Më shumë se 100 laureatë Nobel, duke përfshirë Kazuo Ishiguro, Olga Tokarczuk dhe JM Coetzee, kanë bërë thirrje për lirimin e fituesit të çmimit Nobel për paqen Ales Bialiatski, duke deklaruar se “qëndrojnë me popullin e patrembur të Bjellorusisë që vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre njerëzore”.
Bialiatski themeloi një organizatë të quajtur “Viasna” (Pranvera) për të ofruar mbështetje për demonstruesit që u burgosën pasi protestuan kundër fuqive diktatoriale të dhëna presidentit bjellorus Alexander Lukashenko pas një amendamenti kushtetues në 1996.
Pas themelimit të saj, “Viasna” evoluoi në një organizatë për të drejtat e njeriut që dokumenton abuzimet e autoriteteve dhe torturat e të burgosurve politikë.
Puna e Bialiatskit e ka bërë atë shënjestët të autoriteteve: ai u burgos në vitin 2011 për evazion fiskal të supozuar nga qeveria dhe u lirua në vitin 2014. Por në vitin 2021, një vit pas zgjedhjeve që çuan në protesta kundër diktaturës së Lukashenkos, Bialiatski u burgos përsëri.
Tani, 103 laureatë Nobel kanë nënshkruar një letër të hapur nga Pen International duke shprehur solidaritet me Bialiatskin dhe duke dënuar veprimet e presidentit bjellorus.
Letra, e nënshkruar gjithashtu nga autorë, duke përfshirë Svetlana Alexievich, Mario Vargas Llosa dhe Annie Ernaux, thotë se Bialiatski” i ka kushtuar jetën e tij promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Bjellorusi.
“Ai ka guxuar të kërkojë llogari nga presidenti Lukashenko për shtypjen e tij brutale, të pamëshirshme dhe sistematike ndaj zërave të pavarur”, vazhdon më tej letra. “Për këtë ai po paguan çmimin më të rëndë: 10 vjet burg për arsye të rreme.
“Bialiatski është një simbol shprese dhe një frymëzim për mbrojtësit e të drejtave të njeriut në mbarë botën, të cilët duhet të festohen si të tillë.”
Nënshkruesit thonë se qëndrojnë me Bialiatskin dhe anëtarët e tjerë të “Viasna” – Marfa Rabkova, Valiantsin Stefanovich, Uladzimir Labkovich, Leanid Sudalenka, Andrei Chapiuk – të cilët gjithashtu janë burgosur.
“Ne qëndrojmë me morinë e shkrimtarëve, gazetarëve, punonjësve të kulturës, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe qytetarëve të Bjellorusisë, të cilët janë duke vuajtur burgime të gjata thjesht për të shprehur në mënyrë paqësore pikëpamjet e tyre dhe për t’i thënë të vërtetën pushtetit”, thuhej në letër. “Ne qëndrojmë me popullin e patrembur të Bjellorusisë që vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre njerëzore.”
Bialiatski fitoi çmimin Nobel për paqen së bashku me organizatën ruse të të drejtave të njeriut “Memorial” dhe Qendrën e Ukrainës për Liritë Civile. Citimi për çmimin tha se ata demonstruan “rëndësinë e shoqërisë civile për paqen dhe demokracinë”./Liberale.al