Globi

Escobar: Situata e tanishme në Ballkan ka shumë ngjashmëri me atë të viteve ‘90

Shkruar nga Liberale
Escobar: Situata e tanishme në Ballkan ka shumë ngjashmëri me

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të premten se situata e tanishme në Ballkan ka shumë ngjashmëri me atë të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur tensionet etnike u ngritën dhe kur kishte shumë që dëshironin t’i shfrytëzonin ato.

“Prej Daytonit e këndej, megjithatë kanë ndodhur shumë gjëra pozitive dhe kur i analizoni do të shihni se të gjitha ato ishin fryt i integrimeve euroatlantike. Andaj, partnerëve tanë evropianë ua përmendin nevojën që të përshpejtohen integrimet dhe për këtë arsye Ballkani është lart në agjendën tonë kur flasim me ta”, ka thënë Escobar në Forumin 2BS, që është mbajtur në Budvë të Malit të Zi, raporton Beta.

Ai ka thënë se në samitin e fundit të NATO-s, edhe pse joformalisht, është shprehur frika se është e rrezikshme që të ndahen informatat me qeverinë e re në Podgoricë.

Escobar ka thënë se kjo brengë është reale dhe se njerëzit në Mal të Zi duhet të jenë të vetëdijshëm që NATO ka shumë mënyra t’i mbajë informacionet, porse çdo qeveri duhet të jetë e vetëdijshme se kjo është diçka që e dobëson atë dhe shtetin e saj.

Ai ka thënë se forcat pro-serbe në Mal të Zi duhet ta kuptojnë që ky shtet duhet të jetë shtet sovran, demokratik, dhe anëtare e NATO-s me orientim perëndimor. Ka shtuar se për ato forca që e rrëmojnë përparimin e vendit që tash e 25 vjet, ka qenë një storie suksesi, SHBA ka përgjigje në formën e sanksioneve, presionit politik, ndërsa në vetë Malin e Zi izolimin e forcave që kanë tendenca të tilla.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka thënë se stabiliteti i Malit të Zi mund të forcohet vetëm përmes procesit të integrimeve evropiane, porse është problem kur nga adresat e partnerëve pranohen mesazhe të rrudhura që seriozisht e mjegullojnë perspektivën evropiane, gjë që i jep krah nacionalizmit të fjetur të vitit 1995, i cili kurrë nuk është tërhequr.

“Sot jemi të pranishëm para një lufte hibride kundër Perëndimit dhe Evropës, ndërsa Mali i Zi tash e disa vite po i shpon veshët duke paralajmëruar për këtë. Ballkani Perëndimor është terren i përshtatshëm për shkak se Rusia këtu llogarit në ndjenjat proruse”, ka thënë Gjukanoviqi.

Ai ka shtuar se është e qartë që disa tani përpiqen që të bëjnë atë që nuk kanë arritur ta bëjnë në vitet ’90.

“E shohin se po kthehen në idenë që në Ballkanin Perëndimor duhet t’i bëjnë tri shtete homogjene, të ndara dhe të rritura, gjë e cila do të duhet të bëhet në dëm të Malit të ZI, Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë”, vlerësoi Gjukanoviq.

Ai ka shtuar se “nacionalizmi impotent” i Boris Tadiqit është zëvendësuar tani nga “nacionalizmi agresiv” i Aleksandar Vuçiqit.

“Ata vetes i japin të drejtë që të rregullojnë të drejtat e serbëve në shtetet e tjera nën pretekstin e kërcënimit. Këtë tani që e bën Vuçiqi, të njëjtën dikur e bënte Tadiqi”, ka thënë Gjukanoviq.

Forumi vjetor 2BS, që mbahet në Budvë, ka mbledhur këtë vit shumë zyrtarë rajonalë dhe ndërkombëtarë, politikanë, e ekspertë për siguri. Tema kryesore e forumit ishte Ballkani Perëndimor dhe perspektiva e aleancës së NATO-s.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH