Aktualitet

Esetë e Shkollës Kontekstualiste - UET: A ndihet Hobbes i frikësuar?

Shkruar nga Liberale

Elton Ndreka

"Leviatani" i Hobbes konsiderohet si një nga librat më të rëndësishëm të filozofisë politike. Gjuha e përdoror  aty është e qartë dhe bindëse. Struktura e librit na paraqet një organizim kompakt dhe të qendrueshëm. Në njëmbëdhjet kapitujt e parë merret  më një lloj qartësimi metodologjik, orientimi teorik e projekt propozimi politik. Është pikërisht gjuha dhe struktura e përdorur ajo që e rëndit Hobbes ndër autorët e filozofisë moderne.

Pasi në sytë e Hobbes është e qartë se çfarë është njeriu, si punon mekanizmi i mendjes njerëzore , cilat janë dëshirat dhe frikërat e tij,  “Leviatani” propozohet si një mundësi reale në ndërtimin e një shoqërie të përshtashme për karaktersitikat e njeriut.

Materia dhe Lëvizja shpjegojnë shumçka. Në univers trupat lëvizin, kanë kontakt, shtyjnë, tërheqin nga vetja dhe përplasen.Sipas të njëjtave ligje fizike dhe mekanike mund të përshkruhet edhe njeriu. Psikolgjia njerëzore është një element që mund të definohet prej të njëjtave ligje. Dëshira dhe Neveria janë dy shtysa qëna  lëvizin drejt diçkaje ose një tjetre. Dëshira na lëviz drejt të mirës dhe kërkimit të sigurisë dhe paqes.  Neveria na shtyn drejt frikës prej vdekjes së dhunshme.

Raporti mes lëvizjes së përgjithshme në univers dhe shtysave brenda njeriut shfaq te sjellja njerëzore një marrëdhënie të posaçme . Shumësia e trupave njerëzorë dhe pajisja e tyrë me dëshira dhe neveri ndërton rrafsh të mundëshëm të një Gjendje Natyrore,ku  ai është hedhur. Njerëzit dëshirojnë të njëjtat gjëra, sepse për nga natyra janë të njëjtë. Megjithatë, theksi te fizikja, mekanikja, individualizimi i trupave njerëzor, dëshira e njëjtë njerëzore, së pari do të thotë që për nga natyra njeriu është në garë me njeriun. Sepse secili është i interesuar për të pasur për vete, pronë, burime jetësore dhe siguri.  Në mungesë te një Kontrate Sociale, të një autoriteti që dominon në mënyrë absolute, një garë e tillë është “një luftë e të gjithëve kundër të gjithëve”.

Për të shpjeguar këtë , Hobbes na thotë se njeriu është për nga natyra i prirur drejt interesit të tij privat. Përbrënda këtij atributi njerëzor “lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”është pasojë. Një luftë e tillë do të thotë që nuk ekzistojnë lidhjet shoqërore . Marrëdhëniet e tilla nuk mund të shpjegohen nga një Gjendje Natyrore veç  si gjetja utilitare , interes, një ego një lidhje momentale, e pabesë dhe e përkohshme. Madje, në këtë pikë Hobbes vendoset në kundërshti me klasikët dhe skolastikët, të cilët përkatësisht e përkufizojnë njeriun si prej natyre politik dhe shoqëror. Shoqëria natyrore nuk ka kuptim, ajo është gjithnjë  pasojë e atributeve thelbësor të njeriut. Siç është pasojë edhe “frika prej vdekjes së dhunshme”.  Prandja, për shkak të këtyre atributeve përmes dëshirës dhe arsyes instrumentale do duhet të pasojë një Kontratë Sociale  nën një Sovran.

Kur Hobbes u referohet të drejtave natyrore na e bën të ditur se këto drejta në Gjendjen e Natyrës janë një mënyrë e të thënurit parimisht  se çfarë i takon si pjesë njeriut. Thënë ndryshe, çdo gjë që është në interes  e ego të secilit është e drejta e tij.  Ta zëmë, në mënyrë që secili të jetoj do duhet një hapësirë tokësore e caktuar që po e quajm pronë. (Argument ky që merret  më pas nga Lock për të shpallur të drejtën e pronës si një nga tre drejtat esenciale njerëzore.)  Lidhja   mes trupit dhe të drejtës së pronës  në Gjendjen e Natyrës  lidhet  me fuqinë që ka secili për të ruajtur atë.  Në të kundërt nuk ka pronësi e as jetë. Hobbes thotë “aty ku nuk ka ligj, nuk ka as të drejta”. Prandaj,  në një gjendje të tillë të drejtat natyrore nuk kanë kuptim, sepse janë të përkohëshme në lidhje me fuqinë apo dobësinë. Mbi këtë pakuptimësi të së drejtës në Gjendje Natyrore justifkohet edhe sakrifikimi e transferimi i të drejtave në gjendjen civile. Fundja askush nuk po humb asgjë, dhe çdo kush po përfiton paqen dhe sigurinë.

Tema që kryqëzon rrugët e njeriut nga një gjendje në tjetrën është ajo e frikës. Elena Pulcino një fiolozofe italiane e cila e trajton këtë temë të Hobbes thotë që “ intuita vendimtare e Hobbes qëndron në deduktimin e frikës prej universalitit dhe kushteve legjitime të barazisë mes njerëzve”. Për aq sa matja e forcave ka kuptim dominimi dhe nënshtrimi do të  thotë se disniveli i forcave rezulton në akt të kryer të dominimit dhe nështrimit  të forcës më të dobët.  Forcat futen në një marrdhënie bashkëmatjeje në momentin që është i paqartë fituesi apo pranimi i fituesit. Prandaj barazia bëhet  kontekst i prodhimit të një lloj frike të ankthët, sepse vetëm mes të barabartëve  ndodh vërtetë bashkëmatja e forcave.Të dëshirosh diçka është të kësh frikë të mos e kesh atë. Të jesh i interesuar për diçka është të kesh frikë se mos dikush tjetër ta merr atë.  Të kesh ego është të jesh i frikësuar të hapësh ndaj botës. Njeriu është një qenie utilitariste, private dhe egoiste e friksuar dhe pasiguart. Njeriu është nje qenie në ankth për të ardhmen.

Atëherë duhet të gjetur një mënyrë që të  lehtësoj ankthin dhe të siguroj një minimum jetik, një të ardhme. Mënyra më e mirë është ajo e një Kontrate Sociale nën një Sovran.   Zakonisht ndër autorët  e kontratave sociale njihen dy  etapa  të kontratës. Etapa e parë është pakti i unitetit, ku individët e izoluar mblidhen për të ndërtuar shoqërinë (Shtetin ). Etapa e dytë është pakti i subjektivitetit, ku do përzgjidhet forma e qeverisjes së shtetit (Pushteti).  Në Pikëpmajen e Hobbes  shteti dhe Sovrani duhet  të zgjidhen në një marrëveshje të vullnetshme të vetme.  Ndarja në dy etapa, përkatësisht dy pakte mund të rrezikojë Sovranitetin absolut të Sovranit. Sepse kur bëhet fjalë për pushtet, secili do mund të lidhet me fraksione të  caktuara në interes të tyre dhe kjo e dobëson sovranitetin e shtetit. Idea është që njerëzit të merren vesh në parim dhe për pak gjëra, pa u përfshirë në tematika që nxjerrin në pah interesa, të cilat në kushtet e mes të barabartëve, do mund të rindizte ndjesinë e frikës, pra luftën. Prandaj kalimi i të drejtave dhe  fuqisë së secilit  duhet bërë në nje akt të vetëm dhe të pakthyeshëm.

Funksioni i një kontrate të tillë është ai i një porte që pasi ta kesh kaluar as nuk kthehesh dot pas, as nuk mund të jesh ai që ke qenë. Është takimi i njeriut me veten në një botë të rregulluar prej një fuqie absolute të cilën nuk e konkuron dot dhe as e rrezikon dot atë. Raparti i barazisë mes njerëzve transformohet në raport  barazie përpara ligjit, pra vullnetit të Sovranit. Frika prej  fuqive tashmë në Gjendjen e Natyrës transofmohet në frikëprej ligjit, pra  Sovranit.

Ajo çka propozohet është që Shteti dhe Sovraniteti, Pushteti dhe Sovrani duhet të jenë e njëjtja gjë.Vetëm një shkrirje e tillë mes tyre e bënë të mundur përkujdesjen e Sovranit për shtetin dhe nënshtetasit. Një Sovran që shtrihet aq sa shtrihen kufijtë e shtetit do të thotë se çdo cenim i territorit të shtetit është cenim i trupit të Sovranit. Në këtë rast pronësia nuk është thjesht territoriale në lidhje me  territorin e shtetit, por edhe një lloj privatësie intime që mund te ketë çdo njëri me trupin dhe hapësirën në të cilën është në kontakt lëkura e tij. Kështu nënshtetasit duke rënë dakort për një Kontratë Sociale siç e propozon Hobbes,  kanë rënë dakort jo vetëm që të transferojnë të drejtat e natyrore dhe pushtetin e secilit ,   por para së gjithash të dorëzojnë ndjesinë e rrezikut të një vdekje të dhunshme.

Për të përfunduar  Hobbes na prezanton me dy ide  të lidhura fort me njëra tjetrën. Së pari është ideja e një ligji që i mbijeton  si gjendjes  së natyrës po ashtu edhe gjendjes civile: ligji i vetëruatjes. Së dyti është rënditja e detyrave të Sovranit. Funksioni absolut i Sovranit është ai i krijimit të paqës dhe sigurisë. Për këtë arsye secili individ  bie dakort të heq dorë prej fuqisë së vet dhe t’ia dorëzojë  atë Sovranit. Ky i fundit i paisur me këto fuqi, në fakt prosupozohet te ketë në zotërim fuqinë e secilit në një të vetme dhe të pamatshme nga ndonjëri prej subjekteve. Dominimi i Sovranit është total në mënyrë  që të mund të realizojë detyrën për të cilën iështë dhënë fuqia. Totaliteti  ka për synim pohimin e mungesës së cenit të Sovranit. Siç Hobess shkruan: Sovrani duhet të jetë fitimtar. Ky pohim nuk është sugjerim, por detyrë e Sovranit.   Sepse vetëm fitimtari  vendos kushtet e paqës,  sjell siguri dhe mbështjell brenda vetës  jetën e secilit.  Për këtë arsye Ligji i Vetëruatjes i mbijeton edhe një regjimi absolut. Madje Hobbes shkon mëtej  kur thotë “ Njerëzit kanë gjithmonë të drejtë të bëhën më fitimtarin”. Çka presupozon që Sovrani në vetëvete është vetëm paisja me ndjesi dhe shpirt e Sovranitetit. Pronari i territorit të shtetit është pronari i trupit të vet, ose mund të thuhet që territorit të shtetit, sovranitetit të shtetit i duhet me patjetër një aparat ndjesor, njësoj siç e ka njeriu në trupin e vet. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH