Aktualitet

Bashkia Tiranë, një ditë në UET: Ja mundësitë që u ofrojmë studentëve

Shkruar nga Liberale
Bashkia Tiranë, një ditë në UET: Ja mundësitë

Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës dje u bë prezantimi i institucionit të Bashkisë Tiranë te studentët, për ta bërë atë sa më tërheqëse për të rinjtë dhe të rejat që të kryejnë praktikën pranë Bashkisë Tiranë, si dhe për të krijuar bashkëpunim për projekte të ndryshme në vijim.

Këshillimi i karrierës është një proces shumë i rëndësishëm për individin që në hapat e para drejt universitetit e deri pas diplomimit të tij.

Karriera profesionale nis që në bankat e Universitetit, prandaj dhe Universiteti Europian i Tiranës ua ka bërë këtë më të lehtë studentëve, duke u dhënë këshilla dhe mundësi plot, jo vetëm brenda ambienteve të tij, por edhe jashtë.

Prandaj dhe një grup profesionishtësh nga Bashkia e Tiranës ditën e djeshme bënë një prezantim mjaft të detajuar përpara studentëve të UET, sa i përket praktikave të ndryshme që ky institucion ofron dhe se si mund t’u shërbejnë ato qoftë për të filluar sa më parë një vend punë, qoftë edhe duke e prekur nga afër terrenin.

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa e vlerësoi nismën e marrë nga Bashkia e Tiranës, duke theksuar se është një mundësi shumë  e mirë për studentët të cilët dëshirojnë që të prekin nga afër ato që mësojnë në bankat e universitetit.

“Bashkëpunimi me industri në veçanti dhe institucione publike, ku autoritetet lokale kanë një kompetencë për zhvillimin ekonomik dhe social, mendoj që është një avantazh i rëndësishëm dhe një oportunitet për studentët”, u shpreh Xhepa.

Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social, Anisa Subashi shpjegoi për të gjithë studentët e interesuar se me çfarë merret konkretisht drejtoria të cilën ajo e drejton.

“Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një nismë që quhet “Një ditë në universitet”, ku një pjesë e mirë e drejtorëve të përgjithshëm në Bashkinë Tiranë vijnë dhe diskutojnë me studentët, por qoftë edhe me stafin akademik, ku ndajmë eksperiencat, projektet që ka Bashkia e Tiranës, ndajmë pjesën e praktikës dhe ku ju mund ta gjeni veten. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit social, përbëhet nga pesë drejtori të cilat kanë një mori fushash dhe elementësh me vetë kategoritë e shërbimeve sociale.”, u shpreh ajo, teksa tregoi se secila nga drejtoritë merret kush me të pastrehët, kush ndihmon të rinjtë për të marrë një kredi, apo dikush tjetër ndihmon në rindërtimin pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

Genc Kojdheli, Drejtori i Përgjithshëm i  Projekteve Strategjike dhe Zhvillimit Ekonomik në Bashkinë e Tiranës u shpjegoi studentëve se ku konsistonte puna e tij dhe e drejtorisë që ai drejton.

“Unë flas fokusuar tek potenciali që mund të ketë universiteti juaj. Drejtoria që unë drejtoj fokusohet tek fondet europiane. Janë diku te 80-100 projekte në vit me një shkallë suksesi 15-18 përqind. Edhe pse mund të duket e ulët, duke parë konkurrencën e madhe mund besoj që është një shkallë shumë e mirë për Bashkinë e Tiranës në marrjen e fondeve për projektë komunitare. Kemi bërë ndërhyrje në projekte të ndryshme edhe pse jemi akoma larg aspiratës sonë", u shpreh ai.

Ndërsa pa humbur kohë u hodh drejt e tek ajo që studentëve iu intereson dhe që iu jep një të ardhme premtuese, dhe i vetmi kusht është që ata të kenë ide frymëzuese për t’i shërbyer jo vetëm Tiranës, por edhe të ardhmes së tyre.

“Jam mëse i hapur dhe mirëpres çdo lloj ideje dhe bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe UET. Fondet IPA përgjithësisht parashikojnë komponentët e bashkëpunimit më institucione kërkimore, por edhe me universitetet si partner i asociuar në projekt dhe partneritet esencial që janë bashkitë. Por universitetet mund të bashkohen me komponent kërkimi. Sa herë që të ketë fonde IPA nëse gjeni ide të mira ju mirëpres, qoftë si skuadër apo edhe një individ i vetëm që mund të ketë një projekt”, u shpreh Kojdheli duke ftuar gjithë studentët e interesuar të marrin pjesë.

Por mundësitë nuk mbarojnë këtu!

“Fatkeqësisht Shqipëria ka një numër të ulët aplikimi dhe fitimi në fondet që janë fonde specifikisht për kërkim për universitete dhe institute kërkimore. Ka shumë para që aksesohen shumë pak nga intstitutet tona kërkimore. Një tjetër mundësi është se duke qenë se Tirana është shpallur “Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022” shumë shpejt do fillojmë rekrutimin e njërëzve që do t’i bashkohen skuadrës që do krijohet. Çdo ditë do të kemi një aktivitet në Tiranë dhe bashkëpunimi mes universiteteve dhe Bashkisë ëshë i garantuar. Kush ka ide apo projekte mund të vijë. Kush ka ide të mira që mund të përkthehen në evente apo projekte është i mirëpritur t’i prezantojë”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i  Projekteve Strategjike dhe Zhvillimit Ekonomik në Bashkinë e Tiranës.

Ndërsa nëse doni një praktikë fleksible dhe që iu gjallëron gjithë kohën bëhuni pjesë e Drejtorisë së Emergjencave dhe Bashkëpronësisë, ashtu sikurse tha edhe drejtuesi i saj, Aurel Cuko.

“Ne merremi me përditshmërin, me hallet që mund të kenë banorët e Tiranës. Është një drejtori komplekse për t’u menaxhuar, pasi kaluam  tërmetin, pandeminë dhe kemi qenë gjithë kohën në terren, me çadra me kontenierë. Sapo menduam që mbaroi kjo filluan përmbytjet dhe sapo mbaruan përmbytjet filloi i ftohti. Ka natyrë komplekse, por është një gjë e bukur se në fund të ditës ndihesh i vetkënaqur dhe i përmbushur. Dhe kjo është një nga arsyet pse unë them që ju të rinjtë duhet ta bëni praktikën te bashkia", u shpreh Cuko.

Ndërsa Joniada Hito, Përgjegjëse Sektori tek Sektori i Këshillimit të Karrierës tregoi rëndësinë që ka Zyra e Këshillimit të Karrierës  Bashkia Tiranë , për t’i orientuar studentët, jo vetëm në mënyrën se si të prezantohen në vendin e punës, si të bëjnë një CV, por edhe si të mësojnë se cili është profesioni i cili u përshtatet dhe cila është më e mira për ta.

“Sektori më i ri, dhe shërbimi më i ri që i ofrohet komunitetit përsa i përket këshillimit dhe orientimit në karrierë. Është një sektor që ofron shërbime komunitare për të gjithë banorët e Tiranës, që dëshirojnë të informohen apo këshillohen mbi mundësitë e tyre për arsim, formim dhe karrierë profesionale. Iu shërben të gjithë atyre që kanë dilema të vazhdueshme në lidhje me arritjet personale apo dhe profesionale e që kanë vështirësi në vendimarrje. Ne përdorim instrumenta bashkëkohorë për të zbuluar fushat e interesit të individëve, për të analizuar nevojat për këshillim e orientim, si dhe vështirësitë në vendimmarrjet në karrierëqë të rinj e të rritur hasin në rrugëtimin e tyre professional.  Ne kemi një platformë online shumë të mirë në të cilën ofrojmë informacione për shërbim që zyra ofron,  duke përfshirë edhe një paketë shumë të mirë të profesioneve, ku janë listuar rreth 62, por që është ende duke u përditësuar. Portali quhet “karriera.tirana.al”. Aty mund të gjeni informacione nga më të detajuarat lidhur me profesionet përkatëse”, tha Joniada Hito.

Më tej ajo i kërkoi stafit të UET t’i paraqesin një listë konkrete me studentët të cilët duan të vazhdojnë praktikën në institucionin e Bashkisë Tiranë, apo për të bërë punë vullnetare.

Duke iu përgjigjur interesit të studentëve, Genc Kojdheli, Drejtori i Përgjithshëm i  Projekteve Strategjike dhe Zhvillimit Ekonomik në Bashkinë e Tiranës tha se nëse spikasin dhe kanë vullnet për të punuar ekziston mundësia që ndonjë prej tyre të punësohet në bashki. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH