgjedhur si pasardhës.

Besnik i paraardhësit, Alia kishte mëtuar të zbukuronte izolimin e Shqipërisë komuniste me paradigmën “as Lindje, as Perëndim”. Në të vërtetë, Shqipëria komuniste e viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, pavarësisht se kishte dalë nga aleancat ushtarake dhe ekonomike të vendeve të bllokut lindor, kishte qenë dhe ishte si këto vende për sa i takon sistemit, kishte ndarë me ta fatin dhe perspektivën. Pra, kishte qenë dhe ishte Lindje, por një Lindje si asnjë tjetër. Lindje pa Lindje.

Në këtë kontekst, në dhjetor të vitit 1989, me rënien e murit të Berlinit, Shqipëria ishte për herë të parë në historinë e saj realisht as Lindje, as Perëndim. Vetmia e saj kishte dalë e pritej të dilte në pah si asnjëherë tjetër, një vetmi në sytë e mbarë botës, që duhet të ishte më e rralla e vetmive. Vendi më i mbyllur, më i braktisur dhe më i harruar i Europës, do të dilte papritur në pahun e kohës si guri i fundit i dominosë në lojën e madhe të përmbysjeve demokratike, duke tërhequr mbi vete një vëmendje të panjohur më parë. Do të ishte ngushëlluese dhe shpresëdhënese ajo vëmendje. Por edhe e rëndë, gjithashtu. Ajo do të fillonte të pohonte orë e çast vonesën e re të Shqipërisë në takimin me historinë. Me mjerimin dhe denatyrimin që njeriu ka zët ta ekspozojë para të tjerëve, shqiptarët, populli më i padalë dhe më i pashëtitur i Europës, do të ndiheshin si në një inkubator transparent, të vëzhguar, të keqardhur, të yshtur: ju, ç’do të bëni, ju?

Ngjarjet në politikë lajmërohen duke ndodhur. Asgjë nuk shkruhet në filxhanët e falleve. Por pikërisht në sezonin e vetmisë së re ndriçonte shpresa e çlirimit. Shqipëria e kishte shtyrë sepse kishte qenë Lindje. Tani e tutje nuk do të mund ta shtynte më. Nuk do të kishte ku të shiste e çfarë të shiste. Nuk do të kishte as përligjje, as forcë të rrinte komuniste. Numërimi mbrapsht kishte filluar edhe për Shqipërinë komuniste as Lindje, as Perëndim.

Por sa do të priste Shqipëria? Si do ta bënte kalimin Shqipëria? Me gjak apo pa gjak? Me kryengritje apo me dialog? Me rrëzim, apo me Tryezë të Rrumbullakët?

Me enigmën e këtyre pyetjeve, viti i ri 1990, më i trishtueshmi dhe, njëkohësisht, më ogurmiri i dekadës, zbardhi ngadalë, me nge, i paprekur nga festa si të mos kishte qenë, si të mos kishim ngritur asnjë gotë e të mos kishim futur gjë në gojë si popull. Vetmia ishte më e madhe në dritë. Por mbretëronte kudo ndjesia se asgjë nuk do të ishte më si parë. Viti i ri i Shqipërisë do të ishte viti i vjetër i Europës tashmë ish komuniste.

