Aktualitet

Djegia e gomave/ Dëme materiale e ndotje nga tymi në Fushë Krujë

Shkruar nga Liberale
Djegia e gomave/ Dëme materiale e ndotje nga tymi në Fushë

Djegia e gomave një natë më parë ka shkaktuar një katastrofë ekologjike për qytetin e Fushë Krujës. Tymi i zi pushtoi qytetin deri në orët e para të mëngjesit, duke ndotur të gjithë zonën. Zjarri i përmasave të mëdha për djegien e gomave vuri në rrezik edhe banesat teksa u deshën orë të tëra për ta vënë nën kontroll.

Por skandali merr përmasa dhe më të rënda kur konstatojmë se një situatë të tillë e ka jashtë kontrollit edhe Agjensia Kombëtare e Mjedisit, e cila nuk është parë në zonë për të monitoruar gjendjen, teksa këto goma të grumbulluara përdoreshin për furrat e paligjshme të gëlqeres.

Drejtori i AKM, Edison Konomi i kontaktuar nga Report Tv nuk është përgjigjur për të sqaruar situatën e krijuar. Në heshtje lidhur me këtë situatë edhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka një qëndrim, teksa djegia e gomave në Fushë Krujë vijon prej dekadash dhe qe prej vitit 2016, është miratuar vendimi nr. 652, datë 14.09.2016, “Për rregullat dhe kriteret për menaxhimin e mbetjeve nga gomat e përdorura”, ku thuhet se gomat, duhet të trajtohen sipas kritereve mjedisore dhe jo të digjen ne qiell te hapur.

Por për këtë katastrofë ekologjike, deri me tani nuk ka asnjë përgjegjës, teksa edhe institucionet heshtin.

Sipas ligjit parashikohet qe gomat duhet te trajtohen si vijon dhe jo te digjen:

a) Riveshjen për ritregtim, me qëllim përdorimin origjinal të tyre;

b) Riciklimin e gomave të patregtueshme, nëpërmjet grirjes së tyre dhe përdorimit të granulave si lëndë e parë për industrinë e prodhimit të gomave;

c) Rikuperimin e gomave të patregtueshme me qëllim përfitimin e energjisë;

ç) Përdorimin e gomave të përdorura si lëndë djegëse shtesë për veprimtari të caktuara industriale.

Me tej parashikohet se: ‘Trajtuesi i gomave të përdorura dërgon pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve informacion në lidhje me sasitë e gomave/mbetjeve të gomave të përdorura, të trajtuara sipas dokumenteve të transferimit, brenda datës 30 tetor të çdo viti. Agjencia informon ministrinë në lidhje me të dhënat e trajtimit të mbetjeve nga gomat e përdorura brenda muajit janar të vitit pasardhës.’. Por situata e zjarrit një natë më parë në Fushë Krujë na tregoi se ligji është shkelur me të dyja këmbët nga vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH