Dossier

Etika mjekësore dhe interesi publik

               Publikuar në : 09:48 - 22/02/20 liberale

Prof. Dr. Isuf KALO

Me ose pa të drejtë në tre dekadat e fundit për personelin tonë mjekësor dhe veçanërisht për etikën e tij, është folur kryesisht me tone të ashpra kritike. Përjashtim është bërë në raste aksidentesh dhe katastrofash të mëdha. Në to qytetarët kanë parë me admirim tek ata një imazh etik krejt tjetër. Kështu ndodhi edhe gjatë ngjarjes tragjike aq shumë emocionuese të tërmetit të fundit në 26 Nëntor të këtij viti.

Qytetarët, politika, media dukeshin sikur po fërkonin gjatë këtyre ditëve sytë të habitur, tek po i shohin profesionistët me bluza të bardha si për herë të parë të shëndërruar mrekullisht nga “indiferentë” apo “të korruptuar” në humanistë, misionarë të përkushtuar dhe pse jo heronj në përpjekjet për të lehtësuar dhimbjet e vuajtjeve dhe shpëtimin e jetës së viktimave.

E vërteta është se tipare të tilla të përkushtimit, sakrificës dhe alturizmit punonjësit e shëndetësisë tonë i kanë dëshmuar në çdo ngjarje kur janë rrezikuar jetë njerëzore. Edhe në raste të tilla për disa kohë ata janë quajtur heronj. Por admirimi ka vazhduar jo gjatë. Mirëkuptimi dhe mirënjohja ndaj tyre përgjithësisht është dëshmuar jetë-shkurtër. Një nga arsyjet ndoshta është se profesioni mjekësor me specifikat e veçanta që e dallojnë njihet jo sa duhet mirë jashtë kufijve të tij, qoftë nga politika, nga media dhe nga vetë qytetarët. Bluzave të bardha u është dashur herë pas here të përballen me keqkuptime, keq vlerësime dhe qëndrime të pamerituara ndaj tyre. Jo vetëm tek ne. Kjo ndjesi mu rizgjua tek kujtova dramën e mirënjohur të Norvegjezit Henrik Ibsen, “Armiku i popullit”. Ajo është shkruar në vitin 1882. E pata lexuar atë në rini kur nuk isha ende mjek, por pa mundur dot të evidentoja mesazhet thelbësore të saj në rrafshin etik. Në respekt të kolegëve që u përkushtuan me profesionizëm të lartë dhe vetëmohim në tragjedinë e 26 Nëntorit 2019 po risjellë për lexuesit mesazhet e Ibsenit.

Heroi naiv

Ngjarjet në dramë janë të pakta e të thjeshta. Ato zhvillohen në një qytezë balneare të bregdetit të Norvegjisë jo aq me aksione se sa me dialog argumentesh, ku ndeshen si personazhe kryesor dy vëllezër: Thomas Stocman, mjek dhe i vëllai i tij më i madh Peter Stocman, kryetar i bashkisë së qytetit.

Falë qendrës balneare mjaft të suksesshme të atjeshme, qyteti siguronte të ardhura të konsiderueshme nga turistët dhe pacientët e shumtë. Ajo u bë edhe shkaku i konfrontimit mes dy vëllezërve por edhe disa personave të tjerë të lidhur me interesa me ta.

Gjithçka nisi me dyshimin që i lindi mjekut, Thomas Stocmanit, lidhur me përkeqësimin shëndetësor të disa pacientëve pas seancave balneare. Për të sqaruar shkakun ai analizoi ujërat minerale në një laborator shkencor të besueshëm dhe u trondit kur mësoi se ato përmbanin lëndë me veti helmuese me rreziqe serioze përjetën. Duheshin sipas tij të mbyllej urgjentisht qendra, të ndërpritej përkohësisht çdo aktivitet derisa të ndërrohej sistemi i tubacionit dhe qendra balneare të rihapej vetëm pasi të sigurohej me analiza parrezikshmëria shëndetësore.

Thomas Stocmani priste që pas këtij zbulimi të konsiderohej hero, shpëtimtar i shëndetit dhe jetës së bashkëqytetarëve dhe klientëve të tjerë. Dy gazetarë të njohur premtuan ta bënin këtë zbulim lajm të bujshëm. Mirëpo më pas ata “dredhuan”. Kurse pritshmëritë e mjekut për lavdërimin me mirënjohje si hero, për fat të keq rezultuan zhgënjyese dhe naive.

Morali apo interesat?

Shkak i zhgënjimit të mjekut u bë mos miratimi nga i vëllai, Peter Stocmani kryebashkiak, i raportit të tij për rrezikshmërinë shëndetësore të ujërave termale të qytetit. Kryebashkiaku reagoi ashpër, madje i revoltuar ndaj të vëllait mjek. Sipas tij me zellin e tepërt të moralit profesional, për t’ja bërë të ditur publikut të vërtetën e rrezikut shëndetësor të zbuluar, ai do i hapte atij vetë dhe qytetit një telash tejet të madh.

Në mbrojtje instiktive të famës të qendrës balneare ai vuri në dyshim saktësinë laboratorike dhe hodhi poshtë propozimin sipas tij absurd të vëllait për mbylljen e qendrës balneare, deri në zëvendësimin e tubacioneve si kushte që ajo të ri hapej.

Kryebashkiaku këto i quajti utopi teknokratiko-mjekësore të egocentrizmit profesional të të vëllait, i cili me papjekuri politike e sociale do u shkaktonte banorëve me të vërtetën e zbuluar dëm shumë të madh ekonomik. Peter Stocmani kishte arsye për kundërshtimin e “belasë” apo “shejtanit” që i vëllai mjek donte ta nxirrte nga shishja. Shejtani qe e vërteta e helmit në ujërat termale. Po të merrej vesh kjo, përveç panikut do krijohej një dëm ekonomik prej njollosjes së famës dhe prestigjit të qendrës balneare, trembjes, largimit e pakësimit të klientëve dhe turistëve pra një pakësim dramatiki të ardhurave të deritanishme të qytetit.

Rikonstruksioni rrënjësor përbënte gjithashtu një shpenzim kolosal të pa planifikuar dhe të padisponueshëm. Shpenzimet për këtë si edhe defiçiti financiar që do krijohej nga mbyllja e llixhës dhe pakësimi i klientelës do binin në kurriz të mirëqenies ekonomike të qytetarëve. Për ti kompensuar ato do duhej të rriteshin taksat, pra do cënoheshin interesat e banorëve, por edhe ato të kredibilitetit dhe popullaritetit elektoral personal të tij në zgjedhjet e ardhshme.

Një duel i paevitueshëm

Ndeshja e moralit profesional mjekësor me moralin pragmatist qeverisës përbën në thelb një duel universal që ka shoqëruar kudo e kurdo shëndetësinë në misionin e vështirë shkencor, human e idealistik të saj.

Në dramën e Ibsenit morali mjekësor i mbrojtjes në çdo rrethanë të shëndetit dhe jetës së banorëve prej një rreziku flagrant e të vërtetuar shkencërisht përballet me moralin, logjikën dhe pragmatizmin politik qeverisës, që ndjen për detyrë të mbrojë në këtë rast interesat sociale, ekonomike e financiare të të njëjtës popullatë. Përplasen “e drejta me interesat” dhe “shëndeti me paranë”.

Në jetë kjo përballje zhvillohet në të gjitha nivelet e sistemeve shëndetësore dhe shoqërore, në instancat vendimmarrëse të larta dhe në ato institucionale klinike dhe akademike. Arbitri në këtë “duel moral” mes profesionistëve të mjekësisë dhe qeveritarëve do duhet të ishin pikërisht ata në emër të të cilëve debatojnë dhe avokatojnë mbi principe morale të ndryshëm të dy palët: ata duhet të ishin vetë qytetarët.

Nëse qytetarët nuk e kryejnë këtë rol sepse janë të përjashtuar, të nënvlerësuar, të manipuluar ose për shkak të mangësive kulturore, shëndetësore të tyre qëndrojnë indiferent, atëherë është thuajse e sigurt që fituese rezulton thuajse gjithmonë pala qeveritare pushtetare mbi atë profesionale mjekësore. Edhe pse kjo dramë është shkruar më shumë se 130 vjet më parë ky duel moral vazhdon ende thuajse i pa ndryshuar. Pushteti qeverisës është i favorizuar dhe më imponues ndaj etikës dhe “pushtetit” profesional mjekësor. Llogjika justifikuese që ai përdor është “Kosto-eficienca”. Përjashtim bëjnë vetëm vendet me demokraci solide të konsoliduar që sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie publike për qytetarët, të cilët falë të drejtave të legjitimuara të tyre janë partner aktiv të fuqishëm.

Vëllezër jo në moral

Nuk kish si të ndodhte ndryshe edhe mes dy vëllezërve Stocman. Bashkiaku i mbështetur edhe nga gazetarët bëri për vete banorët, madje edhe gruan e Thomasit kundra tij. Ai e bllokoi raportin e të vëllait si një bombë që do hidhte në erë mirëqenien e do të krijonte katastrofë ekonomike për qytetin por edhe për familjen e mjekut madje edhe të atij vetë personalisht. Qeveritari përdori të gjitha taktikat e postit përkundër moralit mjekësor të të vëllait. Së pari dredhinë: Tentoi ta paraqiste problemin jo ngushtësisht shëndetësor, ku i vëllai qe ekspert, por në një spektër të gjerë ekonomik, social, psikologjik, elektoral dhe politik, të cilat ishin përgjegjësi dhe ekspertizë e atij vetë si kryebashkiak. Në këtë kontekst pika e nxehtë e debatit spostohej nga rreziku shëndetësor tek rreziku ekonomik.

“Kriza apo situata e vështirë ekonomike- pati thënë Artur Mileri, i cili pati krijuar një version të ri të kësaj drame –janë alibia dhe arma efikase e pushtetarëve për të përligjur shkelje të moralit dhe të drejtave të qytetarëve, si edhe për tu mbyllur gojën idealistëve”.

Llogjika qeveritare përballë llogjikës mjekësore

Si qeveritar i qytetit Peter Stocmani ndjehej përgjegjës vetëm brenda territorit për banorët e tij. Meqë klientët e banjës ishin kryesisht jo vendas por të ardhur rreziku shëndetësor për vendasit sipas llogjikës së tij ishte minimal. Por mjeku përkundrazi përgjegjësinë morale e ndjen universale e pa kufij: mbrojtjen shëndetësore të të gjithë njerëzve kushdo qofshin (Të ardhurit, a nuk janë edhe ata njerëz?). Atëherë kryebashkiaku propozoi një kompromis pragmatik të tipit: “mishi të piqet dhe helli të mos digjet”; ndërrimi i tubave të mos bëhej menjëherë por me faza, çka evitonte mbylljen qoftë dhe afat shkurtër të llixhës (Mirëpo deri në përfundimin e plotë të riparimit a nuk do liheshin me ndërgjegje një numër klientësh të ekspozuar ndaj helmit dëmtues shëndetësor? (A nuk ishin edhe këta njerëz?) Mjeku rezistoi në të tijën. Qeveritari së fundi provoi shantazhin me pasojat ekonomike që do pësonte i vëllai dhe familja e tij; e shoqja që punonte në institucion publik do të humbiste punën, kurse ai vetë Dr. Thomasi si anëtar i bordit të qendrës balneare, do përjashtohej nga ky post për indisiplinim administrativ e mos bindje ndaj vendimit të eprorit, pra të kryebashkiakut.

Armik pa armiqësi

Për fat të keq të mjekut edhe banorët e qytetit, që ai i po i mbronte shëndetërisht, u bënë solidar me kryebashkiakun kundra tij.

Kjo nuk është për tu çuditur. Ka ekzistuar gjithmonë një defekt, një bllokadë në “receptorët” e vendimmarrësve dhe të vetë popullatës, që i pengon ata për të ndjerë dhe për të reaguar në masën dhe kohën e duhur ndaj rreziqeve shëndetësore të evidentuara shkencërisht. Kjo rezistencë paradoksale me natyrë kulturore, psikologjike apo enigmatike mund të quhet “shkelm i pandërgjegjshëm ndaj të mirës”.

Mos pranimi apo nënvlerësimi i rreziqeve të tilla, nga ana e qeveritarëve apo vendimmarrësve, mos pranimi i sëmundjeve edhe kur ato zbulohen e diagnostikohen, dhe mosvlerësimi e mos zbatimi më pas i masave të duhura kundra tyre edhe kur ato janë të disponueshme nga ana e të sëmurëve haset gjerësisht tek ne por dhe në botë. Ato përbëjnë shkakun më të shpeshtë të disa prej dështimeve të mjekësisë në misionin e saj, sidomos kundra sëmundjeve kronike.

Mos pranimi apo kundërshtimi naiv i till përbën edhe shkakun e barrës së rëndë jetesore e financiare që përballojnë më pas ata, duke paguar shumë më tepër për to.

Duke vlerësuar të vërtetën që zbuloi Thomas Stocmani si më të rrezikshëm për ta, banorët me në krye bashkiakun e shpallën atë “Armik të tyre” dhe i kërkuan atij të largohej nga qyteti.

Principe dhe presione

Por mjeku Thomas Stocman nuk u largua. Vendosi të qëndrojë i vetëm përkundër të gjithëve sepse zotëronte diçka që të gjithëve të tjerëve u mungonte. Dhe kjo ishte e drejta.

Ai i mbeti besnik moralit dhe idealizmi të tij profesional. Jo për kokëfortësi. As për sedër. Po thjesht për princip. Ekzaktësisht të njëjtin princip do mbronte gati 100 vjet pas kësaj drame mjeku Norman Levinski në artikullin “The doctor’s master”: “Detyra e mjekut- shkruan ai- është të bëjë më të dobishmen për shëndetin e njerëzve pavarësisht kostos. Ata duhet të veprojnë në çdo rrethanë vetëm si avokatë të interesit të pacientëve qoftë edhe kur kjo konsiderohet kundra interesave të shoqërisë në tërësi”.

Edhe pse e akuzuan si idealist, naiv, madje edhe pa moral Dr. Thomas asnjëherë nuk e ndjeu veten të tillë. Katerina e shoqja e tij, ja shpjegoi se qe e kotë të insistonte në moralin mjekësor përderisa ai që i pafuqishëm ndaj pushtetit të të vëllait, i pafuqishëm ndaj qytetit dhe banorëve, pra kauza e tij ishte e humbur me siguri.

“Ç’rëndësi ka që ke të drejtën në anën tënde– i tha ajo -kur nuk ke mundësi ta zbatosh dot?”. A është morale që për një të drejtë që beson dhe mbron të mos kryesh as obligimin si prind dhe bashkëshort ndaj mirëqenies së familjes tënde?

Njeriu më i fortë në botë

E drejta e Dr. Stocmanit ishte vetëm ajo që i jepte morali i tij si mjek. “Njeriu që ka me vete të drejtën -besonte ai- është më i forti në botë”. Rreziku helmues i ujërave termale nuk ishte imagjinar. Ishte i vërtetuar shkencërisht. Detyra e tij si mjek ishte mbrojtja e shëndetit të njerëzve. Duke kryer me ndershmëri këtë, ai ndjente se po i mbronte ata më mirë se të tjerët përfshi edhe kryebashkiakun, qoftë edhe në interesat ekonomike të tyre. Sepse helmi në ujërat termale qe bombë që do plaste shpejt një ditë, por me dëme shumë herë më të mëdha.

Edhe si bashkëshort dhe prind ai e mirëkuptonte Katerinën. Por gjithmonë brenda principeve dhe moralit njerëzor, qytetar dhe profesional. “A nuk është detyra e parë prindërore –tha ai- ti bëjmë fëmijët të ndershëm dhe të aftë të jetojnë, bazuar në principe të shëndosha morale?”

Ikonë e duhur sot

Thomas Stocman si personazh është ikonë e moralit mjekësor. Ai vlen jo për ta hyjnizuar, por për të inspiruar besnikërinë e palëkundur ndaj principeve morale të profesionit mjekësor qoftë edhe në rrethana kur padrejtësisht mund ti kesh të gjithë kundër.

Për mjekësinë tonë të sotme aq të përfolur për krizën etike besoj mund të vlente si dritë jeshile e rrugëdaljes nga presionet e tregut të lirë, konkurrencës, nevojave materialiste e financiare, joshjeve mercenarizuese nga kompanitë dhe bizneset e barnave e të teknologjisë mjekësore si edhe prej tundimit të moralit të tyre profesional nga vendimmarrësit, prej të cilëve ata varen. /Gazeta Liberale

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back