Demonstrata e 14 janarit 1990 në Shkodër

Sinjalin e parë të kryengritjes shqiptare do ta jepte Shkodra me mëtimin legjendar të disa qytetarëve të saj për të rrëzuar më 14 janar 1990 një bust të Stalinit në lulishten kryesore të qytetit. Rindërtimi më vonë i ngjarjes nëpërmjet dëshmive të protagonistëve dhe proceseve gjyqësore kundër tyre do ta vendoste dhe mbante përgjithmo¬në 14 janarin në kufijtë e të pabesueshmes. Duket si përrallë, sot e kësaj dite, një përrallë e çuditshme me njerëz realë, me data reale, me ndeshje dhe plagë reale. Dedë Kasneci dhe Rin Monajka ishin dy punëtorë mes të tridhjetave e dyzetave që kishin menduar të rrëzonin bustin e diktatorit mustaqeli nga Gjeorgjia e largët në qytetin e tyre. E kishin menduar shumë të tjerë para tyre. E veçanta e Dedës dhe Rinit ishte se ata e kishin biseduar me njëri tjetrin si një përbetim këtë gjë dhe kishin konceptuar një rrëzim spektakolar të bustit me pjesëmarrjen e një numri të madh njerëzish. Pra kishin konceptuar një demonstratë, një shenjë të zgjimit të Shqipërisë dhe bashkimit të saj me vendet që kishin flakur robërinë komuniste. Ideja e demonstratës kishte pushtuar mendjet dhe zemrat e tyre, kishte vrarë gjumin e tyre. E dinin çfarë lëvizte dhe ziente prapa qetësisë së jashtme të qytetit. Shumica e shkodranëve nuk e donin regjimin, të cilin e kishin gërryer dhe vazhdonin ta gërryenin nga brenda me barcaleta. E gjithë kjo kishte shërbyer për t’i dhënë hapësirë përqeshjes si mjet lufte kundër së keqes. Por kur mbetet në vend e nuk gërshetohet me forma të tjera të shprehjes së kundërshtimit, përqeshja merr format e një konformizmi të ri. Kishte ardhur koha që Shkodra të jepte një goditje force. Deda ishte një burrë trim dhe i vendosur, Rini kishte trup atleti dhe mendje intelektuali. Nga babai i tij, Zef Dukagjini-Monajka, bir i një oficeri austriak me një vajzë shqiptare, kishte trashëguar pasionin për gjuhët e huaja dhe leximin. Besohet se ideja e rrëzimit të bustit të Stalinit i feksi në kokë pikërisht këtij djali të dyfishtë të Shqipërisë dhe Austrisë, që lufta e egër e klasave ua kishte privuar si talent të lindur shkencave dhe sportit. Kasneci, Monajka dhe miqtë e tyre të ngushtë, që ishin përfshirë ndërkohë në përbetimin e famshëm, caktuan fillimisht 11 janarin si ditën e rrëzimit të bustit. Në kalendarin e regjimit 11 janari ishte Festa Zyrtare e Republikës, ditë pushimi. Njerëzit e kishin zakon të dilnin në qendër të qytetit për të shtyrë kohën. Ideja ishte që me sehirxhinjtë e shumtë të bashkoheshin të thirrurit me kast për të bërë së bashku një mur njerëzor rreth bustit që do të rrëzohej. Por në ditën e Republikës u mblodhën pak njerëz në qendër të qytetit.

Pikërisht atë ditë bëri një vizitë private në Shkodër ambasadori i Gjermanisë Perëndimore, Verner Daun. Zërat midis legjendës dhe së vërtetës përhapën lajmin se Rin Monajka foli me ambasadorin, ndërsa makina me xhama të ulura e këtij të fundit po rrëshqiste ngadalë në qendër të qytetit. Me gjasë, ambasadori gjerman u tha shkodranëve që po ecnin ngjitur me makinën e tij “hë, çfarë prisni”. Dukej pak e çuditshme kjo për statusin e një diplomati të huaj në Shqipërinë e bunkerëve, por këto ishin fjalët që u përcolli Rin Monajka shokëve të tij të përbetimit. Ndoshta i kishte përkthyer me korrektësi fjalët e ambasadorit, ndoshta i kishte menduar vetë, por e kishte parë të udhës t’ja atribuonte gjermanit për t’u dhënë zemër bashkëqytetarëve të tij. Sakaq, qoftë duke i përkthyer, qoftë duke ia atribuar ambasadorit gjerman ato fjalë, Monajka u vesh para të tjerëve me petkun dhe hirin e kasnecit të demonstratës.

Ambasadori i Gjermanisë nuk reklamoi në vitet në vijim ndonjë rol në nxitjen e demonstratës së 14 janarit në Shkodër, ndërkohë që do të pohonte publikisht inkurajimin e eksodit të 2 korrikut të po atij viti nga ambasada gjermane në Tiranë. Nuk u vërtetua, pra, version i një kushtrimi gjerman në Shkodër, por fakti ishte se fjalët e ambasadorit, të vërteta apo të rreme, u përhapën me shpejtësi në gjithë qytetin dhe ngritën peshë qindra- mijëra zemra. Bota nuk e kishte harruar Shqipërinë dhe Shkodrën.

“Ambasadori e plasi thirrjen e tij. Ej, është Gjermani ajo, të shkul! Po e ka ndarë mendjen Gjermania, ka mbaruar kjo punë. Të ngrihemi! S’kemi ç’të presim më”!

Të përbetuarit, numri i të cilëve ishte rritur ndërkohë, vendosën datën e re të demonstratës për rrëzimin e bustit të Stalinit: 14 janarin. Dedë Kasneci, Rin Monajka, Flamur Elbasani, Gjergj Livadhi, Flamur Begu, Tonin Dema, Nikolin Margjini, vellezërit Haxhi, Ndoc Liqejza, Viktor Martini, Nikolin Thana, Gjovalin Pala, Bac Bilali, Ylli Gërshana, Klaudio Daka, Aldo Perizi, vëllezërit Alibali për të përmendur me të njohurit e përbetimit, - u shpërndanë lagje më lagje për të takuar, njoftuar, nxitur e ftuar njerëz. Morën kudo përgjigje pozitive, por dështuan të gjenin një intelektual që pranonte të mbante një fjalim para turmës. Një prift trim, dom Simon Jubani , që s’kishte shumë që ishte liruar nga burgimi i gjatë politik, u tha se ishte gati të thoshte një meshë për ta, pa marrë parasysh pasojat, por statusi i njeriut të fesë ia ndalonte të merrte pjesë në veprimtari të karakterit politik. Atëherë, leximin e fjalimit e mori përsipër një djalë i ri, Kolec Ublina.

Të përbetuarit s’po ruheshin më si në fillim. Kishin dalë pothuajse hapur. Ndërkohë, trupa policie shtesë dhe vetë krerët e Sigurimit të Shtetit kishin zbarkuar në Shkodër. Të dyja palët po përgatiteshin për përballjen e paralajmëruar. Të parët, duke u bërë thirrje njerëzve të dilnin në demonstratë; të dytët, duke vëzhguar lëvizjet e të parëve. Nganjëherë, subjekt i thirrjeve për të dalë në demonstratë ishin vetë oficerët e panjohur të Sigurimit të ardhur nga Tirana. Më 13 janar, Gjergj Livadhi me shokun e tij, Nikolin Thana, u futën në një kafene. Në banak panë një burrë me kasketë që po pinte kafe dhe po dëgjonte i qetë ç’po thuhej. Gjergji i’u drejtua edhe atij, si gjithë të tjerëve, të mos mungonte në demonstratë. I panjohuri me kasketë doli pa thënë asnjë fjalë. Disa orë më vonë, kur kishte kaluar mesnata dhe kishte hyrë data 14 janar, forca të shumta policie zbarkuan në shtëpinë e Gjergj Livadhit dhe e arrestuan. Në Degën e Punëve të Brendshme, ku e dërguan me duart në pranga, u përball me burrin me kasketë, të cilit i kishte kërkuar të mos mungonte në demonstratë. Aty e mori vesh se ishte vetë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi.

“Jemi takuar bashkë sot paradite”, - i tha Ramizi me një ton mes pyetjes dhe ironisë. “Diku jemi parë”, - ia ktheu Livadhi. Fati i tij ishte shkruar.

Në pranga dhe tortura do të përfundonin të gjithë krerët e përbetimit, që do të arrestoheshin gjatë natës së trembëdhjetë janarit, duke u gdhirë katërmbëdhjeta. Të gjithëve do t’u kërkohej të tregonin shërbimin e huaj që qëndronte pas tyre. Partia e Punës dhe Sigurimi shqiptar nuk mund të besonin se një përbetim si ai i 14 janarit mund të ishte vepër e një bërthame qytetarësh, malësorësh e punëtorësh të thjeshtë.

Të nesërmen zbardhi në Shkodër një nga ato ditët me vranësira të pjesshme që duket sikur nuk do të lindin kurrë tamam, ndërsa qielli as mbyllet, as hapet. Rreth tre mijë njerëz dolën nga shtëpitë për të marrë pjesë në demonstratën e parë të jetës së tyre. Ishin marrë vesh pa fjalë se kishte ardhur ora, se duhej të dilnin, se duhej të mblidheshin rrathë-rrathë, në heshtje, rreth bustit të Stalinit në lulishten kryesore të qytetit, jo për t’i hedhur lule, por për t’iu bërë mburojë disa trimave që ishin përgatitur t’i hidhnin litarin. Ata të pararojës u afruan dhe qëndruan përballë bustit të diktatorit gjeorgjian, të cilin Enver Hoxha, përveçse si ikonë të pushtetit të tij, e kishte përjetësuar në Shkodër edhe si një fyerje për qytetin e vjetër të lulevileve, kopshtijeve, arieve, këmbanave dhe çdo gjëjë tjetër që ishte zhdukur apo tjetërsuar në këtë qytet të vjetër me ardhjen në pushtet të komunistëve. Qëndrimi në heshtje i shkodranëve përkarshi bustit të Stalinit ishte pamja më absurde, por edhe kryengritja më origjinale që ajo ditë e 14 janarit shqiptar të vitit 1990 i ofronte botës mbarë.

Bota nuk ka fat me ngjarjet e papërsëritshme dhe ngjarjet e papërsëritshme nuk kanë fat me botën. Vetmia është zakonisht tagri i tyre. Demonstruesit qëndruan gjatë në pritje, në kufi të demonstrimit dhe rutinës së zakonshme sikur kishin dalë për të vrarë kohën në qendër të qytetit. Asnjë lëvizje, asgjë. Demonstrata merrte frymë e shkrehur. Oficerët e sigurimit, të hallakatur nëpër turmë, rrinin në përgjim, gjithashtu, për të parë nëse do të lëshohej njeri në drejtim të bustit. Ata e dinin se njerëzit kishin dalë për demonstratë, pavarësisht se hiqeshin si sehirxhinj. Potencialisht ishin të tërë për t’u arrestuar. Busti i Stalinit në qytetin verior të Shqipërisë së vitit 1990 dukej akoma më absurd dhe jashtë kohës në ethen e policëve dhe oficerëve për ta mbrojtur. Dikur u hap fjala se krerët e demonstratës ishin arrestuar në fshehtësi gjatë natës. Atëherë u kuptua pse demonstrata nuk ishte ngritur dot në këmbë. Njerëzve nuk kishte patur kush t’u printe, kush t’u fliste. Ata filluan të shpërndaheshin, duke e paditur veten e tyre si demonstrues të hidhëruar, që i kishin dhënë ashtu betejën e parë Stalinit, domethënë regjimit.

Atë ditë, të nesërmen, të pasnesërmen dhe në ditët në vazhdim censura e heshtjes mëtoi të shtypte si një rul i rëndë gjithçka kishte lidhje me 14 janarin e Shkodrës. Por lajmet, edhe pse të ndrojtura e amorfe, e çanë perden e territ.

“Në Shkodër, disa njerëz kishin dashur të rrëzonin bustin e Stalinit, por i kishin plasur brenda dhe po u merrnin shpirtin”.

Netët e Tiranës i veshi papritur një heshtje fajtore. Si në një replikë me bubullimat, Presidenti i Republikës dhe Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, Ramiz Alia, thirri ato ditë me një zë luftarak: “Taraboshin nuk e tund era”.

Një erë ishte ngritur në Shkodër. Regjimi e kishte ngrënë karremin e demonstratës, duke treguar natyrën e vet të pandryshuar. Por kishte dhënë edhe një mesazh: ndryshimet në Shqipëri, aq sa do bëheshin, do të bëheshin nga Partia e Punës, me Partinë e Punës. Jo pa të, jo kundër saj!

Kush ishin ata njerëz në një qytet me emër të madh në histori, por periferik në sistemin e centralizuar komunist të Hoxhës, që planifikuan, organizuan dhe çuan në prag të finalizimit rrëzimin e bustit të Stalinit? Për shumë jave dhe muaj emrat e tyre mbeten të panjohur për publikun e gjerë në vend. Thuhej se ishin njerëz të thjeshtë, por trima, që nuk ishin kujdesur dhe aq për të ruajtur konspiracionin e planit të tyre, se ishin torturuar pa mëshirë, se ishin mbajtur të izoluar si alienë, pa asnjë kontakt me botën dhe as me njerëzit e tyre të afërt. Regjimi kishte bërë çmos t’i bënte të paqenë si rracë kryengritëse. Kur do të pyetej nga Sali Berisha në takimin me intelektualët në gusht të atij viti, Ramiz Alia do të mohonte se kishte ndodhur ndonjë gjë në Shkodër me 14 janar. Në fakt, ditën kur do të mbahej ai takim me krerët e demonstratës së 14 janarit, Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Flamur Begu, Nikolin Thana, Kolec Ublina, Kolec Daka, Aldo Ferrizi, Tonin Dema dhe Nikolin Margjini kishin hyrë në muajin e tetë të izolimit dhe vuajtjeve. Dënimet e tyre të rënda me burg ishin një njollë turpi për Tiranën që po bënte makiazhin e demokratizimit. Por ishin një brerje ndërgjegjeje më vete për inteligjencën shqiptare që nuk arriti të depërtonte për asnjë çast në dramën e madhe të kryengritësve shkodrane. Më keq nga të gjithë e pati Rin Monajka. Dyshimet se ishte ai koka e grupit u mblodhën e ranë rrufeshëm mbi të me shterimin e shpresave të Sigurimit për të zbuluar lidhje mes të përbetuarve dhe shërbimeve të huaja. Rini ishte më i lexuari i shokëve, ishte edhe i pashëm, çfarë e shtonte, me sa është thënë më vonë,  urrejtjen e ndaj tij. Oficerët dhe hetuesit nuk mund të duronin që një peng në duart e tyre të mbante një dinjitet shpirtëror dhe fizik që vetë ata nuk e kishin. A nuk ishte kjo urrejtja që kishte gjymtuar e transformuar në një copë mishi pa këmbë e pa duar katër dekada më parë Lazër Shantojën, priftin-poet, një nga burrat më elegantë e të hijshëm të Shqipërisë së kohës, aq sa kur e ëma shkoi për ta vizituar në burg dhe e pa ashtu si një trung të flakur përdhe u llahtaris nga tmerri dhe u kërkoi policëve t’i jepnin pushimin e pasosur me një plumb në ballë.

Xhelatët e rinj të vitit 1990 i kërkuan shumë gjera Rin Monajka. Për çdo kërkesë të paplotësuar, më saktë të paplotësueshme, i hapën plagë të ndryshme në trup. Kërkesa e fundit që i bënë ishte të pranonte se 14 janari ishte një organizim vagabondësh dhe pijanecësh të paditur e naivë. Dhe të shtonte se ndihej i penduar.

-Thuaj “po”! Thuaj “po” të shpëtosh!

Rini nuk e hapi gojën, nuk e tundi asnjëherë kokën për të formuar shenjën e vogël të pohimit të asaj që oficerët e sigurimit ia kishin servirur si formulë shpëtimi. Atëherë e goditen me mjete të forta, duke i hapur një frakturë në kokë. Në seancat gjyqësore ishte i vetmi prej të akuzuarve që nuk qe në gjendje të fliste. Por folën të tjerët edhe në emër të tij. Me krenari heronjsh pohuan vendosmërinë e tyre për ta filluar nga e para, po të mundnin, atë që nuk kishin arritur ta çonin në fund. U dënuan nga tre në dymbëdhjetë vjet heqje lirie me akuzën e diversionit të mbetur në përgatitje dhe atë të agjitacionit e prepagandës kundër shtetit.

Fati kishte rezervuar një ironi të fundit me këta shkodranë, para se të shihnin dritën e lirisë pas përmbysjes së diktaturës. Natën e njëzet dhjetorit, duke u gdhirë njëzet e njëshi, me urdhër të Ramiz Alisë statuja hijerëndë e Stalinit u hoq nga piedestali ndanë bulevardit “Dëshmorët e kombit” dhe u transportua në magazinat e fonderisë së veprave të artit në perëndim të qytetit. Njëherësh, bustet e Stalinit u hoqën në gjithë vendin. Tirana, Shkodra dhe Shqipëria, pas disa dekadash, u zgjuan pa të. Krerët e regjimit nuk u kujtuan ose nuk deshën të kujtoheshin se antistalinistët e Shkodrës ishin në burg ndërkohë. Fisnikëria minimale e donte që këta të liroheshin para se të hiqej përmendorja e Stalinit, madje të thirreshin për të asistuar në përmbushjen e këtij akti nga ndërmarrja komunale e Tiranës. Vetëm pasi unë do të botoja në numrat e parë të gazetës së parë opozitare “Rilindja demokratike” një shkrim-fejton për këtë paradoks të madh, duke i përmendur me emër dhe mbiemër të dënuarit e 14 janarit të Shkodrës, këta do të liroheshin nga burgu dhe do të ktheheshin në qytetin e tyre të çliruar ndërkohë nga tirania.

Ushtarë të gjallë të lirisë, me plagë në trup, ata u shkrinë me lëvizjen mbarëpopullore për demokraci. Por mjaft prej tyre nuk e morën dot mbrapsht shpërblimin për atë që kishin dhënë dhe nuk e gjetën dot paqen e merituar. Rin Monajka i vuajti më rëndë se të tjerët pasojat e gjymtimit nga torturat. Një ditë prej ditësh mori rrugën e Austrisë, si në ndjekje të një vegimi që kishte përndritur dhe shkatërruar njëkohësisht rininë e tij. Ishte padyshim vegimi i origjinës, por Austria nuk kishte mbajtur shënime për ketë djalë të humbur dhe historia e re e Shqipërisë nuk i’a kishte kaluar kërkujt akoma shënimet e veta për Rin Monajkën. Ndërroi jetë në Austri më 1 maj të vitit 1997, “pa pas afër askënd dhe tuj qenë i harruem prej gjithë atyne që sakrifica e tij ndihmoi pa dyshim me fitue demokracinë”, shënoi studiuesi Adrian Ndreca në një artikull nekrologjik për të ndjerin.

Në fakt, viti i stuhishëm 1990 kishte filluar me Rinin dhe me gjithë atë elektrizim spontan që krijoi 14 janarin e Shkodrës. Duke shpresuar në zgjimin e ri të shkrimtarëve, publicistëve dhe intelektualëve të njohur, kritikë të autorizuar apo kontestatorë të paautorizuar të regjimit, historia ishte vënë ndërkaq në kërkim të fytyrave të reja dhe emrave të rinj, shpërthyes prej anonimatit.

Shkëputur nga libri “Fillimet” i Preç Zogaj

/Liberale.al/

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH