Aktualitet

Ervin Mata dhe Ervis Martinaj/ Vrasje dhe drogë me “lejen” e Policisë së Shtetit

Shkruar nga Liberale
Ervin Mata dhe Ervis Martinaj/ Vrasje dhe drogë me “lejen” e

Operacionit “Metamorfoza” u zhvillua më 26 korrik 2023, ndërsa operacionit “Flakë në det” i përket datës 9 tetor 2023. Emëruesi i përbashkët i tyre është lidhja e krimit me oficerë policie.

Mbrëmja e 20 nëntorit tregoi se metamorfozë kishin pësuar edhe të tjerë efektivë të Policisë së Shtetit dhe duket se aplikacioni SKY, do ta kthejë këtë në një çështje numrash. Ato që dukeshin si raste sporadike, po rezultojnë një trend në realitetin shqiptar dhe komunikimet pa dorashka të eksponentëve të botës së krimit, po i nxjerrin zbuluar miqtë e tyre të antikrimit.

Në rastin e parë SPAK shpalli në kërkim Ervis Martinajn, një personazh i botës së krimit që në fakt konsiderohet i zhdukur prej më shumë se një viti. Ndërsa në rastin e fundit u shpall në kërkim armiku i tij, Ervin Mata. Por duhet theksuar se ky operacion nuk ka lidhje me “Metamorfozën”. Bëhet fjalë për një hetim te nisur një muaj më vonë, por që thelb është thuajse i njëjtë. Trafik ndërkombëtar kokaine, planifikim vrasjesh dhe përfshirje oficerësh Policie në organizatë kriminale.

Lufta e këtyre dy personazheve, Ervis Martinajt dhe Ervin Matës, që dukej sikur ishte harruar, doli në skenë sërish me operacionin e datës 20 nëntor edhe pse zyrtarisht doli në sipërfaqe 5 vjet më parë.

Data 4 tetor 2018, ora 21:29

Ky moment prishi paqen e vendosur me një marrëveshje të heshtur mes dy grupeve kriminale në Tiranë. I pari që drejtohej nga Ervis Martinaj dhe i dyti nga Ervin Mata.

Kjo përplasje me armë, në lokalin e njohur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë,  shkaktoi një të vrarë e dy të plagosur. I plagosur mbeti edhe vetë Ervis Martinaj që më pas edhe u arrestua. Por për pak kohë. Ashtu sikurse gjithë të tjerët që qëndruan fillimisht në arrati e më pas u vetëdorëzuan njëri pas tjetrit. Pas disa javësh në qeli, të gjithë u lanë të lirë. Duke përfshirë edhe Ervin Matën e Mevjol Bilon, i cili ishte personi që shkrepi armën. Sot të gjithë protagonistët janë jashtë. Ndërsa për fatin e Ervis Martinajt, prej një viti nga denoncimi si i zhdukur, nuk dihet ende asgjë.

Prej asaj datë është folur për një armiqësi mes Martinajt e Matës. Në dëshminë e dhënë për atë ngjarje, Ervis Martinaj tregonte që asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem me Ervin Matën, madje tregonte se ishte rritur me babain e Ervinit:

Dëshmia e Ervis Martinajt për ngjarjen e vitit 2018

“Po, mund të flas, thjesht qafën kam të paralizuar.

Unë, si puna e atyre dy çunave njoh gjithë Tiranën. Në këtë ngjarje kanë qenë palë në konflikt dy persona që kanë hyrë nga jashtë. Personat që kanë qenë të pranishëm fillimisht në lokal nuk kanë lidhje me ngjarjen. Kur unë po pija me Ervin Matën dhe Redin kanë hyrë dy persona nga jashtë lokalit. Njërin prej tyre e njoh, quhej Fabi, ndërsa tjetrin nuk e njoh dhe ata të dy kanë pasur konflikt me një tavolinë tjetër. Të gjithë të tjerët në lokal i kam miq dhe s’kam pasur asnjë konflikt me ta. Kur ata po konfliktoheshin, unë jam futur në mes për t’i ndarë dhe besoj që jam plagosur pa dashje nga ‘kokëmadhi’ (i referohet Mevjol Bilos). Ai më gjuajti me refleks, pasi nëse ai do të më vriste, i kishte të gjitha mundësitë, pasi unë në tokë i shtrirë isha. Nipçja në ato momente (Eljon Hato), i cili ishte në tavolinë me mua i tha ‘kokëmadhit’: ‘Mos, çfarë bëre, t’u thafshin krahët’ dhe ai në këto momente është goditur. Vetëm oficeri komando ka qëlluar. Unë u hodha në mes, isha me gotë vere në dorë për të qetësuar situatën. Unë e njoh Fabin, kisha 4 muaj pa e parë. Ai para 5 muajsh ishte diagnostikuar me kancer dhe sipas mjekëve, atij i kishin ngelur edhe shumë pak muaj jetë. Ai ishte çuni i dajës tim.

Këngëtarja s’ka lidhje fare. Me Ervin Matën s’kam pasur lidhje. Me të jam takuar rastësisht. Unë jam rritur me babën e Ervinit. Sherri nuk ishte aq i madh sa për të goditur aq shumë plumba. Unë isha ai që i thashë Fabit ‘mos’ se po të mos kisha ndërhyrë unë, ‘kokëmadhi’ do të kishte vdekur sot, pasi ai e kishte të pamundur të qëllonte se e kishin kapur nga krahët e s’kishte mundësi të nxirrte armën. Ai u tregua legen, pasi kur unë i thashë Fabit, ‘mos çfarë po bën’, ai gjuajti me refleks. Do të ishte Fabi gjallë. Jeni duke më rënë në qafë kot, pasi unë isha duke pirë një gotë. Unë në spital kam shkuar vetë me një taksi. Nëse nuk do të kisha shkuar për 3 minuta, do të kisha vdekur, pasi kisha humbur 2.5 litra gjak. Ervin Mata është një dele. Ai tani do të jetë në një copë dhomë, duke pirë. Unë s’kam asnjë lloj konflikti me të, por do të flas me babin e tij dhe do i them të vijë të sqarojë. Ai ka frikë se mos ngel në burg, se ju e arrestoni, e mbani kot.

Vetë Ervin Mata u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës në mars të vitit 2019, në të njëjtën kohë kur Ervis Martinaj u lirua me garanci pasurore. Por Mata nuk qëndroi më shumë se 2 ditë në paraburgim, pasi Gjykata i ndryshoi masën dhe ai u la i lirë.

Nga ky moment, kur të dy ishin në liri, gjërat nuk do ishin njëlloj si më parë për Ervis Martinajn dhe Ervin Matën. Mes tyre nuk kishte më paqe dhe kjo u dëshmua në vitet në vazhdim. Dhe shkak nuk ishte vetëm vrasja në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë, por edhe trafiku i drogës. Në një hark kohor të shkurtër ndodhën vrasje e atentate të dështuara, që mbetën pa autor, por që hetimet i lidhnin me këta personazhe. Të dy nisën të fuqizohen duke afruar pranë vetes edhe efektivë e madje dhe drejtues Policie.

Me zhdukjen e Ervis Martinajt, nisën të dalin në skenë emra policësh, siç ishte Jeton Lami, që kishte shërbyer edhe si shofer i tij, apo edhe emra të tjerë oficerësh, që vijojnë të jene ende në verifikim. Aplikacionet dhe telefonat e koduar dekonspiruan shumë emra policësh e ish-policësh.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla pati një paralajmërim për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, duke deklaruar se do të përjashtoheshin nga Policia e Shtetit të gjithë ata qe kanë pasur akses në këto platforma komunikimi edhe nëse nuk rezulton të kenë qenë të përfshirë në aktivitet kriminal.

Pas operacionit “Metamorfoza”, i finalizuar me zbërthimin e bisedave të kryera në SKY ECC, të gjithë ata që kanë përdorur SKY jetojnë me frikën se një ditë do të përfundojnë pas hekurave.

Kështu ndodhi edhe mbrëmjen e 20 nëntorit. Këtë herë ishte radha e oficerëve e ish-oficerëve të Policisë që kanë bashkëpunuar në një formë a një tjetër me Ervin Matën.

Emri i tij tashmë është sërish në të njëjtën dosje me Ervis Martinajn. Mata në kërkim dhe Martinaj i zhdukur prej 9 gushtit të vitit 2022. Por duket se historitë, që tashmë po hetohen nga SPAK, janë zhvilluar më herët dhe i përkasin viteve 2019-2022.

Tifozët po grumbulloheshin rreth stadiumit “Air Albania” për të mbështetur kombëtaren që luante ndeshjen e festës kundër Ishujve Faroe. E fundit në eleminatoret e Europianit 2024, ku tashmë Shqipëria është konfirmuar si e para në grup. Mes tifozëve që festonin, ishin edhe grupi operacional i Policisë që kishte tjetër mision. Do të ekzekutonte dy urdhër arreste të SPAK. I pari që u ndalua aty mes tifozëve ishte Erzen Breçani, ish-zv.drejtori i Policisë së Tiranës. E pak momente pas tij, kur po ulej për të parë ndeshjen bashkë me djalin e mitur, u prangos edhe Dedan Gjoni, shefi i krimeve të Komisariatit nr.6, në Kombinat.

Prokuroria e Posaçme po zhvillonte prej 7 muajsh hetime për një grup të strukturuar kriminal, në qendër të të cilit ishte Ervin Mata.

SPAK ka ngritur akuza dhe ka kërkuar masa sigurimi në Gjykatën e Posaçme për 11 persona, të dyshuar si grup i strukturuar kriminal. Përveç Erzen Breçanit dhe Dedan Gjonit, mbrëmjen e 20 nëntorit u arrestuan edhe Bujar Ajeti, i njohur edhe me mbiemrin Gërmizi, si dhe Besmir Murati. Ndërsa iu komunikua masa e “detyrimit për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore”, Jonida Babametos, oficere e Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit. Ajo akuzohet për kohën kur ishte oficere në Interpol – Tirana, dhe ka dyshime se përcille informacione tek grupi kriminal.

Pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë edhe djali i Erzen Breçanit, Eralb Breçani, i cili nga ana tjetër është i fejuar me motrën e Ervin Matës. Gjithashtu edhe Artan Sulejmani, Albert Prenga e Bujar Grabova, për të cilët po ashtu janë vendosur masat e arrestit me burg.

Ervin Mata, i cili dyshohet se ndodhet jashtë vendit, dyshohet për grup të strukturuar kriminal, trafik narkotikësh dhe kryerje e veprimeve nga organizata kriminale. Po ashtu masë sigurie është vendosur edhe për Ismail Zenelin që veç akuzave që ka Mata, ka gjithashtu edhe veprën e sigurimit të kushteve për të kryer vrasje. Bujar Ajeti, nga Kukësi ka të njëjtat akuza si Zeneli. Ndërkohë që Dedan Gjoni, shef i krimeve në Komisariatin nr.6, dyshohet të ketë siguruar kushtet për të kryer një vrasje në bashkëpunim me grupin kriminal.

Djali i Erzen Breçanit, dyshohet dhe për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Ish-zyrtari i lartë i policië, Erzen Breçani akuzohet për veprën penale të pastrimit të parave dhe  dhe përkrahje e autorit të krimit.

SPAK ka dyshime të arsyeshme se ky gru i strukturuar kriminal, në përbërje të të cilit janë policë e ish-policë, trafikonte kokainë nga Ekuadori, Kolumbia dhe Brazili, drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Konkretisht bëhet fjalë për 4 dërgesa me kokainë të kapura në vitin 2021 në Holandë, Brazil, Gjermani dhe Spanjë. Këto kanë qenë objekt i hetimit, fillimisht të Europl e më pas edhe të SPAK, ndaj anëtarëve të grupit të Ervin Matës.

Është një sasi totale prej 931 kg kokainë që është kapur në katër shtete, dhe që padyshim SPAK ka provuar se organizatorë të dërgimit të kokainës nga vendet e Amerikës Jugut në Europë, ishin pikërisht shqiptarët, që drejtoheshin nga Ervin Mata.

Por përveç akuzave të trafikut ndërkombëtar të drogës, ky grup dyshohet se po planifikonte edhe krime më të rënda, siç janë vrasjet. Ata akuzohet për planifikimin e vrasjes së kundërshtarëve, në periudha të ndryshme mes vitit 2019 – 2021, në Shqipëri dhe Angli.

Komunikimet në “Sky” të mbërritura nga autoritet Franceze dhe Belge, kanë hedhur dritë mbi këtë situatë. Në planet për vrasje ishin dy vëllezër shqiptarë që jetonin në Angli. Ajeti, nga Kukësi, që është një personazh me precedentë të mëparshëm kriminal, ka komunikime për plane vrasjesh edhe me Nuredin Dumanin.

Njoftimi i SPAK

Në kuadër të këtij procedimi penal, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, në Amerikën e Jugut si dhe në disa vende të tjera në Europë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri.

Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

– Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Holandë në datën 05.01.2021

– Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021

– Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erwitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani

– Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani

– Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Republikën e Shqipërisë

– Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë

Po vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale, për të cilat është kërkuar sekuestrimi i tyre. Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit në nivel të lartë, të cilat cënonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit. Është dokumentuar përfshirja e punonjësve të policisë në grupe kriminale.

Por si nisi hetimi për këtë grup të strukturuar kriminal?

Grupi po hetohej nga agjencitë europiane të zbatimit të ligjit, në Holandë, Belgjikë, Francë dhe Gjermani. Edhe në këtë rast bëhej fjalë për një rrjet të mirëorganizuar shqiptarësh, që trafikonin kokainë nga Amerika e Jugut, kryesisht nga Ekuadori dhe nga Brazili. Në kohën që bëhej verifikimi i PIN-eve që ata përdornin në aplikacionin SKY, hyn në lojë edhe SPAK.

Dosja e SPAK me komunikimet e fshehta të zhvilluara në SKY

Emrat e personazheve të përfshirë në grupin kriminal që drejtonte Ervin Mata, nisën të dalin në skenë gjatë hetimeve për një sasi kokaine të kaluar në Holandë më 5 janar të vitit 2021. Bëhej fjalë për 446 kilogramë lëndë narkotike. Në dosjen e SPAK që “Gjërat Tona” disponon, rezulton se lënda narkotike ishte porositur nga Eralb Breçani, djali i ish-drejtuesit të lartë të Policisë, Erzen Breçani. Për këtë ngarkesa kishte paguar Ismail Zeneli, i cili sipas komunikimeve të aplikacionin SKY rezulton se thirrej “Daja”.

Më datë 12 tetor të vitit 2023 është administruar informacioni i ardhur nga oficeri i Kontaktit në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës, i cili ka informuar se:

Më datë 5 janar 2021 nga autoritetet ligjzbatuese holandeze është kontrolluar kontejneri në zonën e quajtur “Maasvlakte” në portin detar të Roterdamit. Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sekuestruar 446 pako me lëndë narkotike, të llojit kokainë të fshehura në trupin e kontejnerit. Për këtë ngjarje janë arrestuar dy shtetas holandezë: Roelof den Otter dhe Dirk Evert Bujtenhuis. Kontejneri ka qenë i llojit frigoriferik, i kyçur me vula kyçëse. Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur ne brendësi të tij edhe një vule kyçëse të pa mbërthyer. Transporti detar i tij, identifikuar si kompania “Maersk”, anije qe ka kryer transportin detar quhej “Brani” dhe kontejneri ishte ngarkuar në portin detar të Guajakil në Ekuador.

SPAK, me qëllim dokumentimin e këtij fakti ka analizuar komunikimet e kryera në aplikacionin Sky, të dërguara nga autoritetet franceze të drejtësisë. Referuar bisedave të realizuara nga përdoruesit e këtij aplikacioni mes datave 9 janar 2021 – 4 shkurt 2021, konkretisht bisedave të zhvilluara mes Ismail Zenelit me nofkën “Daja”, Dajloki” dhe “Transporter”, Eralb Breçani me nofken “Boli” ose “Toni”, Besmir Murtati me nofkën “Kukës” dhe përdoruesit të paidentifikuar D*P* me nofkën “Elb” ose “Elb Nisan”. Nga komunikimet del në pah bashkëpunimi ndërmjet këtyre personave dhe funksionimi i tyre si një grup i strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve. Evidentohen rolet e secilit për realizimin e trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut në drejtim të portit të Anterpit, Belgjikë dhe Roterdamit, Holandë. Më konkretisht roli i secilit prej të dyshuarve është si më poshtë:

Ismail Zeneli ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës. Po ashtu edhe rolin e sigurimit të daljes së lendës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur ajo arrin në këtë port e transportuar me kontejner.

Eralb Breçani ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës. Gjithashtu, për shkak të kontakteve me persona me nacionalitet të huaj dhe kryesisht në Amerikën e Jugut ka krijuar lidhje ndërmjet tyre dhe anëtarëve të tjerë të grupit që kanë udhëtuar në këto shtete me qëllim organizimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikimin të narkotikëve.

Besmir Murtati ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil.

Përdoruesi i Sky i pa identifikuar D*P* ka pasur rolin e kontaktimit të personave me nacionalitet të huaj kryesisht nga Amerika e Jugut me qëllim sigurimin e lëndës narkotike; pritjen e shumave të parave të dërguara nga anëtarët e tjerë të grupit në vendet e Amerikës së Jugut; blerjen e sasive të ndryshme të narkotikeve me këto para dhe organizimin e punës për futjen e lëndës narkotike në kontejnerë me qëllim trafikimin drejt vendeve te BE-së.

Në dosjen e SPAK, Erzen Breçani evidentohet në disa episode, fillimisht për lidhjen e tij familjare me Ervin Matën, motrën e të cilit e kishte nusen e djalit, por edhe për miqësinë me Bujar Ajetin Gërmizin. Ndërkohë, në dosje përmendet edhe emri i këngëtares Elvana Gjata, pasi Ervin Mata shpreh idenë se mund të përdorë llogarinë bankare të saj për të bërë një transfertë parash. Në një prej komunikimeve mes Erzen Breçanit dhe djalit të tij Eralb Brecani, që ndodhet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme, flitet për një shumë të konsiderueshme parash, konkretisht 500 mijë euro. Para që Ervin Mata i ishte ofruar t’ia dërgonte përmes Elvana Gjatës, por Breçani nuk kishte pranuar.

Komunikimi është bërë më datë 18 gusht 2020, në mesnatë përmes aplikacionit SKY. Fillimisht Erzen Breçani i dërgon një mesazh zanor, më pas nis komunikimin me djalin e tij Eralb Breçani, duke i thënë se telefonin me aplikacionin SKY ia ka blerë Bujar Ajeti, pasi janë përgjuar. I tregon që ka pasur një bisedë me Ervin Matën dhe ky i fundit i ka ofruar 500 mijë euro borxh për ta ndihmuar për ndërtimin e një HEC-i, por Erzeni e ka refuzuar. Në bisedë me Eralb Breçanin i tregon për HEC-in dhe etapat e ndërtimit qe po zhvillohen aty. Ai i kërkon të birit që mos të vazhdojë me aktivitetin e tij jashtë shtetit duke rrezikuar.

Erzen Breçani: Ç’a bone, a je mirë?

Erzen Breçani: Ma bleu Bujari ngaqë na kanë përgjue… Ç’a je ka bani ju? Si asht Ervini? Nuk pata kohë me të thanë se m’tha mue po t’i dërgoj nga llogaria e Elvanës 500 mijë euro borxh e maroj punët sa t’i kalosh kto halle. I thashë jo, në asnjë mënyrë. I ka Eralbi po nuk ka me ç’ka i sjell tha, kam njerëz unë që i sjellin sa të dush. Nuk jam ka të thom me nis gja jo, po të thash se me pat thanë vetë dhe nuk të pata kallxue se nuk nejtëm bashk. Tash sa ka i bjen në mend hiç për HEC-in me than të drejtën. Nuk i thash unë nismi m’tha vetë e i thash në asnjë mënyrë. Ruje vetën ti e me kanë shnosh për veti e lej punt që rrezikojnë se apo e shef si mu kanë vu mue e Bujarit, tanë shteti në shpinë…

Gjatë bisedës, Erzen Breçani, e orienton të birin se si të komunikojë me Ervin Matën:

Erzen Breçani: Nuk merrem thuj me asgja. Baba e mixht e mij i kan ba tre miljon euro për pesë vjet, e na kan majt me lek, me shpia, me pun të pastër. Dhe un do jem i zoti me i ba tre miljon euro me mixhen tem pa drogë, pa punë të pista, kaq asht e vërtetë dhe thuja në mes tanve. Mos fol gja në sy të tij punë droge e gjana se asht i infiltruar i policisë në grupet kriminale se kam pyet qysh herën e parë.

SPAK argumenton se Erzen Breçani ka konsumuar elementë të veprës penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, ku dyshohet se ka marrë nga Eralb Breçani shumën prej 350 mijë euro. Shumë që e ka marrë me dashje dhe dijeni të plotë që burojnë nga aktiviteti i jashtëligjshëm i trafikimit të narkotikëve dhe i ka invesuar në biznes duke iu shmangur raportimit të institucioneve përkatës. Gjithashtu, ai ka konsumuar edhe veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit duke i dhënë informacione Bujar Ajetit dhe Nuredin Dumanit në mënyrë që t’i shmangen kapjes nga Policia. Informacioni i dhënë nga Breçani është një nga mënyrat që ka ndikuar që Bujar Ajeti dhe Nuredin Dumani të shmangin komunikimet dhe të shmangin çdo lëvizje të mëparshme që do të mund të sillte arrestimin e tij.

Plani për të vrarë vëllezërit Nela

Vëllezërit Albert dhe Edmond Nela ishin vënë në shënjestër për t’u ekzekutuar nga anëtarët e grupit kriminal që u goditën nga SPAK pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin SKY. Sipas hetimeve ka rezultuar se Bujar Germizi, që është vënë në pranga si dhe Ismail Zeneli, që është shpallur në kërkim, kanë bashkëpunuar me shefin e Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjonin për të vrarë 2 vëllezërit që jetojnë në Angli. Nga hetimet ka rezultuar se shefi i krimeve, që në kohën kur ka ndodhu ngjarja ishte me detyrë në Policinë e Elbasanit, ka kryer veprime aktive duke ndjekur motrën dhe nënën e vëllezërve Nela dhe tenton të vendosë një GPS në makinë. Po kështu ka rezultuar se Gjoni ka nxjerrë të dhëna nga sistemi TIMS për Albert dhe Edmond Nelën për t’ua dhënë më pas anëtarëve të grupit.

Vrasja e vëllezërve ishte porositur si hakmarrje nga Ismail Zeneli, që më përpara ka pasur emrin Luan Sadria apo dhe Xhem Krasniqi. Edmond dhe Albert Nela dyshoheshin se në vitin 2013, në Britani kishin vrarë Guximtar Sadrinë vëllain e Luan Sadrisë, i cili atje kishte emrin Xhem Krasniqi. Në shenjë hakmarrje ai kërkon eliminimin e tyre dhe këtë e merr përsipër Bujar Gërmizi, një ish-efektiv i forcave speciale dhe i Gardës, që për shkak të detyrave që kishte pasur në Polici, ka pasur miqësi edhe me Erzen Breçanin.

Gjykata e Posaçme, ne vendimin për masat e sigurisë, argumentin se, Ismail Zeneli, Bujar Gërmizi dhe Dedan Gjoni kanë ndërmarrë veprime konkrete për sigurimin e kushteve, duke gjurmuar, identifikuar banesat dhe mbikëqyrur lëvizjet e Edmond Albert e Silvi Nela, me qëllim kryerjen e vrasjes së vëllezërve Nela. Veprimet e tyre interpretohen vetëm në drejtim të vrasjes së vëllezërve  Edmond e Albert Nela. Nga bisedat përftohen të dhëna vetëm në ekzistenvcën e një konflikti dhe jo arsye të tjera. Dedan Gjoni, punonjës Policie, ka përdorur sistemet e Policisë së Shtetit, në të cilat ka pasur akses për shkak të detyrës që ushtronte, në shërbim të Ismail Zenelit. Rezulton se Dedan Gjoni ka vepruar në shkelje të plotë të detyrave funksionale, duke krijuar kushte që mund të cënojnë jetën e Edmon e Albert Nelës. Ai dyshohet se ka qenë në dijeni të plotë të qëllimeve të Ismail Zenelit, pasi me të nuk ka pasur njohje të mëparshme, por në një periudhë të shkurtër kanë komunikuar shumë shpesh, vetëm me një qëlim. Zbulimin e vendndodhjes së vëllezërve Nela. Në bisedën e datës 24 shkurt 2021, Dedan Gjoni shprehet se:

“Besoj se kësaj radhe jemi në shenjë. Me qëtësi do e marrim tani. Jemi në kokë…”

Rëzulton se më datë 9 shkurt 2021, Ismail Zeneli dhe Bujar Ajeti kanë shkuar në Elbasan të takohen me Dedan Gjonin, i cili në atë periudhë ka qenë i punësuar në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit. Ismail Zeneli ka hyrë në ambientet e Drejtorisë së Policisë, në zyrën e Dedan Gjonit dhe ka marrë informacione nga sistemet TIMS dhe E-Gjoba lidhur me vëllezërit Albert dhe Edmond Nela. Ka një komunikim të Ismail Zenelit me Dedan Gjonin:

Ismail Zeneli: Mgjes. Si t’kam? A je në punë?

Dedan Gjoni: Gjes

Ismail Zeneli: Të vij të takoj?

Dedan Gjoni: Po në zyrë jam.

Ismail Zeneli: Po vij andej

Dedan Gjoni: ok

Ismail Zeneli: Shok, jam ktu

Dedan Gjoni: Dola

Nga ana tjetër, oficerja e Policisë, Jonida Babameto, ka kryer po ashtu veprime me dashje, duke keqpërdorur sistemet dhe aksesuar të dhëna për shkak të funksionit të saj në kohën kur ishte specialiste tek Interpol Tirana. Megjithëse këto informacione ajo ia ka dhënë një punonjësi policie, Dedan Gjonit, me të cilin janë kolegë, veprimet e Babametos cënojnë interesat e shtetit për sigurimin e rendit dhe sigurinë publike karshi qytetarëve. Në këto kushte Jonida Babameto është akuzuar për shpërdorim detyre.

Episodet e trafikut të drogës

Në dosjen prej 106 faqesh janë të detajuara bisedat e zhvilluara mes grupit kriminal që zbardhin dhe rolin e Ervin Matës, të njohurin si ‘boli i kokainës’, i cili është shpallur në kërkim, si dhe të Bujar Ajetit Gërmizit, që u arrestua në Kukës. Në disa prej bisedave të zbardhura në dosje, Ervin Mata komunikon në gjuhë të huaj për trafikun e një ngarkesë me kokainë nga Brazili. Konkretisht bëhet fjalë për një ngarkesë për 250 kg kokainë që ishte nisur drejt aeroportit të Frankfurtit në Gjermani. Por plani i shkoi keq dhe Ervin Mata nuk e fshehu këtë, duke u shqetësuar edhe se lajmi do të bëhej publik nga media.

Në shtator të vitit 2020, Mata, bashkëbisedon në gjuhë të huaj në një chat grup. Nga biseda e zhvilluar dyshohet se Ervin Mata në bashkëpunim me përdorues të tjerë Sky, pjesëmarrës në grup, kanë trafikuar një sasi prej 250 kg lëndë narkotike kokainë nga Brazili për në aeroportin e Frankfurtit. Evidentohet edhe biseda e datës 29 shtator 2020 me përdorues të tjerë shqipfolës, ku Mata i tregon që i janë kapur dhe sekuestruar një sasi prej 240 kg dhe problematikën e nxjerrjes nga aeroporti dhe mbërritjen në Frankfurt.

Personi ende i paidentifikuar, D*P*, në bisedat e zhvilluara mes tij dhe anëtarëve të tjerë të grupit, kryesisht Eralb Breçanit, rezulton se ai qëndron në Ekuador dhe merret me kontaktet e nevojshme. Në një nga bisedat, ky person siguron ortakët se futja e ngarkesave do të jetë më e thjeshtë, pasi kishte siguruar lidhjet me një kompani që blinte banane. Por, Ismail Zeneli nuk ishte i bindur për të, madje dyshonte se ai mashtronte kur u premtonte ngarkesa të mëdha.

Më datë 9 nëntor 2020, 12:00 Ismail Zeneli komunikon me perosonin të cilit i drejtohet me fjalën “Daj” dhe dyshohet se diskutojnë rreth dërgimit të një ngarkese prej 50 kg kokainë nga Amerika e Jugut drejt Valencias.

Ismail Zeneli: Po kam fol por m’tha për kët jave 10% do bëj 500 cop me dysheme, me çanta nuk nisi gjo. O dajlok se jam në makine dhe nuk jam duke të shkrujt dot se edhe nuk shoh mirë. Ça me të thanë, po presim këtë javë

Ismail Zeneli: Si je, nga humbe, ç’a po ban? Ç’a kutie o daj, je duke bo tavan apo dysheme, si nuk na shkon më lirë? Po mirë mirë, më thuj ç’a je duke bo, dysheme apo tavan? Ok sa copë do fusësh?

Ismail Zeneli: Diçka dajë. Si je ti. Diçka. Ok Fol. Po sa janë o daj, qysh janë, ç’a janë? Na ço një herë të dhënë masandej po foli. Po ti e din se kur është keshtu, nuk e di se sa do t’na marrin. Po ishalla marrin përsipër dhe e bëjnë si punë. Ndryshe ngelim, ç’a me të thënë s’di ç’a me të thënë. Po mi ço të dhënat edhe po flas me to edhe të shoh sa po na kërkojnë.

Ismail Zeneli: Po mire o daku, më kalo të dhënat. Daku mi kalo 7-8 kutia ose 10 kutia, që të jetë edhe kutia jote aty në mes, edhe t’ja kaloj unë ktyne shokve edhe t’ju them këto kutiat këtu që janë transit.

Më datë 24 nëntor 2020, Ismail Zeneli komunikon me Besmir Murtatin dhe i shpreh pakënaqësi për veprimet e D*P* dhe duke qenë se ka dërguar para për të porositur lëndë narkotike, shqetesimin e tij dhe nervozizmin ia shpreh atij.

Ismail Zeneli: O daje ç’a do bëjë ore, se ky tha që do ngarkojë këto dy ditë. S’ka ç’a ngakon. Ore, se D*P* ka 3-4-5 muj që është duke na rrejt, na griu. Po jo ore ç’a fola me të, s’kam fol gjë me të. Ashtu ai ngeli duke me thënë gjithë ato kohë or burrë. Këtej thotë janë 3-4 rrugë që dojnë me ngarku për Valencia. Tani më tha kam për Brazilin. Po leje thash ore na bej këtë punën e Ekuadorit. Ai lekët s’mi ka dhënë mua mbrapa a kupton.

Më vonë Ismail Zeneli komunikon me Eralb Breçanin:

Ismail Zeneli: O daj a nejte duke mu lut ti me bo noj gjo me atë? Po ashtu janë nja 3-4. 2-3 i ka vetëm D*P* qe i ka porosit nga 2-3 veta. Po kshu pra është bo. O daj ka gjithë verën duke prit D*P* vetëm ka qenë. Tani i ka porosit nja 3-4 tjera ai, vete më ka thënë. Ishalla mor dajlok, se na çorjentun fare. Mileti po punojnë vetëm. Nuk ishte duke bërë gjë me atë grupin e vet. Po për Zotin nuk e njoh, direkt. Vetëm mund te jete dikush në mes. O daj 2-3 grupe i ka porosit vetëm D*P* jam vetëm me njerëzit këtu, me këto dy që kam unë këtu jam 25% tashë ndani ju tjerat, Batmani me Kukësin edhe tjetri andej. Ndani ju të gjitha, mua me leni 25% vetëm. A më merr vesh?

Më datë 12 shkurt 2021, Ismail Zeneli komunikon me Eralb Breçanin:

Eralb Breçani: Ç’a bahet andej? Hë, ç’a bahet me D*P* se m’tha kam fol me dajën në Signal. A je t’u ba gja më tha. Se kam frikë tha e fol në SKY…

Ismail Zeneli: O dajlok ç’a bane? Dëgjo këtu, asnjë gjo s’më ka thënë. Më ka çu një copë letër si përherë, për me 22 tha a ka? E ka të sigurt. Kurse një gjo të vogël, më duket e ka nis nga Brazili, nja 60 copa, janë nja 35 të atij andej, a ku di gjo se ç’a më ngatërroi.

Ismail Zeneli: Po shife sa frikë, sa frikë kam unë. Po leje or burrë se me pas ra, me u pas kap, mbyllet si kshu, sikur u mbyll enkro direkt. Po leje se s’ka nerva me fol më në grup se e mërzit Kuksi, e mërzit ti.

Eralb Breçani: Po të kuptoj. Dakord. Do i them i herë. Po kët nga Brazili a e ka hyp në ujë, se m’duket e ka nis me robin tem, primon. Po ç’a tha me 22 është e sigurt që e nis tha?

Ismail Zeneli: Po ashtu më tha, gjoja me 22 e ka të sigurt. Nuk e di ku është e sigurt o dajlok. Jam zhgënjy nga ai në total, po s’kam ç’a bëj. E themi ne nga zona jonë, kur s’ke pulën ha sorrën. Duhet me ngju tash D*P* se ç’a thotë.

Eralb Breçani: Më dëgjo dajlok, asht djalë që s’ban numra. Kjo asht e rëndësishmja. Se mos me na fut në telashe tjera të mëtejshme. Por duhet me pa, me gjet dhe një hypje të fortë unë se s’ban, se është gjynah mos me e shfrytëzu në maksimum variantin tënd.

Në dosje del edhe emri i Ergys Dashit, nga Shijaku, i cili u vra në Guajakil të Ekuadorit më 23 janar të vitit 2022. Ajo që nuk dihej deri më sot, është fakti se Dashi ishte kushëriri i Ervin Matës. Ndërsa autorët e vrasjes së tij brënda një restoranti në Guajakil, ku u plagos edhe një grua, ende nuk dihen.

Në dosjen e SPAK thuhet se:

Më datë 18 shkurt 2021, në portin e Valencias në Spanjë, është sekuestruar rreth 69 kg kokainë e fshehur në motorin frigoriferik në fund të kontejnerit, i cili transportonte fuçi me lëng limoni të ngrirë të koncentruar. Ngarkesa thuhet se kishte ardhur nga Brazili. Nga hetimet del se të dyshuar për këtë trafik janë Ismail Zeneli, Eralb Breçani dhe Ergys Dashi, ky i fundit i ekzekutuar në Ekuador. Ismail Zeneli ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil. Si edhe të nxjerrjes së lëndës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur do të mbërrinte në këtë port e transportuar me kontenier. Artan Sulejmani ishte bashkëpunëtor i Zenelit, ndërsa Eralb Breçani ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil.

Këto janë vetëm një pjesë e qindra bisedave të fshehta mes anëtarëve të grupit kriminal, që tashmë janë në dorën e SPAK dhe janë konsideruar si provë edhe pas lidhjes së episodeve me prova të tjera ligjore.

Por duket se as këta të dyshuar, njerëz të botës së krimit, oficerë e ish-oficerë policie, nuk do të jenë të fundit që do të hetohen e arrestohen në vijim. SKY është përdorur masivisht në periudhën që i referohen hetimet, e sigurisht qëllimi i përdoruesve nuk ka qenë thjeshtë për t’u përshëndetur, apo për t’u takuar për një kafe.

Nocioni shtet dhe shteti, sipas kuptimit të fjalës, ka për qellim të mbrojë qytetarët nga paligjshmëria dhe padrejtësia. Por SKY, tregoi se nocioni dhe vetë shteti, më shumë nder i kanë bërë botës së krimit, apo ndryshe anti-shtetit.

Hetimet e SPAK, në bashkëpunim me disa shtete të Europës sapo kanë nisur dhe duket se do të trondisin Policinë e Shtetit gjatë procesit të pastrimit dhe vetëpastrimit. Një nevojë kjo, e cila përsëritet vazhdimisht edhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Ndërkohë, SKY dhe bashkëpunëtorët e drejtësisë, duket se do të trondisin në vijim botën e krimit në një shkallë të tillë sa të sjellë rend të ri dhe filiza të rinj të krimit. Për këtë, duhet që Policia të ketë përfunduar pastrimin, në mënyrë që shteti, të jetë në krahun e duhur në të ardhmen. SKY mund të mbyllë një epokë, pa çka se krimi do vijojë. Por për ta luftuar do të duhet një Polici e fortë dhe e pastër.

/Emisioni “Gjërat Tona”

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH