Xhaxhai i Ervis Martinaj, Faik Martinaj ka deklaruar këtë të martë se nipi i tij, Ervis Martinaj është vrarë.
“Ai është vrarë dhe është zhdukur kufoma. Kundërshtarët politik e kanë eliminuar. Hasmi nuk të zhduk xhenazen”, tha ai.
Faik Martinaj deklaroi se pasojat për Ervis Martinajn kanë ardhur pas dëshmisë së Nuredin Dumanit. Ky i fundit tha se Ervis Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro për të eliminuar ish-anëtarin e bandës së Durrësit, Endrit Doklen.
“Ervisi më dërgoi mesazh më 9 gusht, rreth orës 19:23, na përshëndeti, s’na tha ku ishte”, shtoi Martinaj.
Kujtojmë se pothuajse një muaj pas masakrës së Fushë-Krujës që la pas 3 të vrarë, familjarët e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj kanë kallëzuar në polici se kanë humbur kontaktet me të.
Nga Drejtoria e Policisë së Shtetit u mësua se ka qenë nëna e Ervis Martinajt, ajo e cila ka kryer denoncimin, duke thënë se prej 3 ditësh nuk ka pasur asnjë kontakt fizik dhe as në celularë me djalin e saj i cili është në kërkim ndërkombëtar për shumë ngjarje kriminale të ndodhura në vend. Ajo ka rrëfyer se nuk di se ku djali i saj ndodhet dhe po ashtu informacion për të nuk kanë as të afërmit e tjerë të cilët ruanin kontakte me të shumëkërkuarin.
Më 17 korrik, 4 persona, ende të paidentifikuar në një atentat mafioz të mirë organizuar vranë Brilant Martinaj, krahun e djathtë dhe kushëririn e Ervis Martinajt së bashku me dy shokët e tij Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.
Dyshohet se objektiv i këtij atentati të ketë qenë pikërisht Brilant Martinaj, i cili dyshohet se ka qenë autor i vrasjes së efektivit Xhuliano Prela më 5 dhjetor 2020 dhe ish-policit Xhelal Reçi më 1 nëntor 2021.
Kush është Ervis Martinaj
Ervis Martinaj, është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin. Ervis Martinaj është përmendur edhe në Gjyqin ndaj Emiliano Shullazit.
Martinaj ka qenë pronar i disa pikave të basteve dhe kazinove dhe është përmendur në 2016 për ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij u lakua edhe për vrasjen e bankierit Artan Santo. Gjatë kontrollit në magazinën e tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy skafandra të ngjashme me ato që përdorën vrasësit e bankierit, por ai nuk u implikua në këtë rast, sepse nuk kishte prova.
Po ashtu Martinaj ishte i përfshirë në vrasjen e ndodhur në Bllok, ndërsa pas kësaj ngjarje ai u arrestua por më pas u la i lirë pasi pagoi një shumë të madhe parash. Emri i Ervis Martinajt, doli në skenë edhe pas dëshmisë së vrasësit me pagesë Nuredin Dumani. Ai rrëfeu se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro, për eliminim e Endrit Dokles, numrit 2 të Bandës së Durrësit./Liberale.al/